Asnjëri nga 30 shqiptaro-zviceranët që kanë kandiduar në zgjedhjet nacionale të 18 tetorit nuk kanë fituar vota të mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Parlamentin e Zvicrës.
Bullakajt nuk i mjaftojnë për parlament mbi 17 mijë vota të fituara
Pas numërimit përfundimtar, Arbër Bullakaj ka 17.223 vota, por mbetet i katërti në listën e partisë së tij
Arbër Bullakaj ishte kandidati më i mundshëm që të bëhej i pari deputet shqiptar në Parlamentin e Zvicrës. Një fushatë shembullore, ku është investuar shumë mund, sakrificë dhe pasion, fushata për zgjedhjen e Arbër Bullakajt deputet në Parlamentin e Zvicrës nga Kantoni St. Gallen, duket se nuk do ta sjellë rezultatin e shumëpritur.
Siç njofton për albinfo.ch Isuf Sherifi nga grupi mbështetës i Bullakajt, ai, në bazë të gjendjes së tanishme të rezultateve, nuk do të sigurojë vendin e deputetit. Me gjithë rezultatin shumë të mirë – ai ka fuituar 17,223 vota – rënia e votave që ka pësuar partia e tij, socialdemokrate në këtë kanton i ka ulur gjasat dhe Arbrit, raporton albinfo.ch. Ai tash është në vendin e katërt ndërsa kandidati në vendin e tretë i cili ka vetëm 100 vota më shumë, eventualisht mund të shkonte në Parlament, nëse kjo parti do t`i nxirrte, siç shpresohej, tre deputetë.
Megjithatë, siç e thotë edhe Sherifi dhe pjesëtarët tjerë të grupit mbështetës, Arbri dhe shqiptarët në këtë kanton kanë dhënë një provim të rëndësishëm, duke dëshmuar se kur ekziston vullneti për të punuar së bashku dhe me organizim, mund të kryhen punë të mira, në të mirë të komunitetit.
Grupi mbështetës i falënderon përmes albinfo.ch të gjithë ata që në ndonjë mënyrë kanë kontribuuar në fushatën për Arbër Bullakajn. Ata janë përzemërsisht të ftuar në koncertin që fillon në orën 16. në restorantin Adler, St. Gallen
Me 65.000 vota, Qëndresa mbetet jashtë parlamentit
Ky numër i votash është kaq i madh për shkak se numri i votuesve në Kantonin e Cyrihut është më i madh se në kantonet tjera. Në proporcion me këtë, edhe konkurrentët e saj janë më të votuar se kandidatët e kantoneve tjera
Në Zyrih, për shkak të madhësisë së kantonit, ata fituan më shumë vota, por nuk arritën të shkruajnë histori që të bëhen për herë të parë pjesë e institucionit ligjvënës në Bernë.
Njëra ndër kandidatet më të reja në gjithë Zvicrën për Parlamentin Nacional, Qëndresa Sadriu, nga Glatbrugg-u (Zürich), ka marrë numrin dukshëm më të madh të votave në mesin e të gjithë kandidatëve me prejardhje shqiptare.
Mbi 65 mijë vota i ka marrë vajza 21-vjeçare, asistente dentale dhe studente me prejardhje nga Gjilani.
Sadriu thotë të ketë përfituar më shumë përvojë nga këto zgjedhje.
„Megjithatë, është një fitore e madhe për mua, sepse kam arritur ta mbaj vendin tim së bashku me ata që janë më të njohurit në Zyrih. Unë do të kandidoj përsëri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse do ta fitoj një ulëse në Parlamentin nacional, duhet të jetë një përvojë e madhe politike, në mënyrë që të gjithë ata që ma kanë dhënë votën t’i përfaqësoj në mënyrën më të mirë në Bernë”, tha Sadriu, e cila kishte marrë përkrahjen e komunitetit shqiptar.
„Kam marrë mbi 65 mijë vota, nëse e shikojmë listen, vetëm në komunën time unë isha radhitur në vendin e shtatë. Po ashtu e kisha përkrahjen edhe të zviceranëve, kjo do të thotë që edhe zviceranët më kanë pranuar kandidaturën time, që do të thotë që nuk e shikojnë vetëm emrin, por edhe vlerat e mia. Nuk prish punë nacionaliteti, sepse nuk duhet të shikojmë emrin, por vlerën e një njeriu, pikërisht këto zgjedhje tregojnë që qytetarët nuk ma shikojnë emrin, por angazhimin tim”, thotë në këtë prononcim për albinfo.ch Qendresa Sadriu.
Për Shqipe Bajramin, e cila i hyri kësaj gare me CVP-në, është megjithatë sukses që ishte në listën kryesore të kësaj partie, e cila në Zyrih nuk kishte fituar vota të mjaftueshme në këto zgjedhje.
„Unë personalisht për hirë të angazhimit tim familjar, të punës dhe vetë si fillestare, por edhe për arsye financiare, nuk kam pasur mundësi të bëj një grup punësh, mirëpo që nga fillimi e kam ditur që nuk do të kem një sukses të madh që t’ ia dal me një hap gjigant, mirëpo ta gjej vetën në një pozitë më të mirë se që kam qenë”, tha për albinfo.ch.
„Jam shumë falënderuese ndaj komunitetit shqiptar dhe jam me të gjithë ata persona që kam kontaktuar për kandidaturën time, dhe aty e kam parë gatishmërinë e tyre që duan të më ndihmojnë patjetër”, thotë më tutje Bajrami.
Ajo ka falënderuar të gjithë votuesit, të cilët, sipas saj, nuk janë vetëm
shqiptarë, por edhe zviceranë, fqinjët për rreth, kolegët e punës, shokët e studimeve, etj.
Edhe Lulzim Maliqi ka kandiduar me CVP-në në kantonin e Zyrihut.
Politikani shqiptar, edhe pse nuk kishte marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet i Parlamentit zviceran, e ka falënderuar CVP-në që ua kanë hapur dyert politikanëve me origjinë shqiptare, gjithashtu ai i ka falënderuar edhe përkrahësit e tij nga LDK-ja në Zvicër.
„Rezultati ka qenë mjaft i mirë, duhet të përgatitemi që në zgjedhjet e ardhshme të kemi një sukses edhe më të madh. Programi im ka qenë në nivel, mirëpo në zgjedhjet e ardhshme duhet të organizohemi edhe më mirë në të gjitha kantonet. Rezultati deri tash është afërsisht 12 000 vota, kjo është edhe një befasi e mirë për mua dhe i falënderoj të gjithë, edhe pse ne e kemi pasur një qëllim që secili t’i marrë mbi 50.000 vota, por ka qenë një konkurrencë mjaft e madhe në mes të partive, mirëpo në të ardhmen do ta forcojmë këtë rezultat”, thotë Maliqi.
Ylfete Fanaj, me 16’274 vota, nuk mbërrin kuotën për Parlament
Ajo ka dalë e katërta në listën e partisë së saj në Luzern. Dy të parët shkojnë në Bernë
LU Fanaj Ylfete SP
Kandidatja tjetër me prejardhje shqiptare nga e cila pritej një rezultat solid, Ylfete Fanaj nga Partia Socialdemokrate, në Lucern për një numër të vogël nuk do të mund të përfaqësohet në Parlamentin e Zvicrës. Partia e saj në kantonin Luzern kësaj here ka fituar një deputet më shumë se herën e kaluar (2 gjithsej) por numri i votave të Ylfetes nuk mjafton për të siguruar biletën për në Bernë.
Ajo, sipas gjendjes përfundimtare ka grumbulluar 16.274 vota dhe është e katërta në listë. Kjo është gjendja pas numërimit të votave të qytetit të Lucernit. Rezultatet e qytetit janë vonuar kështu që me ardhjen e tyre Ylfetes i janë shtuar edhe rreth 6500 vota të reja, përveç 9813 sa i kishte më parë. Ajo e ka konfirmuar për albinfo.ch me këtë rast se ka ndryshuar edhe radhitja në listë. Tash Fanaj është e katërta ndërsa në gjendjene raportuar më parë ajo kishte vendin e pestë.
Pas arritjes së rezultatit përfundimtar, Ylfete Fanaj thotë të jetë e kënaqur. “Edhe pse nuk munda të arrij në parlament, jam e kënaqur me rezultatin. Kam 6300 vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara” thotë ajo në bisedë me albinfo.ch. /albinfo.ch
Komentet