“Vladimir Vukçeviq në vitin 2008 u ka thënë autoriteteve të SHBA –së se Zyra e tij është e bindur se Goran Radosavleviq Guri e ka ditur ose e ka lejuar vrasjen e vëllezërve Bytyçi”.
Kështu për gazetën Danas ka thënë Fatos Bytyçi, vëllai i vëllezërve Bytyçi, krimi që nuk është ndriçuar as pas 17 vjetësh që kishte ndodhur në Petrovo Selo.
Fatos Bytyçi ka reaguar ndaj pohimeve të ish- prokurorit serb (të pensionuar) për krime lufte Vladimir Vukçeviq se ndaj Goran Radosavleviqit Gurit, ish – komandantit të Forcave speciale antiterroriste të njësive të MPB të Serbisë, nuk ka pasur dëshmi për procedim në rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi, transmeton Koha.net.
“Dragolub Stankoviq, të cilin Vukçeviqi e kishte emëruar prokuror për këtë rast, ka thënë në vitin 2009 se vrasja e vëllezërve Bytyçi nuk ka mundur të ndodhë pa dijen e eprorit të kampit dhe të komandantit të njësive të forcave speciale “, thekon Fatos Bytyçi.
Vladimir Vukçeviq kohë më parë për B92 ka thënë se Prokuroria për krime lufte “që nga dita e parë” po punon në rastin Bytyçi, por edhe se fakti se kjo çështje nuk është kryer, “nuk është faji i Prokurorisë”.
“Ne i kemi bërë të gjitha, të tjerët jo. Po të kishim pasur dëshmi kundër Goran Radosavleviq – Gurit, ai nuk do të shëtitej nëpër rrugë”, ka thënë ish- prokurori për krime lufte dhe ka shtuar s e”Gurin askush s’e kishte mbrojtur”.
E Fatos Bytyçi tërheq vërejtjen se “Vukçeviqi, është e qartë, se një kohë të gjatë ka pasur dëshmi”.
“Është e pabesueshme se ai i fajëson të tjerët, njerëz pa emra në fundin mandatit të vet për mungesë drejtësie në rastin e vëllezërve të mi. Ai gjatë dhjetë vjetëve të fundit ka konfirmuar se si e ka hetuar rastin. Ka qenë shef i Prokurorisë për krime lufte. Ai nuk është i vetmi fajtor për mossukses, por është fakt se ai qenë i pasuksesshëm”, thotë Bytyçi.
Sipas fjalëve të tij mbetet vetëm shpresa se prokuroi special i ardhshëm do të ketë më shumë pavarësi dhe vullnet të ndjekë të dyshimtët në pozita të larta.
“Kur ish – administrata serbe ia dha Vukçeviqit dritën jeshile për ta ndjekur Gurin, ky i fundit e braktisi vendin. Tani ai manifeston mosbesim të plotë në institucionet serbe. Pra, Guri ose ia hodhi Vukçeviqit ose Vukçeviqi është pjesë e lojës për mbrojtjen e Gurit”, ka përfunduar Fatos Bytyçi .
Vëllezërit Yll, Mehmet dhe Argon Bytyçi shtetas amerikanë me orgjinë shqiptarë nga Kosova, pjesëtarë të UÇK-së, janë arrestuar më 26 qershor 1999 në kufirin Kosovë – Serbi derisa ishin përpjekur që fqinjët e tyre romë nga Prizreni t’i kalonin në Serbi. Ata më 27 qershor në Prokuple ishin dënuar me 14 ditë burg, e me kërkesën për lirim me kusht, ishin liruar tri ditë më herët. Por vëllezërit Bytyçi menjëherë pas daljes nga burgu i kishin marrë dy meshkuj në automobilin pa targa dhe i kishin dërguar në bazën njësive të forcave speciale të MPB -së, komandant i të cilave ka qenë Goran Radosavleviq Guri.
Në atë qendër në vitin 2001 janë gjetur dy varreza masive e në njërën janë gjetur edhe trupat e vëllezërve Bytyçi.
Komentet