Arsyen e prononcimit tim në një debat politik të këtyre kohëve të fundit do ta quaja me dy fjalë: fenomeni “Blushi”. Bëhet fjalë për nismën e një intelektuali dhe shkrimtari të njohur, publicist dhe anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste. Ben Blushi, deputet i Partisë Socialiste në katër legjislatura, disa herë ministër, katër vite kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në opozitë, në periudhën më të vështirë të kësaj partie, për shkak të kërkesave që ai i bën brenda partisë së tij, është zëri i vetëm i asaj partie që ngrihet e flet në emër të fateve të demokracisë brenda partisë së vet. Ben Blushi është dhe i pari parlamentar, i cili zbeh reklamën e fitoreve mediatike të partisë së tij. Ben Blushi brenda partisë së vet konsiderohet “Një zë në shkretëtirë”. Duke dëgjuar debatin e mbrëmjes së 25 tetorit në emisionin “Opinion” të televizionit “Klan”, drejtuar nga Blendi Fevziu, më bëri përshtypje fakti se deri ku ka shkuar indoktrinimi partiak i anëtarëve të partisë së PS-së, duke infektuar edhe disa analistë, miq të Blushit, që iu kundërvunë në këtë emision.
E kam ndjekur me kureshtje “lëvizjen Blushi” brenda partisë së vet dhe e kam konsideruar si një lëvizje, e cila i kujton partisë që ka humbur lidhjet me popullin dhe ka braktisur interesat e tij. Lëvizje te tilla brenda partive janë bërë dhe nga intelektualë të tjerë. Lëvizja “Ben Imami” brenda partisë, lëvizja “Teodor Laço”. Të dy këta intelektualë të njohur, njëri artist dhe tjetri shkrimtar, u shkëputën nga partia e vet për shkak të mendimit të lirë që mungonte në partitë ku merrnin pjesë dhe krijuan dy parti të reja “Partinë liberale” *Teodor Laço dhe “Partinë e re demokratike” G.Pollo, A.Imami. Historia tregoi që këto dy parti të vogla nuk i rezistuan dot kohë as konkurrencës me partinë e madhe, dhe erdhi një ditë që u shkrinë brenda një aleance të re me PD-në. Rruga që ndjek Blushi brenda ose jashtë partisë së vet është e turbullt. “Të mësojmë duke ecur” është motoja e tij. Lufta më e ndershme është ajo që bëhet brenda një partie të madhe, kur zotëron mendimin i lirë. Shkëputja dhe krijimi i partive të vogla është një eksperiencë e dështuar. Kërkesat e Blushit vetëm do ta përmirësonin programin e Partisë Socialiste. Do ta përmirësonin jetën në vend, që përkthehet me jetëgjatësinë e saj në pushtet. Kërkesat e Blushit ishin për lidhje më të forta me votuesit.
Unë mendoj se Partia Socialiste duhet ta përshëndeste nismën e një intelektuali dhe kuadri të njohur të asaj partie. PS është shquar për mendimin e lirë dhe për vendimet e saj kolegjiale. Ajo duhej të thellohej në kritikat dashamirëse të Blushit dhe të reflektonte në çastin e duhur rreth programit të saj “të djathtë”. Blushi e ngriti zërin në kohën e duhur. Fillimisht ai nuk ishte renegati, as pretenduesi për lider i partisë, por idealisti i saj. Më pas mendoi të hedhë kandidaturën për udhëheqës partie. Gara që pritej nuk u zhvillua. Referendumi nuk ishte i nevojshëm. Kërkesa e Blushit erdhi me vonesë për Edi Ramën. Edi Rama kishte kohë që çimentonte partinë me njerëz të besuar. Kryetarët e partive tek ne i kanë privatizuar partitë. Dhe sikur të zhvillohej një garë e vërtetë, sërish Blushi do të dilte i humbur, pasi zëri i partisë është zëri i kryetarit të saj. Kryetarët e partive, me përjashtim të Fatos Nanos, e lëshojnë postin kur dalin në pension. Nisma e Blushit u konsiderua e dështuar. Në një parti kolegjialiteti rreth Njëshit është legjitim. Partia funksionon si një piramidë. Maja është Njëshi, fenomenit “Blushi” është një mësim për të gjithë Prometejtë e partive. Blushi e nisi këtë lëvizje si një idealist, si një shkrimtar i njohur, me prirje demokratike. Ai vazhdon të shpresojë se mundet që “edhe peshku i vogël e ha të madhin”. Qytetaria, por edhe kultura demokratike e Blushit nuk pajtohet me të keqen. Dhe ai nis të godasë ashpër, në një kohë kur megafonët partiakë afirmonin fitoret. Gjithë kjo histori na kujton legjendën e Prometeut. Zeusi e përzuri Prometeun nga Olimpi vetëm e vetëm se ai donte që ta hiqte nga Olimpi zjarrin ku ngroheshin Zotat dhe t’ia çonte popullit. Për këtë gjë, sipas legjendës, Prometeu u lidh me zinxhirë në malet e Kaukazit, duke vuajtur dënimin nën copëtimin e Orlave. Kjo gjë do të ndodhë gjithmonë brenda partive, kur Pormetejtë e partive shkëputen nga Olimpi partiak i partive të tyre. A është Ben Blushi një figurë e rëndësishme brenda partisë së vet? A shpreson ende Ben Blushi në realizimin e premtimeve të saj dhe në demokratizimin e saj? Unë mendoj se Ben Blushi është një ndër liderët e kësaj partie, i cili ndryshe nga A.Imami dhe T.Laço, shpreson. Ndaj nuk i shkëput lidhjet me partinë e vet.
Ai shpreson në të ardhmen e saj, e cila lidhet ngushtë me të ardhmen e tij. Moralisht Ben Blushi del fitimtar. Praktikisht ai është një humbës që shpreson në një fitore personale dhe partiake në vitet që vijnë. Ben Blushi është i qartë në ato që kërkon. Kërkesat e tij lidhen me ruajtjen e programit të partisë, me ruajtjen e premtimeve dhe me demokracinë e munguar. Rezultati i kësaj lëvizjeje nuk është afatgjatë dhe i sigurt. Shumë shpejt Ben Blushi do të gjendet në krye të Partisë Socialiste dhe do t’i realizojë kërkesat e tij legjitime. Kur mund të ndodhë kjo gjë dhe a do të shkëputet Blushi nga partia e tij e madhe për të krijuar një parti të vogël? Sipas meje, Ben Blushi duhet të vazhdojë të luftojë brenda partisë së vet. Sinoptika e zgjedhjeve të ardhshme është e mjegullt. Mund të ketë aleanca të tjera politike PD, PS, LSI, madje mund të ndodhin dhe aleanca midis dy partive kryesore. Ben Blushi tashmë duhet konsideruar “kapiteni rezervë i asaj partie”. Nuk mund ta krahasosh kontributin dhe nivelin e Blushit me atë të dy pretendentëve të tjerë që përfliten në shtyp. I vetmi që mund ta drejtojë atë parti me sukses pas Edi Ramës është vetëm Ben Blushi. Në duelin Rama-Blushi sot fiton bindës Rama. Nesër nuk dihet. I anatemuari bëhet lider i saj. S’ka dyshim që Edi Rama është një lider karizmatik, me përvojë të gjatë drejtuese. Sukseset e tij janë të pamohueshme, ashtu si edhe dobësitë e shumta. Edi Rama ka një performancë për t’u admiruar brenda dhe jashtë vendit. Fenomeni “Blushi” është një mesazh për të gjithë ata liderë idealistë që nuk e kanë njohur thënien e Zhan Pol Sartrit. “Partitë e deformojnë personalitetin e njeriut”. Kjo thënie ka ndikuar gjatë tek unë, qysh kur kam lexuar librin e tij me ese “Situatat”, para ndryshimeve demokratike në vend. Brenda partisë merren vendime kolektive. Intelektualët kanë personalitetin e vet dhe mendimin e vet. As Edi Rama, sikur të ishte një anëtar i thjesht i asaj partie, nuk do t’i pranonte mendimet dhe vendimet kolegjiale. Partitë e deformojnë personalitetin e njeriut intelektual, por partitë e përforcojnë personalitetin e njeriut lider të asaj partie. Këtu është ndryshimi midis Blushit dhe Ramës. Mendimi i kryetarit dëgjohet. Mendimi i një anëtari të saj duhet të jetë mendimi kolegjial, por që në fakt është mendimi i Njëshit të asaj partie. Mendimi i lirë brenda një partie nuk ka se si të jetë i lirë. Diskutimi është i lirë, por vendimet janë kolegjiale. Në qoftë se një intelektual si Ben Blushi ngre probleme të rëndësishme brenda partisë së tij, mendimet e tij sado të drejta të jenë, rrëzohen me votën kolegjiale të shumicës. Shumica është piramida. Lideri është maja e piramidës. Detashmenti partiak është në unitet me mendimet e prijësit të saj. Kjo do të ndodhë edhe kur një ditë Ben Blushi të arrijë synimet e veta, duke u zgjedhur lideri i asaj partie. Përparësia historike e Ben Blushit është slogan i tij “Shqipëria mbi partinë”, e cila nënkupton “Popullin mbi partinë”. Në këtë gjë të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste (dhe ata që gabuan) i japin të drejtë. Në debatin e 25 prillit te TV “Klan”, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ndonjë i ashtuquajtur analist, me bindje thellësisht partiake, tentoi ta vërë me shpatulla për muri Prometeun e partisë për kryengritjen e tij ndaj Zeusit dhe këshillit Zotave. Blushi u mbrojt me vargjet e një poeti të njohur, i cili ka thënë: “Rruga gjendet duke ecur”. Në fakt, Blushi e ka gjetur rrugën, përderisa ka gjetur rrugën që të çon te populli. Problemi qëndron nëse është i vetëm në këtë rrugë, apo do të ketë pasues të tjerë, të shumtë. Partitë në rrugëtimin e vet kanë pasur devijimet e tyre. Sa kohë që një parti nuk mban premtimet, ajo e tradhton elektoratin e vet. Mirëpo në vendimet partiake vendosin numrat. Sipas Zhan Pol Sartër, refuzuesit të çmimit “Nobel”, intelektualët e kanë të vështirë të bëjnë jetë partie. Kjo ka ndodhur edhe para nëntëdhjetës. Kjo ndodh edhe sot.
“Partitë e deformojnë personalitetin e njeriut”. Mblidhen dhjetë vetë dhe vendosin. I mirë ose i keq qoftë ky vendim, ai shndërrohet në ligj për anëtarët e saj. Partitë nuk i kanë qejf Prometejtë. Blushi kërkon demokracinë brenda partisë. Që toka rrotullohej, përveç Xhordano Brunos, këtë gjë e dinin edhe shumë shkencëtarë të tjerë të kohës, – thotë poeti sovjetik, Evtushenko – por ata nuk flisnin. Ata nuk donin të digjeshin në turrën e druve të inkuizicionit, se kishin fëmijë. Me fenomenin “Blushi” ndodhi historia e Xhordano Brunos, por edhe ajo që shkrimtari holandez shkruan te tregimi “Mbreti lakuriq”. Blushi, i gjendur midis turmës, pa tek shkonte nën brohoritma “Mbreti lakuriq”. Askush nuk guxoi të tregonte të vërtetën, “Të flasësh apo të mos Flasësh? Kjo është çështja” (Shekspir). Në qoftë se e ndjen rolin e qytetarit të vërtetë, fol kur shikon të meta brenda familjes, fol kur shikon të meta edhe brenda partisë sate. Shkrimtari gjerman, Herman Hesse shkroi një pamflet politik, madje profetik, që ka mbetur në historinë e popullit gjerman, duke dënuar diktaturën hitleriane qysh në hapat e saj të para. Fjalimet e Blushit rrezatojnë vërtetësi dhe dashuri për popullin dhe partinë e vet. Kritikat dhe shqetësimet e tij do të mbeten historike. Me guxim prej intelektuali të vërtetë, i preokupuar për drejtimin e partisë dhe për problemet e varfërisë në vend, ai ndërmerr një nismë vetmitare drejt përmirësimit të jetës në vend dhe përmirësimit të demokracisë brenda partisë, të cilës ai i ka dhënë shpirtin e vet krijues. Fenomeni “Blushi” nënkupton fenomenin “Prometeu”. Në debatin televiziv “Opinion” më bëri përshtypje mendimi i analistit Nazarko, i cili e quajti lëvizjen “Blushi” si një kërkesë kësaj “të majte”. Përgjigja e Blushit ishte konkrete. Ai tregoi me fakte përkeqësimin e jetës në vend, ndërsa Nazarko si analist i angazhuar kërkonte prej tij heshtjen. Në fund të fundit, programet e partive krijohen në interes të popullit. Poeti rus Voznesenski, në një poezi të tij thotë “të gjitha progreset kur e pëson populli, nuk janë më progres”. Në politikë ndodh që i anatemuari kthe…
Komentet