Gazetari Blendi Fevziu shkruan sot se Lulzim Basha arriti disa fitore të rëndësishme me çadrën tre mujore përpara kryeministrisë.
Në një analizë të publikuar në opinion.al ai shkruan se në 17 shkurt, një ditë para protestës ku u ngrit çadra, populli opozitar nuk ishte aspak i motivuar dhe humbja e PD-së ishte e sigurt.
Por pas tre muajsh gjërat kanë ndryshuar në favor të Bashës, sipas Fevziut.
“Së pari koalicioni XXL nuk ekziston më. PS do garojë e vetme dhe LSI me PDIU po ashtu. Ky është bonusi më i madh që Basha mori nga protesta e tij. Në një garim të tillë loja është hapur nga fillimi dhe shanset për një rezultat surprizë po ashtu. Të gjithë e dinë që një rezultat i ngushtë, mund të çojë në kombinime të tjera të shifrave për të arritur numrin magjik 71. Pra PD është e hapur t’i bashkojë shifrat e saj me të gjitha partitë, ndryshe nga 3 muaj më parë kur nuk kishte asnjë shans për këtë. Së dyti, Basha me çadrën, forcoi shpirtin e opozitarizmit dhe qëndresës dhe i bindi mbështetësit e tij se një fitore e mundshme nuk është aq larg. Duke shkarkuar 15 ministra të qeverisë dhe duke i zëvendësuar me ish zyrtarë të administratës së PD, ai ka dhënë mesazhin që pushteti është afër dhe kjo ndikon tek mobilizimi i njerëzve të tij më shumë se çdo gjë. Së treti, Basha konsolidoi ndjeshëm në publik dhe brenda partisë, lidershipin e tij. Sot mund të jesh kundër apo pro Bashës në parti, por vështirë të mendosh që ai është thjeshtë një marionetë siç mendonin deri 3 muaj më parë shumë vetë”, shkruan Fevziu.
Drejtuesi i emisionit Opinion, vlerëson se edhe Rama vetë, duke dalë pa LSI dhe PDIU në zgjedhje i ka bërë kalkulimet e tij.
“Për të gjitha këto arsye, Basha ka kthyer në zgjedhje garën, pas 3 muajësh protestë. Padyshim ai e di që edhe Rama ka bërë kalkulimet e tij. Rama ka dashur dhe ka arritur të heqë çdo peshë që i rridhte nga koalicioni dhe po tenton të bëjë një betejë ku i humb apo fiton të gjithë”.
Komentet