Albanian Community Center e Hartford, shteti i Konektikat organizoi ditën festive të Pavarësisë së Kosovës në ndërtesën e State Capitol nga ora dy deri në pesë pasdite. Fillimthi, një grup veprimtarësh të Qëndrës Shqiptare me anëtarin e bordit Vedat Selimi pasi zbukuruan makinat e tyre me flamujt Amerikanë, Shqiptarë dhe të shtetit të Kosovës në rrugën Franklin Ave përshkuan nën “zhurmat” e borive të pandërprera një hark prej tre kilometrash deri në ndërtesën e State Capitol.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre përfaqësues të Kongresit Amerikan, Senatit dhe State House, bashkisë së Hartford dhe East Hartford dhe zyrtarë të tjerë që kanë ndihmuar në organizimin e komunitetit Shqiptar në Hartford. Përcjellja e kësaj ngjarjeje ishte programuar nga bordi i ACC me detaje të organizimit për një pjesëmarrje të gjerë nga Shqiptaro-Amerikanët e Konektikat, artistë dhe përfaqësues të organizatave Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork, Kënektikat dhe Masaçusets. Shumë prindër ishin kujdesur që fëmijët e tyre të vishnin kostume kombëtare duke i dhënë më shumë ngjyra kësaj dite festive. Në sallën e veprimtarive të Senatit ishte pasqyruar ekspozita fotografike me temën e perndjekjes së genocidit, dhe luftës çlirimtare të Kosovës. Materialet dokumentare shprehnin dramën e madhe të shpërnguljes së Shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe sakrificat e panumërta të luftëtarëve të UÇK-së dhe të popullatës vendase. Autorë të realizimit të kësaj ekspozite janë Albulena dhe Kreshnik Maloku dhe Saimir Pode.
Pak para fillimit të ceremonisë zyrtare senatori Timothy Larson ftoi për një vizitë në dhomën e Senatit të shtetit Konektikat kryetarin e Qëndrës Shqiptare zotin Artan Martinaj dhe një grup të luftëtarëve të batalionit Atlantiku . Senatori Larson shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit me komunitetin Shqiptar të Hartford dhe të krijimit të atmosferës festive në State Capitol nga Shqiptaro-Amerikanët pjesëmarrës në këtë veprimtari atdhetare. Moderatorë të kësaj veprimtarie ishin Kreshnik Maloku dhe Anjesa Kalluci. Ceremonia zyrtare filloi me himnet kombëtare Amerikane dhe Shqiptare që u kënduan e u shoqëruan me muzikën e artistes Matilda Petrela.
Në emër të Albanian Community Center, organizatore e kësaj veprimtarie të pranishmit i përshëndeti kryetari Artan Martinaj. Në emër të degës Vatra përshëndeti kryetari Nesim Muçollari. Në emër të US Senator Chris Murphy të pranishmit i përshëndeti State Representative Hilda Santiago. Kongresmani John Larson shprehu kënaqësinë e festimit të kësaj ngjarjeje bashkë me Shqiptaro-Amerikanët. Ndërkohë, ai i përgëzoi drejtuesit e komunitetit Shqiptar për gjallërinë e mirëorganizimin e komunitetit si dhe i ftoi të pranishmit në takimet që ai organizon me komunitetet e zgjedhësit. Senatori Timothy Larson falenderoi pjesëmarrësit për këtë veprimtari kaq gjithëpërfshirëse me Shqiptaro-Amerikanë dhe Amerikanë e në veçanti përgëzoi veprimtarët e komunitetit Shqiptar të Hartford për punën e tyre në shërbim të komunitetit. State House Representative Angel Arce veç të tjerash i ftoi Shqiptaro-Amerikanët të shtojnë përpjekjet për tu bashkuar e mirëorganizuar më shumë për të patur në të ardhmen përfaqësues të zgjedhur edhe nga komuniteti Shqiptar. Gjallërinë e kësaj veprimtarie e shtuan recitali iartistëve Shaban Lajçi dhe Rustem Hulaj me lahutë si dhe pjesët instrumentale nga artisja Matilda Petrela me violinçel. Zoti Naim Maloku një nga ish-komandantët e UÇK-së foli për rëndësinë e Pavarësisë së Kosovës.Skënder Kodra përfaqësues i Akademisë SHA të Shkencave theksoi nevojën e ndihmës për universitet Shqiptare në trojet Shqiptare. Në emër të ish-luftëtarëve të lirisë foli ish-komandanti i batalionit Atlantiku nga Nju Jorku, zoti Gani Shehu. Kryetari i bashkisë Hartford Luke Bronin vlerësoi kontributin e komunitetit Shqiptar për gjallërimin e jetës së qytetit dhe përmëndi vazhdimësinë e bashkëpunimit për të ndihmuar në programet e Qëndrës Shqiptare. Ai mori edhe falenderimet e Shqiptarëve për ndihmesën në lejimin e zhvillimit të programit të gjuhës Shqipe të Qëndrës Shqiptare çdo të shtunë në shkollën publike të Hartford. Edhe kryetarja e bashkisë East Hartford Marcia Leclerc falenderoi komunitetin Shqiptar për arritjet e tyre në bashkinë ku ajo drejton dhe vlerësoi organizimin e tyre. Zonja Albulena Maloku tregoi për sakrificën e familjeve Shqiptare gjatë luftës së Kosovës për ti mbijetuar spastrimit etnik nga regjimi militar Serb. Desinjatorja Bora Balaj nga Nju Jorku prezantoi kostume kombëtare që përfaqësojnë trevat në Kosovë të veshura nga një grup djemsh e vajzash si dhe albumin me kostume kombëtare po me këtë temë.Nën tingujt e këngëve dhe valleve popullore u kërcyen valle nga të pranishmit.
Biznesmeni Dorjan Puka pronar i “ Treva Restaurant & Bar” sponsorizoi këtë veprimtari me ushqime e pije tradicionale. Kjo ditë festive u vlerësua me proklamata nga Kongresi Amerikan nën kujdesin e kongresmenit John Larson, nga State House dhënë prej Angel Arce, State Representative dhe bashkia e East Hartford nga kryetarja Marcia Leclerc. Nën një shi të lehtë në oborrin e ndërtesës së State Capitol pjesëmarrësit përcollën ngritjen zyrtare të flamurit të shtetit të Kosovës. Gazetarë lokalë përgatitën lajmin e kësaj veprimtarie për gazetën Hartford News. Me urimin: “God bless America!”, u mbyll kjo veprimtari mbresëlënëse.
Hartford,CT 16 Shkurt 2016
































Komentet