Ndodhi ajo që i trembesha. Më shkrove përsëri. Sapo kisha marrë veten nga goditja e dy viteve më parë për “Shtatë shpirtrat e Terezës” dhe ja ku u gjenda në të njëjtën situatë, e mbytur nga bukuria dhe mirësia e fjalës tënde. Mbase gabohem, por me Terezën ti më zbulove mua në një tjetër dritë. Nuk e di pse atëbotë pata ndjesinë që zbulimi të tronditi. Kurse mua më tronditi entuziazmi yt. Befas dhe unë po zbuloja një tjetër Mondë. Befas u shtyva 50 vjet përpara. Isha në fillimet e profesionit të gazetares dhe duke qenë se mbuloja dhe sektorin e letërsisë puna më lidhte me shumë krijues. Me druajtjen e moshës i pata dhënë një gruaje shkrimtare dorëshkrimin e një novele që e kisha për zemër. “Ku i ishe fshehur botës, deri tani?” – më tha ajo tek ma ktheu, një javë më vonë. Dridhmat e atij çasti i ndiej edhe sot. E shijova si titull poezie një kohe të gjatë. Thelbin e fshehjes nuk e kisha prekur ende. Duke qenë se trokisja çdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve nga ekrani i vogël, duke qenë se emri im shfaqej në revistat dhe gazetat letrare të kohës, atë punën e të fshehurit e lexova si metaforë. E bukur sa më s’bëhet, por vetëm aq. Deri sa mbërriti Tereza … Në fillim fare ra në duart e poetes Elida Buçpapaj. Pra, “faji” zuri fill në Zvicër. I përshkoi 1.402.2 km, fjala e Lidës që e shpuri Terezën drejt botimit. Vazhdimi është histori, ku qyrkun e fajit e keni veshur me radhë, pa pyetur fare për emocionet e mia. Për natyrën e vet mund të konsiderohet më i pafajshmi ndër fajet e botës, i ngjizur në një oaz vlerësimesh ku përthyhen mrekullisht si në faqet e një prizmi, dashuria për njeriun, miqësia, ngjyrat e një shpirti të zhveshur nga zilia dhe ngasja për të mbjellë dy filiza lumturie dhe paqeje përmes fjalës së zgjedhur, me nurin e një orkideje …
Tani mund ta them se e kam zbuluar domethënien e metaforës së dikurshme. E zbulova me ndihmën e poetes Natasha Lako, që romanin e konsideron “artileria e rëndë”. Poetja, që dhe prozën e shfaq si poezi, e pangjashme me askënd për thellësinë e mendimit, e tha me bindje se bibliotekës shqiptare po i shtohej një “libër i fuqishëm”. Kësisoj e hodhi edhe ajo krahëve “qyrkun e fajit”. Zhuljeta Grabocka Çina i kushtoi romanit një analizë të mirëfilltë; Zhuliana Jorganxhi, një tjetër poete me ndjeshmëri të spikatur na kumtoi se e kishte gdhirë, në përpjekje për t’i shkuar deri në fund, sa më shpejt fatit të protagonistes. Edhe studiuesja e letërsisë, znj. Donika Omari nuk nguroi të hynte në oazin e vlerësimit, kur emrin tim e rreshtoi krahas penave të njohura të letërsisë shqipe. Në valën që rriste shtatin qëndroi edhe Vera Ibrahimi, që fjalën e bukur e mbështjell me përqafimin e saj aq tingëllues tek shkruan “të rroku fort.” E mori penën e më shkroi edhe Vllasova Musta dhe Eleni Laperi, prof. Ilinden Spasse, prof. Qemal Xhomo, regjisori Xhelil Aliu, gazetari Gezim Gjyrezi, dhe sa e sa lexues të tjerë, fillin e numërimit të të cilëve e kam humbur tashmë. Ja pra, ju shkruani për mua dhe librat e mi, ndërsa unë duhet të menaxhoj emocionet. Ta dish; nuk është fare e lehtë. Jo për ndjesinë e ëmbël me të cilën të mbështjellin, por për frikën e madhe që të kallin me dyshimin: Vërtet e meritoj të gjithë këtë? Ju e besoni, por unë nuk e kam këtë luks. Është ky dyshim që e ndan lexuesin me autorin dhe ndodh që pas vrullit të ngazëllimit triumfues, vjen çasti kur shkrimtari ndihet në darën e ballafaqimit me veten. Nuk më bind ajo që thuhet se “shkrimtari shkruan për qejf të vet”. Ngjan si snobizëm. Për mua, krijuesi shkruan se e ka të nevojshme ta nxjerrë “përbindëshin” që e mundon, por e di se lexuesit janë pjesë e pasqyrës ku atij do t’i duhet pastaj të shihet për një kohë të gjatë. Mbase deri në botimin e një vepre tjetër. Unë ende jam para pasqyrës. Ndërkohë që “fajtorët” që më kanë nxitur në aventurën e shkrimtarisë janë bërë aq shumë. Janë me qindra. I lexova dhe i rilexova emrat, me dëshirën e mirë, t’i bëj pjesë publike “të fajit të përbashkët”, por rezultoi një sipërmarrje e pamundur. Ama dua ta dinë, se emrat e tyre i kam të skalitura, qoftë kur flasin, qoftë kur thjesht reagojnë, në heshtje. Dëshiroj ta dinë që përkulem para tyre dhe mirënjohjen ua përcjell me të njëjtën frymë besimi dhe konsiderate. Pa përjashtim. Ama, dua të veçoj prof. Viktor Bakillarin, i cili një ditë më shkruante se lexuesit “duhet të konsiderohen me fat, që kanë pasur në duart librat e mi”. Tani më thuaj, ç’të bëj pas kësaj? Besomë pra, se ndihem “e mbytur” nga ky lumë vlerësimi. Që mbase do të ndalet vetëm kur ndonjë nga ata të kritikës letrare të kuturisë ta marrë seriozisht krijimtarinë time dhe ta qëllojë me top. A thua do t’ia arrij asaj dite? Po ndodhi kjo, lumi i vlerësimit do ta shterë rrjedhën e vet dhe qyrku i fajit do të lehtësohet mbi supet e secilit prej jush, që deri tani më bëtë të besoj se kam lindur për të shkruar. Sa të vijë ai çast, le të nanurisemi me ndjesitë tona. Prandaj të lutem, ty dhe Irena Donos! Hiqeni brengën që ju shkakton bindja se letërsia ime meriton me shumë. E di që ju duket e padrejtë, që mua nuk më ftojnë gjëkundi; që nuk shfaqem nëpër ekrane dhe faqe gazetash. Nuk do të qe keq, por duhet ta dini se akullin e ka thyer, në fillim një gazetare me emrin Valeria P. Dedaj, që më la mbresa të pashlyera me profesionalizmin e saj. Më tej, qershia mbi tortë, një tjetër talent gazetaresk, Rezarta Reci, me vështrimin rrëzëllues si yjet në netët e beharit; njësoj si buzëqeshja e saj. Autorja e “Zërave të Mesnatës”, më ftoi një mbrëmje dhe kuvenduam jo vetëm për letërsinë. Ishte një mbrëmje magjike. Oh, le të qëndrojmë këtu një çast … Përtej ekraneve dhe gazetave, do të doja të përjetoja një tjetër qasje të lexuesve të mi. Sikur të ndodhë magjia dhe një grup prej miqve tanë të përbashkët, po imagjinoj 200 prej tyre, tek vrasin mendjen për dhuratat e fundvitit, të pushtohen nga dëshira të paketojnë romanin “Koha në mes” pranë librarive #Adrion dhe #Albania. Urimet festive dhe libri im bashkë me to. Edhe po të mos jetë “Koha” ime, çfarëdo libri dhuratë është një pikë kulmore e qytetërimit. Përfytyrimi im tani merr krahë… Ky trill i bukur si vetë arti dhe letërsia do të gjizë lajmin se romani “Koha në mes” me autore Raimonda Belli Gjençaj nuk gjendet në treg. Pa shih! Një mungesë në treg që bën të gjallojë ngazëllimi. Drithëruese, apo jo? Ç’do të bëhej me emocionet e mia? As ia kam idenë. Sidoqoftë, po qe se ndodh, numri “i fajtorëve” do të rritej, në proporcion të drejtë me Lumin e Vlerësimit. Mua do të më hapej punë për të ringritur Digën që do të presë vërshimin e ri. Por nuk do ta bëj vetëm. Do t’i them dhe Mariana Ymerit të më japë një dorë se dhe ajo ka pjesën e vet të “fajit”, që më hapi katër kanat, dyert e Shtëpisë Botuese #Dituria. Të siguroj, që emrat e të gjithëve do t’i skalis në murin e Digës. Ndërkohë po të kumtoj se Farat e Luleve që m’i dërgoi Natasha Lako, i mbajta në pëllëmbën e dorës deri sa ia dola t’i mbillja në Kopshtin e Kujtesës. Në pritje që të lulëzojnë dhe të frymojnë të vërtetën lapidare se letërsia nuk është vetëm laps dhe letër. Është një marrëdhënie njerëzore mahnitëse dhe unike, siç ju të gjithë ma keni dëshmuar.
Me mirënjohje, Monda
Komentet