Këtë të dielë kryeministri Rama ka thirur një mbrëmje gala për gazetarët e shtypit dhe mbi të gjitha për pronarët e tyre sipas modelit që organizoi një vit më parë në Pallatin e Brigadave
Modeli është i njohur. Kryeministri çohet, mban fjalim dhe tallet me gazetarët që janë të pranishëm, apo me pronarët që janë në hall me bizneset e tyre. Ai i jep të drejtën vetes të të ironizojë me dy Yjet e Ora News, me kreditë e Irfanit, me shkurtësinë e Babaramos, me “fantazinë pa cak” të Nikollë Lesit, me ambiguitetin serbo-shqiptar të Baton Haxhiut, me Shkullakun që nuk i bie rrufeja aty ku s’duhet, me Çanin që nuk konkurohet në diametër, më Fevziun që është po aq legen sa socialistët, me Frangajn si zëdhënësin e Saliut, me Mero Bazen që mërzitet se Sandri zë paradhomën, me idiotësinë e Bushatit që nuk kënaqet me Ramën njësoj si me Obamën, me Muç Nanon që thërret kot më kot: “Ruajuni nga Rama”. Dhe pastaj skenari vazhdon me disa gazetarë që bëjnë sikur vënë në lojë kryeministrin. Pikërisht pasi pa vjet këtë Gala- Gallatë, Fatos Lubonja i quajti “Palaço oborri” ata gazetarë që i shërbenin Ramës si një sfond për këtë shfaqe:
“Në inskenimin e kësaj gala-gallate hynte edhe leja që iu dha disa gazetarëve të merrnin fjalën dhe të thoshin ç’të donin kundër tij – në traditën e palaçove të pallateve që janë të vetmit që i thonë mbretit disa të vërteta të hidhura, sigurisht me dashuri dhe për ta bërë për të qeshur, jo për ta hidhëruar (Ramën)”. Por në shkrimin që bëri për këtë ngjarje problemi i Lubonjës ishte më i thellë. Ai e shikoi atë ceremoni të organizuar në prag të fundvitit, si një rast për të zbërthyer mardhënien e kryeministrit me pushtetin e katërt. Dhe Lubonja mendon se kjo darkë nuk ishte ashtu sic e përshkruan disa, si një hakmarrje e Ramës ndaj gazetarëve. Ai mendon ndryshe: “Më duhet të them se nuk pajtohem me ata që shkruan të revoltuar se darka dhe fjala kanë qenë organizuar si hakmarrje e Kryeministrit ndaj kundërshtarëve. Sipas asaj thënies se çdo e keqe ka një të mirë, unë them se Kryeministri ynë i kësaj radhe nuk është nga ata që mbajnë inat. Kur të ka përfund, shumë-shumë ai dëfrehet duke të tallur, mund të të ulë dhe kalin e tij në tryezë në shembullin e Kaligulës që e bëri kalin e tij senator, por inat nuk mban, sepse të mbash inat do të thotë edhe të kesh ca parime, kurse ai nuk ka të tilla. Sigurisht, në ëndrrën e tij finale, Rama, siç do të thoshte Canetti, për tipat që zgjedhin pushtetin për të zgjidhur problemet me vdekjen, imagjinon një botë me njerëzit të shtrirë të gjithë nën këmbët e tij dhe prandaj, po i dole përpara më këmbë, mund të përdorë çfarëdolloj intrige për të të shtrirë barkas. Por këtë e bën jo nga inati, por nga bindja paranojake se ti je shumë i parëndësishëm, një vegël e thjeshtë të synimit të tij të madh të përjetësisë, që ai mund ta hedhë tej sapo të mos i duhet më”.
Kështu shkruante Lubonja vjet për darkën e famshme të pallatit të brigatave. Tani pyetja është?
A d0 të shkojnë sërish gazetarët pas pronarëve për të duruar talljet në Pallatin e Brigadave? A do të bëjnë ata rolin e “Palaços së pallatit”?
Kjo mbetet të shikohet të dielën. Kamerat do të jenë si gjithmonë aty.
Ja c’tha Rama për gazetarët një vit më parë
Për Top Channel: Top Channel-it s’po i përmend asnjëri sepse jemi në një fazë kur Top Channel është i kompleksuar se qeverisin socialistët, socialistët janë të shqetësuar pse Top Channel i gjuan Qeverisë më shumë se Bashkisë.
Për Klanin (Fevziun dhe Canin): Mero jam i bindur se do të shkruajë “ Sandri, jo më në paradhomë, por edhe në krye të vendit”. Pune legenësh ne socialistët Sandër, s’jemi burra që ta heqim shikimin. Por të paktën e kemi edhe një si puna jonë në kullën tënde, kemi Fevziun. Ti me siguri mendove kur thashë unë kemi një si puna jonë, Arian Çanin, por Ariani ha bukë veç, nuk konkurrohet në diametër.
Për Sandër Frangajn: Kam përshtypjen se Saliu me zëdhënësin e vet, Sandrin, e kishin lënë për mandatin e tretë ta hapnin dhe një rrugë ajrore për të fluturuar me avionin qeveritar, pasi fluturuan nja tetë vjet në rrugët imagjinare të Shqipërisë.
Për Baton Haxhiun: Batoni kosovari, që serbët e konsiderojnë ekspertin më të besueshëm për punë Shqipnije, ndërsa shqiptarët si ekspertin më të informumë për punë Serbije.
Për Armand Shkullakun:Armand Shkullaku është ulur (te tavolina me mbishkrimin) tek “Rrufeja”, ka rënë rrufeja aty ku s’duhet.
Për Fahri Balliun:Sinqerisht e kam ndjerë mungesën e Fahri Balliut sot. Ishte i ftuar si gjithë të tjerët, por nejse, rëndësi ka që të jetë në rregull me dritat dhe për çdo gjë tjetër të bëjë çfarë të dojë.
Për Andi Bushatin:“Dava njerëzish pa karakter si puna jote dhe si puna e Obamës”, – mendon Andi Bushati, me siguri.
Për Ilir Babaramon: Pas 68 vjetësh armiqësie(me serbet), pa kontakte mes kryeministrave dhe pengesat duken aq të mëdha sa dhe Babaramo të ngjan si ciklop.
Për Nikoll Lesin: Mbase kush e bëri kometë atë pëlhurë (dronin) e kishte atë qëllim ose atëherë në qoftë se nuk e kishte, ka patur fantazinë e Nikoll Lesit, fantazi pa cak.
Për Mustafa Nanon: Nëse herën e parë rruga e kthimit (nga Serbia) për në trojet shqiptare ishte seriozisht epike, herën e dytë ishte thjesht normale, sepse jo vetëm që nuk pamë asnjeri rrugës, por askujt prej nesh nuk i ngjante vetja përveçse si pasagjerë të lodhur të natës, cka e qetëson përfundimisht edhe Mustafa Nanon, që fill pas herës së parë lëshoi një kushtrim “Ruajuni nga Edi Rama”.
Për Irfan Hysenbelliun: Më kanë thënë që Irfani ka marrë një kredi të re dhe i ka paguar të gjitha faturat e energjisë, unë e përgëzoj për qytetarinë, ngushëllime bankave.
Për Enkel Demin dhe gruan e tij Mesila Doda: Ndërkohë s’dua që sot të paktën, ti dali fjala Enkel Demit, që thotë se fjalimet e mija janë tmerrësisht të gjata dhe jo vetëm janë bosh, por janë aq bosh sa të vjen gjynah për Shqipërinë që ka një kryeministër si puna ime dhe për mobilierinë që i mungon një arredator i aftë si puna ime. E ngatërrova pak në fakt, se më duket këtë të fundit e ka thënë Mesila, por siç do të thoshte Ylli Rakipi, ç’bëri si Keli si Mesila, njësoj është. Nejse, shkurt unë s’dua që ti bëhet qefi as Kelit as Mesilës dhe dua të flas shkurt, edhe pse ne “komunistët” jo vetëm që se mbajmë fjalën, por s’dimë të flasim shkurt..
Për Ylli Rakipin dhe Ylli Ndroqin: Ndërkohë që Ylli Rakipi më porositi sot nja njëqind herë, të lutem mos e harro yllin e vërtetë se na more në qafë. Në fakt si ta harroj Konsullin e Meksikës, i vetmi i huaj në këtë mjedis të larmishëm mediatik shqiptar.
Komentet