Në jetën e një kombi, të rralla janë ato figura të cilave u bie barra e rëndë, të kenë njëkohësisht role të shumëfishta: të jenë prijës politikë, ushtarakë, religjiozë e kulturorë. Nga altari ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane, iu desh të ngjitej në male dhe të zbriste në fusha, për t’i bashkuar shqiptarët në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit osman që dvarte gjuhë e kulturë.
Nga relacionet e Bogdanit me vlera historiografike e letrare, kuptojmë se bredhja ishte fati i tij. Ai vazhdimisht bridhte; herë duke kërkuar vendstrehim nga persekutimi dhe ndjekja që i bënin turqit; herë për të kërkuar aleatë e miq për të organizuar kryengritje kundër pushtimit turk; herë duke kërkuar mbështetës për ta botuar librin e tij, me të cilin dëshironte të ndriçonte mendjet, në vendin ku mbizotëronte padija. Në parathënien “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani në formë programatike e misonarike e shpalosi filozofinë e tij për librin, konceptet themelore për dijen, religjionin, kulturën dhe përparimin, dhe ato i ndërlidhte me misionin e shenjtë të kulturës e librit, të letrarëve e doktorëve.
Ai ishte në kontakt me qendrat e mëdha të kulturës, ku lulëzonte humanizmi, dija e përparimi. Ndaj, Bogdani i bindur në nevojën që të kultivonte bukurinë e gjuhës u rrek të shkruante një vepër për Arbërinë e tij dhe kulturën tonë, një vepër që do të mbetet përmendore e lartësuar deri në piedestalin më të lartë të kulturën shqipe. Luigj Marlekajt, njohës i shkëlqyer i veprës së Bogdanit dhe i Shqipërisë së kohës së tij në studimin e tij monografik “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës së tij”, tregon se Bogdani me guximin e pashoq, u bë ai që nuk le këtë vend të bëhet turk, siç thoshin sundimtarët osmanë. Kjo ishte një punë kolosale e një korifeu të madh, e një njeriu të përkushtuar për ideale të larta e sublime. Ndaj, “Conues prophetarum” mbetet çeta e kulturës shqiptare, që marshon vetëdijshëm deri në kohën tonë.
Bogdani ishte një njeri erudit. Nga leximi i veprës së tij mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italishten, latinishten, kroatishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten, dhe sirishten.
“Çeta e profetëve” është shkruar me një kulturë të gjerë, në të ka informacion të pasur nga historia e popullit tonë, nga filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij nuk është përkthim. Edhe legjendat biblike që janë në themel të saj, ai i ka përpunuar në mënyrë të lirë dhe herë pas here fut ide, mendim, arsyetime dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik, shkencor-natyror etj., që s’kanë të bëjnë fare me legjendat biblike dhe që i japin asaj karakter origjinal. Në këtë kuptim, ajo çka shkroi Bogdani nuk është thjesht një tekst për shërbesat fetare, as për mësimin e fesë, siç ishin veprat e Buzukut e Budit. Ajo është një trajtesë teologjiko-filozofike, me elemente të shumta enciklopedike që përshkrohet fund e krye nga dashuria e madhe për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe, nga dëshira për të ndihmuar zhvillimin dhe përparimin e kulturës shqiptare dhe nga urrejtja për pushtuesin.
Vepra përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë trajtohen probleme teologjike e filozofike të doktrinës së krishtere, kurse në pjesën e dytë jetëshkrimi i Krishtit. Po autori del jashtë ketyre caqeve. Në pjesën e parë trajtohen edhe shumë probleme të shkencave natyrore, si të gjeografisë, astronomisë, fizikës, matematikës etj., por edhe të shkencave shoqërore si të teorisë së letërsisë etj. Duke goditur besimet e kota, ai në veprën e tij shpjegon, p.sh., si formohet shiu, vesa, breshri, bora, vetëtima etj., ç’janë tërmeti, eklipset e diellit e të hënës, baticat e zbaticat, flet për njohjen e botës nëpërmjet shqisave etj. Meritë e tij është se gjithçka e trajton në nivelin e mendimit më të përparuar të kohës kur jetoi.
Në pjesën e dytë, duke përshkruar jetën e Krishtit, ai solli në letërsinë tonë llojin e jetëshkrimit, realizmin në përshkrimin edhe vizatimin e figurave biblike, duke përdorur me mjeshtëri rrëfimin artistik në njerëz të ndryshëm. Ndihmesa e tij është e rëndësishme sidomos në formimin e prozës shkencore shqiptare. Me interes të veçantë janë idetë e tij patriotike që parashtrohen jo vetëm në parathënien e veprës, por edhe gjatë shtjellimit të saj. Sa herë i bëhet e mundshme, ai gjen rast të përmendë qëndresën burrërore të shqiptarëve. Me admirim flet p.sh. për qëndresën e kelmendasve, kur në “Parathënien” e “Çetës…” rrëfen: “Kush mundet me i ra mboh se ma i vobekje Vuca Pasha, i silli për të mbledhë një ushtri 12.000 vetësh, nuk i mjaftuan shumë milion ar, se kelmendasit tanë, të sijtë, me nji zan. Eja kush ashtë trim, mbledhunë afër 500 vetë, vranë Vuca Pashën, vjetit të Krishtit 1639”. Bogdani e njeh mirë historinë e Shqipërisë dhe shkrimet për të, prandaj kur i vjen rasti, ai përmend me krenari vlerësimet pozitive që kanë bërë historianë të huaj për vendin dhe popullin tonë. Për këtë arsye, përmend thënien e Herodotit: “Çezar Augusti dëshironte fort me pasun ndë ushtritë tinë t’arbëreshëtë. Përse thonj pësonjënë shumë e nuk druhen për hu e për het, se janë më zemërorë se të tjerëtë”.
Karakteristikë tjetër e personalitetit të Bogdanit është mendimi i tij iluminist. Nëpërmjet përhapjes në popull të dijes dhe kulturës në gjuhën shqipe, ai shikonte një nga rrugët për të shpëtuar nga zgjedha e huaj. Paditurinë (në parathënien e veprës së vet) ai e quan një nga shkaqet kryesore të mjerimit dhe të skllavërisë së popullit.
“Prashtu dergjet e dheu ndë robi t’errëtë e verbuem me dy palë niegulla të zeza mbi faqe, që janë mkati i të paditunitë, perse u dvua dieja e urteja. E tue kjanë dheu i Arbënit ndë mjedistë t’pafevet”.
Lënda që trajton Bogdani në veprën e tij, është e vështirë, sepse përmban koncepte e nocione abstrakte të fushave të ndryshme të dijes. Mendimit shqiptar në atë kohë i mungonte tradita për të shprehur këto nocione. Por, Bogdani asnjëherë nuk u përkul e nuk u ligështua para vështirësive, sepse kishte besim te thesari i pasur i gjuhës shqipe. Me përpjekje këmbëngulëse, duke mbledhur me kujdes fjalë të lashta e të rralla nga visari i gjuhës popullore e duke i përdorur ato me kuptim të drejtpërdrejtë ose të figurshëm, ai e ngriti gjuhën shqipe në nivele të reja, tregoi aftësitë e saj për të fituar mundësi të larta shprehjeje e stili. Ai është i vetëdijshëm se në këtë punë mund të ketë edhe të meta e mangësi, prandaj ne fjalët e fundit të parathënies së veprës ai i drejtohet lexuesit: “Të lutemi pra, litari em i urtë, të më ndijeçë në gjeç fjalëzë, që të trazon veshëtë. Përse as dielli pa hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë…”
Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por me sa duket ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane si dhe një nga mendimtarët më të përndritur të stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin XVII. Janë mijëra e mijëra faqe që përbëjnë eposin bogdanian. Aty ka të dhëna për historinë, kozmologjinë, teologjinë, poezinë, stilistikën, teorinë e metaforave dhe të interpretimeve tekstologjike, gjeografinë dhe antropologjinë.
“Ai është krijuesi i ciklit unikal të quajtur ‘Cikli i Sibilave’, që përmban profecitë e vajzave pagane të njohura si parathënëse të ardhjes dhe triumfit të Mesisë, d.m.th., Krishtit. Ky cikël është një unitet më vete dhe në llojin e vet për nga moderniteti dhe plotfuqishmëria e mendimit mund të hyjë te ciklet më të mëdha të krejt traditës evropiane baroke të shekullit XVII”. (184) Le të marrim një shembull, për ilustrim, nga “Sibila e Persisë”:
“Kumbon zani malsh e keletth ndë shkretëti,
Xihariq me dhan’e u e të dërejtë,
Shekullit me çelë, e fajevet për mengji,
Pagëzimnë predikon mbë ketë jetë,
Kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,
Ndë parrijsit vendtë gjanjë si do vetë,
Tue trusun’ kryetë asaj bishe,
Mirë tu bam, e shpesh tu votë n’kishe.”
Siç shkruan edhe Robert Elsie, mes shkrimtarëve të hershëm, Bogdanin e dallon shqipja e veçantë. Ai shfaq një interesim të vetëdijshëm për fjalët e vjetra të harruara si dhe një leksik shumë të pasur, të cilin e përdori me mjeshtërri për të shprehur nocione të reja abstrakte. Edhe evoluimi i kësaj shprehije gjuhe, arriti një lloj sigurie dhe zhdërvjelltësie të atillë që nuk mundën të shfaqeshin, deri diku dhe 50 vjet më parë, kur Frang Bardhi pat hasur shumë vështirësi të dukshme për të shprehur nocione abstrakte të këtij lloji. Si përfundim i këtij evoluimi, mund të themi se në veprën e Bogdanit, si një vepër e humanizmit në një epokë të stilit barok, shqipja arriti për herë të partë nivelin e shpipes letrare.
Nga ana tjetër, është proverbial edhe koloriti kombëtar që Bogdani i jep gjuhës, mendimit dhe artit të tij, por nuk mund të themi se është i rastësishëm. Duket sikur në të gurgullon i gjithë shpirti i kombit, i shqiptarisë, pasi duke i studiuar veprën, pastaj relacionet dhe letrat, kuptojmë se frymëzimi i jetës dhe shumë simbole të përdorur janë nga trevat kosovare. Pashtriku, “Mal Prisrend mai nalti”, i tij në aspektin letrar, me të drejtë është krahasuar me Olimpin e amshuar, ku i kanë njomë buzët Homeri dhe Virgjili, Ndre Mjedja dhe Asdreni me shokë, kurse Sibila Delfica, kryesorja dhe më e madhja prej të gjithave në gravurën e librit, një sibilë që në një mënyrë unikale bashkon horizontin e lindjes me të perëndimit, në veprën e Bogdanit, quhet edhe Hasjana. Afër saj gjendet Prizrensja, (Cumea), Shkupjanja, (Frigia), Shkodranja (Libica), etj. Mirëpo, vetëm Hasjana e mban librin në dorë, në të cilin shkruan: “Këndoj Birr’e madh mbi Qiellt të Lumit Atë”.
Në një letër të dërguar nga Padova, më 16 nëntor 1685, që është edhe viti i botimit të veprës së tij, P. Bogdani, ndërmjet të tjerash shkruan: “Le sibile ho volute farle far vestite alla albanese e serviane per dare in humore povera gente e consolare al maglio che ho potuto”. (Sibilat, kam dashur t’i punoj të veshura, sipas veshjes shqiptare dhe serbe, për t’iu dhënë një ngjyrë të atij populli të varfër dhe për ta ngushëlluar aq sa kam pasur mundësi). Kjo gravurë e librit të tij “Çeta e Profetëve”, bashkë me tri gravurat e tjera, që është një cilësi e pamohueshme e veprës, tregon për gërshetimin artistik të idealeve të mëdha, që gjërat e panjohura të vendit të tij t’i paraqesë para botës, pothuajse në të gjitha artet e lira, duke i kaluar kufijtë e botës shqiptare, me shtrirje të hapët tematike e me tehun e vet përparimtar.
Pse ka ndodhur ky ekuacion i çuditshëm? Asnjë dijetar nuk mund ta thotë saktësisht. Pse Pjetër Bogdani i shqiptarizon Sibilat? Të vërtetën e di vetëm ai. Vetëm se ky trill dijetor, është i mrekullueshëm dhe unikal. Askush nuk e ka bërë më parë dhe askush nuk do ta bëjë më pas. Shekuj më vonë vetëm Fan Noli krijoi një cikël gjithashtu unik me motive engjëllore të Testamentit të Ri. Gjithashtu, edhe në letrat e relacionet e Bogdanit ka të dhëna të paçmuara për prirjen ndaj mendimtarëve të mëdhenj të Antikitetit, pa harruar këtu ndikimin e plleshëm të vetë Dantes në strukturat e tij konceptuale të shkrimit.Një rrafsh tjetër shumë i rëndësishëm i Pjetër Bogdanit ka të bëjë me përkthimet e tij nga latinishtja dhe italishtja apo nga greqishtja e vjetër. Kështu, ai përkthen vargje nga Homeri, nga Virgjili, Juvenali, madje edhe nga dijetarë të mëdhenj të kishës në Mesjetën e hershme..
Ekziston edhe një element i vënë re shumë pak nga studiuesit, që ka të bëjë me citimet e tij në gjuhët hebraike, siriake, si dhe arabe. “Pjetër Bogdani ka njohur një numër të madh gjuhësh të gjalla dhe të vdekura. Ajo që të çudit është se ai citon në gjuhën arabe, një pjesë nga libri i Danielit, nga Testamenti i Vjetër, kapitulli IX. Përse e ka bërë këtë gjë Bogdani? Përse në librin e Bogdanit, janë gjuhët kryesore të Perëndimit, por nuk janë harruar edhe gjuhët kryesore të Lindjes? Ndoshta pse ai i përket racës titane të poligrafëve të Rilindjes Evropiane. Ai ka dashur që libri i tij të bjerë në duart e lexuesve të planetit dhe secili diturak, të gjejë diçka për të lexuar. A nuk është kjo një ambicie e hatashme dhe një largpamësi gati e pamundur?!” (185) “Ende nuk është shkruar historia e artit dhe stilit barok në Shqipëri, por mund të thuhet se stili barok, shkëlqen me Pjetër Budin, por arrin kulmin e tij zenitor me Pjetër Bogdanin”. (186)