Viti 2023 shënoi 110-vjetorin e Lindjes së Petro Markos me një sërë aktivitetesh që ju kushtuan letërsisë e figurës së tij. Por ndërsa vitet ikin dhe shpesh duket se humbasin vëmendjen ndaj vlerave të pakta që bartim, shkrimtari Fatos Kongoli, rrëfen Petro Markon siç e njohu.
“Petro Marko ka qenë njeri i mrekullueshëm. Kam pasur fatin që e kam njohur nga afër. Kam qenë në dy a tre veprimtari me të. Ka qenë njeri i jashtëzakonshëm, i jashtëzakonshëm dhe nuk është fjalë që e them kot në përvjetorin e lindjes. Kishte vetëm një porosi, thoshte, ‘shkruani, shkruani, shkruani’. Sa herë e takoja, më thoshte shkruaj. Është njeriu që më dha miqësinë e tij të çmuar. Ishte njeri tepër modest”, tha Kongoli.
Shkrimtari i patëdytë, që u bë ikonë me romane si “Hasta la Vista”, “Shpella e piratëve”, “Nata e Ustikës” a “Qyteti i fundit”, pati një jetë të vështirë, një karakter rebel dhe një natyrë të papërkulur, duke e ruajtur deri në fund sa idealin aq lirinë e brendshme për aq sa mundej.
“Gjithmonë rebel dhe gjithmonë i pavarur, asnjëherë nuk i ka pasur mirë punët me pushtetet. I ndaloheshin librat e botimet. Pas një kohe të gjatë që i kishin ndaluar botimin dhe i erdhi leja, solli një roman dhe ia botova te “Naim Frashëri” dhe më kujtohet që kam shkruar edhe një artikull. Romani “Qyteti i fundit” është një nga më origjinalet e letërsisë shqipe. Nuk ishte llafazan Petro Marko. Bënte punë me librat e tij. Ai dënohej për librat që shkruante. Pothuaj gjithë librat e tij kanë pasur probleme. Sidomos kur shkroi dramën “Miku i Martin Gjinit”. Për këtë u dënua e hoqën nga Tirana, iu ndalua botimi dhe çfarë nuk i punuan. Mos të harrojmë që ka qenë luftëtar në Spanjë”, kujton Fatos Kongoli për njeriun që njohu e shkrimtarin që veçonte.
E megjithatë atij nuk i mungoi humori si në një rast kur në vend të thoshte Anastas Kondo, tha Anastas Lulo.
“Unë isha gazetar te “Drita” dhe qe një kohë që shoqëroja shkrimtarët në takime, gjatë muajit të letërsisë. Erdhi një moment që Petro Marko do prezantonte shkrimtarët që ishin me të, si Dhimitër Xhuvani, Kolë Jakova dhe në fund, në vend që të thoshte ‘flet Anastas Kondo’ tha ‘Anastas Lulo’ dhe gjithë salla qeshte. Sepse kudo që ai shkonte kishte një veçanti që i ngrinte sallat në këmbë. Njerëzit e donin shumë, Ai mbeti Petro Marko gjithë jetën dhe e prisnin me nderime të jashtëzakonshme. E ritheksoj, kishte një aftësi për t’i ngritur sallat në këmbë”, kujton Kongoli.
Vepra e plotë e Petro Markos është në proces ribotimi nën kujdesin e Rita Petros, dhe vajzës së shkrimtarit, Aranita Marko.bw