Jo më kot diktatori Hoxha e kishte quajtur Televizionin Shtetëror Shqiptar “Artilieria e rëndë e Partisë”. Sepse efekti i veprimtarisë së tij propagandistike, d.m.th. bombardimi i trurit të shqiptarëve që nga mëngjesi e deri në mesnatë (me emisionet për shqiptarët jashtë atdheut), me doktrinën e dështuar komuniste, ishte jashtëzakonisht i madh. Këtë kishin parasysh edhe ata, të cilët, në kuadrin e “Rilindjes” (komuniste), sollën që nga SHBA, ku prej disa vitesh ishte rehatuar për shtatë palë qejfe, ish-kryeredaktorin e gazetës komuniste “Zëri i Popullit”, Thoma Gëllçin, dhe e vunë në krye të Radiotelevizionit Shqiptar. Njeri më i përshtatshëm nuk mund të gjendej, as brenda dhe as jashtë shtetit.
-“Shoku Thoma! – i thanë – na vjen keq që po të shkëpusim për një kohë të pacaktuar nga gjiri i ngrohtë i imperializmit amerikan, por ka ardhur koha për sakrifica sublime, për ringjalljen e frymës komuniste në Shqipëri. Kemi besim tek përvoja e jote e përparuar, si ish-kryeredaktor i asaj gazete, e cila ka luajtur një rol të madh në konsolidimin e vlerave marksiste-leniniste tek ky brez që sot ka marrë frenat e pushtetit të këtij vendi, i cili kishte devijuar paksa nga rruga e ndritur staliniste. Është e vërtetë se ajo gazetë e themeluar nga shoku Enver nuk del më, për çështje taktike, por punën e saj po e bëjnë më së miri disa filiale të saj, siç janë gazeta “Dita”, “Tema”, etj.. Po ashtu edhe disa televizione, si Top Channel, TVSH dhe disa të tjerë “të ndërtuar me punë vullnetare” e “me goditje të përqendruar”. Është koha që TVSH, nën drejtimin tuaj, të rifillojë nga goditjet e rënda të artilerisë, ashtu siç na ka mësuar shoku Enver.”…
Dhe ky kuadro i vjetër e i lartë i dikurshëm, nuk ia bëri fjalën dy Partisë. Ia nisi punës menjëherë, me shumë pasion e nostalgji. Bëri njëfarë pastrimi radikal të disa elementëve të lëkundur, që nuk kishin dhënë prova besnikërie ndaj PPSH-së, të cilët i zëvendësoi me militantë partiakë të rekomanduar nga lart, që prisnin radhën prej tre vjetësh. Pastaj përpiloi “kuadrin ligjor”, duke respektuar disa nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që i shkonin pas oreksit dhe duke anashkaluar të tjerë, që nuk ishin në përputhje me programin e Partisë së tij të dikurshme. I ndryshoi që nga themeli programet televizive, duke i dhënë përparësi paraqitjes së të kaluarës së lavdishme komuniste, të LANÇ-it dhe betejave të tij, të veteranëve të vjetër e të rinj, duke përfshirë edhe ata të lindurit mbas vitit 1944.
Përkujtimi i ngjarjeve të mëdha historike, i kongreseve të Partisë, të Rinisë e të Bashkimeve Profesionale; i festimeve dhe parakalimeve të 1 Majit; paradat e forcave të armatosura, të cilat me një heroizëm të rrallë e mbrojtën vendin tonë nga sulmet (imagjinare) të imperializmit amerikan dhe të revizionizmit sovjetik; filmat e mykur të realizmit socialist me partishmëri të lartë dhe me frymën e urrejtjes klasore, e të tjera, do të ishin imazhet e përditshme e të përnatshme për teleshikuesit shqiptarë brenda e jashtë atdheut. Dhe të gjitha këto, në saje të profesionalizmit të lartë të shokut Thoma, i cili din si t’i kënaqë nostalgjikët e kallëpit të tij.
Po ai nuk mund të linte pa përkujtuar edhe 11 janarin, atë ngjarje të madhe të lënë padrejtësisht në harresë gjatë këtyre 26 vjetëve, atë ditë të shënuar kur u shpall Republika (e përgjakur) Demokratike Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ashtu si Don Kishoti, që nxorri nga qilari rrobat kalorësiake të mykura dhe mburojën e shpatën e ndryshkur, edhe Thoma Gëllçi nxorri nga arkivi disa dokumentarë të hedhur në koshin e plehrave të historisë dhe i shfaqi për publikun e gjerë më 11 janar 2017. Kjo ishte një risi e tij, e cila i kënaqi pa masë nostalgjikët enveristë. Me lotë ndër sy, ata panë madhështinë e kremtimit të asaj feste 71 vjet më parë, kur Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Gjin Marku dhe shumë fantazma të tjera komuniste, qëndronin në tribunë pranë njëri-tjetrit, si shokë lufte e vëllezër të pandarë (pavarësisht se më pas ata akuzuan e vranë njëri-tjetrin pabesisht e mizorisht).
Veprimtarinë e tij të ethshme, shoku Thoma e ka bazuar mbi direktivat e Partisë, si edhe mbi një rregullore apo “kontratë” të sajuar prej tij në këtë mënyrë:“
KONTRATË E SHËRBIMIT TË TRANSMETIMIT PUBLIK
Lidhur midis Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), përfaqësuar nga Kryetari, z.Gentian Sala, dhe Radio Televizionit Shqiptar, përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, z.Thoma Gëllçi”
Kjo Kontratë, e hartuar me frymën marksiste-leniniste dhe të luftës së klasave, përbëhet nga 21 nene, ku është bërë kujdes që të mos përmenden asnjëherë “ish-armiqtë e popullit” dhe “klasat e përmbysura” dhe të mos u krijohet atyre asnjë hapësirë mediatike, ndonëse edhe këta e paguajnë rregullisht taksën e radiotelevizionit, si gjithë qytetarët e tjerë. Me këtë e ka shprehur fare qartë urrejtjen e tij klasore për ish-të dënuarit e të përndjekurit politikë si edhe për ish-pronarët e ligjshëm. Kësisoj, që nga fillimi i punës së tij si drejtor i përgjithshëm i RTSH-së, nuk është pasqyruar asnjë nga veprimtaritë e Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, si: Konferenca Shtypi, vendosje pllakash përkujtimore, promovime librash, përkujtime ngjarjesh e figurash të shquara të rezistencës antikomuniste, etj., edhe pse vazhdimisht i është dërguar ftesa për të asistuar e për t’i pasqyruar këto, gazetarët e atij televizioni.
Në nenin 3 – Parimet – të asaj Kontrate, renditen plot 18 “parime”, që nuk gjejnë kurrë zbatime, si p.sh.: *Parimi i garantimit të lirisë së shprehjes, dhe të informimit.
*Parimi i paanshmërisë gjatë transmetimeve.
*Parimi i paraqitjes objektive e të paanshme të informacionit për publikun.
*Parimi i mosdriskiminimit dhe barazisë së individëve përsa i përket përkatësisë në racë, ngjyrë, seks, origjinë kombëtare apo anëtarësisë në sindikata, etj..
Pra, flitet për “mosdriskiminim të sindikatave” (që në Shqipëri janë inekzistente) dhe nuk përmendet mosdriskiminimi për shkak të bindjeve politike! Me këtë farë kontrate, të sajuar prej tij, shoku Thoma Gëllçi kujton se arrin t’ua mbushë mendjen shqiptarëve dhe monitoruesve evropianë, se është në rregull me detyrën e tij dhe me të gjitha shtresat shoqërore në Shqipëri.
Komentet