(Përshëndetje në promovimin e ALBUMIT të Nolit)
Vlerësimi i figurës së shumanshme të Fan Nolit është një akt shkencor, atdhetar e artistik që na bashkon e na ndriçon në jetën tonë për të shkuar drejt qytetërimit, drejt Bashkimit Europian, ku e kemi vendin gjeografikisht dhe historikisht. Prandaj e falenderoj Shoqërinë e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë për botimin dhe organizimin e këtij promovimi të ALBUMIT të Nolit në bashkëpunim me Bibliotekën Noliane pranë Kishës së Shën Gjergjit.
Emigranti i ri Fan Noli, për t’i bashkuar kurbetllinjtë gjysmanalfabetë iu kushtua misionit të kishës dhe të gazetarisë. Përmes predikimeve fetare, që zhvilloi në KISHË dhe shkrimeve publiciskike, që botoi te gazeta DIELLI, ai ndikoi drejpërdrejt në formimin shpirtëror dhe atdhetar të bashkëkombasve të vet. Në bashkëpunim me Faik Konicën, Kristo Floqin e disa veprimtarë të tjerë, ai krijoi Federatën Panshqiptare VATRA, ku bashkoi shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje në luftën për lirinë dhe demokratizimin e atdheut.
Qeveria komuniste e Tiranës u përpoq ta dëmtonte trinomin institucional ‘Kisha-Vatra-Dielli’, dhe mund të them se ia arriti qëllimit, duke mbështetur Kishën shqiptare të Amerikës që drejtohej nga Noli, dhe duke luftuar Fedaratën Vatra e gazetën Dielli, ku u aktivizuan dhe nacionalistët e ballistët, që u detyruan të largoheshin nga atdheu, sepse ishin shpallur tradhëtarë.
Noli duke parë se qeveria e Tiranës i dënoi bashkëpunëtorët e tij të hershëm si Zai Fundon, Kol Tromarën, Bahri Omarin, Sejfulla Malëshovën, Mit’hat Frashërin, Andon Frashërin, etj ndërroi bindjet e tij të mëparshme prosocialiste. Ai u largua nga pozitat e simpatizantit të qeverisë socialiste të Tiranës dhe u bë kritik i saj. Ky evoluim i Nolit u shfaq me heshtjen ndaj kërkesave që i bënë të dërguarit e Tiranës për të shkruar artikuj e shkrime në mbrojtje të saj, dhe për të takuar personalitete të qeverisë Amerikane, për të folur pro qeverisë së Enver Hoxhës.
Kapakun e këtij qëndrimi Noli e shprehu me poezinë Vdekja e Sulltanit, ku ai goditi hapur çdo lloj qeverimi diktatorial dhe sundimtarin satrap. Diktatori Hoxha e kuptoi nëntekstin e poezisë, prandaj mbas vitit 1963 u përpoq disa herë ta denigronte figurën e Nolit, por nuk ia ariti qëllimit. Fan Noli e kishte zënë vendin e tij në historinë kombëtare shqiptare me bëmat e tij atdhetare, letrare e shkencore…
Në ditët tona bota shqiptare po përjeton fundin e ciklit të krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, cikël që nuk u kurorëzua me sukses në vitet 1912-1913 kur u shpall e u njoh shteti i pavarur shqiptar. Shqipëria e vitit 1912-1913, për shkak të këmbënguljes dhe kërcënimeve të qeverisë cariste të Rusisë, nuk u krijua si shtet kombëtar, ku të mblidheshin gjithë trojet dhe popullsia shqipfolëse brenda tij. Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë iu dhanë më shumë se gjysma e tokave dhe e popullsisë shqiptare.
Sot, me ndihmën e aleatëve tanë ShBA e BE, shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë po përjetojnë një rigjallërim kombëtar dhe ndërgjegjësimin e tyre se pa krijuar shtetin kombëtar shqiptar, populli ynë nuk mund të rigjenerohet si e sa duhet. Në këtë rrugë të rigjenerimit të kombit shqiptar është e nevojshme të gjallërojmë aktivitetin e trinomit ‘KISHA-VATRA-DIELLI’, duke i shtuar radhët e këtyre institucioneve dhe të shoqatave që bashkëpunojnë me to.
Promovimi i librit ALBUM të Fan Nolit është një aktivitet që ndihmon në gjallërimin e këtij trinomi dhe synimeve të tij, prandaj uroj që të tilla aktivitete kulturore atdhetare të organizohen çdo vit gjithnjë e më shumë pranë institucioneve fetare dhe pranë Vatrës e Diellit duke ftuar edhe studiues e artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora…