Ishin me mijëra shqiptarët që iu drejtuan me pyetje ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, në një komunikim të drejtpërdrejt përmes rrjetit social “Facebook”. Njerëz të thjeshtë, të panjohur, por edhe njerëz publikë, gazetarë, deputetë, studiues, intelektuale… Të gjithë ankoheshin për shkallën e lartë të korrupsionit në drejtësi, në administratë, në shëndetësi, në çështjen e pronave… Të gjithë shfaqen mosbesues ndaj parlamentit të tyre, qeverisë së tyre, opozitës së tyre, institucioneve të shtetit të tyre, drejtësisë së tyre, klasës së tyre politike. Të gjithë duan të dinë se çfarë do të bëjë Amerika dhe Europa për Shqipërinë. Duan të dinë nëse ka Amerika lista gjykatësish, deputetësh e politikanësh të korruptuar. Kishte edhe nga ata që pyesnin: Përse nuk na sjell demokracinë e vërtetë Amerika?
Asnjë politikan shqiptar, apo titullar institucioni, nuk do të kishte tërhequr kaq shumë komunikues sa ambasadori amerikan. Dhe kjo e ka shpjegimin e shpejtë, pasi shqiptarët kanë më shumë besim te diplomatët e huaj sesa tek politikanët e tyre. Kjo është tashmë publikisht e ditur dhe një nga treguesit më flagrantë të krizës së madhe që ka përfshirë shoqërinë tonë. Shqiptarët, jo se janë shumë të varfër dhe nuk kanë shpresë se këtu do të bëhet më mirë. Akoma më keq, ata nuk kanë më besim që këtë vend do të përmirësojnë politikanët që kanë, sado të ndërrohet qeveria me opozitën. Jo thjesht ata nuk kanë besim te kryeministri, qeveria, partia që ai drejton apo opozita, ata nuk besojnë askënd. Dhe kjo, me apo pa të drejtë, është tashmë frymë. Është produkt i një çerek shekulli qeverisjeje të keqe, pa përvojë, të korruptuar, nën drejtimin e njerëzve që nuk e deshën këtë vend, por e shpërdorën për t’u pasuruar. Mosbesimi është një tis që e ka përfshirë shoqërinë, duke bërë që ajo të endet si nëpër mjegull. Vetëm klasa politike nuk e shikon këtë, ose e shikon dhe thjesht bën matematikë votash dhe favoresh, për të zgjatur jetën sa të mundë. Ajo lufton mes vetes, duke folur gjithkush në emër të popullit. Por, populli nuk ju shikon dot me sy më, a e dini këtë? Edhe ata që ju vijnë pas, e bëjnë sepse u keni në dorë kafshatën e bukës.
Shqipëria është një vend sovran, por politikisht ajo ka qenë vazhdimisht nën monitorim, nën kontroll dhe nën një ndikim të fortë të faktorit ndërkombëtar. Në Tiranë nuk ka struktura zyrtare ndërkombëtare që diktojnë mënyrën sesi drejtohet vendi, por ndikimi i përfaqësive diplomatike ka qenë vendimtar në shumë procese, apo në shuarjen e shumë konflikteve politike të brendshme. Ne të gjithë jemi koshientë se pa këtë kontroll ndërkombëtar mbi kokë, politika jonë disa herë do ia kishte vënë flakën Shqipërisë.
Por këtë vit ka një lajm më të mirë. Përfaqësitë diplomatike nuk janë më vetëm këshilluese e monitoruese, por kanë marrë një rol edhe më aktiv. Konkretisht: ambasadori i SHBA-ve, ajo e BE-së dhe një dyzinë diplomatësh të tjerë kanë marrë përsipër jo vetëm mbrojtjen, por edhe autorësinë e reformës në drejtësi. Prej disa javësh ata janë vënë në krye të një fushate të ashpër, më e ashpra e bërë ndonjëherë, të luftës kundër korrupsionit, me theks realizimin e reformës në drejtësi. Asnjëherë më parë komuniteti i gjykatësve, përgjegjës kryesor për shkatërrimin e besimit të qytetarëve tek shteti i tyre, e për pasojë edhe tek e ardhmja në këtë vend, nuk ishte vënë para akuzave publike në një sallë, duke i kërcënuar madje: Ikni, ose do të shkoni në burg. Duke i turpëruar publikisht, duke u kujtuar orët e dorës, kostumet dhe çantat e firmave të shtrenjta. Ambasadorët i dhanë madje edhe “lejen” policisë të ndërhyjë, nëse në protestën e të enjtes të PD-së do të ketë sërish dhunë. I caktuan madje edhe vijën e kuqe opozitës, duke i thënë: Mos e prek parlamentin dhe mos e pengo punën e tij.
Mund të duket fataliste që shtetasit e një vendi të pavarur kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre tek ambasadat e huaja. Shqiptarët i drejtojnë qindra letra çdo ditë ambasadës së SHBA-ve apo asaj të BE në Tiranë për t’u ankuar për probleme të ndryshme. Në redaksitë e mediave mbërrijnë po ashtu shumë letra ankesash, që në kokë mbajnë shënimin: Për dijeni: Ambasadës së SHBA, Ambasadës së BE…. Edhe kur paraplegjikët nuk marrin pagesën mujore, u drejtohen madiave dhe ambasadave të huaja. Ambasadorët janë edhe referimet më të besueshme e më të rëndësishme medatikë për çdo çështje.
Por a kanë ata rol “qeverisës”? Sa mirë do të ishte- janë gati besoj të thonë shumica dërrmuese e shqiptarëve. Ata në fakt në Shqipëri sillen jo si në një shtet të pavarur, por si në një vend gjysmë protektorat. A do të donin shqiptarët të ishin sot nën një protektorat, psh. amerikan, britanik apo gjerman? Fatale të mendosh, por druaj se në një referendum të tillë do të fitonte bindshëm “PO”-ja. Dhe të mendosh se kemi vuajtur 500 vjet pushtim. Kaq i thellë është mosbesimi…
“Mirë zotni, do përgjigjet po korrupsionin kush do ta luftoj në këtë vend”? – pyeste dikush. Mes shumë pyetjeve, ambasadori kishte zgjedhur edhe këtë që t’i përgjigjej “Hamdi, ti do ta luftosh! Dhe tre milionë qytetarët e tjerë shqiptarë. Kjo nuk është një luftë për të huajt apo politikanët. Kjo duhet të jetë një luftë e qytetarëve të rregullt”.
Tani Hamdiu mund të jetë zhgënjyer, por këtë punë duhet ta bëjmë vërtet ne.
Komentet