I
Fausti mbrriti në Tiranë. Mbas një vizite në të gjithë planetin,
Erdhi pikërisht në Tiranë me pelerinë të vjetër, pluhurosur,
Dalë boje si kiç vaporri porsa nxjerrë nga arkeologët.
Ka miliona vite që ecën, ashtu si dhe tufanet për njoftimin e stinëve,
Misionar i zbritur nga kontinenti i qiejve, si gjithë shpirtrat
E dijetarëve, që s’gjejnë prehje në askundërinë e botës.
Dijetarët janë me merak të përtejtejmë, Shpirtrat e tyre
Kanë përmasën e syrit, lënë mbrapa Shpejtësinë e dritës,
Na afrohen të vëzhgojnë sozitë e kafkave,
Në këtë tokë kafkiane na ndihmojnë me praninë e alfabetit
Të tyre të domosdoshëm, duke na shoqëruar seicilin
Në Gjyqin e Madh, ku qiejt sistemojnë shpirtrat.
*
Fausti mbrriti në Tiranë, ashtu si dhe një faqe dielli Që mbrrin
Nga lartësitë, të ndrijë të porsalindurit, të shndërrojë në dete
Lumenjtë,të kthejë frymën, t’i ul tingujt në tastjerat e dheut.
I ngjan Adamit i cili zbuloi në brinjë Dashurinë për lindjen
E botës së pafundme. Si dhe Sokrati, shqyhet së qeshuri
Në sokakët e Athinës, duke luajtur poker me gjyqtarët dhe jetën,
Shndërrohet në portretin e Jesuit, duke shikuar nga Sytë e Plagëve
Gozhdëtarët. Gozhdët u nis atje, ku flenë e zgjohen, ku ecin, vjellin,
Ku falen, t’ju falë sadopak mëkatet.
Në portretin e Galileo Galileit shndërrohet,
Ndërsa mban në pëllëmbë këtë globth të vogël. I shkrepin sytë
Faustit, ku zjarri djeg vetveten në sfondin e errësirës,
duke zgjeruar hartën e Tiranës.
*
Fausti sheh të dehur të njohur, Prostituta nudo,
Gra vejane, që thërrasin makina pa targa, për atje ku harresa
Shtron krevatet e ndryshkura e Shelgjet shpëtojnë të sapombyturit.
*
Dajti shkruan ditarin mbi një Krah harabeli: Pallate Don Kishotër
Ngjishen në shpatullat e kryeqytetit, Shën Hëna shfleton ungjillin,
Pishat, me fashat e hijeve, plagët e asfalteve lidhin e mbulojnë,
Aktorët, që nuk dinë ç’aktrojnë, Futen tek shtati i Njeriut
E rikthehen me nxitim pa emrat e tyre të herëshëm,
Të qajnë me dënesë me kafkat e etërve në duar.
– II-
Fausti eci duke zvarritur Mantelin e tij si fshesë plastike
Të pastrueseve, që shanin me tërë zhargonet në tortuare,
Shikoi një zjarr të vogël, që nisi të digjte pelerinën e tij
Me moshën e botës. U mundua ta shuaj, të mos bëhej shkrumb,
Ku “U”-ja e egërsirave kapte, me njëra-tjetrën, arkitekturat e godinave,
Ku violina kërkonte Paganinin e ankthi thërriste tingujt e këngës:
“Privuar nga ecja dhe gjumi, mbërthyer na mbajnë
në karrige paraplegjikësh…”
*
Fausti u mundua ta shuaj pelerinën, që vazhdonte t’i digjej,
Gjersa një bot uji i hodhi currilin e madh, jo ta shuante, por
Ta shihte si këndez festash në tregun E Ri,
Atje ku krekoset Avni Rustemi mbas kthimit nga Parisi
Në një atentat, mbi Tradhëtinë në shekullitn që shkoi…
(Nuk dihet nese Tradhëtia
Do të marrë ndonjëherë arratinë?!…)
-III-
Fausti eci si pemë e shkulur e cila merr me vete degët.
Një polic gjuan në ajër nën avujt e alkolit, në rrugë hedh
Revolverin e tij si copë sanduiçi të ngrënë përgjysëm.
Revolveri gjuan (pa gishtin në këmbëz) pemët, njerzit,
Pllakat e tortuarëve, xhamat e makinave, konkavet e syve,
Barin, gjersa shndërrohet në copë real sanduiçi.
Fausti vëzhgon andej këndej, të ulet sadopak
Në stolat e drunjtë të pushimtoreve, ku specia gej thërret
Se i ka ulur çmimet me brohorimën:
“Unë jam gej,/Unë jam ok-ej,
Po, po, ok-ej…”
*
Njeriu, person frymëmarrës, që se tregon emrin,
Që pretendon se i ka të gjitha emrat e njerzëve
Të të gjitha moshave, gjinive, ngjyrave, madhësive,
Këndon duke fishkëllyer tërë erërat në udhëkryqet e Tiranës:
“Janë pranga shtëpitë tona, pranga të qëndisura, të kyçura,
Të përkryera nga artizanë të famshëm. Janë maska shtëpitë tona,
Maska të orgjive dhe krimit. Vetkyçemi aty, paguajmë për t’u fshehur,
Kërkojmë kredi, azil, zhgërryhemi për pak pranga katrore.
Prangat shiten shumë e më shumë e ne shumë e më shumë
për to ëndërrojmë.
Janë pranga shtëpitë tona, seicila një hallkë në vazhdimin e hallkave
Nga arkitekt të mënçur, të shkathët, mashtrues të regjur. Lindim
Aty, për të dalë e për të hyrë në të gjitha arteriet e kryeqytetit”
-IV-
Fausti dëgjon njeriun dhe shikon:
Mijëra njerëz janë rrokullisur nga mallet:
S’betohen as për diellin, as për tokën. Kanë dëshirë
Të zgjidhen për trupin e bëshëm, siç bëhet me kuajt,
Prej kalorësve të shkathët. Gishti nuk dihet se ku do të vendoset.
Rrinë në rresht, pipëtijnë në rresht, pa urdhra në rresht, pa diktat
Në rresht, ushtarë të bindur në rresht, vullnetarë në rresht,
Ndjekin gishtin përzgjedhës në rresht si fëmijë në jetimoret luksoze,
Si zogj të lodhur të hutuar nga lojërat e dritave në rresht.
Askush s’kthen përshëndetjen e Faustit që shihet larg, që është
Më shumë se ata i varfër, i uritur, që shpëtoi paq
Nga një shaka e botit ujëhedhës në rrugë e sipër.
Ata rrinë, marrin frymë, ëndërrojnë, harrojnë që ka Diell,
Që ka Faust, Njeri me emër tjetër dhe rrinë në rresht, të bindur
Se ashtu duhet, në përzgjedhjen, zhurmën,
Orkestrën me të gjitha akordet të shkatërruara keqas.
Ata janë mësuar në këtë madhështi kryeneçe. Lënë
Të kalojnë mbi shpatullat e tyre putrat e Fatit, që luan me ta
Si ariu me fëmijtë në Teatrin e Kukullave…
-V-
Më tejë Fausti sheh:
Partizani i panjohur nxiton në kërkim të ecjes
Zërit, zemërimit, lavdisë së arratisur.
Pranë tij, partizani i njohur
Shet libra, copa gazetash me kronika nga Lufta e Dytë Botërore…
Hijet e tyre janë aleatët e akrepave të sahatit:
I njohur – I Panjohur,
Luajnë tavëll, buzë varrit të Sulejman Pashës:
“I panjohur, I njohur, Sulejman, Partizan, sozi e Njohur,
Sali, Fatos, Edi, Enver,
Zog i arratisur, mbret pa kurorë…”
Bulkthat qëndisin tregime të gjata, të ngatërruara, pa titull.
*
“Ky është Fausti!” ,
Briti sozia e partizanit të Panjohur,
“Edhe mundet”,
Mërmëriti sozia e partizanit të Njohur
Dhe hodhi tutje Thesin me libra e letra, të shihte vërtetë
Nëse ishte Ai, që duhej në këtë tokë
(Që vështirë se do të duhej) .
U nxeh e sa nuk shkriu bronxi i Panjohur:
“Është nga vëndi Hitlerit!,
Është nga vendi Hitlerit e s’ka pse të mos të jetë Hitleri
Me mustaqet spic, që përvëloi botën në krematoriume,
Që shpëtova paq, duke dalë nga stivat e të vdekurve…
Luftova me siluetat, armët, tanket, Alt-et, aleancat…
Si mundet të guxojë të shëtis këtu një vëndas i tij?!”
“Fausti nuk është Hitleri –
Qetoi partizani i njohur –por ç’më duhet ç’ ka ndodhur me Ty,
Kur askujt si duhet çfar ka ndodhur me Mua?!…
Unë luftova dhe plagët më dhëmbin tek brinjët,
Të vetmet dekorata, që s’mundën të m’i grabisnin.
Kundershtova e urdhëruan: “Pranga…Në emër të popullit…”
Ndërsa populli gërrhinte,mbyllte veshët mirë e mirë,
Të mos dëgjonte, të ikte kuturu si ortek i verbër, pa ndërgjegjen e rënies
E ti athere ngrije grushtin, pa pyetur ku isha, ku më digjnin
Më tepër se sa ty Hitleri.
Asnjëherë s’pyete ku isha, në duhej të jetoja
qoftë sa një ditë e jotja, Bronx kallp e bir kallpi!…”
I Panjohuri:
“Ish sistemi…Grinadvec e manjak i letrave…”
I Njohuri:
“Edhe për mua ishte sistemi, por nuk të vrava…
Edhe sot që ashtuquhet Sistemi im, nuk po të vras,
Me paratë e mija endesh në tokë e qiej,
Çirresh të të vijnë mbrapa në askundërinë e botës…”
I Panjohuri:
“Ekstremist,
Ke hak bronxin tim të shndërrohet në pranga,
Të të mbajnë lidhur e të të vendosin pranë lumenjtë,
Të t’i tregojnë e të mos të ta afrojnë pikën e ujit,
Të mësosh të flasësh,të mendosh, të mos ecësh, ku ligji s’të lë
Të më kujtosh ca profka, që dergjen arkivave e mund të hapen
Kur t’ja dojë menderja Perëndisë së Ligjit…”
I Panjohuri u mundua e stërmundua ta shkulte pushkën,
në këtë katraurë tiranase….
I Njohuri:
“Arma jote,(ha ha ha ,po më bën të vdes duke qeshur!)
Është thjesht një lodër dhe ti një aktor,
Që kapardisesh të bësh profka edhe në shekullin tjetër.
I Pa Njohuri:
“Ti m’i shtërngon bullonat të rri si mumje
Mbi mermerin e ardhur nga malet, ku betejat tregojnë vetveten,
Heronjtë ditaret, shkronjëtorët…”
I Njohuri:
“Heronjë pa dëshmues, me shkronjëtorë të vdekur,
Me ditare të fshehura në sediljet e kolltukëve
Nga analfabetët…që shesin historinë
Nëpër botë me sekserë të regjur…
Shkronjat e tua endin Babiloninë, na tregojnë përralla,mite,
Legjenda, kuaj që ngrënë pushtetet, shtratet e lumenjëve,
Që s’kanë pasur asnjë herë lumenjë dhe kanë emrat
E lumenjëve më të mëdhenj të botës…”
I Panjohuri:
“S’do të flesh më në këmbët e mija!,
bastard mosmirënjohës!…”
I Njohuri:
“S’do të flësh më në këngët e mija…Je Bronx i panjohur
Tek toka jonë e virgjër… Pse duhet të të rri i krrusur
O i Panjohur?!
Unë duhet të shes tërë historinë Time
Për të qëndruar Ti në kryebronxin e Tiranës,
Për të qëndruar ti në qilimin fluturues
Endur me shpatullat dhe ëndrrat e mija?!”…
*
Fausti i la në dialogun e tyre të përjetshëm,
Në këtë botë, ku duhet patjetër grindja, shitja e shkronjave
Historive, intrigave, fyerjeve po aq sa frutat e Diellit.
-VI-
Befas, tufani i madh, “I Njohur – I panjohur” ,u sul
Rrugë pa rrugë në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”,
Sopatat ranë në trungjet e pemëve, u mblodhën degët
Si të vdekurit e rrëzuar befas nga arkivolet, u thyen
Syzet e pallateve. Befas kryeqyteti nuk mund të shihte,
S’dinte ku të mbahej, ku të mbështetej, ku të kërkonte
mundësinë e ringritjes.
Shpellat, në duart “I Njohur-i Panjohur”,
Hidhen në të dyja kahjet, duke përbërë tërë komunitetin
E ardhur nga themelet e shekujve,
Duke i bërë të mahniten legjendat, lahutat
Të mbeten të ngrira si masive akujsh….
Bajlozët me kravata, përballen
turratutje, ku britmat, ah-et,i h-et
s’kanë të sosur…
Mijëra” të Njohur të Panjohur” kanë braktisur kafkat,
Kafka të çara ngaku dalin të tjerë “Të Njohur-Të Panjohur”,
Nxjerrin armë guri, armë me fyte të gjata hekuri
Të mbushura me strralle, eshkë pemësh,
Që ndizen vazhdimisht në qetësi të përherëshme…
Të Panjohurit:
“Armiq,reaksionarë,të pabesë të regjur,
Që nxirrni helmin mbas njëgjysëm shekulli
Pritjeje për rrëzimin tonë e që
S’na rrëzoni dot kurrë, manjakë të rrëzimit…”
Të Njohurit:
“Skizofrenë, ngrenës të vdekurish, të pashpirt,
Njerëz – bronxër, trutharë si vet grushtat që ngrini,
që lëshoni flakë e hekur sa gjithë kulçedrat…”
Të Panjohurit:
“Asnjëherë s’keni për të na rrëzuar, duhet të kuptoni,
Se jemi vazhdimisht mbi kafkat tuaja, me të tëra
Llojet e armëve: tanket, topat mitrolozat, mitralierët,
Bota është armë e grusht,
Mjeranë që s’mundeni ta kuptoni.
Shihni kudo: armë në djepat e fëmijëve,
Kryeministrive, parlamenteve,
Në këngët, lojërat, hakmarrjet dhe filmat,
Në tokë, në ajër, në gjithë shtetet, që duhet të rrëzohen,
Në të gjithë popujt, që fryhen e ngjishen të bëjnë luftra
Në emër të Paqes, janë pikërisht ato, që quhen Armë.
Paqja?
Nuk dihet ende se cili është nocioni real.
A mund të vijë Paqeja nga Paqeja?!
Ose më sakt, që ta kuptoni Ju shitës librash e letrash,
Paqja nuk vjen pa luftë. Sa nisin betejat,
Kërkojnë hua, sadopak, pikërisht armët tona
Dhe jo thasët tuaj me libra, gazeta, disqe filmash
Të njohurit:
“Po na bëni moral Ju anti morali?! O Prapësi e lindur!
Nëse shkronjat s’do të duheshin,
Domethënë nëse Fausti nuk do të duhej,
Athere grushtat tuaj do të mbulonin Diellin,
Pemët do të thaheshin nën mungesën e limfës,
Që vetëm drita mund ta jap.
Ju athere do të zverdheni,
Trulloseni…, do të provoni daljen e bojës si qenër,
Që provojnë rënien e lëkurës nga zgjebja,
Do të kruheni mureve sa të bëheni kockë e gjak,
Do të kërkoni, kokë ulur, tek libri ndonjë recetë mjekimi
Se vetëm shkronjat
E asnjë nga armët nuk do të mund t’i shërojë lëkurët tuaja.
Njerëz-grusht-armë, të mbështjellë me britmat “grusht-armë”,
Me etjen për sfidë, vetëm e vetëm të shihni miqtë tuaj
Nën piedestalet tuaja të lodhur e të drobitur,
Ju s’keni për ta marrë vesh kurrë se jeni lindur
Nga mëndja e satanajve…
-VII-
Nën Urën e Lanës, çelet një zjarr i vogël
Me prezervativë, Kauçuk, Mbathje të grisura,
Që ngjyrosin me drita lëvizëse Pulpët e kryeqytetit.
Ndriçohen trupa të mbledhur, si në tablonë e Gojas
Rreth të vdekurit, ndërsa pranë shurron i dehuri,
Duke thyer shishen e zbrazur nga vera:
“Edhe bota është shishe e zbrazur, thotë.Gjithë jeta
Është e tillë si kjo shishe, që e pimë dhe
E flakim tutje duke na ndjekur krisja e qelqit nën këmbët e urës.
Gjithë bota ecën me një “ç’i shkërdhen t’ëmën!”
Dhe ne ecim mbi të si gjithë ata, që provojnë
Të hipin mbrapsht nën shpinat e urave…”
Ata që ngrohen dëgjojnë dhe i zë gjumi
Të ngushëlluar se gjithkund, kështu na qënka bota,
Kështu flihet e mendohet e se një ditë njësoj
Do të shkojnë në Gjyqin e Qiejve, ku katër lumenjë të Edenit
Do të freskojnë vazhdimisht gjyqtarët e lodhur
Të bëjnë atë çfar duhet, kur duhet, si duhet…
*
Fausti zbriti pranë tyre, thau cepin e mantelit të lagur,
Mprehu lapsin me majën e thyer nga sozitë e revoltuara
të partizanëve , “i Panjohur – i Njohur”, në grindje e sipër
Ndërsa pranë ju ul Njeriu,pa i folu, pa ja hedhur sytë,
Dy sy të mëdhenjë si lule gëlltitëse, përtypëse
E ripërtypëse gjer në tretjen e duhur.
Njeriu dhe Fausti, qëndruan ashtu duke menduar
Në shpinë të njeri-tjetrit, të bindur
Se fjala e tyre vlente sa Barka e Noes. Asnjeri prej tyre
Si jepte fjalës mundësinë e rrugës. Frymorët flinin,
Të mbështetur në barin e Lanës, nën këmbët e urave, nën kaçubet
Të rrethuar nga degë shkurresh si flokët e pakrehura të ciganeve.
*
Llomotit një grua që rri në krahun e Faustit dhe të Njeriut,
Zonjë me dhëmbë të rënë, faqe si fiqtë e tejpjekur
Dhe vithe që i dridhen nga të ftohtit tek Ura e Lanës:
“Vërdallepsemi në analet e Katovicës,
Kësaj mbledhjeje me shkërdhatëri të famshme….
Vërdallepsemi, budallepsemi, rrukullepsemi si kërcunjë
Në lumenjtë e trubullt,të stërtrubullt,
Nëpër misterin e analeve të kafkave të satanajve
Dalë befas nga koha e Paleolitit,
në trollet e Evropës Lindore”
-“Zonjë e braktisur nga rinia, burri, fëmijtë dhe mëndtë!
E ç’mund të presësh nga një grua e marrë?!”
Thirrën e u gajasën së qeshuri dy vet nga mbiura
Të cilët zbritën nën urë e ja këputën gjumit .
Edhe Fausti me Njeriun mbyllën sytë, por s’fjetën:
Nata, bënte ç’bënte, mbante pezull frymën, flatrat e zeza
që qëndiseshin aty këtu nga dritat,
Ndërsa zjarri, mbasi dogji dalngadalë vetveten,
U shtri nën pluhurin e hirit, nën velin e tymit
Dhe ja këputi gjumit, me sy të mbyllur nga mungesa e druve.
*
Fausti:
– Po flë?!
Njeriu:
– S’besoj të pyesësh “Po flë?!”!…
– Natyrisht në këtë katraurë s’mund të flihet,
Tha Fausti si të fliste me vetveten.
– Natyrisht në këtë katraurë mund të flihet,
Tha Njeriu, si të mos të kish dëgjuar çfar i tha
i Dërguari i Qiejve.
-VIII-
Tek Guva e Qetë vendosi të hyjë Fausti:
Një lokal nëntokësor
ku stalaktitet, mbartur nga diku, rrinë varur
Si tinguj të lehtë në kortezhin e të vdekurit.
(Janë shtuar lokalet nëntokësor kudo në Tiranë,
Si të kenë frikë nga çfar ndodh në mbitokën
Që nuk është e tyre…)
Në këtë guvë ujqët kanë stivosur
“U” të e tyre si dokumente sigurimsash,
Që do të hapen patjeter mbas një milionë viteve.
Fausti pret,
Ku kamarjeret fshijnë jargët e kafshimeve prej vitheve.
Pranë heqin puro drogmenët duke kënduar
në të gjitha gjuhët e botës.
Pinë e thyejnë gotat në këtë lokal nate
Migjeni e Esenini,
Pinë, Ngrenë fuçitë e verës e i hedhin në këmbët e kalimtarëve,
I ngrenë dhe i hedhin tutje, siç bëjnë
me ngritjen e peshave rekordmenët.
“Kafshatë që s’kapërdihet…”Pëshpërit e kreh
Mustaqet e holla Migjeni.
“Të jetosh nuk është më e re…”Pret venën
Në gjirin e kamarjeres Esenini…
Pinë dhe ikin me shpinë nga njeri tjetri,
Me shpejtësi sputnikësh Migjeni e Esenini,
Kamerat nxitojnë t’i fiksojnë
Në hipjezbritjen drejt qiejve e tokës…
Fausti dhe Njeriu mbajtën duart të kryqëzuar mbi gjoks,
Qëndruan ballas me Tiranën dhe e shikuan mirë e mirë
Duke dashur të dallojnë tingujt e një kënge të largët.
-XI-
Fausti vazhdoi të eci me pelerinën mbushur pluhur,
Kërkoi një byrek, qoftë të papjekur, në kioskën e radhës
Por, iku pa paguar.Vrapuan policët,ministri bëri protestë
Në ambasadën gjermane, Interpelancë kërkoi parlamenti i tronditur
Në këtë akt ekspertizë të çështjes kombëtare.
Fausti nxitoi, ose, më mirë të themi, vrapoi,
Arriti të gjejë stolin dhe nën të qindarkën e rënë
Në parkun “Rinia”, u kthye me pelerinën nën sqetull,
Ti jepte kioskëtarit paret, që i takonin…
Folën gjatë televizionet, nxorrën fytyrën e Faustit
Të tëra gazetat, kamerat gjurmuan si sytë e balenave:
“U zbulua vjedhja e shekullit”, u hodh në internet,
Ministri i Rendit i dërgoi faks Brukselit për arritjen mbi krimin.
“Një teatër i radhës” Shkroi Fausti, në një cep të pelerinës,
Duke fshirë buzët nga pitja e byrekut,
“Teatër tiranas…” vazhdoi më poshtë dhe hodhi firmën.
-X-
Fausti e mori diellin në xhepin e brëndshëm
Të pelerinës, siç bëjnë rrugëtarët, duke marë me vete
Prozhektorët me bateri të parëna. Sahatin e kapi
Nga akrepat e mbetur, t’i tregojë Njeriut kohën e duhur,
Xhaminë e shoqëroi në kërkim të një hoxheje tjetër,
Një vajzeje ja tregoi rrugën për tek stacioni i humbur
Hoqi gurin e hedhur në mesin e rrugës,
Gur që e kishin lënë aty lojtarët me Fatin,
Apo Fati i lojës me Njeriun…
*
Shkrimtarë të dështuar, bejtexhinjë të ngrysur,
Publicist të ftohur, analist të tredhur
Pinë puro, ku hodhi themelet e pallatit të Kulturës
Nikita me tullën si tas bakri i kallaisur bukur…
-Xl-
Aty, i afrohet me dorën shtrirë Njeriu
Me mjekrën e lënë pa e rruar, duke i ngjarë
Një eremiti në kohët tona, që sjell me vete mesjetën dhe
Pikturat murale në fëmininë e herëshme të frymorëve.
“Jam i burgosur politik”, Thotë dhe fshin hundët,
(e ka zënë një rrufë e keqe e vjeshtës së fundit}
Duke tundur dorën e paralizuar.
“Ish i burgosur”…korigjoi Fausti,të mund
T’i sillte në mënd atë çfar ishte sot ky njeri i stërlodhur.
“Jam i burgosur “Përsëriti njeriu me mjekër
Dhe sqaroi: “Por ekonomik. Më lënë të leh i lirë
Si një qen rrugësh, siç ka thënë Visar Zhiti
Një poet i krisur që hëngri tetë vite burg andej nga Spaçi…
“S’di se ç’të them….”
tha Fausti,
“Dhe unë s’di ç’të them”
tha Njeriu dhe vazhdoi:
“Unë jam një qennjeri i lirë, i përndjekur nga njerëzqenër,
Gjithë jetën i përndjekur nga njerëzqenër.
As malet s’ma qajnë hallin e as fushat s’më dërgojnë
Qoftë një lule t’ja vendos mbi varr tim biri
Të vdekur në kohën kur më shetisnin burgjeve
këta njerëzqenër…”
-“Do ta paraqes në Gjyqin e Qiejve”
Mërmëriti duke gëlltitur pështymën Fausti…
”Nuk di nëse do të kesh kohë t’i tregosh të tëra..
Ose më saktë, a do të ketë kohë Zoti t’i lexojë të tëra?!”
Hodhi sytë drejt Qiejve Njeriu.
Kaçubet e pemëve-shkurre
Varin kryet si t’ju fshihen këtyre burrave
Që shkrijnë siluetat në mjegullnajën tiranase.
-Xll-
Në një pllakë të madhe televizori
Që ndrin si prapanicë e larë e homoseksualëve,
Kaq shumë të shtuar në kohët tona, jep intervistë
E revoltuar një grua, që qan Bukurinë e largët:
“ Faust!”, këlthet ,”Faust!”, përsërit britmën
Dhe sa s’bien pallatet nga ky tufan i revoltuar,
Qentë largohen të tromaksur nga kazanët,
Farmacistët s’marrin paret për prezervativat,
Lënë seksin përmes homoseksualët e lodhur.
Fausti qëndron si një bust i cili s’pyet nga erërat
Dhe rri në profilin e kërkuar, siç e ka menduar skulptori.
Është skuptura e duhur në kopshtin e një koleksionisti.
-“Thuaji tërë botës, Faust ,se Enver Hoxhën e vranë,
Se ishte Dielli e s’kish pse të mos të rronte sa Dielli
Me të cilën e krahasonin shkrimtarët e këtij vendi
E këndonin këngëtarët, e lartonin skulptorët,
E zbukuronin piktorët, regjisorët, aktorët, poetët gjenialë,
të këtij vëndi…”
Fausti përqëndroi vëmëndjen siç bën njeriu,
Kur prek pak llapën e veshit të dëgjojë patjetër
Çdo tingull të tjetrit në këtë tufan marramëndës …
“E vranë…” – këlthet Zonja, tek ekrani sa fasada e pallatit
Të lyer me njolla e lulka nga Bashkia e Tiranës…
– Nuk mund ta kuptoj ç’kërkon kjo zonjë ?!”
– Pëshpëriti, Fausti.
-“Edhe unë s’di ç’të them,
I kam harruar të gjitha shkronjat, fjalët largohen,
Sa i kërkoj të kthehen zhduken…”
U mblodh kruspull Njeriu…
-XV-
Hëna ecën si një karro dore e shtyrë nga yjet,
krokëllin në qiell e pallatet kalojnë jehonën
E zërit të zonjës nga një rrugicë në tjetrën,
Një jehonë midis britmës së të pushkatuarve
Dhe te vdekurve pa varre e pllaka të humbura
Në dyert e burgjeve të këtyre anëve.
Bunkerët kolliten e brejnë heshtjen, si dheun urithët,
Të mbledhur kruspull në çdo pikë të kryeqytetit.
Diku shpërthen një bombë,një automatik diku tjetër,
Një makinë ecën rrëmbimhi gjer në fluturim,
Vret mbi dhjetë kalimtarë dhe ikën tutje e më tutje.
Fausti bën pak anash ta lejojë të eci sa të bjerë kjo
Furi e papritur e ndërgjegjegjes së gjymtuar
Në qëndër të kryeqytetit
“Mos u trëmb,”sqaron Njeriu,”Në Shqipëri
Është e zakonshme të fluturosh,
S’ka rëndësi kush rrëzohet,
Ka rëndësi kush ecën…”
-Xlll-
“Unë s’jam Mefistofeli” vazhdoi Njeriu, Ndërsa ju afrua
Ta shoqëronte, në krah të djathtë, unë jam një gjallesë,
Që ngre ndërgjegjen time, e ngre dhe e hedh
Sa andej këndej, pa më shkuar mëndja për ta korigjuar.
Asgjë s’korrigjohet para Vdekjes, Zoti Faust,
Vetëm bëhet përshpirtje duke u munduar
Ta kesh mirë me Zotin e madh në poltronin e qiejve.
Këtë e dinë mirë ata, që drejtojnë botën, miku im,
Ata që kanë vendosur të shkojnë në Hënë,
Të mos të rrinë më në këtë planet kokëkrisur.
Por unë s’jam Mefisto, zoti Faust, unë dua të shoh
Dhe disa ditë Diellin, pa menduar për lekët e vdekjes.
Natyrisht do të më varrosin, s’kanë çfar bëjnë,
Shoqatat janë aq të shumta në vëndin tonë
Sa s’mund të më lënë të përhap kolerën.
Nuk jam as Sanço Pança, natyrisht jo,miku im,
S’dua të kopjoj dikë tjetër, të bëj plagjiaturë
Në këtë moshë të thyer. Këtu Don Kishotët krekosen
Si askund tjetër, o mik. Ja kanë hipur e nuk zbresin,
Shpojnë me mamuze ngado vithet e kryeqytetit.
Kanë hobi që ta djegin patjetër pelerinën tënde
Me shkëndijat e këpucëve gjatë gati fluturimit.
Tek ne, e kanë lënë pa gojë Servantesin e gjorë,
E kanë lënë të mbështillet atje në Spanjë e të mos
Pëshpërijë asnjë fjalë nga Bibla,… të bëj vetëm kryqin.
Ai nuk i njeh Kishotët tanë të harbuar
Dhe ne jemi rreth katër milionë Rosinantë
Që u ulim shpinën të na hipin lehtas, të mos
Të rrëzohen në misionin e rëndësishëm, të kapardisen
Me të gjitha kostumet e shtetit tonë
Të njëqindvjetëshit të fundit…
Të ngjaj i shkalluar, Zoti Faust?! Natyrisht, i shkalluar,
Miku im i ardhur nga larg të marrësh vesh
Se ç’bëhet me mua dhe t’ua tregosh tërë qiejve.
Të shtrëmbërohen buzët nga e qeshura
apo nga e qara e trishtuar?!…Oh qënkan lotë!
Por, pse duhet të qash, kur s’qaj unë për fatin tim,
që më rri mbi shpatulla si gjarpër,
duke fishkëllyer erërat e botës?!
Pse duhet të qash Ti, Faust i gjorë, që s’ke tridhjetë qindarka
Të blesh një byrek,
Të mbash dhe pak ditë veten në atdheun tim të shtrenjtë?!…
-XlV-
FAQE LETRE POSAÇERISHT PËR FAUSTIN
“Askund këtu s’çelin lulet Kudo pushimtoret janë prej çimentoje
Si të vishen banuesit me kaskada.
Atje në Luvër ti mund të shpjesh një tablo prej çimentoje,
Bunkerët e epokës moderne, në vendin tone të shtrënjtë,
I dashur Faust. Atje në Luvër mund të na shikojnë habitshëm
Miliona vizitorë të kamur Siç bëjnë me zebrat, arinjtë
apo fiset e sajuara.
…
Po bje mjaft shi këtë vjeshtë në Tiranë, Janë çarë pusetat
Dhe ujërat e zeza kutërbojnë anekënd kryeqytetin…
Ti mos u mërzit me këtë skicë banale,
që po konkuron bienalet.
Autobuzët mjelin qindarkat e fundit Të qytetarëve, që nxitojnë
Pa mundur të dëgjojnë sinfoninë e pusetave.
Por t’i lëmë këto subjekte të thjeshta,
Mik i madh i gjakut arian të kësaj bote,
Ti je mik dhe miku nderohet
Sipas gjasave të të gjitha legjendave
Të këtyre anëve, që i ka fshehur në Lahutë At Fishta,
I cili ka braktisur varrin në lojën e varreve.
Por meqë na ranë në gojë varret
Me punë varresh disi do të të çlodhim, mik dashur:
Përdhunojnë të vdekurit, po…po… të vdekurit.
Emrat e tyre i shkulin si të jenë dhëmballë
Ose si hunjë të gardheve, që do të spostohen tutje,
Ose si kasa makinash të hedhura humbnerave.
Duke u ndërruar emrat…
Se kanë nevojë për të vdekur, për shumë të vdekur,
Për kockat, për plagët dhe për plumbat e tyre,
Për heshtjen e tyre…
Natyrisht ti s’mund ta kuptosh menjëherë
Këtë punën e varreve njerëz dhe e njerëzve varre.
Është fjala për ata, që duhej të binin në luftra
Tërë heroizëm kundër fashizmit, zoti Faust,
Duhej patjetër të binin, të vdisnin dhe të kishin varre.
Pra duhej. Dhe na i morën varret, në shkëmbim të një vize
Nëpër Evropën e mrekullueshme, Zoti Faust,
Ne shkëmbim të një vendi pune në vëndet fqinje, zoti Faust,
Pra duhej dhe na i morën kockat, dheun,
Vështrimet e ligjërimtareve, që përmbysnin detet e
I vendosën në Varre nailonësh, projektesh, ëndrrash,
Britmash e pentagramesh, ku zhgrryhen presidentët,
Kryeministrat, deputetët e etur për seks me të vdekurit…!
Mos e humba pak gjakftohtësinë, Zoti Faust?!
Mos nuk ruajta parametrat e dialogut
Dhe rash kollotumb në ankthin e ëndrrave me të vdekur?!
Por ma kërkojnë të vdekurit, miku im, ma kërkojnë
Atje lart në qiej t’ju tregoj se pse i lamë të branisen
E pse i hoqën zvarr klanet varrevjedhës nëpër kalenda?!
Çfar kanë me varret,burrë i madh i kontinentit?
Veç teje kujt t’i drejtohem tjetër?…Kujt, më thuaj …?
Pyeti e ripyeti Njeriu.
“Më lër të mendohem o Njeri i mirë!,”
Lexoi e u lut Zoti Faust,
Që heshti pak dhe tha çfar mundi, pa shkuar në Qiej:
“Bota i ngjan një kafkeje në rrukullisjen e saj dhe s’është aq thjesht
Të hyhet nëpër labirintet. Lum si ai që hyn ngadalë e jo rrokopujë,
O Njeri i mirë.Varret kanë historinë e Botës dhe Historia
Dhunohet por nuk grabitet, i grisen kolltuqet e shkronjave, ku ulet,
por nuk grabitet, rri ashtu dhe nënqesh me grabitjen.
Zoti, o Njeri, ngjiti frymën tonë në qiej,
Por jo kockat tona. Na ka lënë të endemi këtu për miliona vite
Me grabitqartët e kockave, në këtë vënd
Me kobra e korba, që enden vazhdimisht mbi kufoma…”
-XVI-
Fausti mundohet të ngjishet në një nga autobuzët
Në unazën e madhe në Tiranë.
Një zonjë të veshur me diell,e mban kaliqafë zonjën,
E shoqëron nëpër tinguj,e prek me pipat e vegjël të gishtave
Tek gjiri,siç bëjnë pionierët me globin.
Fëmija ëngjëll ngrë zonjën në një kolltuk autobuzi
Dhe sheh me frikë burrin me pelerinë.
“Pse trëmbesh e më sheh frikshëm?”
E pyeti burri.”Se ti je Fausti…”
Pëshpëriti fëmija,duke luajtur me globin
Që s’lejonte t’ja prekte dikush tjetër.
“Dhe pse të kesh frikë pikërisht nga unë?!” habiti Fausti
Me dyshimin se fëmija ish gabuar.
“Pikërisht kam frikë prej teje, xhaxhi Faust,
Vetëm ti mund të ma rrëmbesh mamin,
Vetëm ti ke dëshirë ta pllenosh botën
Më njerëz të tjerë, me Jezus të tjerë,
Me këngë të tjera, që krijojnë Eden Të tjerë.
Vetëm ti, xhaxhi Faust, mund ta bësh këtë,
Por natyrisht nuk don që ta kryesh, se Zoti s’kërkon
Që domosdo ta kryesh. Çdo të bënim
Athere, në këtë autobus, xhaxhi Faust?!”
-XVII-
Fausti qëndroi vetëm me veten, me pelerinen e tij dalëboje,
S’ktheu përshëndetjen e të dehurve:
“Njeriu më i sigurt i botës, është ai që rri me vetveten”
I tha vetes Fausti…
-XVIIl-
Natyrisht Fausti s’mund të rrinte
Pa u kthyer tek rekordmeni i Gines
Me mozaikët më të mëdhenj të botës.
U fut në hollin e teatrit kombëtar dhe u kthye majtas
Ndërsa vazhdonte ritin e goxhdeve
Saimir Strati, rreth të dyzetave, me kapele kadife.
Kish marrë përspër të sfidonte rruzullin
Me ritin e gozhdëve, të jepte Mesazhin e stërlargët
të Jesuit:
Me çmimin e parë ngriti me gozhdë Da Vinçin,
Me gozhdë në ballë, në shtat, në të gjitha gjymtyrët.
Krishti Davinç sfidoi gozhdët dhe ashtu
Me tërë planetin e tij, u nis drejt Njeriut
Me pushtetin e tij të hekurt, mandej mbasi hipi
Në një kal fluturues me kunja druri të pemëve fluturuese,
Shqeu indiferentizmin me këngët e Xheksonit.
Në tapa ngriti botën që notonte nëpër ujrat e detit të Vdekur
Dhe thirrje përsëri u bëri gozhdëve, me kasketë
të zezë, kthyer anash,
Si një detar i kthyer nga një stuhi e stërmadhe,
Vendosi të zbres nga froni Xhorxh Uashingtonin.
Vendosi dhe zbriti presidentin nga froni i dollarit,
Dhe ngjiti aty Homerin, Presidentin e Letërsisë,
me konkavet si dy gjysëm sfera të planetit të çmëndur,
Monedha e re e artit, krijimit të madh të njeriut.
“Aty jeni dhe Ju, Zoti Faust…”
Tha Saimiri,rekordmeni i Ginesit,
Duke luajur me çuditë e botës, duke kthyer pemët në kuaj
E gozhdët në njerëz, që mbajnë mbi shpatulla planetin.
“Saimiri jam unë”, tha Njeriu, që erdhi befas afër
Si hija që ndjek pemën dhe qëndroi anash
Si në gjithë duetet e njerëzimit.
-XlX-
Fausti vendosi së fundit të shkojë në Parlament,
Siç bëjnë gjithë presidentët mbas vizitave,
Dhe i erdhi pranë, jo pak shpejt, Njeriu:
“Nuk jam Mefisto, zoti Faust, por në këtë parlament
Nuk mund t’ju presin.
Një deputet shkon në foltore me shtatë plagë
Në karrige paraplegjikësh, me shtatë plagë plumbash,
Të shtëna në parlament, zoti Faust, nga një deputet
Antar i këtij parlamenti, o mënçuri e Globit.
Mos u habit o miku ynë i mirë,d ërguar enkas
Nga mitra e qiejve, ku shpirtrat vëzhgojnë
Dhe zoti nis shërbestarët të mbajnë në ekuilibër
Këtë hartë që ngjan si një vapor i ardhur posaçërisht
Nga botët antike, rrangallë me krenarinë e miteve.
Deputetët këtu nuk mund t’ju presin
Pas dy dekadash lufte totale për çështjen..
Çfar çështjeje?! Vetëm Ju zoti Faust mund ta deshifroni
Këtë fjalë të çuditëshme, fjalë që lakohet në të gjitha rasat
Çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë dhe quhet ”Çështje!”
Por ne ç’na duhet zoti Faust, ne na duhet
Të jemi të ndershëm, të këndojmë, të shkruajmë
Në rërë si lejlekët në ajër, të zhgrryhemi mes librave
Si buajt në baltën magjike të Myzeqesë hënore.
Por unë mund të të bëj një rezyme të çështjeve…”
Vazhdoi njeriu dhe i bëri masazh dorës, t’i vijë limfa e ikur
Dhe kujtesën ta rikthejë, sa të mund, të mos
Bëhet me turp para mikut të largët.:
“Çështja e parë:
U prenë pemët:Ullinjtë u përmbysën
Duke thirrur paqen. Mollët u çanë
Duke shikuar në membranë kafshimin e tyre,
Portokallat u shtrinë
Thujase ranë miliona vajza buzë valëve
Dhe këta burra heshtën!
Çështja e dytë:
Mbas prerjes së madhe nisi ikja e madhe,
Nga deti, nga malet, gjithmonë si në bibël,
Marramëndthi, larg varreve, vendlindjes,
Duke braktisur nënat fëmijtë e fëmjtë nënat.
Atje në kufij ushtarët i gjuanin…pa ditur pse i gjuanin
Dhe këta burra heshtën!
Çështja e tretë:
U vodhën florinjtë,
Miku im Faust, pasuri e marrë nga pronarët
E pushkatuar apo vdekur burgjeve pa gjyq
Dhe Zoti i hutuar priste atje lart të lodheshin satanajt,
Mëndja kish frikë të zbriste tek kafkat
E të merrte rrugën e duhur drejt Itakës.
Çështja e katërt:
U ngritën piramidat, zoti Faust, jo si ato të Keopsit,
As si ajo e Enver Hoxhës, por sozi të byrosë politike, rrëmbenin
Atë jetë, që kish mbetur, paratë, gjakun, këngët….
Çështja e pestë që është dhe e parë:
Vazhdojnë të rrinë të ngujuar në shpella
Si në epokën e Gurit,
Nga gjakmarrja vazhdojne të rrinë të ngujuar
Dhe këta burra shoqërojnë turistët e globit
Ti shohin si amortizohet, transformohet
Kthehet në antinjeri Njeriu prej Antinjeriut…
Çështja e gjashtë:
(Faqe e grisur me një poezi të papërfunduar):
1997.
Asnjë s’u vra nga këta burra,
Askush prej tyre s’tha “Mos!”. Njerzit me kafka të braktisura
prej trurit qëllonin të vdekurit,
Luanin me koka të prera si në horror të frikshëm,
Dhe ditët ecnin me pelerinën e mbushur me miliona plumba:
Ditët s’dihet nëse ishin ditë dhe njerzit
Kishin frikë të vdisnin e ankth të jetonin.
Atdheut ja prenë pemët, me çerdhet
E rëna të zogjëve, gjuajtën gjer në mbrëmje,
Ua grisën fustanet vajzave duke i lënë në të mbathurat
Me britmën për jetën.
U fshehën në kthina, hodhën firmat në
Listat e gjata të doganave duke vjellë
Superngrënien, veshën kostume me kallëza gruri
çuçuritën vargje për Paqen
duke fyer
Ullinjtë e djegur, sytë paqësor të
harabelave të vegjël që kënaqeshin
Vetëm me një shtëpi të vogël.
Qielli ka frikë të veshi të linjtën
E kaltërt, fëmija ka po aq frikë të shetis
Rrugëve ku trufullojnë banditët,
Pleqtë kanë frikë të jetojnë një ditë më tepër.
Vetëm kujtesa servir jetën, zoti Faust.
Atje në qiej duhet të dinë për Gjyqin e Madh,
Ku dielli do të ndriçojë para Zotit
Shëmbëlltyrat, që do të vijnë aty nesër
I lajmëroni të gjithë të mblidhen në sallën e Gjyqit
Zoti Faust…!”
-XX-
Fausti qëndroi në këmbë me pelerinën e tij,
Si një pemë halore që se braktis gëzofin e vet
edhe në dimër. Qëndroi thuajse i mbjellë herët
Në tokën shqiptare dhe shikoi larg.
Në mjegullën e gazetave shkruhej se vizat u dhanë
Dhe Gjithë Shqipërisë i shkon në mend të shkulet
E të mbillet diku në një shpatull tjetër të kontinentit.
-XXI-
Një regjiment i pazakontë me qenër kthejnë sytë: të zez, të kaltër,
të akullt, gri, paqësor, habishprehës, të frikshëm, tërbues,të tërbuar,
mashtrues,të mashtrueshëm, agresivë, të epshëm, tmerrpërhapës,
vëzhgues apo meditues, përlargues a përndjellës, me bebëza të formave
të llojllojshëme: Katrore, trekëndore, cilindër, shumëpikëshe, të rrethuar
nga konkave të bardha, gri,t ë përskuqura apo me verdhërimë të dukëshme
si të përfshira në hepatitin kronik.
Pra, një regjiment me qenër qëndroi,
shikoi, vëzhgoi, shikuan,vëzhguan,kryen marrëveshjen me përmasa traktatesh
që kanë bërë, apo bëhen për sulmet,l uftrat, betejat frontale,
për bllokada synime e mësymje. Marrëveshje sysh të qenëve të të gjitha specieve,
rracave, profesioneve: roje të kufirit apo të presidentëve,
të deputetëve apo të zonjave të rënda, qenujqër, gjahu, rrugeçër të lindur
e të rritur në kazanët e plehërave, stanesh e rracash të shumuara nëpër pyje
pa këmbë njeriu, të butë, të etur për pak ujë e të uritur në pragun e vdekjes,
qen slitash të mprehur për mijëra vite nga kërkuesit e floririt,të
ardhur që nga Poli i Veriut pikërisht e befasisht të lajmëruar,
për të ardhur në Tiranë.
Qen me emblema tek gjokset apo me emblema të varura tek llapat e veshëve,
tek bebet e syve, me emra njerëzish me emra mbretërish apo presidentësh
si përshëmbëll: Gejxh, Lenin, Enver, Sllobodan, Ramiz apo me emra homoseksualësh
të famshëm, duke lehur, duke lëshuar britma të stërgjata, duke klithur, kërcëlluar
e duke ngritur qimet mijëra ngjyrëshe përpjetë, duke u përmbledhur
e duke u stërzmadhur në një sinfoni me tinguj të mbledhur, si helmi në gushën e gjarprit,
nën gjuhë,n ë gjuhëz, në laring e faring, që përmbajnë e zbrazin
thirrjen e përbashkët të kryeturmës:
– Poshtë Fausti!…Ta largojmë Faustin!…Ta zhdukim Faustin,
Të na lërë të qetë
Në këtë hartë që gëlltit veteveten, varret, historinë,
Lavdinë e dikurshme….
*
-Faust!..
Një zë hyjnor përfshiu kryeqytetin,
Veli i mjegullës zbuloi mbigjunjët e një vajze
Me bukuri marramëndëse.
Aroma e tërë trëndafilave të rruzullit
Aty erdhi, tingujt bashkë u ngjeshën në pentagrame,
Dajti shkundi supet i porsazgjuar nga ngurimi
Që në gjenezën e botës.
Vajza ecte zbathur, aty këtu fluturonte,
Duke përshkruar shtëpitë e lagjet, plagët e asfalteve
Apo lokalet lluksoze, parlamentin e zhurmshëm,
liqenin me pisha,
Qëndrën ku, si penel piktori, me shpatë
Skicon qiellin Gjergji nga shekulli në shekull,
Dhe “Faust!…” përsëriti
Me zërin si të
Dilte i shoqëruar nga ujërat e virgjëra të liqeneve
Të Lurës, ku një ambasador preferoi vdekjen
Mbas një seksi oral me pishnajën.
“Faust!…”
Regjimenti i qenëve s’ndaloi turravrapin dhe
Fausti
S’ndaloi të kthejë kryet andej nga i folën,
Nga buzët e saj gjysëm hapur,që dikur i jepnin jetë,
Shoqëruar nga lëkundja e gjinjëve,frutave
Që ushqyen tërë qiellin dhe arteriet e Njeriut.
“Faust!…Faust!”
Një kaçube flokësh vesh pyjet me shushurimën
E këngës së herëshme të ardhur nga thellësitë ,
Aty ulet aty ngrihet aty ngjan me Ofelinë aty ngjan me Dajanën,
Aty ngjan me Dylqinjën, herë herë me Kareninën, që mbledh velin
Të mos t’i zbulohen pulpët nën shinat e trenit,
Herë ngjan me Migenën të porsa zbritur nga lulet e mollëve
E në Tatjanë shndërrohet herëpashere…
Nxiton, ka vite e qiej që ngjit e zbret atë që duhet ta gjejë
Patjetër, ka vite dritë që fluturon nëpër miliarda shpirtëra
Që e rrethojnë universin të ndarë sipas kontinenteve
Të Ferrit ,Purgatorit, Parajsës.U mbush me thirrjen “FAUST!”
qielli i Tiranës, saqë britmat e qenve u përfshinë në betejën
Për kafshime, fyrje, përzhitje e përbaltje në mësymje
Mbi burrin e panjohur që guxoi e luftoi të prishte rrëmujën e turmës.
Regjimenti i qenëve u afrua shumë e më shumë,
Vajza shumë e më shumë u afrua,
Të dy palët Faustin kërkonin….
“Faust …Faust…Faaaaaaaaaust!…”
Mbushte qielllin zëri i vajzës së zbritur prej qiejve,
“ham ham ,ham ham!…”
Mbushte tokën e lehura e regjimentit të qenve.
Fausti, Misionar i Qiejve,
Ndaloi ndërsa mundi të shpëtojë pelerinën
Nga kafshimet e dhëmbëve të uritur,
Mbajti kryet nga vajza që mbante krahët ngritur
Si dy tufa rrezesh,
që përhapnin dritën e shtronin ditën.
Dy pika lotë ranë nga sytë e saj para Pallatit të Kulturës
Një lumë i madh u krijua dhe qentë të tmerruar mbajtën këmbët,
Lehjet u rralluan dhe bishtrat u shndërruan në kometa që digjnin
Vetveten në spiralin e zvarritjes.
Fausti njohu vajzën që e priste për dy shekuj
Dhe
“Margarita!…”-thirri,
“Margarita… !”,përsëriti .
Ishte 14 shkurt, Shën Valentini i kërkonte në qiej…
EPILOG:
Partizani i Panjohur stërhapi nofullat,shqeu këmbët,
Grushtin, qerpikët e syve, pa mundur të ndiqte fluturimin,
Partizani i njohur vuri streh thesin me libra e letra
Që të shikonte lehtaz
E pa u penguar, ata që ngjiteshin …për NE atje
Në Fronin e Zotit ku shtatë qiej
Rrinë në antarësinë e Gjyqit të Universit…
Tiranë, qershor 2010 – shkurt 2013
Komentet