Policia e Kosovës tha se 42 persona janë plagosur nga pasojat e shpërthimit të një bombole gazi në një restorant në Ferizaj, rreth 40 kilometra larg Prishtinës.
Pesëmbëdhjetë nga të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike, Basri Lenjani, tha se tre nga të plagosurit janë vënë nën kujdesin intensiv.
Policia tha se po kryen hetime për të sqaruar shpërthimin i cili ka pas vetes edhe shumë dëme materiale në restorantin ku ndodhi por edhe në ndërtesat përreth si dhe makinat që ishin parkuar afër tij.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani e cilësoi të trishtueshme ngjarjen në Ferizaj.
“E tronditur nga lajmi për shpërthimin e fuqishëm të pasdites në një nga restaurantet në këtë qytet. Në këto momente lutemi për shëndetin e të lënduarve dhe jemi pranë familjarëve të tyre. Duke u lutur që të mos ketë viktima, shpresojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, shkroi ajo
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u shpreh “i tronditur nga lajmi për lëndimin e 42 qytetarëve të Kosovës, në mesin e të cilëve ka edhe të mitur, nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal afarist në Ferizaj. Të gjithë të lënduarve ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë dhe kthim pranë familjeve të tyre. Duhet sa më parë të zbardhen rrethanat e këtij rasti”, shkroi ai në facebook.
Komentet