Koha e pamëshirshme
Lufta civile, me të cilën është spekuluar e vazhdohet të spekulohet është një temë e rrahur shumë në këto vite të tranzicionit postkomunist dhe jo vetëm tek ne. Por, për të mos ua ngrënë hakun duhet thënë se me të janë marrë enkas, gjatë luftës dhe pas saj, dhe figura të njohura të Ballit Kombëtar, si prof. Abaz Ermenji e Isuf Luzaj, anëtarë të kryesisë së Ballit, F. Quku Sekretar i Përgjithshëm i kësaj organizate etj., duke shpresuar se me të do të arrinin të rrëzojnë luftën dhe t’u mbushin mendjen shqiptarëve se ajo nuk ishte siç e ka paraqitur propaganda komuniste, një luftë për të çliruar vendin, por luftë civile, luftë vëllavrasëse, për pushtet, të cilën e shfrytëzoi PK për të marrë pushtetin e për të vendosur regjimin komunist.
Mirëpo, koha është e pamëshirshme dhe ata u larguan nga jeta, të dëshpëruar sigurisht, jo vetëm për dramën që përjetuan sa ishin gjallë, në vitet e luftës e pas saj, me peripecitë e dështimet e pafund, por se nuk arritën të shihnin të paktën frytet e përpjekjeve të tyre për të bindur opinionin se lufta ishte luftë civile, çka do të lehtësonte disi ndërgjegjen e tyre të vrarë keq. Kësaj nuk ia arritën dot.
Por, përpjekjet do të vazhdonin, pasi veç luftës civile nuk kishte armë tjetër, që të shërbejë si terapi, për të qetësuar e lehtësuar, sado pak, dhembjen e ballistëve të ndershëm, që panë me sytë e tyre shpartallimin politik, organizativ e ushtarak që pësoi organizata e tyre. Dhe këtë detyrë e mori brezi i politikanëve e publicistëve të periudhës së tranzicionit postkomunist, të cilët pasi e ndritën në fushat ku militonin prej vitesh, iu futën historisë, një fushë që, për fat të keq, ende mendohet se mund ta bëjë kushdo, mjafton që të dijë të shkruajë, por se çfarë shkruan nuk ka rëndësi, pasi qëllimi justifikon mjetin.
Butka. Ithtar i luftës civile
Kush ka ndjekur angazhimet dhe aktivitetet në fushën e historisë këtë çerek shekull të mendimit të lirë, nuk e ka patur të vështirë të dallojë z. U. Butka, një penë e njohur për alergjinë patologjike ndaj luftës, për arsye që dihen ose merren me mend. Kohët e fundit atij i është bashkuar dhe publicisti i njohur A. Stefani, me të cilin kësaj here unë nuk merrem.
Produkt i angazhimit të Butkës në këtë fushë është dhe punimi “Lufta civile në Shqipëri në vitet 1943-1945”, i botuar këtë vit, pasi ishte botuar njëherë para një dekade. Në punim, veç pretendimeve dhe fakteve të përpunuara me kohë në ofiçinat e propagandës së Ballit, bëhet dhe një pohim që askush, deri më sot, nuk ka guxuar ta bëjë, pasi nuk përkon e nuk afrohet gjëkundi me realitetin, madje është një falsifikim i hapur i tij, se gjasme në periudhën e pushtimit gjerman qenka zhvilluar vetëm luftë civile. Sipas tij, në këtë periudhë nuk ka Rezistencë, nuk ka luftë kundër okupatorit nazist, ato janë shuajtur e kanë marrë fund, për t’i lënë vendin e për t’u zëvendësuar me luftën vëllavrasëse, në mes shqiptarëve.
Por, lind pyetja: si u dëbua okupatori dhe si u çlirua vendi, meqë shqiptarët paskan luftuar në mes vedi, e jo kundër tij? Nga na erdhën e si u arritën çlirimi dhe pavarësia, ishin dhuratë nga qielli, apo na i sollën të huajt. Këtë, autori nuk e shpjegon dot, pasi nuk hynë në llogaritë e tij.
Unë besoj se një pohim i tillë, është i papranueshëm dhe për vetë ballistët, nuk i kënaq as ata, pasi gjithnjë kanë pretenduar se, ndryshe nga disa fraksione, pra nga një pjesë që iu bashkua gjermanëve, Balli, si organizatë, ka luftuar kundër tyre. Biles, Ermenji e Quku, në botimet e tyre voluminoze, por dhe të tjerë rreshtojnë dhe betejat që, sipas tyre, forcat e Ballit paskan zhvilluar me gjermanët. Ata, sot nuk rrojnë, por po të ishin gjallë, nuk besoj se pohimet e Butkës do t’i kënaqnin.
Mbase Butka i lidh këto pohime me një moment që nuk mund të merret si argument, me momentin kur disa figura të rëndësishme të kësaj organizate, si S. Butka, H. Lepenica, më pas dhe S. Muço janë larguar, në rrethana të ndryshme nga jeta. Mos Butka mendon se me largimin e tyre u ndal dhe lëvizja e shqiptarëve, u shuajt rezistenca e tyre? Natyrisht, mund të mendohet se humbja e tyre, të jetë ndjerë e të ketë ndikuar në ecurinë e Ballit, në orientimin e kësaj organizate me ardhjen e gjermanëve, pasi ata, deri në këtë kohë, nuk ishin partizanë të bashkëpunimit me okupatorin. Por, ndikimi i tyre nuk kishte gjasa që të ndihej e të shtrihej në lëvizjet apo në zhvillimet e tjera në vend. Megjithatë, ne nuk dimë e nuk mund të hamendësojmë, nëse po të jetonin periudhën e pushtimit gjerman, edhe ata, si të tjerët, do t’i nënshtroheshin disipline partiake, dhe do të mbështetnin këtë ndryshim të papritur kursi, bashkëpunimin e nisur me gjermanët, për llogaritë dhe hesapet e kreut të Ballit, të cilat rezultuan se ishin bërë gabim, apo do të vepronin jashtë organizatës, si forcë e pavarur, siç ka ndodhur dhe në vende të tjera? Këtë s`e dimë. Historia nuk shkruhet me “sikur” e me hamendje, por me ngjarje të ndodhura dhe fakte të jetuara e të pasqyruara në dokumente.
Gjithsesi, edhe nëse kjo lidhje, për të cilën fola, nuk qëndron dhe nuk ka ndikuar në përfundimet ekstreme të autorit, këmbëngulja që të vazhdohet me sulme e shpifje ndaj luftës, vetëm duke u nisur nga xhelozitë e ndjenjat partiake, nuk e nderon autorin.
Punimi, siç u tha, ribotohet pas një dekade, një distancë që duhet të ishte shfrytëzuar për të riparë gjërat pak më ndryshe, më me gjakftohtësi, e për të zënë një pozicion më realist. Por, nuk qenka thënë të ndodhë kjo. Zhgënjimi vjen që në titullin bombastik e pretendues, me të cilin autori ka menduar se do të tërheqë vëmendjen e opinionit. Kjo dhe mund të ndodhte, por jo në këtë rast, pasi shqiptarët e njohin mirë luftën, siç i njohin mirë dhe ballistët, qëndrimet e tyre në vitet e saj.
Elemente të luftës civile
Lufta Civile, siç u tha, është një temë e ndërlikuar dhe e diskutuar jo vetëm tek ne. Dhe për këtë ka sigurisht një bazë objektive. Historia tregon se në asnjë vend e në asnjë kohë nuk ka patur e nuk mund të ketë luftë të pastër nacionale e çlirimtare, pasi gjithnjë ajo, në një masë apo në një tjetër, është gërshetuar e mpleksur dhe me luftën civile, për shkak se gjithnjë okupatorët gjejnë, në vendet që pushtojnë, elemente apo grupe shoqërore që i mbështetin, që u bashkohen ose bashkëpunojnë me ta. Dhe pikërisht këta përbëjnë bazën objektive, mundësinë dhe rrezikun e luftës civile, shpërthimi i së cilës kërkon sigurisht kohën dhe kushtet e veta. Por, atyre u shtohen dhe gabimet apo devijimet që shfaqen dhe në radhët e forcave të Rezistencës e që gjejnë shprehjen në gjykime apo vendime sektare e ekstremiste, që çojnë në goditje pa vend të njerëzve apo grupeve të caktuara shoqërore, duke shtuar radhët e të pakënaqurve, që bëhen rezervë për armikun.
Por, që elementët e mësipërm, përplasjet në mes tyre, të çojnë në luftë civile, vëllavrasëse, për pushtet, kërkohet që vendi të jetë i lirë e jo i pushtuar, pasi në kushtet e pushtimit, pushtetin e kontrollon dhe e administron okupatori e jo ndonjëra nga forcat politike vendase. Duhet të çlirohet vendi, që t’i hapet rruga çështjes së pushtetit dhe luftës për pushtet, e cila, nëse vendoset një rend demokratik, zgjidhet po në rrugë demokratike, me zgjedhje të lira. Në të kundërt, nëse rendi politik që vendoset pas lufte, degjeneron në diktaturë, e cila shkel e mohon hapur të drejtat e opozitës dhe nuk i lë asaj hapësirë që të zhvillojë aktivitet politik, atëherë ajo u drejtohet armëve dhe e çon vendin në luftë civile, si rruga e vetme në kushtet e krijuara, për të rivendosur ligjshmërinë e demokracinë, e për të zgjidhur, në kuadër të tyre dhe çështjen e pushtetit.
Çdo përpjekje për të provokuar luftën civile në kushtet e okupacionit, me ose pa dashje, bën lojën e okupatorit dhe i shërben atij si alibi, për të ndërmarrë reprazalje e goditje ndaj forcave të rezistencës. Kjo nuk ezauron e nuk përjashton rastet apo momentet e ballafaqimeve të pjesshme dhe me armë në mes tyre, të cilat janë konsideruar si elemente të kësaj lufte, përderisa nuk shtrihen në shkallë vendi dhe nuk shfaqen si pjesë e strategjisë për të marr pushtetin, të cilin e zotëron armiku i të dy palëve. Aq më shumë nuk mund te cilësohen tek ne si luftë civile, rastet e ballafaqimeve me armë me forcat nacionaliste, sidomos me Ballin Kombëtar, kur dihet që, pas flirtimeve me armikun në periudhën e pushtimit italian, me ardhjen e gjermanëve, ata haptazi u bashkohen okupatorit, duke u integruar ne strukturat politike e ushtarake që ai ngriti këtu e duke u bërë kështu pjesë e sistemit okupues, siç shkruante prof. Ali Hadri. Në këtë linjë janë dhe shpjegimet e Gjeneral Rrahman Perllakut, i cili duke trajtuar këtë çështje thekson se nuk mund të ketë luftë civile, kur një pjesë bashkohet me okupatorin, kurse pjesa tjetër lufton kundër tij.
Në Greqi, lufta civile, në mes EAM-it dhe EDE-as, forcave të majta e të djathta, nuk u zhvillua për sa kohë vendi ishte i pushtuar, por pasi ai u çlirua dhe forcat okupatore ishin dëbuar. Është me shumë interes një shpjegim që bënë për këtë çështje, Sekretari Amerikan i Shtetit Cordell Hull, më 6 tetor ‘44, në momentet kur lufta ishte në kulmin e saj e po kështu dhe debati i stisur se ajo kishte degjeneruar në lufte civile. “Do të kemi luftë civile në Shqipëri, theksonte zyrtari i lartë amerikan, vetëm nëse, pas largimit të trupave okupatore, legalistët dhe aleatët e tyre, do të nisin luftën me armë kundër forcave partizane, për të marrë pushtetin në vend”.
Dy revoltat e shpërthyera menjëherë pas lufte, Malësinë e Madhe dhe në Postribë, që Butka i inkuadron në luftën civile të shpërthyer që në vitet e luftës, në fakt ishin orvatje të dështuara të reaksionit, për ta arritur këtë synim, për ta futur vendin në lufte civile, por nuk e arritën e s`mund ta arrinin, pasi qenë lëvizje të izoluara, me një numër të kufizuar njerëzish, pa mbështetje në popull, që i njihte mirë organizatorët dhe nuk u besonte gënjeshtrave të tyre se, me krismën e parë, në Shqipëri do të zbarkonin forcat anglo-amerikane, ish aleatët tanë në luftë, një gjë krejt e pamundur, për shkak të ndërlikimeve të parashikueshme që mund të rezultonin, në vend e jashtë tij.
Sidoqoftë këto zhvillime treguan se reaksioni, për shkak të qëndrimit gjatë luftës, e kishte humbur përfundimisht davanë e se ai nuk gëzonte mbështetje në vend. Këtë mesa duket e kishte kuptuar mirë Abaz Ermenji, kur, në momentin e largimit nga vendi dhe ndarjes me forcat e pakta, që e shoqëruan deri në Ishëm, i porositi këto të fundit që të shpërndaheshin dhe të përpiqeshin t`i shpëtonin goditjes së regjimit komunist. Ky fund drithërues, ishte rrjedhojë e rrugës së gabuar që ndoqën, bashkëpunimit me gjermanët, të cilës nuk mundi t`i shmangej as vetë Ermenji. Pikërisht, në momente të tilla dëshpërimi, u përpunuan dhe tezat mbi luftën civile, si nevojë për të justifikuar politikën dhe qëndrimet që kishin çuar në këtë katastrofë. Krerët e Ballit mendonin se me të kishin gjetur alibinë e duhur për të fajësuar forcat komuniste dhe terapinë për të qetësuar ballistët e ndershëm dhe opinionin publik, që sigurisht, nuk do ta dëshironin një fund të tillë të një organizate me emër e me pretendime.
Anglezët: Enver Hoxha kishte të drejtë
Debati mbi këtë çështje, që mori udhë në rrethana të tilla, do të shërbente për të njohur opinionin me qëndrimet dhe pretendimet e palëve, por ai nuk arriti të parandalojë tatëpjetën dhe fundin e trishtë të Ballit. Paragjykimet e mllefet e grumbulluar në vite kishin bërë punën e tyre. Ato po dilnin më të renda nga çfarë ishte menduar. Aleatët, nga ana e tyre, të shqetësuar për situatën e krijuar, do të angazhohen në kapërcimin e saj, duke kërkuar nga të dy palët që të linin mënjanë mëritë e mllefet dhe të ulen në tryezën e bisedimeve, për të sheshuar e kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për t`i hapur rrugë krijimit të një klime mirëkuptimi e bashkëpunimi në interes të luftës dhe të vendit. Për këtë qëllim, gjenerali Dejvis, kryetar i misionit britanik, në fillimet e operacionit të dimrit, do të takohej me udhëheqësit e këtyre organizatave; fillimisht me Enver Hoxhën, të cilit do t`i përcjellë kërkesën e qeverisë britanike, për ndërprerjen e goditjeve ndaj Ballit e Legalitetit dhe fillimin e bisedimeve. Enver Hoxha iu përgjigj se pranonte kërkesën e qeverisë britanike, me kusht që dhe ato të ndërprisnin lidhjet me gjermanët. Pas tij, gjenerali Dejvis u takua në Shëngjergj me krerët e këtyre dy organizatave, të cilët i informoi për bisedimet me Enver Hoxhën dhe për pranimin nga ana e tij, të kërkesës për ndërprerjen e luftimeve me kusht që edhe ju të ndërprisni lidhjet me gjermanët. Pa mbaruar fjalën e vet gjenerali anglez, Mitat Frashëri, Abaz Kupi dhe pjesëmarrësit e tjerë në takim, reaguan të gjithë njëherësh e me zemërim, duke deklaruar se nuk donin t`ja dinin për mendimet e Enver Hoxhës. Në këtë atmosferë të rënduar, ata njëzëri hodhën poshtë propozimet e qeverisë angleze.
Njëri nga oficerët anglezë, që shoqëronte gjeneralin, e ka përshkruar kështu takimin: “Biseda në mes tyre mori flakë sapo gjenerali britanik u tha të pranishmëve se Enver Hoxha kishte pranuar që të ndërpriste luftimet, sapo Balli të nënshkruante një marrëveshje për të luftuar gjermanët. Kjo shkaktoi një zhurmë të madhe dhe një atmosferë tepër armiqësore. Folën të gjithë njëherësh. Osman Mema që ishte i sëmurë, i harroi ethet dhe u bashkua me ta. Sytë e Abaz Kupit flakërinë dhe ai u bë tepër luftarak. Biseda shkoi zvarrë-zvarrë. Njëri ndër oficerët britanikë, që merrte pjesë për herë të parë në një bashkëbisedim me shqiptarët, u shastis. Arritëm kështu në një pikë të vdekur. Nuk kish gjë që e shtynte Mitatin për të punuar me LANÇ-in. Unë u dorëzova. U përpoqa me të gjitha mënyrat për ta bindur. E pamundur. Enver Hoxha kishte të drejtë. Balli Kombëtar refuzoi të nënshkruante një marrëveshje për të luftuar gjermanet”. (K. Frashëri. Historia e Balit Kombëtar. Tiranë 2009, fq. 113)
Në këtë mënyrë, dështoi kjo përpjekje e gjeneralit Dejvis. Krerët e Ballit e Legalitetit nuk do të dëgjonin as paralajmërimin që Gjeneralit Uillson, Komandant i Shtabit Aleat të Mesdheut, u drejtoi në qershor 1944, kolaboracionistëve në vendet e okupuara, përfshi dhe atyre shqiptare, që të ndërprisnin lidhjet me gjermanët, sa nuk ishte vonë, përndryshe, në fundin e luftës, do të cilësohen e do të gjykohen si bashkëpunëtorë në krimet e tyre. Në operacionin e dimrit (nëntor 1943-mars 1944), të ndërmarrë nga Komanda e Përgjithshme gjermane, përkrah reparteve naziste do të rreshtoheshin dhe forca të Ballit e më pas dhe të Legalitetit.
Pikërisht këtë moment, R. Hibbert e konsideron si fillim të luftës civile dhe për këtë fajëson Ballin që u rreshtua përkrah gjermanëve. Në këto rrethana, ballafaqimi me ta do të ishte i pashmangshëm. Pasi dështuan dy operacionet armike, i dimrit 1943-‘44 dhe i qershorit 1944, në qershor, Komandanti i Përgjithshëm UNÇSH lëshoi urdhrin që forcat e Divizionit I të kapërcenin Shkumbinin dhe të nisin veprimet luftarake në Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Hyrja e forcave të divizionit në zonën e Matit e të Dibrës, ku kishin bazat e qëndrimit e të veprimit Abaz Kupi dhe disa krerë nacionalistë të njohur, shkaktoi reagimin e Shtabit Aleat të Mesdheut. Komandanti i këtij Shtabi, gjenerali Uilson do t`i dërgojë një mesazh Enver Hoxhës, ku i kërkohej që të ndërpriste luftën civile dhe goditjet ndaj Abaz Kupit, përndryshe paralajmërohej se do të përballej me pasoja. Shefi misionit anglez Nënkoloneli Palmer, që sillte mesazhin, i tha me gojë se bëhet fjalë për vendosjen e embargos, për ndërprerjen e çdo furnizimi për forcat partizane, pavarësisht se ato ndodheshin në një moment kritik, përballë sulmeve të pandërprera gjermano-balliste, me përqendrim e angazhim të madh forcash dhe mjetesh. Në përgjigjen që Enver Hoxha i jepte Gjeneralit Uillson, theksohej në mënyrë të prerë se këtu nuk ka luftë civile, por ka vetëm luftë kundër okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Me këtë rast ai do të ritheksojë se ndalimi i goditjeve ndaj Kupit, kushtëzohej me kërkesën që ai të heqë dorë nga bashkëpunimi me gjermanët. Pavarësisht, nga tensioni i përkohshëm, marrëdhëniet me Shtabin Aleat, do të vazhdojnë si më parë dhe embargo e vendosur do të hiqej, pasi interesi i përbashkët, lufta kundër gjermanëve, ishte parësor për të dy palët dhe aleatët tashmë qenë bindur se, këtë luftë në Shqipëri e zhvillonin vetëm forcat partizane.
Komentet