Festa e malit të Tomorit është një nga festat më të rëndësishme të shqiptarëve, se atje shkojnë nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga të gjitha besimet që ekzistojnë në Shqipëri. Sigurisht që numrin më të madh të besimtarëve që shkojnë në malin e Tomorit e përbëjnë ata të besimit bektashi. Kjo për shkak të gërshetimit të dy besimeve: atë të besimit të vjetër të shqiptarëve që emërtohet pellazgjik dhe besimit më të vonshëm atë të bektashinjve. Personaliteti më i spikatur që u ka bërë jehonë këtyre dy ngjarjeve të rëndësishme për shqiptarët ka qenë gazetari i njohur i Televizionit Shqiptar z. Ferdinand Samarxhi, Nderi i Kombit. Z. Samarxhi e ka përcjellë këtë festë madhështore që organizohet në malin Tomor, jo vetëm në Televizionin Shqiptar, por edhe në mediat e tjera televizive dhe në shtypin e shkruar. Këto mesazhe bëhen akoma më frymëzuese, kur ua përcjell direkt pjesëmarrëse që ngjiten në majën e malit të Tomorit. E citojmë :
« Ka ditë që rrugët që gjarpërojnë dhe të çojnë në malin e Tomorit, në Teqenë e Abaz Aliut, në majën e tij Çukë, ku dikur ngrihej madhështor tempulli më i lashtë i botës, i Dodonës pellazgjike, Orakull i Zeusit, të kujtojnë ardhjen e qindra e qindra pelegrinëve që vinin nga të gjithë anët e botës përtej kufijve të kohëve të Ilirisë së Veriut e të tjera përreth saj. » (Ferdinand Samarxhi, Tomori, kryemali i historisë së gjenezës shqiptare, botuar në « Gazeta shqiptare » datë 22 gusht 2018)
Unë e vlerësoj për atë çfarë u përcjell besimtarëve për besimin e tyre si bektashinj, por më duket e paarsyeshme që një gazetar të bëhet specialist historie dhe ta vendosë Dodonën pellazge në majën e malit të Tomorit, madje dhe orakullin e saj. Kundërshtimi im vjen për faktin se Dodona nuk ka qenë tempull në një majë mali, por qytet nga më të rëndësishëmit e Epirit që kishte brenda tij tempullin dhe orakullin kushtuar Hyjnisë dodonase. Për të parë që orakulli i Dodonës nuk ndodhej në një majë mali, le të sjellim dëshmitë e autorëve të antikitetit:
“Orakulli i Dodonës ndodhet ndanë një lumi, në një vend moçalor, jashtë qytetit të Dodonës.” (Apollondoros H` 13, Koment. i Homerit G` 23, Didimos Z` 7, H`10, Eustath. Z` 12, H`11, Hesych. Z` 11). (P. Aravantinos, Pragmateia peri Dodonis, Janinë 1862 faqe 37)
Këto dëshmi që vijnë nga pesë autorë të antikitetit vërtetojnë qartë që orakulli i Dodonës ndodhej ndanë një lumi, ndanë pyllit të shenjtë me lisa, duke e përjashtuar përfundimisht pretendimin e z. Samarxhi se orakulli ndodhej në majën e malit Tomor.
Por nëse përjashtohet mundësia e orakullit, le të shohim a ndodhet tempulli i Dodonës në majën e malit Tomor?
Për ta bërë të besueshëm se Tempulli i Dodonës ndodhet pikërisht në këtë majë mali, z. Samarxhi, përcjell çdo vit thëniet e autorëve të antikitetit. Po marr shkrimin e vitit 2023, si shkrim i fundit i tij me këtë temë, edhe për arsyen se është mendim i tij përfundimtar, që e ka formuar gjatë disa viteve që ka folur dhe shkruar për Dodonën në malin e Tomorit. Për të mos patur ndonjë keqkuptim për nxjerrje nga konteksti të dëshmive, po e sjell të plotë një fragment, të vitit 2023, botuar te gazeta “Panorama”, datë 30 gusht 2023.
“Tempull mitik i Tomorit, Dodonës pellazgjike nis me një histori në thellësi të shekujve. Tempulli përmendet, dokumentohet në hershmëri të shkrimeve të para homerike. Homeri në “Iliada” shkruan: “O mbret Zeus, Dodonës pellazgjike, që banon larg duke sunduar Dodonën (Tomorin e sotëm), që e rrahin dimra të rëndë e të egër”.
Eskili pozicionon dhe dokumenton tempullin shek. V, para erës së re, te “Prometeu i lidhur”. Kur ju të keni arritur në Tokën e Molosëve, të Dodonës së sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot… “Në librin 6, 7 ai shprehet se tempulli i Dodonës, gjendet në majë të një mali të lartë, që është Tomorri i sotëm”.*
Në poemën “Karmina”, Hesiodi thotë: këtu Zeusi, deshi që Dodona të ishte një faltore e vyer për njerëzinë…” (Ferdinand Samarxhi, “Mali mitik i shenjtë hyjnor Tomori, fillesë e gjenezës sonë, tempulli më i lashtë në dhe…” ( gazeta Panorama, datë 30 gusht 2023)
* shënim :në vijim të dëshmisë së Eskilit ndodhet një fjali që nuk ka autor dhe që nuk lidhet me Eskilin, ndaj dhe nuk po e komentoj : “Në librin 6, 7 ai shprehet se tempulli i Dodonës, gjendet në majë të një mali të lartë, që është Tomori i sotëm”.
1. Marrim dëshminë e Homerit, sipas përkthimit që ka sjellë vetë z. Samarxhi. “O mbret Zeus, Dodonës pellazgjike, që banon larg duke sunduar Dodonën (Tomorin e sotëm), që e rrahin dimra të rëndë e të egër”. Brenda tekstit të Homerit, ka vendosur togfjalëshin, në kllapa (Tomorin e sotëm). Teksti i Homerit nuk e përmend fjalën Tomor, ajo është shtuar nga autori i shkrimit. Nëqoftëse do t`i referohemi fjalës homerike “dimërkeqe” dhe që e letrarizuar është përkthyer “që e rrahin dimra të rëndë e të egër”, kjo nuk ka të bëjë me Tomorin, sepse në çdo mal dimri është i ashpër dhe i egër, me përjashtim të maleve që ndodhen në afërsi të bregdetit. Pra, malet që e plotësojnë epitetin “dimërkeqe” mund të jenë edhe dhjetëra, ndaj nuk është e arsyeshme që këtë epitet ta lidhësh vetëm me Tomorin.
2. Dëshmia e Hesiodit
E rëndësishme për vendndodhjen e Dodonës është dhe dëshmia e Hesiodit dhe që z. Samarxhi e sjell si dëshmi për të provuar se Dodona ndodhet në malin e Tomorit. “Në poemën “Karmina”, Hesiodi thotë: këtu Zeusi, deshi që Dodona të ishte një faltore e vyer për njerëzinë…” Kjo fjali e shkëputur nuk thotë asgjë për vendndodhjen e Dodonës. E sjellim dëshminë e Hesiodit të plotë:
“Është një fushë, Hellopia, shumë pjellore dhe me luadhe të mira,
e pasur në dele dhe në qe këmbëharkuar;
Këtu banojnë bura me shumë kope gjedhësh
dhe një sasi e pasur fise mortarësh;
këtu, në pjesën më të fundit është ndërtuar Dodona;
këtë Zeusi e deshi që të jetë një faltore e vyer për njerëzit…” (Hesiodi, Carmina, Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 2002, faqe 14)
Përshkrimi që na vjen nga Hesiodi është se Dodona është e ndërtuar në fundin e një fushe, ku ndodhej dhe faltorja e famshme. Kjo dëshmi e përjashton përfundimisht që faltorja e Dodonës të jetë në majën e malit Tomor. Autori i shkrimit, z. Samarxhi, ka marrë për dëshmi vetëm një varg, që nuk tregon asgjë për venndodhjen e Dodonës, duke mos e përmendur tekstin e plotë i cili ka vlerën e dëshmisë se ku ishte ndërtuar Dodona: në fundin e një fushe. Gjymtimi i dëshmisë duke mos e marrë të plotë, në fushë të shkencës quhet manipulim, sepse e deformon realitetin për të cilin pretendon se është i vërtetë.
3.Vijojmë më tëj me dëshminë e Eskilit.
Prometeu i lidhur ”. Kur ju të keni arritur në Tokën e Molosëve, të Dodonës së sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot…”
Këtë përkthim të z. Samarxhi, e saktësojmë me përkthimin e Sotir Paparistos, përkthyesit të tragjedisë së Eskilit “Prometeu i lidhur”:
“Kur erdhe në fushat që ka Molosia, i re rreth Dodonës që është fort e lartë….” (Eskili, Prometeu i lidhur”, Botim i Almera 2007, faqe 60.
E bëra këtë saktësim, sepse sipas përkthimit të z. Samarxhi duket sikur ka patur dy Dodona: një e sipërme “të Dodonës së sipërme” prej nga rrjedh mendimi se duhet të ketë pasur dhe një tjetër të poshtme. Në të vërtetë Eskili flet vetëm për një Dodonë, e cila ndodhet në një vend fort të lartë.
Pra, Dodona ndodhet në fushat e Molosisë dhe në një vend të lartë. Po a shtrihej Molosia me kufij jugorë në Gjirin e Artës deri në malin Tomor të Beratit ? Mali i Tomorit ndodhet në djathtë të lumit Osum dhe autorët e antikitetit kanë vendosur në këtë territor dy fiset ilire: atë të parthinëve dhe të dasaretëve. Gjetjet arkeologjike vërtetojnë se të dhënat e autorëve të antikitetit janë të sakta.
Arkeologët Aleksandra Mano dhe Burhan Dautaj në vitet 1963-1964 në vendbanimin antik të kalasë së Krotinës, që ndodhet në perëndim të malit të Shpiragut, vërtetuan se ky vendbanim i përkiste qytetit ilir të Dimalit, fisit ilir të parthinëve.
Berati konsiderohet si Antipatrea e dasaretëve, po fis ilir. Që do të thotë se pjesa perëndimore e malit të Tomorit i takonte Ilirisë, sepse banohej nga fise ilire. Po edhe në lindje dhe në veri të tij shtrihej fisi i dasaretëve, i vërtetuar nga qyteti ilir i Kodrionit që ishte qytet i Dasaretisë ilire, të cilat u vërtetuan nga gërmimet arkeologjike të vitit 1960 të bëra nga Frano Prendi dhe Dhimosten Budina. Shkurt, lugina e lumit Osum, dhe mali Tomor kanë qenë territore të Ilirisë dhe nuk gjendet asnjë dëshmi nga autorët e antikitetit që ta vendos Dodonën në Iliri.
Në arshivat e perandorisë romake, lumi Osum është përmendur si lumë i Ilirisë. Pra ka një përputhje të plotë midis autorëve të antikitetetit që fisin e parthinëve dhe dasaretëve i konsideronin fise ilire, gjetjeve arkeologjike të cilat i vendosin rreth malit Tomor dhe Burimeve të Perandorisë Romake që luginën e lumit të Osumit (Aps në antikitet) e kanë quajtur si lumë të Ilirisë. (Matthias-Petrus Katancic, “Orbis antiques ex tabula itineraria, quae Theodosi i Imperatoris et …”, Volume 1, viti 1824, Iliria faqe 639)
Nëqoftëse tempulli i kësaj maje mali nuk është ai i Dodonës, duhet t`i përgjigjemi pyetjes: cila është arsyeja që ky mal vizitohet edhe në ditët e sotme si në kohët homerike? Tomori (Timori) në kohët homerike përmendet në të dy veprat e Homerit si një mal i hyjnizuar me të njëjtin status që kishte Olimpi në Maqedoni si vendbanim i gjithë hyjnive, mali Ida në Kretë ku u rrit Zeusi sipas mitologjisë, mali Ida në Azinë e Vogël, përmendur nga Homeri, ku ulej Hyjnia në kohën e betejave në Trojë, e ndonjë mal tjetër. Mali i Tomorit (Timori deri në shek. XV-XVI) kishte hyjninë e tij që quhej në kohën e Homerit Di patri, i përkthyer në anglisht nga Parke W, H., si Father Zeus ose Baba Zeusi. Në tekstin e Homerit përmendet Di patri, që përkthehet Di babai dhe që në kohën e sotme emri i hyjnisë Di është zëvendësuar me emrin e malit dhe që mali sot thirret Baba Tomori. Hyjnia e malit Tomor është besim pellazg me rrënjë nga kohët e para Luftës së Trojës deri në ditët e sotme, të paktën 4000 vjeçar që tregon vazhdimësinë katërmijëvjeçare të shqiptarëve në këto troje. Thënia e së vërtetës për besimtarin, jo vetëm nuk ia ul adhurimin për Tomorin, por ia shton më tepër, kur mendon se vazhdon traditën e qindra breza të stërgjyshërve të tij dhe është vazhdues i besimit të parë që ka lindur në këto troje ku ne banojmë sot.
Pretendimi i Dodonës në malin e Tomorit është po aq i dëmshëm sa dhe pretendimi tjetër se Dodona ndodhet në jugperëndim të Janinës. Çdo pretendim që nuk është i vërtetë, por bëhet për arsye të ndryshme jashtëshkencore, i jep opinionit publik informacione të pavërteta. Dodona ka shenjuar në këtë hapësirë ballkanike qytetërimin e parë tejet të rëndësishim, se e nxori njeriun e komunitetit primitiv nga bota e vetmuar drejt modelit shoqëror, ku individi e zgjeroi fushën e komunikimit dhe arriti të besojë te forca e tij e bashkuar në shoqëri. Tempulli i Dodonës bëri, që këtë kapërcim të madh nga individi i vetmuar drejt jetës në shoqëri, ta shoqërojë me rregulla dhe ligje që kjo shoqëri të funksiononte. Që individi dhe shoqëria të bëhej më e konsoliduar jeta tokësore u dimensionua si pjesë e përmasës hyjnore dhe fuqiploti i kësaj pëmase universale, ishte hyjnia dodonase Di. Pellazgët u strukturan në shoqëri duke e konsideruar veten si pasardhës të Hyjnisë Di, prej nga rridhte çdo fis i njohur i Pellazgjisë. Për shoqërinë pellazge hyjnia e tyre Di përfaqësonte Mendimin Absolut që duhej zbatuar dhe si instrument i zbatimit të këtij vullneti hyjnor ishte Orakulli i Dodonës prej nga dilnin fatthënat në formë këshille dhe urdhri për individ, fise, qytete dhe mbretëri. Janë të njohur deri në ditët e sotme orakujt e Dodonës për mbretërit e Epirit : Aleksandër Molosin dhe Pirron, por fuqia e tyre ishte e plotë edhe për popuj të tjerë që vinin e pyesnin, siç mund të përmendet Orakulli i Athinës që i urdhëronte athinjotët të mos i vrisnin robërit e luftës. Te Tempulli i Dodonës priftërinjtë krijuan Kushtetutën e Parë, e cila ushtroi ndikim të fuqishëm në qytetërimin e shoqërisë njerëzore. Orakulli i Dodonës, mbi bazën e këtyre ligjeve të përgjithshme, nxirrte fatthënat (edhe fatthënat quheshin orakuj) për individë dhe grupe njerëzish që i drejtoheshin për ndihmë duke u dhënë këtyre ligjeve një fuqi hyjnore nëpërmet Lisit të Shenjtë. Dodona pati rolin e një Kryeqyteti Shpirtëror në këtë hapësirë ballkanike dhe më gjerë duke i dhënë njerëzimit një nga qytetërimet e tij më të rëndësishme. Duke u njohur me këtë komunikim të vazhdueshëm të Dodonës me popujt e tjerë dhe qytetërimin e saj që ishte një nga pikat më kulmore në Antikitet, e kupton që e gjitha kjo nuk mund të realizohej nga një tempull apo orakull që mund të ndodhej në një majë mali dhe që mund të shkohej atje vetëm në disa ditë të vitit, siç është rasti i Tomorit.
Përfundim
Mali i Tomorit si mal i hyjnizuar i besimit pellazgjik është një nga vlerat më të mëdha që shqiptarët kanë ruajtur deri në ditët e sotme. Me zanafillë që para kohëve homerike tregon për një vazhdimësi të pandërprerë të shqiptarëve në këto troje. Adhurimin për hyjninë e Tomorit që emërtohej Di patri (Di babai), shqiptarët e vazhduan edhe pas shkatërrimit të Dodonës nga romakët në fund të shekullit të IV-t pas Krishtit. Nëse me forcën e pushtetit perandorak tempullin e kthyen në kishë dhe faltoren në qendër peshkopale, hyjninë e malit të Tomorit nuk mund ta tjetërsonin dot. Në këto kushte, banorët e zonave përreth e kanë adhuruar edhe më shumë Baba Tomorin për të kompesuar humbjen që u shkaktoi shkatërrimi i Dodonës pellazge. Mirëpo Dodona (qytet, tempull dhe orakull) mbart të tjera vlera nga ato që mbart mali i Tomorit. Nëse kemi në njërën anë burimet historike që tregojnë për qytetërimin e Dodonës, duhet të kemi nga ana tjetër edhe dëshmitë arkeologjike si prova materiale të qytetërimit të saj. Ndaj vendndodhja e vërtetë e Dodonës është domosdoshmëri, sepse është vlera reale që krijuan të parët e shqiptarëve. Është e dëmshme që tempullit të Hyjnisë së malit Tomor t`i mbivendosim Dodonën, sepse në këtë mënyrë ne kemi zhdukur vlerën reale që kishte ky mal. Malit Tomor t`i kthejmë hyninë e tij që është Baba Tomori (Di patri) dhe të shkojmë te Dodona e vërtetë që nuk është as në jugperëndim të Janinës. Duhet të kemi të dyja vlerat që kanë krijuar shqiptarët : edhe Dodonën si vend arkeologjik, edhe malin e Tomorit si vend i shenjtë që adhurohet edhe në ditët e sotme.