SHKUP/TIRANË/PRISHTINË – Mijëra besimtarë myslimanë në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë kanë falur sot namazin e Kurban Bajramit. Ata janë mbledhur së bashku në xhamitë në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Kurban Bajramit.
Manifestimi qendror në Maqedoni u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, ku përveç numrit të madh të besimtarëve dhe figurave fetare, kishte të pranishëm edhe ministra qeveritarë si dhe deputetë në Kuvendin Republikan.
Fillimisht, besimtarët falën namazin e sabahut, pas çka për rreth një orë vijoi një program i pasur nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), ku organizatori kishte përgaditur recitime nga Kur’ani dhe këndim të ilahijeve.
Hutben e Bajramit në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, i cili mungoi në eventin solemn, e lexoi nxënësi i Medresesë “Isa Beu” në Shkup, Orhan Zendeli, i cili përçoi mesazhin për paqe dhe bujari.
“Përkushtimi ndaj një jetimi, ndaj një plaku, ndaj një nënë skamnore, ndaj një nxënësi apo studenti në nevojë, të gjitha këto mund ta kenë peshën e një kurbani, prandaj vepra të mira pa ndalë, bëjini për Allahun sepse ashtu gjithmonë do të jeni nën mëshirën e tij dhe të shpërblyer në këtë botë dhe në botën tjetër”, ishte mesashi i kryetarit të BFI.
Edhe në xhamitë e tjera të Maqedonisë në prani të madhe të besimtarëve muslimanë u fal Kurban Bajrami, ndërsa gjatë ditës ata të cilët kanë blerë kurban, do të bëjnë therjen e tij.
Besimtarët myslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Kurban Bajramit gjatë manifestimit qendror të mbajtur në Tiranë.
Mijëra besimtarë u mblodhën në Sheshin “Skënderbej” në kryeqytetin e Shqipërisë për faljen e namazit, duke u bashkuar në lutjet e tyre.
Namazi i Kurban Bajramit është falur edhe në qytetet e tjera të vendit, ku besimtarët janë bërë pjesë e ritualeve fetare në xhamitë e vendit.
Para faljes së namazit të Kurban Bajramit në Tiranë u mbajt një ceremoni me lexim Kur’ani, ligjërata dhe përshëndetje.
Kurban Bajrami fillon me faljen e namazit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit, simbolit të festës, si dhe me vizitat tek të afërmit dhe miqtë.
Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, manifestimi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit është mbajtur në xhaminë Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë.
Pas faljes së namazit të Kurban Bajramit hutben e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava i cili theksoi se Islami angazhohet për të drejtat universale të njeriut ndërsa Kurban Bajrami është shkollë në vete. Myftiu tha se Kurban Bajrami është festë pas kryerjes së haxhit, vizitës në Qabe dhe vendet tjera si dhe therjes së kurbanit.
“Kjo është një festë që vërteton të drejtën hyjnore për jetë. Nuk i takon askujt që të derdh gjakun e tjetrit”, porositi myftiu.
Ai tha se për çdo person është i shenjtë gjaku i tij, pasuria dhe dinjiteti i tij dhe se është e ndaluar dhënia e parave me fajde dhe marrja e kamatës. Tërnava mes tjerash potencoi të drejtat e gruas.
“Me keqardhje, duhet të them se e drejta e gruas vazhdon të shkelet në vendin tonë në mënyra të ndryshme, duke privuar lirinë që Allahu i ka dhënë asaj. Gratë janë ende të privuara nga trashëgimia e tyre e pasurisë së babait, të cilën Kur’ani e ka garantuar për 1400 vjet. Kurban Bajrami duhet të na shërbejë si një motiv shtesë për të ringjallur këto të drejta të gruas”, tha Myftiu Tërnava.
Ai në fund në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, të gjitha institucioneve të saj dhe në emrin e tij personal u uroi të gjithë besimtarëve Kurban Bajramin me apelin që të lihen mënjanë inatet dhe të kultivohet uniteti.
Mijëra Besimtarë muslimanë në Prizren falën namazin e Kurban Bajramit. Ceremonia qendrore në këtë qytet u mbajt në xhaminë “Sinan Pasha” me çka filloi njëra nga kremtat më të mëdha myslimane. aa
Komentet