Ish lojtari i Fenerbahçes: Pse Kosova nuk po anëtarësohet në UEFA dhe FIFA
PRISHTINË – Fadil Vokrri, 55 vjeç, njëri nga futbollistët më të mirë shqiptarë të Kosovës, i të gjitha kohërave, aktualisht kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Fenerbahçen nga Stambolli, skuadrën 19 herë kampione dhe 20 herë nënkampione të Turqisë në futboll.
Kur përmendet Vokrri në Turqi, njerëzit e kujtojnë menjëherë një gjeneratë të lojtarëve të famshëm sikurse Oguz Çetin, Ridvan, Tanju e Mujdat, që njihen si legjenda të skuadrës “verdhë e kaltër të mbyllur” dhe kombëtares turke.
Edhe sot e kësaj dite, pas më shumë se dy dekadash, kur Vokrri shkon në Stamboll, respekti është maksimal, sidomos në institucionin më të lartë të futbollit turk, Federatën e Futbollit të Turqisë (TFF), ku javën e kaluar u prit nga kryetari aktual i TFF-së, Yildirim Demiroren dhe trajneri i kombëtares turke, Fatih Terim.
Përkundër faktit se Vokrri luajti për Fenerbahçen, rivalin e madh të dy skuadrave tjera të Stambollit për të cilat, në të kaluarën, kanë punuar dy njerëzit kryesor të futbollit turk, ai është jashtëzakonisht i mirëseardhur dhe i respektuar. Kryetari i TFF-së Dermiroreni, nga viti 2004 deri 2012, ishte kryetar i Beshiktashit, ndërsa Fatih Terim i njohur si “Perandor”, fillimisht ka luajtur për rivalin më të madh të Fenerit, Galatasarajin, nga viti 1974 deri 1984, pastaj në tri periudha të ndryshme e ka udhëhequr të njëjtën skuadër, madje duke fituar Kupën UEFA në vitin 2000, që është suksesi më i madh ndërkombëtar i klubeve të futbollit turk.
Kur kjo treshe bëhet bashkë, nuk ka se si të mos jetë atmosfera e mirë dhe “ngacmimet” e njëri-tjetrit të “fluturojnë në të gjitha anët”, megjithatë, takimit i fundit, siç deklaroi edhe vet kryetari i futbollit kosovar, Vokrri, ishte shumë serioz dhe i rëndësishëm.
Në momentin shumë të ndjeshëm për futbollin e Kosovës, kur gjasat për t’u pranuar në UEFA dhe për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtarë të gjatë më shumë se dy dekada e gjysmë, janë shumë të mëdha, në deklaratën ekskluzive për Anadolu Agency, Vokrri tregon se ka kërkuar edhe një herë mbështetjen e futbollit turk.
“Çështja jonë ka shkuar në Kongres dhe për të marrë mbështetjen sa më të fuqishme jo vetëm nga federata turke, sepse ajo dihet, është një mike e jona dhe nuk e kemi kurrfarë problemi për ta marr mbështetjen e tyre, por edhe me federatat mike në të cilat ata kanë ndikim, një lobim intensiv para Kongresit që duhet të mbahet, ende nuk e dimë datën e saktë por duhet të ndodh nga marsi deri në fillim të majit. Kështu që, kjo është një periudhë e cila duhet të përcaktojë definitivisht çështjen e futbollit të Kosovës”, tha kryetari i FFK-së duke theksuar se, miqësia e jashtëzakonshme ndërmjet të dy shteteve reflekton edhe në futboll.
Federata e Futbollit të Turqisë me vite e përkrahë dhe ndihmon zhvillimin e futbollit kosovar, në të gjitha aspektet dhe si dëshmi të kësaj miqësie, Vokrri e rikujton ndeshjen miqësore të zhvilluar vitin e kaluar ndërmjet të Kosovës dhe Turqisë, në Mitrovicë, përkundër axhendës së ngjeshur që e ka TFF-ja, sipas tij, një ndër federatat më të fuqishme, jo vetëm në futbollin evropian por edhe më gjerë.
Njeriu i parë i futbollit kosovar tregoi se me kryetarin Demiroren dhe trajnerin Terim kanë biseduar edhe për format konkrete të bashkëpunimit profesional, siç janë: seminaret për trajnerë, gjyqtarë dhe administratorë të futbollit, kampe të përbashkëta për të rinj dhe ndeshjet miqësore, por Vokrri insiston se, më primare në këto momente është pranimi i Kosovës në UEFA dhe ndihma e Federatës Turke të Futbollit në këtë aspekt është shumë e rëndësishme.
Kryetari Vokrri shpjegon se pranimi i Kosovës së pari duhet të bëhet nga UEFA dhe deri tash mospranimi ka ndodh për shkak të nenit famëkeq të statutit të UEFA-së.
“Neni famëkeq i cili thotë se për pranim në UEFA, federata që aplikon duhet të jetë nga një shtet që është anëtarë i Kombeve të Bashkuara. Kjo është mënjanuar në takimin e fundit që u mbajt në Maltë, ku Komiteti Ekzekutiv i UEFA-së vendosi që ta dërgojë lëndën tonë në shqyrtim, në Kongresin e ardhshëm të UEFA-së dhe pas pranimit në UEFA … pastaj nuk kemi ndonjë problem për anëtarësim në FIFA meqenëse FIFA thotë se federata duhet të jetë e pranuar si një shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht, i pranuar nga konfederata gjegjëse, që do të thotë në UEFA. Pastaj, në fund të majit është Kongresi i rregullt i FIFA-së, në Meksikë, dhe aty duhet të bëhet pranimi ynë definitiv edhe në FIFA”, shpjegon Vokrri.
Gjatë bisedave, zyrtarët e federatës së futbollit kosovarë dhe turk diskutuan edhe për mundësinë që, pas pranimit eventual të Kosovës në UEFA dhe FIFA, përfaqësuesja kosovare të jetë pjesë e njërit nga dy grupet që kanë mbetur për eliminatoret e Botërorit 2018 dhe sipas Vokrrit, ka gjasa të mëdha që të gjendet në grupin e njëjtë me Turqinë, Kroacinë, Ukrainën, Finlandën dhe Islandën.
Duke u kthyer pak prapa, në kohën kur Vokrri mbante fanellën me numrin 9 të skuadrës Fenerbahçe, Fadil Vokrri për AA kujton momentin i cili i ka lënë më së shumti mbresë.
“Sigurisht që çdo fillim është ai që çdo herë mbetet në kujtesë. Në takimin e parë që kam patur rastin të luaj kundër Galatasarajit, është Kupa e gazetarëve sportiv të Turqisë e cila organizohet para çdo fillimi të edicionit të ri (TSYD Kupasi) dhe ne e kemi mposhtur Galatasarajin, ndërsa unë e shënova golin e parë”, thotë njëri nga futbollistët më të njohur shqiptarë të Kosovës i gjitha kohërave.
Sa i përket bashkëlojtarit të tij më të preferuar dhe sipas tij, njërit prej më të mirëve në ekipin e Fenerbahçes dhe kombëtares turke nga koha kur ai ka luajtur në Turqi, aty Vokrri nuk ka fare dyshim.
“Mendoj që lojtari më i preferuar i imi, me të cilin kam luajtur, pa diskutim është Oguz Çetin i cili ka qenë edhe kapiten i ekipit. Pastaj ka qenë Kyçyk Shenoll, Ridvani, Turhan, e shumë lojtarë të tjerë, pastaj Aykuti, tash trajneri i Konyasporit”, evokon Vokrri aventurën e tij në futbollin turk.
Krejt në fund, Vokrri analizoi garat eliminatore të Turqisë për “Francë 2016” dhe kualifikimin dramatik në xhiron e fundit, duke i falënderuar fitores befasuese të Kazakistanit ndaj Letonisë dhe golit të Selçukut nga goditja e lirë, në minutat e fundit të duelit me Islandën.
Sipas tij, Islanda ishte e jashtëzakonshme gjatë gjithë fazë së eliminatoreve dhe rrallë ka ndodhur që një ekip i vogël sikurse është Islanada, 2-3 ndeshje para përfundimit të ketë të sigurt kualifikimin, në një grup shumë të fortë ku një ekip gjigant si Holanda është eliminuar.
“Unë mendoj se gjithë dashamirët e futbollit në Kosovë kanë qenë simpatizues të flaktë të Turqisë, përfshirë edhe mua dhe mendoj se ata pas gjithë kësaj drame që e cekët edhe ju se ka ndodhur, mendoj se me plotë meritë janë kualifikuar. Pikësëpari, ata kanë besuar deri në momentet e fundit që do t’ia arrijnë qëllimit edhe pse e kanë pasur edhe një gjasë në barazh” tha Vokrri.
Kryetari i FFK-së e ndau edhe një moment interesant me Anadolu Agency, duke treguar se si me selektorin Fatih Terim u mahitën duke thënë që, vitin e kaluar, përgatitjet e kombëtares turke për eliminatore kishin filluar pikërisht në Mitrovicë, në stadiumin Adem Jashari, me ndeshjen Kosova-Turqia. Prandaj, Fatih Terim u shpreh se, ndoshta Turqia do ta ketë të njëjtin fat edhe në eliminatore për kampionatin botëror ‘Rusia 2018’, nëse fillon përsëri duke luajtur me Kosovën, por këtë herë jo ndeshje miqësore por në të njëjtin grup kualifikues.
Krejt në fund, Vokrri i dëshiroi shumë sukses ekipit turk në Francë me shpresë se do të plasohet sa më lartë.
Fadil Vokrri, konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë shqiptarë të Kosovës, i të gjitha kohëve, së bashku me Lorik Canën, Valon Behramin, Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën.
Ai luajti për Prishtinën, në periudhën më të suksesshme të ekipit të kryeqytetit të Kosovës, prej nga kaloi në Partizan të Beogradit. Çasti më i ndritur i karrierës së tij ishte kur, në vitin 1987, skuadra më e suksesshme e futbollit italian, Juventusi kishte shprehur interesim për të nënshkruar kontratë disa vjeçare me Vokrrin. Po atë vit, Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në ish-Jugosllavi, ndërsa Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak sepse, sipas ligjit të atëhershëm, sportistët në ish-Jugosllavi nuk mund të luanin jashtë shtetit nëse nuk e kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak dhe nuk kishin mbushur moshën 27 vjeçare.
Fadil Vokrri ka luajtur edhe 12 ndeshje për kombëtaren e atëhershme të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, për të cilën ka shënuar 5 gola.
Në vitin 1990 është transferuar në skuadrën e famshme turke, Fenerbahçe ku punon nën udhëheqjen e ekspertit holandez Guus Hiddink. Gjatë asaj periudhe, Vokrri luajti së bashku me legjendat e futbollit turk siç janë kapiteni Oguz Çetin, Ridvan, Tanju, Mujdat, Turhan, portieri Engin, zëvendësues i të cilit ishte edhe një shqiptar tjetër nga Kosova, portieri Neshet Zhavelli. Nga 1990 deri në vitin 1992, Fadil Vokrri luajti 43 ndeshje dhe shënoi 13 gola për “Fenerin”.
Në vitin 2008, ai u zgjodh kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe nga atëherë punon jashtëzakonisht shumë në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës dhe pranimin e tij në UEFA dhe FIFA. aa
Komentet