Pak para orës 12 të mesnatës një ditë gushti të vitit 1993, cingëroi telefoni në selinë e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) në Boldj Cedria, një orë me makinë nga Tunisi, kryeqyteti i Tunizisë.
Telefonuesi nga kryeqyteti suedez Stokholm, një sociolog norvegjez i quajtur Terje Rod-Larsen tha se “gjyshi” dëshironte të fliste me “gjyshin palestinez”.
Rod-Larsen ishte një nga figurat kryesore të negociatave të viteve 1990 që çuan në Marrëveshjet e Oslos, marrëveshjes së parë ndonjëherë midis Izraelit dhe PLO-së.
Në komunikimet e fshehta, Ministri i Jashtëm izraelit Shimon Peres me emrin e koduar “gjyshi” dhe shefi i PLO-së, Yasser Arafat kishte emrin e koduar “gjyshi palestinez”.
Bisedimet sekrete, të cilat kishin filluar që në vitet e ’80-ta, morën një hov kur kryeministër i Izraelit u bë Yitzhak Rabin në vitin 1992, por në korrik të vitit 1993 hasën në një bllokadë.
Sipas Rod-Larsen, një muaj më vonë, ndërsa ishte në një mbledhje familjare në qytetin e tij të lindjes, milje larg kryeqytetit të Norvegjisë, Oslo, ai mori një telefonatë nga ministri i Jashtëm izraelit, Shimon Peres duke i kërkuar që të fluturonte menjëherë për në Stokholm, ku po mbërrinte për një vizitë të planifikuar zyrtare.
“Pasi përfundoi angazhimet e tij zyrtare dhe darkën, Peres arriti në hotel vonë natën dhe më kërkoi të thërrisja ekipin palestinez, pasi ai dëshironte të përmbyllte negociatat në çdo mënyrë”, ndau kujtimet diplomati norvegjez në një bisedë për Anadolu Agency (AA).
“Kam provuar të gjithë numrat e Ahmed Ali Ali Mohamed Qurei ose Abu Alaa, shefit të ekipit negociator palestinez dhe gruas së tij. Por, nuk mund t’i gjeja. Më në fund, mendova ta thërrisja Arafatin direkt në Tunis. Ai e mori vetë telefonin dhe unë i thashë se gjyshi ishte këtu me mua dhe dëshironte të fliste.
Për konicidencë i gjithë ekipi negociator palestinez, përfshirë Abu Alaa, ishin në selinë e PLO-së dhe sapo kishin përfunduar një takim me Arafatin.
“Ai (Arafati) i thirri përsëri dhe ne filluam bisedimet në telefon. Deri në mëngjesin e hershëm, të dyja palët kishin arritur një marrëveshje”, tha Rod-Larsen, i cili kishte filluar të ndihmojë negociatat në vitin 1991 nën maskën e një projekti kërkimor për kushtet ekonomike të Gazës.
“Mund të vlerësoja një ndjenjë mosbesimi dhe emocione në anën tjetër të telefonit në Tunis”, tha ai.
– Bisedimet e fshehta
Ministri i Jashtëm norvegjez, Johan Holst dhe Joel Singer, këshilltar ligjor i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, gjithashtu ishin bashkuar në bisedimet e natës së gjatë.
Midis viteve 1991 dhe 1993, negociatorët izraelitë dhe palestinezë u takuan disa herë në Oslo dhe kryeqytetet e tjera botërore, nën mbulesën briliante të studimit të Gazës të siguruar nga Instituti i Shkencave Sociale të Aplikueshme (FAFO) të kryesuar nga Rod-Larsen.
Gruaja e tij Mona Juul, zyrtare në Ministrinë e Jashtme Norvegjeze, mori pjesë në këto bisedime në emër të qeverisë.
Disa ditë më vonë, Peres nënshkroi fshehurazi marrëveshjen me delegacionin palestinez në Oslo, para se Rabin dhe Arafat ta vulosnin atë publikisht në prani të presidentit amerikan Bill Clinton në Washington më 13 shtator 1993.
Në thelb, marrëveshja kërkonte tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor dhe afirmonte të drejtën palestineze të vetëqeverisjes dhe krijimin e një Autoriteti Palestinez të Përkohshëm të Vetëqeverisjes, kryetar i së cilës do të ishte Arafati.
Por, marrëveshjet nuk kanë lënë çështje thelbësore si kufijtë, Kudsi, refugjatët, vendbanimet dhe siguria për fazën e fundit të negociatave të ardhshme.
Marrëveshja e Përkohshme për Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës (Oslo 2) e nënshkruar më 28 shtator 1995 u dha palestinezëve të drejtën e vetëqeverisjes në Betlehem, Hebron, Jenin, Nablus, Qalqilya, Ramallah, Tulkarm dhe rreth 450 fshatra të tjera.
– E vdekur dhe e varrosur
Pas atentatit ndaj kryeministrit Rabin në të njëjtin vit, Izraeli ndaloi dorëzimin e territoreve dhe pushtetin palestinezëve, apo vazhdimin me dispozitat e tjera kryesore të marrëveshjes.
Diplomati dhe politikani izraelit, Uri Savir i cili udhëhiqte ekipin negociator izraelit, tha se dobësia më e madhe e përpjekjes për paqe në Oslo ishte që mesazhi i saj nuk u përcoll aq sa duhet tek njerëzit.
Ai argumentoi se vendimmarrësit izraelitë dhe palestinezë shpesh reaguan ndaj kritikave të brendshme duke pohuar se diplomacia ishte mënyra më e mirë për arritjen e synimeve tradicionale politike: sigurinë për Izraelin dhe shtetësinë eventuale për palestinezët.
“Nuk kishte theks të mjaftueshëm për pajtim dhe madje edhe më pak vlerësim për dilemat e palës tjetër”, tha ai.
Por, më vonë, planet e qeverisë së re të Tel Avivit për aneksimin e më shumë se 30 për qind të Bregut Perëndimor të okupuar i dhanë goditje përfundimtare dhe fatale Marrëveshjeve të arritura në Oslo.
Prandaj, ishte vetëm çështje kohe që presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas të njoftojë tërheqjen nga të gjitha dakordimet dhe marrëveshjet e sigurisë me Izraelin dhe SHBA-të, duke vënë gozhdën e fundit në arkivolin e këtyre marrëveshjeve.
“Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump urdhëroi ambasadën amerikane në Izrael të zhvendosej në Kuds, një veprim i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Imad Harb, drejtor i kërkimit në Qendrën Arabe në Washington (ACW).
“Ky akt përfundoi çdo ndërlidhje midis palestinezëve dhe SHBA-ve. Ai gjithashtu njohu aneksimin e paligjshëm të Izraelit të Lartësive Siriane të Golanit në vitin 1981”.
Ai tha se njoftimi i Abbasit mund të mos e shqetësojë administratën e Trumpit ose ta detyrojë Izraelin të ndryshojë kursin, por ka shanse që ajo të krijojë unitetin kombëtar në Palestinë.
“Ajo që mbetet për të bërë është që palestinezët të riafirmojnë prioritetin e unitetit kombëtar, të rindërtojnë institucionet e tyre, të zgjedhin udhëheqjen e re dhe të rishkruajnë veprimet e axhendës së tyre të çlirimit kombëtar”, tha ai për AA.
Në një program të përshtatur nga Këshilli think-tank i Marrëdhënieve me Jashtë të SHBA-ve, Martin Sean Indyk, ish-i dërguari amerikan në Izrael, tha se që nga marrja e pushtetit në maj të vitit 1996, qeveria izraelite e udhëhequr nga partia Likud e drejtuar nga kryeministri, Benjamin Netanyahu vazhdimisht ka ndërmarrë veprime të njëanshme të dizajnuara për të paracaktuar rezultatin e të paktën dy çështjeve që ishin rezervuar posaçërisht për fazën e statusit përfundimtar: vendbanimet dhe Kudsi.
– Faktorët pas Oslos
Ekspertët rikujtojnë se frutet e negociatave në Oslo u mbollën vetëm një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Camp David nga presidenti egjiptian, Anwar Sadat dhe kryeministri izraelit, Menachem Beg më 17 shtator 1978, pas 12 ditë bisedimesh sekrete në vendpushimin presidencial amerikan.
Në vitin 1979, rezerva të mëdha të naftës u zbuluan përgjatë ujrave norvegjeze.
Shumë grupe të krishtera dhe hebreje ushtruan presion ndaj Norvegjisë për t’ia shitur këto rezerva Izraelit, pasi kombet arabe të pasura me naftë po privonin Tel Avivin nga kërkesat e saj për energji.
Pas revolucionit iranian të vitit 1979, furnizimet e energjisë në Izrael ishin tharë. Në Parlamentin norvegjez me 150 anëtarë, 86 deputetë formuan një grup të quajtur “Miqtë e Izraelit” për të lobuar për furnizimin e Izraelit me rezerva të naftës.
Por, kryeministri norvegjez, Odvar Nordli vendosi të këshillohet me vendet arabe, të cilat kundërshtuan idenë, duke argumentuar se do të ndikonte në prishjen e ekuilibrave dhe do ta bënte Izraelin edhe më rezistent ndaj çdo marrëveshjeje të paqes.
Arafati kishte një mendim tjetër dhe dëshironte që Nordli të negocionte furnizimet e naftës për ta sjellë Izraelin në tryezën e bisedimeve.
“Pra, ishte punë e vështirë prej 14 vjetësh që çoi në Marrëveshjen e Oslos”, tha Arvinn Eikeland Gadgil, ish-ministri norvegjez.
David Shlomo Rosen, ish-rabin kryesor i Irlandës dhe drejtor i Komitetit Hebre Amerikan, theksoi dy faktorë që e sollën Izraelin në tryezë.
Ai tha se lufta e vitit 1973 me Egjiptin kishte shkaktuar ndjenjën se Izraeli nuk ishte i pathyeshëm, ndjenjë kjo që u forcua më vonë në luftën e vitit 2006 me Libanin.
Gjithashtu, tha ai, hebrenjtë në të gjithë botën dëshironin kufij të përcaktuar dhe të vendosur të kombit të vetëm hebre, që rrota e historisë të mos fillonte të lëvizte në një drejtim të pafavorshëm.
“Gjithashtu u bë e qartë se zgjerimi përtej kufijve të Izraelit nuk ishte një opsion, pasi do të rriste popullsinë arabe dhe do t’i zvogëlonte hebrenjtë në një pakicë”, tha Rosen.
Sipas shifrave të regjistrimit, popullsia arabe brenda kufijve të Izraelit ishte 14 për qind në vitin 1967 ndërsa tani është rritur në 22 për qind.
– Kostoja e paqes
Një nga faktorët kryesor që çoi Izraelin të hedhë marrëveshjen e paqes me palestinezët është se me kalimin e viteve ka pasur zbulime të mëdha të naftës dhe gazit përgjatë bregdetit lindor të Izraelit dhe Palestinës.
Izraeli, i cili nuk kishte burim uji në kohën e krijimit, tani furnizohet me ujë nga uzina e saj e shkripëzimit në Jordani.
Vendi shpërndan naftë dhe gaz në Jordani dhe Egjipt. 85 miliardë metra kub gaz me vlerë rreth 19.5 miliardë dollarë do të eksportohen në Kajro nga rezervat e kontrolluara nga Izraeli.
Izraeli po gërmon burime të mëdha energjetike nga fushat në det të hapur-Tamar dhe Leviathan rreth 100 kilometra larg Haifas.
Kombi hebre kontrollon 90 për qind të zonës ekonomike përgjatë bregdetit të Mesdheut, me rreth 21 trilionë metra kub gaz, të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e vendit për më shumë se 40 vjet.
Në rast se zbatohet formula me dy-shtete, Izraeli do të duhet t’i japë një pjesë të madhe të këtyre rezervave Palestinës.
Ekspertët besojnë se në vend që të kërkojnë ndihmë për palestinezët, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i ndihmojë ata të vendosin kontroll dhe të fitojnë të drejtën e gërmimit në këto burime natyrore në Detin e Vdekur për t’i bërë ato të vetë-mbajtës.
– “Hamasi nuk e pengoi paqen”
Tel Avivi dhe Perëndimi shpesh kanë fajësuar lëvizjen palestineze të rezistencës Hamas për minimin e Marrëveshjeve të Oslos duke mos përmbushur kushtet, si njohja e Izraelit.
Duke biseduar me shkrimtarin disa vjet më parë, udhëheqësi i Hamasit, Khalid Meshaal mohoi që organizata të kishte ngritur ndonjë pengesë në rrugën e paqes.
“Arafati dhe Abasi njohën Izraelin. Çfarë u ndodhi atyre? Nuk pati pengesa nga asnjë lëvizje të rezistencës. Për të arritur në një përfundim logjik, duhet të qëndroni të palëkundur drejt qëllimit tuaj. Por, kjo nuk do të thotë ngurtësi dhe jofleksibiltet”, tha ai.
Ai shtoi se Hamasi ishte i përkushtuar në Marrëveshjen Kombëtare të Palestinës të vitit 2006, e cila e ndalon atë të ndërhyjë në çfarëdo negociatë dhe thekson se çdo rezultat duhet t’i nënshtrohet referendumit.
Meshaal tha se historia dhe pasuritë e kombeve lëvizin si një rrotë, por nganjëherë ngadalë: “Deri sa situata të bëhet e favorshme, ju duhet të tregoni vendosmëri dhe përkushtim të fortë, të forconi veten dhe të bëni gjithnjë e më shumë aleatë”.
Planet izraelite të aneksimit, marrëveshja e ashtuquajtur e Trumpit dhe vdekja e Marrëveshjeve të Oslos, kanë dëshmuar edhe një herë se marrëveshjet midis të dobëtit dhe të fuqishmit nuk zgjasin shumë.
Paraqitet një nevojë gjithnjë e më e madhe se palestinezët, vendet islame dhe vendet paqeruajtëse të botës duhet të krijojnë një aleancë dhe të bashkohen duke përdorur fuqinë politike dhe ekonomike për të vendosur paqen në Lindjen e Mesme.
Faqet e ashpra të historisë nuk do t’i falin kurrë dhe do t’i kujtojë përgjithmonë si tiranë dhe bashkëpunëtorë.
Komentet