Kryetari i RMV-së, Stevo Pendarovski dhe të tjerët, i përkasin një brezi që ende i kanë të freskëta ngjarjet e zhvilluara që nga pavarësia e RMV-së, në vitin 1991 e këndej. Çfarë ka ndodhur në atë periudhë kohore, nga ajo që kam lexuar dhe nuk është nevoja të rikthehem, sepse vetë i përkas një brezi të ri dhe ngjarjet e asaj bote nuk i kam përjetuar, mirëpo nuk mund të anashkalohet fakti se shqiptarët në vitin 1991, askush nuk i pyeti për pavarësinë e RMV-së, rrjedhimisht as për sjelljen e ligjeve mbi stemën, flamurin dhe himnin shtetëror.
Kam lindur në vitin 1996. Relativisht i ri për t’u marrë me këto ngjarje, mbase. Si çdo shqiptar i këtij nënqielli, jam lindur me biseda politike të zhvilluara në odat tona. Por, jam lindur dhe rritur edhe me retorikën e njohur shoviniste maqedonase, thirrjeve për dënim ndaj çdo shqiptari që e ka shprehur ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe sadopak e ka ngritur zërin për drejtësi.
Ndonjëherë, më vjen turp të nderuar, kur jam i detyruar të lexoj lajme të tilla ditore e të flas prej brenda dhe krejt rastësisht e gjej vetën duke e zbrazur këtë shqetësim mbi letrën e bardhë me shkronja të zeza dhe kur e mendoj se nesër këtë që po e shkruaj do ta lexojë ndonjë shokë, mik dhe ndonjë koleg i nderuar maqedonas. Ata që më njohin, kam zhvilluar biseda edhe me ata dhe gjithmonë ua kam thënë se nuk më pengon nacionalizmi juaj, sepse edhe vetë jam nacionalist. Kjo dëshmon se unë dhe ti e duam kombin tonë. E kush nuk e do kombin e vet!? Por, kur kjo retorikë shndërrohet në shovinizëm, atëherë problemet shfaqen në horizont, kemi problem me tjetrin, kemi mosdurim etnik dhe krijohet urrejtja etnike.
Më është bërë “bajat” gjithmonë të flas për statusin e shqiptarit në këtë shtet. Nuk e dini ndonjëherë edhe sa ndiej përtesë. Kanë folur të gjithë që nga viti 1991 e deri më sot. Shumë teza magjistrature e disertacione doktorature janë shkruar e lexuar. E pakuptimtë ndonjëherë më duket kjo betejë e pafund në këtë shekull të ri.
Kryetarit të RMV-së dhe atij qytetari të thjeshtë maqedonas i them se duhet ta njihni shqiptarin e shkretë, jo ta injoroni dhe ta urreni, sepse fundja në sajë të tij jeni aty ku jeni. Ju duhet ta ndjeni shqiptarin, siç ju ka ndier juve kur Greqia me diplomaci ua ndryshoi emrin e shtetit, dhe për pak deshi t’ua rrezikojë identitetin tuaj brenda natës. Duhet ta ndjeni shqiptarin e shkretë, siç ju ndjen juve kur ju detyron Bullgaria që t’i futni bullgarët në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së. Duhet njëherë e mirë ta kuptoni se, shqiptari i këtij shteti gjithmonë ka luftuar për t’u ndier i barabartë dhe kjo ka reflektuar në atë që është arritur në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit që sot shënohet 22 vjetori i saj. Me anë të këtij dokumenti, edhe njëherë i treguam botës dhe kohës se shqiptarët janë për paqe dhe për ndërtim të përbashkët të këtij shteti duke i vënë theks të veçantë integrimit në strukturat euro-atlantike. Ky dokument të nderuar, siç e dini, është shëmbëllim i realitetit dhe sjelljes politike të klasës politike maqedonase dhe rezistencës së saj deri në fund, të cilët nuk u pajtuan me përmbajtjen e saj nga frika se mos po e humbin shtetin e tyre. Por, shteti i juaj, hiç më larg se sot me plot gojë thirret dhe i përkrah vlerat e arritura me këtë marrëveshje, megjithëse edhe pas 22 vjetve çalon në zbatimin e saj.
Filozofi gjerman, Hegeli, thotë se individi i fiton të drejtat e veta (shqiptari ende nuk i ka fituar të drejtat e veta!) vetëm kur ai është qytetar i një shteti të mirë. Utopike, ë!? Vazhdon ai, sipas tij, thotë se ky lloj shteti arrihet kur mishërohet perfekt shpirti, thelbi i të cilit është liria. Aha, bukur shumë! Sa e ndien vetën të lirë shqiptarët atëherë në këtë shtet!? Supozoj, nëse kjo qenka barometër për matjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, atëherë më mirë të mos flas, sepse me keqardhje, nëse më lejoni, duhet ta konstatoj se “shteti i juaj multietnik” qenka shtet i dështuar!
Shteti i juaj, të nderuar, dhe i imi gjithashtu, ka qenë gjithmonë njerkë për ne. Po, shumë e vërtetë! Përderisa nuk e ka ndier dashurinë dhe lojalitetin shqiptari i thjeshtë dhe i shkretë që lufton për mbijetesë në këtë shtet, sepse ia keni rrënuar çdo ideal, nuk duhet as ju të pritni të jetë ai lojal ndaj shtetit tuaj. Dashurinë dhe solidaritetin tonë të pakursyer e kemi dëshmuar çdo herë kur ka qenë nevoja, por ju nuk e keni vlerësuar. Sot, të gjithë ju, nuk keni absolutisht të drejtë të flisni për shqiptarin e këtij shteti. E keni humbur kahmoti. Deri sot, keni bërë çfarë keni dashur me të dhe vazhdoni të bëni edhe më, nuk ka problem, aspak! E kemi dëshmuar me durimin tonë dhe natyrën paqësore që e kemi. Po pra. Aha, e di ku doni të dilni. Ja pak durim! Kur e keni tepruar, na keni detyruar me vështirësi, jo me maturi e vertetë, ua kemi treguar vendin se ku e keni. Kam kujtuar se së bashku po angazhohemi për vlera evropiane, ndaj kjo retorikë nuk na ka hije as mua e as ty. Gjithçka ka një kuptim dhe mirëkuptim në këtë botë. Por, thirrjet e tilla klishe nuk kanë më kuptim! Dënimi i shqiptarit për valëvitje të flamurit dhe këndim të himnit kombëtar, dëshmon se ky shtet sadoqë synon të integrohet në BE, ende nuk e ka përmbushur parakushtin themelor: ndryshimin e mentalitetit komunisto-jugosllav.
Nisem nga ajo që e tha ministri juaj i jashtëm, të nderuar, se Albin Kurti nuk vjen si kryeministër. Kaq mjafton! Meqenëse nuk vjen si kryeministër, por vjen për “vizita privato-partiake”, kjo të le të nënkuptosh se vjen si kryetar partie, pse jo edhe si qytetar i një shteti tjetër. Atëherë me të drejtë mund të parashtrohet pyetja: pse duheshka të respektohet protokolli dhe ligjet për organizimin e ngjarjeve në prezencë të shtetarëve të vendeve të huaja!? Apo e keni nga inati, pse nuk erdhi t’ju takojë juve? Sidoqoftë të nderuar, letra e bardhë është para jush, mund ta mbushni si të doni ju, përderisa kërkoni votë nga shqiptari i shkretë dhe ai ju përgjigjet në mënyrë pozitive. Por, do të vijë koha kur ju prap do të kërkoni mbështetje, e atëherë s’do ta gjeni. Njeriu falë me mijëra herë, por të harrojë, asnjëherë!
Manifestimi i mbajtur në Tetovë, përfundoi në mënyrë paqësore. Siç e shihni edhe sot është mot i bukur me diell. Këndimi i himnit dhe valvimi i flamurit kombëtar (jo shtetëror) nuk ua rrezikoi shtetin! Por ama, retorika e juaj, të nderuar e ka potencialin e duhur t’i elektrizojë ca qarqe maqedonase në shoqërinë tonë e ta prish kohezionin dhe gjoja raportet e mira multietnike në shtetin tonë. Andaj, kujdes kur shpreheni dhe si shpreheni në publik. Fjalën e merr era dhe nesër ju mbani përgjegjësi për çdo të ndodhë.
Nesër është ditë punë, si çdo ditë tjetër e javës. Ne, prap mund të ulemi së bashku, të pimë kafe dhe t’i qajmë hallet dhe dertet tona se çka mund të bëjmë më tepër, mbi perspektivën evropiane të këtij shteti.