1. Njeriu
Vite më parë, antropologia Margaret Mead u pyet nga një student se çfarë konsideronte ajo si shenjë të parë të qytetërimit në një kulturë. Studenti priste që Mead-i të fliste për enë balte, për vegla për gjuetie, për gurë bluarjeje ose për objekte fetare. Por asgjë nga këto nuk u përmend. Mead-i tha se dëshmia e parë e qytetërimit ishte një femur (kocka më e gjatë në trup, që lidh kofshën me gjurin) 15 000 vjeçar, i thyer, i gjetur në një vend arkeologjik. Në shoqëritë e pazhvilluara, pa ndihmë mjekësie moderne, duhen rreth gjashtë javë pushim që një femur i thyer të shërohet. Kjo kockë e veçantë që kishin gjetur arkeologët tregonte se ishte e thyer dhe se ishte e shëruar. Mead, vazhdoi të shpjegonte për studentët e habitur, se në mbretërinë e kafshëve, nëse një individ thyen këmbën, ai vdes. Nuk mund të iki nga rreziku, nuk mund të pijë apo të gjuajë për ushqim. Kush plagoset në këtë mënyrë, bëhet prè, mish për grabitqarët. Asnjë krijesë nuk mbijeton me një këmbë të thyer aq gjatë sa kocka të shërohet. E hanë para se të shërohet. Një femur i thyer, që është shëruar, është një dëshmi se një person tjetër ka shpenzuar kohë për të qëndruar me të plagosurin, i ka lidhur plagën, e ka çuar personin në vend të sigurt dhe është kujdesur për të gjatë periudhës së shërimit. Një femur i shëruar tregon se dikush ka ndihmuar një njeri tjetër, në vend që ta braktisë atë për të shpëtuar jetën e tij. Logjikën e saj argumentuese për studentin, Margaret Mead e përmbylli duke thënë: “Të ndihmosh dikë tjetër që të kapërcejë një vështirësi është pika ku zë fill qytetërimi”.
Është diskutuar herë-herë kjo përgjigje e antropologes Mead, duke hedhur hije mbi vërtetësinë e saj edhe pse revista të tilla si Forbes e kanë parë si një rrëfim të përkryer për ta publikuar për të dhënë përgjigje për ndonjë moment ku duhej dhënë mesazh solidariteti e humanizmi. Nëse u referohemi bioarkeologëve, lehtësisht vihet re se, bota e paraardhësit tonë, Homo Sapiens, dhe e shumë e shumë kohëve pas tij, ishte një botë dhune të egër dhe dhimbjeje. Luftë e egër kundër njëri-tjetrit e kundër botës shtazore të asaj bote. E megjithatë, brenda grupit të tyre, brenda species, ata ndihmoheshin dhe historia e femurit të shëruar bart vërtet një mesazh kuptimplotë. Ndërkohë, si kundërpeshë e civilizimit tonë qëndronte dhe qëndron bota e pandryshueshme e kafshëve. A kishim filluar vërtet civilizimin tonë, vetëm se u përkujdesëm për një individ të llojit tonë dhe nuk e lamë të vdiste i shqyer nga bishat, për shkak të dobësisë së tij? E mësuam këtë sjellje, apo ajo ishte e lindur gjenetikisht, si nevojë jona për të dashur të njëjtët, për të pasur një qëllim a mision që e ruan jetën dhe që nuk e shndërron atë, vetëm në një nevojë biologjike ushqim-shumimi mbijetues? Nëse bota shtazore nuk do demonstronte sjellje të ngjashme me tonat, atëherë ne mund ta quanim pa mëdyshje Njeriun, si prodhuesin ekskluziv të civilizimit, kur ai i shtriu dorën një më të dobëti të llojit të vet. Por nuk është krejt kështu…
2. Kafsha
Hulumtimet nga antropologët biologjikë e të tjerë, tregojnë se në të vërtetë, ekzistojnë shenja të eshtrave të shëruara në të gjithë botën e kafshëve. Për shembull, teksa disa studime sugjerojnë se kockat e shëruara janë raste të rralla për primatët e rritur, ato nuk janë të pashembullta ose veçanërisht të pazakonta për të miturit. Thënë me pak fjalë: eshtra të shëruara te kafshët e rritur gjen shumë më pak se sa gjen eshtra të shëruara kafshësh të mitura. Ky është një tregues i qartë se këto kafshë të mitura me kocka të thyera nga ndonjë fatkeqësi, janë ndihmuar, fshehur e ruajtur nga kafshët e rritura të familjes apo të kopesë. Që eshtra e një kafshe të ngjitet, duhet që ajo të qëndrojë e palëvizur pasi nuk ka trajtim që të ndihmojë në shërimin e saj; nuk ka mjekim, lidhje apo pajisje ortopedike primitive që të drejtojnë ngjitjen e kockës.
Këto raste nuk janë të izoluara dhe gjenden të dokumentuara mes speciesh të ndryshme. Të parat sugjerime për këto kafshë të shëruara që lidheshin edhe me seleksionimin natyral darvinian u hodhën më 1904. Më pas, në vitin 1911, antropologu Dr. Wynfrid L. H. Duckworth, botoi një studim ku merreshin në shqyrtim skeletet 14 majmunëve të rritur orangutangë, të qëlluar për efekte studimi. Rreth 30% e tyre kishte në trup shenja kockash të thyera e të shëruara me kalimin e kohës. Këto skelete të studiuara gjenden ende edhe sot në Departamentin e Arkeologjisë së Universitetit të Kembrixhit, në “Laboratorin Duckworth”. I themeluar më 1945 për nder të këtij studiuesi, është sot një nga më të pasurit e botës me koleksionin e tij të antropologjisë biologjike.
Rasti i tij me studimin e orangutangëve me eshtra të shëruara nuk është i vetmi. Antropologu me origjinë zvicerane, por me kontribut botëror, Adolf Hans Schultz, kreu studime të ngjashme. Majmunët e studiuar me shumë kujdes prej tij ishin 118. Edhe këta ishin të qëlluar për efekte studimi dhe i përkisnin llojit gibon, – një lloj majmuni akrobat që përdor shumë hedhjet nga pema në pemë. Schultz gjeti prova se 36% e këtyre majmunëve kishin eshtra të thyera e të shëruara. Skeletet e këtyre majmunëve gjenden sot në Koleksionin Schultz. Ajo që të bie në sy në këto studime është fakti shkencor, se eshtrat e tyre ishin thyer kur ata ishin të mitur. Ngjitjet e tyre ishin bërë në mënyrë shumë të mirë, gjë që tregon se kishin pasur mundësi përkujdesjeje dhe qetësie. Kishte raste jo të pakta kur këta majmunë kishin pasur tre, katër, pesë e madje edhe gjashtë fraktura të njëkohshme, pra të shkaktuara në të njëjtin aksident. Edhe këta të fundit ishin shëruar plotësisht nga eshtrat dhe ishin plotësisht të aftë si të rritur. Shërimi i tyre natyrisht që ka qenë më i vështirë dhe kohëzgjatja më e madhe. Ka prova e studime të tjera që tregojnë se kafshët kujdesen për më të dobëtin. Sidomos për të miturit! Për t’u rikthyer te femuri që shënonte pikën e civilizimit te njeriu, mund të themi se nga këta tregues prej botës së kafshëve, ngjan se ky “civilizim”, ose thënë ndryshe kujdesia për më të dobëtin, qenka pjesë edhe e botës së kafshëve.
3. Njeriu dhe kafsha
Në vitin 1986 ka ndodhur një ngjarje e rrallë. Levan Merritt, i cili ishte vetëm pesë vjeç në atë kohë, ishte fëmija i dytë i një familje britanike nga Horsham, West Sussex. Një udhëtim argëtues familjar në kopshtin zoologjik Jersey u shndërrua në një makth kur Levan u përkul mbi parmakët e lartë rrethues për të parë më mirë gorillat, duke humbur ekuilibrin dhe duke rënë më pas brenda vendit ku rrinin një tufë gorillash. Humbi ndjenjat prej rënies nga lartësia e madhe. Teksa ai shtrihej në tokë pa ndjenja, familja e Levanit dhe vizitorët e tjerë u mbërthyen nga tmerri e nga një gjendje paniku, veçanërisht kur gorilla e quajtur Xhambo iu afrua fëmijës së vogël. Por, për habinë e tyre të madhe, në vend që ta sulmonte, kafsha filloi t’i përkëdhelë butësisht shpinën fëmijës që kishte humbur ndjenjat nga përplasja. Më pas ai qëndroi roje afër djalit, për të mbajtur larg gorillat e tjera. Kur Levan u zgjua, më në fund, filloi të bërtiste e të qante për shkak të dhimbjes së krisjes së kafkës dhe thyerjes së krahut që kishte pësuar nga rënia në beton.
Britmat e fëmijës e shqetësuan Xhambon, i cili iku pikërisht kur një nga rojet e kopshtit zoologjik hyri i armatosur me një shkop për të provuar të shpëtojë djalin. Një burrë tjetër u hodh pranë një punonjësi të ambulancës dhe ata punuan së bashku për të shmangur kafshët e tjera, më pak të bindura se sa Xhambo, ndërsa siguruan Levanin. Djali u transportua me shpejtësi në Spitalin e Përgjithshëm të Southamptonit, ku kaloi gjashtë javë dhe në fund u shërua. Ngjarja ishte filmuar e gjitha nga kameramanë të rastit dhe pamjet do ta bënin Xhambon dhe djalin të famshëm në të gjithë globin. Levani nuk i ndërpreu kurrë kontaktet me këtë kopsht zoologjik që ndryshoi jetën e tij. Ai është rikthyer në shumë raste, por rasti më i veçantë mund të ketë qenë kur preu shiritin e një statuje bronzi të Xhambos, e cila u vendos në vitin 1992 në hapësirën e kopshtit zoologjik. Xhambo kishte vdekur. Statuja gjendet ende aty, në nder të gjestit njerëzor (civilizim?) të një kafshe…
4. Djalli: as njeri, as kafshë
Ditët e para të këtij nëntori, kanë qëlluar të tmerrshme. Pamjet drithëruese të një fëmije që keqtrajtohet nga edukatorja e kopshtit kanë prekur të madh e të vogël. Si për ironi të fatit vogëlushja e dëmtuar nga keqtrajtimi i edukatores, pati një femur të thyer. Duket ironi e fatit, krahasuar me historinë e civilizimit që niste para 15 000 vjetësh, ku si pikënisje e civilizimit konsiderohej ndihma që iu dha një njeriu me femur të thyer. Në rastin tonë kjo është një histori me kokë poshtë, e kthyer së prapthi, e mbrapshtë, e kundërt… e ligë, sepse ligësia është pasqyrimi i kundërt i së mirës. E kundërta e njeriut, në çdo aspekt, është antinjeriu. Ky femur i thyer, është rast i kundërt me atë ndihmë që iu dha para 15 000 vjetësh individit parahistorik që kishte femurin e thyer. Nëse ajo ndihmë shënonte pikënisjen e civilizimit, mungesa e ndihmës që nuk iu dha (me vetëdije!) një fëmije me kockë të thyer që rënkonte, shënon rënien e civilizimit. Po ku përfundohet vallë nga kjo rënie? Mjafton të shohësh kronikën e një viti dhe e kupton se kjo rënie është antinjeriu, antivlera, ligësia që përqesh këdo e që gajaset me pamundësinë e shoqërisë. Të mos jesh human as sa një katërkëmbësh si gorilla Xhambo, që u kujdes për një fëmijë, apo as sa orangutangët e majmunët gibonë që shëronin eshtrat e të miturve të tyre, kjo është ç’është. Por ja që ndodhi dhe e pamë të gjithë me zë e me lëvizje. Ndodh që antinjeriu, ligësia shfaqet. Nuk duhet të ketë shpallje të mëdha. Këto tragjedi në dukej kaq personale, janë trumbetat e mëdha të vetëshkatërrimit njerëzor dhe kërcënim mbarëshoqëror. Ajo që duhet luftuar nuk është rasti, pasi ai nuk është as i pari, e as i fundit e fatkeqësisht nuk do jetë as i izoluar, pasi ngjarjet e tilla po na e tregojnë këtë gjë vit pas viti. Duhet një revolucion shoqëror dhe institucional që të përmbysë antivlerën dhe të rivendosë në vendin e vet vlerën. Të bëhemi të paktën orangutangë… edhe pse jetojmë në një epokë, ku fjalët e Shekspirit duket se përshtaten për mrekulli, e jo në letërsi, por në realitet: “Ferri është bosh, të gjithë djajtë janë këtu”…