Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) shprehen të pa kënaqur me veprimet e FSHF-së dhe këtë herë në fokus është futbollisti Ylber Ramadani.
Mediat kosovare thonë se trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Redi Jupi, i ka bërë një ftesë mesfushorit të Partiznait – që ka luajtur me të rinjtë U-21 në Kosovë. Por veprimi i tij duket se nuk është pritur mirë nga menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala.
Gazeta “Express” ka publikuar një reagim të zyrtarit të Kosovës në të cilin shprehet i habitur me kërkesën ndaj mesfushorit, për faktin se ai është në planet e trajnerit Albert Bunjaki.
“Vërtetë jemi çuditur jashtëzakonisht shumë nga ky veprim, duke pasur parasysh rrethanat e reja të dy Kombëtareve. Ne e kemi kuptuar vetëm nga mediat që përzgjedhësi i Shqipërisë U-21 e ka ftuar Ramadanin, një lojtar që tërë jetën e tij ka qenë i lidhur me futbollin e Kosovës, duke filluar me klubet e shumta të Kosovës, e për të vazhduar me reprezentacionet U-19 dhe U-21.
Ajo që mund të konfirmoj është se, Ylber Ramadani është në listën e zgjeruar të përzgjedhësit Bunjaki që është dërguar në UEFA, në të cilën Kosova llogarit në ndeshjet kualifikuese për botërorin ‘Rusi 2018’. Kjo nuk duhet të nënkuptohet si ftesë e menjëhershme për të, por është pjesë e projektit të përzgjedhësit Bunjaki”,-tha menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala për “Gazeta Express”.
Ramadani thuhet se ende nuk ka vendosur nëse do të pranojë ftesën e Shqipërisë apo do të vazhdojë të luaj për përfaqësuesen e Kosovës.
Më herët, Kosovës iu bashkuan futbollistët: Milot Rashica, Alban Meha, Herolind Shala dhe Sinan Bytyçi.
Futbollisti me pasaportë kosovare Ylber Ramadani u bë çështje pak ditë më parë me klubin e Partizanit, për shak të pengesave që dolën ndaj tij për të luajtur në ndeshjen e 18 gushtit në Rusi ndaj Krasnodarit.
Komentet