I dashur Fotaq,
Së pari, të uroj gëzuar Vitin e Ri 2017: shëndet, suksese në krijimtarinë e begatë dhe mbarësi në familjen tënde të dashur.
Së dyti, urime nga zemra për librat që hodhe në qarkullim në vitin që lamë pas:
- për zbulimin e dy romaneve të Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”;
- për përkthimin mjeshtëror të të dy romaneve, në të cilat shqipja jote elegante e mahnit lexuesin dhe e bën që të mos i lëshojë nga dora.
- për studimin kritik hyrës për të dyja romanet. Në këtë punim ka dalë në spikamë talenti yt si një kritikë me nuhatje të hollë dhe me aftësi analitike të admirueshme.
Së treti, urime pë veprën madhore “Konica, përlindësi modern” [Fletore Koniciane]. Kjo është një vepër monumentale, në të cilën ti ke nxjerrë në pah figurën e shquar shumëpërmasore të gjigantit të kulturës dhe të mendimit filozofik shqiptar, Faik Konicës, i cili qoftë e thënë të ketë në të ardhmen ndonjë pasues të këtij formati.
Me botimin e kësaj vepre, i dashur Fotaq, e cila dëshmon më së miri për punën tënde të palodhur dhe këmbëngulëse, si edhe për pasionin tënd prej një hulumtuesi të paepur, ti i ke ngritur vetvetes një përmendore kuptimplote, e cila të nderon ty, familjen tënde dhe prejardhjen tënde me tradita të kryehershme atdhetarie. Me këtë vepër, ti, faqe publikut shqiptar, ke mbrojtur një temë, plotësisht të denjë për marrjen e një titulli të lartë shkencor.
Edhe një herë urime nga zemra.
Eshref Ymeri
Kolumbus, Ohajo
02 janar 2017
Jam i nje mendje me ju Prof. Eshrefi. Fotaq Andrea i meriton të gjitha vleresimet tuaja.