Përsëri një mbrëmje e bukur muzikore me plot emocion ishte sonte koncerti recital i pianistes Rejsi Prosi në kuadër të Festivalit Pianodrom.
Kultura e rafinuar pianistike Austriake, ku ajo vijon studimet, talenti dhe intelekti u pasqyryan në lojën e saj me nje unifikim krejt të natyrshëm e bërë njësh me ndjeshmërinë artistike të shpirtit të saj poetik.
Programi përfshiu vepra të shtrira në tre shekuj XVII, XIX dhe XXI.
Nga thellesia e Barokut patëm kënaqësinë të dëgjonim të plotë Partita-n nr1 të kompozitorit J.S.Bach. E gjithë muzika e gjeniut Bach si ajo vokale me karakter religjioz dhe ajo instrumentale me karakter laik ende sot frymëzon breza të tërë muzikantësh. Madje për instrumentistët interpretimi i saj është gur themeli në formimin profesionist. Të depërtosh në thellësinë e pasurisë ndjesore sa humane po aq dhe hyjnore, dhe ta aktualizosh me perceptimin personal, duke ruajtur karakteristikat stilistike te periudhës këtu qëndron dhe shkalla e vështirësisë. Rejsi Prosi na i ofroi me shumë kulturë tërë spektrin emocional të 7 pjesëve përbërëse të veprës. Bazuar në vallet e kohës ( Allemande, Courante, Sarabande, Gigue) ajo me një intuitë të ekuilibruar artistike dhe profesionalizëm nënvizoi bukur kontrastet e karakteret ndërmjet tyre.
Në veprën e dytë Suitë opus 118, J. Brahms, në tre pjesët e saj ( 1- Intermezzo, Alleggro non assai, ma molto appasionato. 2- Intermezzo, Andante teneramente. 3-Balladë, Allegro energico) pianistja pasqyroi me vërtetësi dhe frymëzim lirikën romantike të veprës. Me pasionet dhe frymen e saj poetike, përmes frazave të kënduara muzikore dhe shpirtit shpërthyes, ajo herë nënvizojë me nuancime tingujsh delikat e herë të fuqishëm gjerësinë e shprehjes emocionale.
Koncerti vijoi me tre pjesë nga Suita “Pour le piano” ( 1-Prelude, 2- Sarabanda, 3-Toccata) të K. Debussy). Perfaqësues i Impresionizmit, Deussy e kompozoi ne vitin 1901 dhe u interpretua premierë në 1902, vit ku platforma e tij ideoartistike ishte tashme e kristalizuar. Jo rallë kompozitori iu kthye formave dhe strukturave muzikore të periudhës së Barokut si dhe sistemeve krijuese të modeve mesjetare, si kundër peshë ndaj influencës së kompozitorëve romantikë gjermanë e kryesisht ndikimit të Richard Wagner- it.
Pianistja krahas shijes elegante franceze tek Preludi nënvizojë bukur e gjithë shpirt karakterin e ritmuar të tij. Krejt i ndryshëm ishte qëndrimi i saj tek pjesa e dytë Sarabanda, ku eleganca u përshfaq në mënyrë solemne, në përshtatje të karakterit të zhanrit, dhe vetëm tek Tokata ngjyrat e tingullit morën karakteristikën fluide, ndonëse u interpretua me energji të theksuar.
Në mbyllje të programit Rejsi Prosi interpretoi ,Sonatë nr 21, A. Peçi, premierë botërore, titulluar “Nklaj me Ujvara lotësh”.I frymëzuar nga eksodi tragjik i popullsisë Çame në vitin 1945 nga shovinizmi grek, kompozitori në këtë vepër sjell me nota dhimbjeje atmosferën e rënduar dhe gjëndjen e shqetësuar të situatës së krijuar, por dhe revoltën herë shpërthyese e herë të përmbajtur. E strukturuar në tre kohë do ta konsideroja veprën më të mirë të Peçit në këtë gjini. Krahas gjuhës shprehëse bashkëkohore, mbështetur mbi metodën e tij Kabaizmi eksperimentuar prej kohësh, mjeti këtu vihet plotësisht në shërbim të idesë dhe emocionit me sens mase dhe bukur. Si dhe ne veprat e lart përmëndura, po veçanërisht këtu, pianistja tregoi një shkallë të lartë pjekurie artistike. Konceptim fantastik, kulturë interpretative, teknikë brilante, ndjeshmëri, pasuri dhe bukuri tingulli, temperamnt, imagjinatë dhe fantazi të pasur, të gjitha së bashku me një lojë të frymëzuar dhe të vetëndjerë shpirtërisht. Gati gati dukej sikur luante veprën e saj. Vetëm një lojë e tillë ka forcën sugjestionuese e gjithë përfshirëse të publikut.
Kënaqësi dhe krenari njëherazi për të gjithë këtë brez të rinjsh instrumentistësh, që krahas skenave te europës vijnë e kontribuojnë tashmë si artistë të kompletuar edhe në sallat e vendit të tyre.
Faleminderit Rejsi Prosi!