Fantazia e njeriut, ku nuk të çon. Ato janë nga më të çuditshmet. Një restorant në Manhattan, New York, kishte rrethuar lokalin e tij në trotuar me një gardh me dërrasa ngjyrosur në blu. Ngjitur pas gardhit, kishte vendosur tetë palë pantallona të gjata xhins, të cilave u kishte veshur këpucë me taka, pa taka, të sheshta apo sportive, i kishte mbushur me dhe e brenda tyre kishte mbjellë lule. Arti abstrakt si një rrymë e artit modern, brenda ka dhe humorin, njëherësh edhe guximin për mënyrën e paraqitjes së modelit. Turistëve e kalimtarëve të rastit i tërhiqte syrin ky atraksion figurativ dhe ndalonin për të fotografuar.
Nëse gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri një vepër arti, letrare, pikturë apo skulpturë do të cilësohej abstrakte, autori do të dënohej për agjitacion – propagandë kundër pushtetit popullor. Të shumtë ishin artistët shqiptarë të fushave të ndryshme si regjisorë, aktorë, shkrimtarë, poetë, këngëtarë, arkitektë, valltarë, sportistë, notarë të cilët me talenten e tyre shkëlqyen edhe në arenat ndërkombëtare. Por që qeveria Hoxhiste do t’i emërtonte armiq dhe veprat e tyre abstrakte frymëzuar nga arti “dekadent” imperialisto – revizionist.
Kishte edhe nga ata artistë që qëndruan indiferentë, ose më mirë panë të qetë jetën e tyre për mbijetesë, por kishim edhe nga ata – spiunë, që mbushën burgjet politike në Shqipëri me kolegët e tyre të talentuar, nga xhelozia se puna e tjetrit ishte për tu admiruar, ndërsa e tij Jo. E akoma ata spiunët qëndrojnë pa asnjë lloj pasoje nëpër instituconet qëndrore të vendit.
Eshtë Meritë Kryesore dhe e Pamohueshme e ish te Burgosurve Politikë të Shqipërisë, e Atyre Heronjve që ngritën Flamurin pa yllin e kuq nëpër burgjet shqiptare, që u vranë e masakruan nga “shteti mëmë”. Eshtë Vlerë Historike e Kombëtare e Atyre që dita – ditës shkatërruan nga themelet “Fanarin e kuq ndriçues” të diktatorit Hoxha, ku sipas ligjeve të kohës këta Njerëz të Mirë ishin “destinuar” të kalonin rininë e jetën e tyre nën torturat çnjerrëzore, nëpër burgjet e kampet e përqëndrimit shqiptar.
Ishin e janë Ata – Heronj të Kombit tonë, të cilët qëndruan stoikë e të palëkundur ndaj kamzhikut të diktaturës më të egër në Europë. Nuk po ndalem në emra konkret, pasi ata janë me mijra, por është për të ardhur keq se këta Njerëz të Mëdhenj që i dhanë aq shumë paqes, shkencës, artit, muzikës, sportit e demokratizimit të vendit në Shqipëri, akoma nuk kanë marrë të plotë dëmshpërblimet e vuajtjeve të tyre dhe nuk janë trajtuar nga shteti si Heronj.
Sot duke jetuar në botën e qytetëruar të lirë dhe në paqe, vëren me kujdes çdo detaj, por kur kthen kokën pas, si në retrospektivë mendon tmerret që ka përjetuar padrejtësisht populli ynë për afro gjysëm shekulli, qoftë edhe për artin “dekadent” frymëzuar nga “imperializmi dhe revizionizmi” Amerikan….
Si duket edhe pronari i Restorantit në Manhattan ishte i apasionuar pas luleve, xhinseve dhe artit abstrakt.