Drejtuesi i emisionit Opinion, Blendi Fevziu i është përgjigjur sot të gjitha dyshimeve të ngritura se përse një mesazh i përgjuar i Kastriot Ismailajt me një politikan të rëndësishëm në vend, i publikuar nga Artan Hoxha, u bë pikërisht në studion e tij.
Përmes një komenti të bërë në faqen, opinion.al ai shkruan se nuk kishte dijeni që Hoxha do ta lexonte këtë mesazh dhe nëse do ta dinte, të githë emisionin do ta përqëndronte te ky mesazh.
“Në fakt, personalisht nuk kisha dijeni për atë sms. Ky ishte edhe defekti i emisionit. Nëse Hoxha do ma kishte thënë që në fillim, nuk do t’ja jepja fjalën në fund dhe as do ta kaloja pa përqëndrimin e nevojshëm. Do ja jepja fjalën që në fillim dhe do ta kisha përqëndruar emisionin tek ajo sms dhe ajo dosje. Asgjë më shumë se sa ai denoncim nuk mund të tërhiqte vëmendjen e publikut që atë moment arriti diku në 58 % ose baraz me një televizor në 2 ndezur tek ai emision. Një drejtues emisioni nuk mund të ëndërrojë asgjë më të madhe se sa kaq. Si gazetar, të kesh mundësinë e një denoncimi të tillë, po ashtu është një kulm profesional. Vërtetësia apo jo e faktit i takon padyshim gazetarit që e bëri denoncimin. Ajo që i mbetet emisionit është thjeshtë oponenca dhe gjithë pikëpyetjet që publiku ngre në këtë rast. Për ta bërë siç duhet detyrën që ka”, shkruan Fevziu.
Lidhur me komentet e bëra gjatë kësaj jave se kush ia ka publikuar Ilir Metës këtë sms, ai shkruan se “Edhe unë besoj se këtë Ilir Metës ja bën dikush. Nuk besoj se është çështje drejtësie sepse drejtësia mund të reagonte me vepra vetë. Madje Prokuroria e ka mbyllur dosjen dhe për 7 vjet për të nuk u kujtua askush. Përse u hap tani?! Ka shumë vetë që mendojnë se ja bën Rama, ka që mendojnë se ja bën PD. Ka të tjerë që mendojnë se në lojë është Dritan Prifti apo Tom Doshi. Mund të mendoj edhe unë si ata. Por ky është opinion. Kush ja bën dhe përse është e dyta. i pari është fakti dhe pyetja, a duhet që një emision të ndalojë një gazetar që vjen me dosje në dorë dhe publikon një fakt. Meqenëse ka qëlluar që Meta të përmendet në dy emisione dhe meqenëse ka shumë vetë që mendojnë se këtë ja bën Rama (Mbase është edhe kjo e vërtetë), po i kujtoj se po në Opinion doli çështja e makinës së Tahirit dhe ai u detyrua ta pranojë live. Po në këtë rast, ishte Meta që ja bëri Tahirit apo Basha?”
“Eshtë mirë që protagonistët politikë sulmojnë dhe nxjerrin abuzimet e njëri – tjetrit. Ndaj kam një sfidë publike. Kushdo qoftë, gazetar apo politikan që ka diçka për të denoncuar është i mirëpritur në Opinion! Qoftë kushdo personi i përmendur në dokumentat që ai disponon. Nëse Rama ka dokumenta për Bashën apo Metën; nëse Meta ka dokumenta për Ramën apo Bashën; nëse Basha ka dokumenta për Ramën dhe Metën, mirëardhshin! Studion e kanë të hapur. Mund të sjellin çfarë të duan dhe nuk i censuron askush. Nuk ka asnjëherë rëndësi kush e bën denoncimin, por sa i vërtetë është ai. Në do ta ndihmojmë këtë denoncim duke hapur një rubrikë të veçantë edhe në opinion.al që nesër”.
Komentet