Federata Europiane e Gazetarëve, ka reaguar sërish lidhur me rastin e paprecedentë të sekuestrimit nga SPAK të pajisjeve të gazetarit investigativ, Elton Qyno.
Reagimi i kësaj federate, e cila është organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë, vjen përmes Ricardo Gutierrez, Sekretarit të Përgjithshëm, i cili shpreh shqetësimin e tij për rastin në fjalë, ku një gazetari i kanë marrë në mënyrë të paligjshme, pajisjet e punës dhe sendet personale dhe familjare, me qëllimin e vetëm të zbulimit të burimeve.
Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, shprehet duke mbështetur thirjen e “Reporterëve pa kufij”, të cilët kërkojnë nga Gjykata speciale e Apelit, të urdhërojë SPAK ti kthejë të gjitha sendet e punës dhe personale gazetarit të “Ora News” Elton Qyno.
Në reagimin e sekretarit të federatës thuhet se: “…Federata Evropiane e Gazetarëve i bashkohet “Reporterëve pa kufij” në thirrjen e gjykatës speciale të apelit që të urdhërojë kthimin e pajisjeve të Elton Qynos. #Mbrojtja e Burimeve…”.
Të njëjtën thirrje drejtuar gjykatës speciale të Apelit, e shpërndau në platformën “X” dhe vetë Federata Evropiane e Gazetarëve, e cila kërkoi kthimin e materialeve dhe sendeve të punës.
Në reagimin e tyre përmes platformës “X”, “Reporterët pa Kufij” shkruajnë si më poshtë vijon:
“…Shqipëri: Sekuestrimi i aparaturave të gazetarit Elton Qyno nga prokurorët antikorrupsion pas raportimit të tij për krimin e organizuar, kërcënon fshehtësinë e burimeve konfidenciale.
“Reporterët pa kufij” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit, e vendosur në 5 janar, të urdhërojë kthimin e pajisjeve të gazetarit…”.
Në të njëjtën linjë doli dhe organizata “Safe Journalists”, e cila në një postim të sajin në platformën “X”, bëri thirrje që gjykata të kthejë pajisjet dhe njëkohësisht të këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh.
“…@WB Journalist” i kërkon Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të urdhërojë SPAK-un t’i kthejë të gjitha pajisjet Elton Qyno-s dhe këmbëngul që të përmbahet në të ardhmen nga nisja e çështjeve që rrezikojnë burime gazetarësh…” – thuhet në deklaratën e Organizatës “Safe Journalists”.sn