SH.T. Z. Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë
Shumë e nderuemja Zonja Nishani, Zonja e zotënij:
Mirëmbrama!
Falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Nishani për akordimin e dekoratës si mirënjohje e veprimtarisë sime në shërbim të kombit shqiptar. Uroj të meritoj këte nderim edhe në të ardhmen.
Sot, 57 vjet mbas arratisjes sime të padëshirueme nga Shqipëria komuniste, shoh vendin tim ma të lirë, ma demokratik dhe ma europian. Sot kemi nji Republikë të pavarun të Kosovës, dhe shqiptarët në Maqedoni e Mal te Zi të organizuem me mbrojtë të drejtat e tyne; por Çamëria martire mbetet nji plagë e hapun.
Emni Shqipëri asht kudo i njohun dhe shumë shqiptarë, mbrenda dhe jashtë shtetit, nderojnë vendin e tyne me suksese në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore. Nji hap cilësor ashtë hjedhë. Le të festojmë! Sepse, Shqipëria, vendi i tri diktaturave të shekullit 20, mbetet gjithëherë “vendi i shenjtë” për ne!
Shqipëria akoma vuen nga plagët e marruna për 50 vjet me rradhë: okupacione, diktatura, vorfëni, e frikë…! Epika e rezistencës kundër okupatorit dhe ajo 45 vjeçare per liri, pavarësi e demokraci në Shqipëri mbetet nji faqe e ndritshme e historisë sonë kombëtare; por shoqënia civile shqiptare ashtë sot anemike, e traumatizueme, e nuk gjen zanin e vet. “Nostalgjikët” në çdo vend ish-komunist, sot të privilegjuem arbitrarisht, vazhdojnë me mbajtë nji gjendje të tensionueme, me konflikte, padrejtësi, korrupsion e mjerim, dhe kërcënimin me diktatorë të rij….! Në se e kaluemja ka pasë nji element tragjik, përsëritja e saj do të ishte nji komedi fatale.
Kësaj faze shkatërrimtare i paraprinë humbja e besimit në popullsi për autoritetin publik- nji situatë që dëshmojmë sot në Shqipëri e në Kosovë! Dhe kjo më shqetëson shumë, prandej flas, prandej shkruej…!
Shkruej si viktimë e pafajshme e rregjimit të krimit dhe kriminelit komunist, e denoncimi i tyne justifikon mbijetesën time. Këte e kërkojnë viktimët e të gjithë vendeve dhe të gjitha kohëve. Tragjedia komuniste nuk ashtë vetëm personale, as familjare; ajo ka dimensione universale, për të gjithë. Ajo tragjedi na ka bindë sa të aftë jemi na me damtue njeni tjetrin. Prandej, denoncimi i krimit ashtë nji imperativ kategorik moral!
Përgjigja e duhun ashtë kombinimi fatlum i ndershmënisë dhe i guximit civil. Le të jemi të hapun me vete, dhe me të tjerët, në nji përpjekje serioze dhe të qytetnueme me zbulue shkaqet e tragjedisë ma shumë se për dënimin e aktorëve të saj. Le të hjedhim bazat e nji shoqënie të re që nuk lejon përsëritjen e katastrofës në vendin tonë. Kurrë ma!
“Shqipëri, o Shqipëria e ime: Edhe në vorr kam me të kujtue!” Falemnderit!
============================================================
New York City, N.Y.USA 23.IX2016 Sami Repishti, Ph.D.
Komentet