Nishani po shpërblen gjyqtarët e ‘Gërdecit’
Intervistë e zonjës Durda e botuar dy vjet më parë – e sjellim si Dossier
Fati i familjarëve të viktimave të Gërdecit. Ecejaket nëpër gjykata dhe pritja e vendimit të Gjykatës Administrative për dëmshpërblimet. Fundi i procesit penal, zhgënjimi dhe betimi i një nëne që humbi të birin, se do t’i shkojë deri në fund.
Nga Alida Cenaj, Revista KLAN
“Kjo nuk është nga ato dhimbje që e shëron koha. Mënyra se si na trajtuan është më vrastare se shpërthimi i Gërdecit”.
Zamira Durdaj të sheh drejt e në sy nga karriga përballë, në një prej lokaleve pranë bashkisë së Vorës. E veshur kokë e këmbë me të zeza, gruaja që gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit është betuar shpeshherë para mediave, dhe jo vetëm, se nuk do të heqë dorë kurrë nga lufta e saj për drejtësi, psherëtin dhimbshëm. Pas pak ditësh do të përkujtojë gjashtë vjetorin e vdekjes së të atit në shpërthimin e 15 marsit të vitit 2008, që drodhi nga themelet edhe Tiranën, e 18 ditë më pas do të vërë lule vajtueshëm mbi varrin e të birit që e humbi prej të vetmit faj se në atë çast po luante me biçikletë, bashkë me shokët e vet, fare pranë vendit ku humbën jetën 26 të pafajshëm që punonin në fabrikën e improvizuar të demontimit të armëve, të ngritur fshehurazi në mes të Shqipërisë. I biri, Eri, do të ishte 13 vjeç tani, një adoleshent i zakonshëm, shkollar, i treti prej tre fëmijëve të familjes Durdaj.
“Por iku, la abetaren në mes. I prenë jetën. Çfarë faji kishte djali im?”.
Zamira nuk ka më lot për të derdhur. I dridhet mjekra dhe sytë e rrudhur e humbasin atë vështrimin ngultas, të fortë. Pavetëdijshëm rregullon jakën e palltos së zezë, një dorë mbi flokë dhe lëshohet mbi shpinoren e karriges. Dhimbjen e ka pjesë të jetës e sado që, siç thotë, ende merr një grusht ilaçe “për të mbajtur mendjen në vend”, sërish vazhdon të mendojë funde nga më të tmerrshmit për veten, dhe jo vetëm në raste përvjetorësh si ky. Por çdo herë që kthehet në shtëpi, sa herë që përballet me sytë e vajzës 18 vjeçe tashmë, tërhiqet. Humbi një djalë 7 vjeçar nga shpërthimi i Gërdecit, (ai u gjend i gjallë, por me 60 për qind të trupit të djegur. Edhe dërgimi në Itali nuk ia shpëtoi jetën) por ka edhe një tjetër, student për drejtësi, dhe një vajzë në vitin e fundit të gjimnazit. Sidomos për hir të saj, i shtyp të gjitha makthet që i thur mendja. Po kaq për hir të ardhmërisë së dy fëmijëve, vazhdon të shpresojë se ndoshta një ditë drejtësia do të vihet në vend. Në mos nga gjykatat shqiptare, nga ajo e Strasburgut. Në mos nga ligjet e hartuara nga njeriu, nga Zoti. Sidoqoftë, ajo do t’i shkojë deri në fund.
“Por si mund të vazhdosh të shpresosh kur askush nuk e mori dënimin që duhej të merrte”, thotë. “E vetmja gjë që kërkuam ishte dënimi i fajtorëve. Nuk merrem me emra të përveçëm e as dua t’i njoh. Kërkuam dënimin e Ministrit të Mbrojtjes, i cili duhet të na mbronte, por jo. Për mua është fajtore e gjithë piramida shtetërore, deri tek kryeplaku i fshatit. Për këtë iu drejtuam drejtësisë e përjetuam rreth 300 seanca gjyqësore. E çfarë? Nuk patëm as të drejtën e fjalës”.
Mban mend data e numra vendimesh, mund të përsërisë saktësisht nene e ligje nga Kodi Penal e Civil, por as dijet që ka marrë gjatë këtyre viteve nga halli, nuk ia përmbajnë zemërimin.
“300 seanca gjyqësore ku nuk munda të bëj as një pyetje të vetme. Sa herë që kërkoja të flisja më kërcënonte gjyqtari se do të më nxirrte jashtë. Doja t’i pyesja ata njerëz, a kanë edhe ata fëmijë? A mendojnë ata për familjet e tyre? Çfarë iu kishim bërë ne?”
Por gjatë procesit penal gjyqësor të Gërdecit, megjithëse familjarët e 26 personave që humbën jetën kishin përfaqësuesit e tyre ligjorë, (asistencë e dhënë falas nga mbështetja e Soros-it), nuk kishin të drejtë përfaqësimi.
“Nuk u legjitimuam si palë sepse viktimat nuk kanë të drejtë përfaqësimi”, thotë Zamira. Por nuk munguan asnjëherë në gjyq, nuk reshtën së shprehuri publikisht pakënaqësitë për vendimet e gjykatave, por edhe ankimimet shkallë pas shkalle të gjyqësorit. “Nuk më linin as të flisja dhe kjo më ka prekur shumë. Nuk kisha të drejtë të bëja një pyetje. Unë e di se im bir nuk mund të kthehet më, por të paktën të dënohen fajtorët që e vranë. Mënyra si na trajtuan ishte më vrastare”.
Procesi penal i Gërdecit nisi në vitin 2009 dhe vendimi gjykatës mori formë të prerë vetëm në shkurt të 2013. Një vit më pas, 12 ditë para përvjetorit të gjashtë të tragjedisë, një tjetër i dënuar ka lënë qelinë. Javën e shkuar, Ylli Pinari, ish drejtori i kompanisë shtetërore të shitjes së armëve MEICO, u lirua me kusht. Gjykata pranoi kërkesën e tij, edhe pse Pinarit i duheshin ende mbi dy vite për të përfunduar dënimin e firmosur nga Gjykata e Apelit. Gjykata e ka argumentuar lirimin, me gjendjen shëndetësore të nënës së Pinarit, e cila është sëmurë dhe i vetmi përson që mund të kujdesej për 85 vjeçaren, sipas gjykatës, ishte Pinari. Përfundimisht ai është në arrest shtëpie.
“Më ra tepsia e bukës nga dora kur e dëgjova këtë lajm”, thotë Zamira.
“Jam tronditur aq shumë sa një copë herë të mirë nuk komandoja dot gjymtyrët. Ndodhi një tragjedi e çfarë?! Janë dënuar disa ushtarakë dhe aktualisht ndodhet në burg vetëm Dritan Minxolli. Edhe ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha, nuk u kap ndonjëherë. Për të mos folur pastaj për ish ministrin Mediu. E mbaj mend shtatorin që prisnim vendimin për të: Gjyqtarët pritën deri sa presidenti dekretoi qeverinë e re dhe neve na erdhi përgjigja që Mediu kishte imunitet. Pastaj kur ai hoqi dorë nga imuniteti, prokuroria nuk e hapi më çështjen e tij. Kam kërkuar shumë herë të takohem me prokurorin, por ai nuk më pret. Përveç kësaj pas gjyqit tonë, gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë u shpërblyen dhe u emëruan gjyqtarë në Apel. Mbrëmë (të hënën e kësaj jave), presidenti firmosi emërimin si anëtar të Gjykatës së Lartë, Alaudin Malajn. Ai ka qenë relatori i çështjes tonë në Gjykatën e Apelit dhe ishte pikërisht ky që pas pesë vjetësh pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurit e kësaj çështje. Kuptohet gjykim i shkurtuar nënkupton uljen e dënimit, siç edhe ndodhi. Pse duhej të pranohej kjo kërkesë pas kaq shumë seancash dhe pas një vendimi të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Dihet se pse…”
Zamira zemërohet akoma më shumë ndërsa tregon ecejaket nëpër institucionet e drejtësisë gjatë rrugës për në Gërdec. Familja e saj është rikthyer në shtëpinë e dëmtuar rëndë nga shpërthimi. Siç dihet, shteti i dëmshpërbleu të dëmtuarit dhe pothuaj të gjithë i kanë ringritur banesat e rrënuara.
“Edhe ky ishte një kurth tjetër”, thotë Zamira. “U dhanë para dhe u thanë ndërtojini sepse do t’i legalizojmë. Sa më shpejt aq më mirë sepse përndryshe do t’ju duhet të paguani për lejet e ndërtimit. Për këtë arsye të gjithë i bënë paratë tulla e llaç dhe sot jetojnë në një varfëri të tejskajshme. Nuk ua përshkuaj dot me fjalë se ç’varfëri fsheh ky vend”.
Në fakt panorama që të zbulon hyrja në Gërdec është ajo e shumë shtëpive të reja, pothuaj të gjitha dy e tre katëshe.
“Ja kjo është ajo që i gënjen njerëzit”, shton zonja fatkeqe me të zeza duke treguar fshatin me dorë.
“Shohin këto shtëpi dhe thonë që ja, Gërdeci u ngrit nga fillimi, i ri, i bukur. Ndërsa mua shpesh më drejtohen “pse ankohesh, ç’kërkon më shumë”! Por e vërteta nuk është kjo”.
Në zonën ushtarake të tkurrur ndjeshëm për nga sipërfaqja duket një grup ushtarakësh që po rrethon zonën me një rrjetë të re teli.
“Ka disa ditë që kanë filluar lëvizjet, nuk e kuptoj se çfarë po bëjnë”, thotë Zamira.
“Më duket se po pastrojnë”, shton duke bërë më dorë nga kodrina në skaj, e shenjuar me flamuj të vegjël portokalli.
“Ndoshta është zonë ku janë shpërndarë predha, nuk di”. Ushtarakët nuk ndihen edhe aq komodë nga prania, fare pak metra larg tyre, sidomos e një objektivi aparati fotografik, por nuk reagojnë. Mjafton mbikqyrja nga larg. Pastaj Zamira është fytyrë aq e njohur sa nuk është e vështirë të merret me mend se çfarë bën aty e se kush mund të jenë shoqëruesit e saj.
Destinacioni është zona ushtarake, prej nga nuk duket më asnjë gjurmë e asaj që ka ndodhur këtu e gjashtë vjet, por edhe përmendorja e ngritur nga Bashkia Vorë, mbi të cilën janë gdhendur emrat e atyre që humbën jetën. Zyrtarët janë kujdesur që edhe mbishkrimi të jetë konform vendimit të Gjykatës së Lartë, pas refuzimit të rekursit të bërë nga të gjitha palët: “Në kujtim të atyre që humbën jetën në aksidentin teknologjik të Gërdecit”. Pesë emrat e parë kanë të njëjtin mbiemër, prindër, djalë, nuse e nip. Pastaj vazhdojnë njëri pas tjetrit, edhe Erisoni, djali i Zamirës, edhe Resmije Kronja, gruaja që la pas një foshnje katër muajshe, fatkeqe deri në fund, edhe ai i 3 vjeçarit Flavio Deliu që mbeti në shtëpinë e shkrumbuar. “Ata ikën e lanë nga pas disa fatkeqë të tjerë”, thotë Zamira, e mësuar tashmë me pamjen.
Vogëlushja katër muajshe që mbeti jetime 15 marsin e 2008, në pamundësi për t’u kujdesur nga ia ati, iu la në kujdestari dy gjyshërve, Kujtim e Tushe Osmanit. Por gjyshi nuk e përballoi stresin dhe u vetvra dhe të njëjtin veprim kreu edhe e shoqja, në krye të vitit.
“Tani për vajzën kujdeset daja i nuses”, sqaron Zamira. “Gjyshja e saj bënte punë të çfarëdoshme në Tiranë e meqë ajo ishte e vogël, e merrte me vete. Më shumë kujdeseshin për të familjarët e të vëllait të Tushes. Por në fund edhe ajo nuk e përballoi dot realitetin”.
Ndërsa të tjerët kanë ndjekur fatin: Uran Deliu që humbi bashkëshorten shtatzanë, Hekuran Kaca, Dilaver Alhasa, Rigon Durdaj (kunati i Zamirës), e Mustafa Laçi punojnë për të rritur jetimët dhe të gjithë janë martuar sërish. Ndërsa gratë që humbën bashkëshortët dhe që janë më të shumtat, siç tregon Zamira, mbijetojnë me punë të çfarëdoshme e disa syresh vetëm me asistencë sociale. Ndër to, Naile Ahmeti nga Sukthi, u nda nga jeta një vit më parë duke lënë pas 9 fëmijë, të cilët aktualisht kujdesen për njëri-tjetrin. Më të mëdhenjtë punojnë dhe ushqejnë më të vegjlit.
“Ndërsa gratë e tjera po rrisin fëmijët me një mijë mundime”. Dhe vazhdojnë, ashtu si Zamira, me aq dhe si munden të kërkojnë drejtësi. Sepse pas përfundimit të gjyqit penal, familjarët e viktimave kanë hapur një gjyq të dytë, atë civil. Sipas ligjeve, ky i fundit mund të fillonte vetëm pas përfundimit të atij penal dhe aktualisht të dëmtuarit po presin që çështja të shqyrtohet në Gjykatën Administrative meqë palë janë institucionet shtetërore.
“Por edhe ky është një hall e sorollatje më vete”, shton Zamira. Sorollatje që nisi me nenin që parashikon se paditësit duhet të paguanin që në fillim të gjyqit 3 për qind të shifrës së dëmshpërblimit që kërkonin.
“E ku t’i gjenin ato 3 për qind familjet që jetojnë me asistencë sociale?” Si rezultat secili prej tyre uli vlerën e dëmshpërblimit që kërkonte. Pastaj erdhi radha për t’u ndarë secila prej familjeve më vete. Në fillim të gjithë bënë një kërkesë padi të përbashkët, por aktualisht, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, secila familje u quajt paditës më vete.
“Iu drejtuam Gkykatës Kushtetuese për të hequr pagesën paraprake të 3 përqindshit”, thotë Zamira, “por edhe ajo nuk mori vendim”. Fjala e fundit ishte “ia lëmë gjykatës rast pas rasti”. Si përfundim pagesën, aq të rëndë për secilin prej familjarëve e vendos gjyqtari i çështjes nëse hiqet ose jo. Zamira është një nga fatlumet, gjykata ka vendosur të mos e paguajë dhe aktualisht ajo po mendon për vlerën e dëmshpërblimit, por e ëma që humbi të shoqin, nuk e pati këtë fat. Ndërsa fjala e fundit do të thuhet nga Gjykata Administrative. “I vetmi që ka marrë dëmshpërblimin deri tani është Endrit Dvorani”, thotë Zamira. “Për ne të tjerët do të na duhet të presim”.
A do të thotë kjo drejtësi e vendosur dhe çdo të ndodhë më tej? “Jo, sa të kem frymë unë nuk do të heq dorë nga kërkesa për drejtësi”, thotë Zamira Durdaj. Ndaj ka pranuar këshillën e juristëve që çështjen ta çojë në Strasburg. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë se padia civile nuk duhej të gjykohej me padinë penale, Zamira iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar këtë vendim. Mirëpo Kushtetuesja, pa e nisur shqyrtimin vendosi ta rrëzojë këtë kërkesë. Durdaj, e cila ka ndjekur rregullisht të gjitha proceset gjyqësore, në fillim përpiloi e vetme një padi drejtuar Gjykatës së Strasburgut dhe pasi plotësoi të gjithë dokumentacionin mori përgjigje pozitive: iu komunikua zyrtarisht se kërkesa e saj i përmbush kriteret për t’u gjykuar nga kjo gjykatë. “Por edhe kjo nuk është lloji i drejtësisë që kërkoj. Në Strasburg do të dënohen taksapaguesit shqiptarë kur unë dua të marrin dënimin e merituar fajtorët. Ata meritojnë të gjykohen në Hagë”.
Një ndalesë në shtëpinë e Zamirës dhe kujtime të tjera. Vajza që e pret tek dera dhe shqetësimi për të ardhmen e saj, shkollimi, profesioni. Më pas Zamira Durdaj i rikthehet të përditshmes.
“E vetmja që më ka përkrahur këto 6 vjet ka qenë media. Kam folur dhe e kanë pasqyruar atë që kam dashur të them. Ju faleminderit”, thotë pas një përqafimi mirënjohës.
Duket akoma më e lodhur, krahasuar me dy orë më parë, por zor të thuhet se është dorëzuar. Nuk e lë plaga që i dhemb e që koha e vitet që shkojnë nuk ia mbyllin dot.
Komentet