5 maji i së së djelës së shkuar në Valhalla të Westchesterit, qëlloi nji ditë gri me shi të imtë, e megjithatë, në Ditën e Lirisë, që mban emrin e Martirit: Nik Marash Merrnaçaj, djaloshit 30 vjeçar që humbi jetën në ditët e protestave kundër regjimit komunist, kishin ardhur ta nderonin shumë njerëz, të të gjitha moshave. Për mua ishte kënaqësi e madhe me benë pjesë e kësaj ceremonie serioze, o jo siç ndodh rëndom në aktivitetet tona, sa për me kalue rradhën!!
Edhe pse shiu i butë nuk reshti përgjat dy orëve që u krye ceremonia përkujtimore, asgjë s’e ndali festën e përgaditur me kujdes, dashuri, respekt e dinjitet. Ra në sy serioziteti i të gjithë folsave, edhe trajtimi i mjaft detajeve, disa prej të cilave ia vlen të nënvizohen. Fjala vjen, përfaqësimi institucional prej shtetit amerikan; diskutimi i deputetes Bardeli prej qarkut të Shkodrës, e cila e përshëndeti takimin përkujtimor nga salla e Parlamenti; pjesmarrja e mjaft grave në foltore të cilat e thanë me kurajo fjalën e tyre, ku dally toni pasionant dhe i vendosur i këshilltares së distriktit nr. 9 të NY, Emiljana Ulaj; fjala e zotit Mark Gjonaj që kishte ardhë në takim së bashku me nanën e tij të moshueme Rozën; intelektuali e shkrimtari patriot Mëhill Velaj në pak fjalë përcolli një mesazh të rëndësishëm; po edhe gazetarë si zonja Marjana Bulku qe foli pwr kultin e heroit apo zoti Jozef Radi i cili krahas përshendetjes solli edhe një letër të Marash Merrnaçajt shkruar para dhjetë vitesh, dëshmuan se serioziteti dhe përkushtimi i gjithsecilit i dha një përmasë më të plotë fjalës së tyre po edhe asaj ceremonie përkujtimore, e cila kremtohet për të 34 vit rradhazi, e ku familja Merrnaçaj vazhdon me u kujdesë deri në detaje, që gjithçka të shkojë sa më mirë, e nag viti në vit përpiqen ta pasurojnë me elemente të rinj.
Ajo çka e trembi shiun që vazhdoi gjithë kohës ishin këngët dhe vallet tradicionale të brezit të ri. Djem e vajza malsore të bukur si drita, të veshur me kostumet tradicionale të Kelmendit, po edhe fëmijë të vegjël dëshmuan se shpirti i tyre është përplot me atdhe, me dashuri e mall po edhe me besim. Kjo rini malësore po i jep një tjetër ngjyrë mërgimit tonë të dikurshëm, ndaj shpreh bindjen e thellë se diçka e mirë, që ma mbush shpirtin me shpresë e besim, po vjen.
Edhe prezantuesit Sokol Smajlaj dhe Valbona Preldakaj bënë figurë mjaft të mirë në prezantimin e gjithë të të ftuarve po edhe në organizimin e grupit artistik “Kelmendi”, po edhe televizioni “Albanian Culture” që e ndoqi gjithë takimin…
Por, ajo që desha të nënvizoj prej kësaj ceremonie përkujtimore ishte fjala e zotit Agim Rexhaj, “Kryetar Nderi i Vatrës”, i cili jo vetëm nderoi familjen e Merrnaçajve në kujtim të Nikës, po s’e anashkaloi as situatën në të cilën ndodhet Vatra sot, e cila për çudi(!!!) kësaj here s’kishte asnjë përfaqësues zyrtar të sajin dhe s’pati asnjë kronikë përcjellëse, çka dëshmon se qëndrimi i drejtuesve, vazhdon të jetë inatçor e i ashpër… edhe ndaj heronjve të lirisë, si Nik Merrnaçaj. Sigurisht, ata që dikur patën premtuar se do të bënin gjëra të mëdha e patriotike, si duket i kanë harruar premtimet o patriotizmi i tyre ndjehet funksional vetëm në raportet apo fotografitë me përfaqësuesit e lartë të shtetit (apo të shteteve shqiptare në Ballkan), dhe nuk po u gjendet as koha as gjuha të merren me komunitetin shqiptarëve e as të nderohen siç e meritojnë, heronj si Nik Merrnaçaj.
Fjala e zotit Agim Rexhaj u duartrokit disa herë dhe la përshtypje të mirë tek gjithë pjesëmarrësit. Vetë nana e Heroit Nik Merrnaçaj, gruaja stoike dhe e paepur: Mrí Dedja, u çue në këmbë e përqafoi dhe e falenderoi me gjithë zemër folësin. Një çast prekës, çka e nderoi zotit Rexhaj, dhe shpirtit të tij të paepur në mbrojtje të Vatrës dhe vlerave kombëtare shqiptare.
E ndërsa shiu i imtë vazhdonte me atë monotoninë e tij, flamuri shqiptar u lartua në qiellin e Westchesterit, sepse njerzit me vullnete të forta s’ka fuqi që mund t’ua prishë festën. Unë isha fizikisht dhe shpirtërisht pjesë e asaj feste të bukur e dinjitoze, dhe këta pak rreshta, siç i ndjeva edhe i shkrova…
Idriz Lamaj, 6 maj 2024