Janë mbajtur 15 akademi të tilla për të përkujtuar jetën dhe veprën e Smajl Hajdarajt, por kjo nuk i ka ofruar paqen familjes së tij, raporton KTV.
Ata për këto vite e kërkojnë drejtësinë dhe sjelljen para saj të vrasësve të babait të tyre. Smajl Hajdaraj ishte vrarë në janar të 2002-ës, në hyrje të banesës së tij në Pejë, në kohën sa ishte deputet i LDK-së në përbërjen e parë të Kuvendit të Kosovës pas luftës.
Kjo ishte metoda e njëjtë e vrasjeve në vitet e para të pasluftës, ku më së shumti pësuan anëtarët e LDK-së.
Akademia në këtë përvjetor është organizuar nga Zyra e Kryeministrit Isa Mustafa, gjithashtu kryetar i LDK-së, por i cili nuk ka gjetur kohë të jetë i pranishëm aty.
Familja Hajdaraj ka mbajtur një minutë heshtje për sistemin e drejtësisë të Kosovës, me të cilin kanë thënë se janë të zhgënjyer.
Familja është interesuar për të kuptuar për hetimet edhe pas 15 vjetësh, por Prokuroria në Pejë u ka kthyer një përgjigje se rasti është dërguar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pa sqarime tjera.
Në Zyrën e Aleksandër Lumezit, kanë thënë se rastet e vrasjeve të pasluftës po hetohen.
Familja Hajdaraj thotë se megjithatë LDK-ja këto vite do të duhej të bënte më shumë për ndriçimin e vrasjeve të anëtarëve të saj.
Komentet