Pas “alarmit” të Shoqatës së Prodhuesve së Birrës Vendase për mbylljen përkohësisht të disa fabrikave në vend, operatorët paralajmërojnë për transferim të prodhimit në Serbi.
Arsyeja mbetet kostoja e larte nga dyfishimi i akcizës nga 1 janari dhe shtrenjtimi i lëndës së parë (birra malto dhe ambalazhimi), që solli rritjen e çmimeve të birrës vendase më shumë se ajo e importit.
Një prodhues pohoi për “Monitor” se do të shohë mundësinë e zhvendosjes së fabrikës drejt Serbisë, pasi investimi është më i leverdishëm nga kostot prodhuese dhe subvencionet nga shteti.
“Me politika rritje taksash, siç ishte akciza që u barazua me nivelin e importuesit, vendosje gjobash, kontrolle pafund dhe pakuptim të tatimeve, doganave dhe AKU, do të shohim mundësinë e hapjes së fabrikës në Serbi. Për të vetmit që ndiejmë keqardhje janë punonjësit tanë. Situata në sektorin prodhues të birrës ka hyrë në krizë.”
Përveç rritjes së akcizës, nga 1 janari prodhuesit u goditën edhe nga rritja e çmimit të birrës malto të importit. Më 1 janari 2022 çmimi i birrës malto të importuar ishte 420 euro/Ton, ndërsa nga 1 janari 2023 po shitet dyfish më shtrenjtë (duke përfshirë edhe rritjen e çmimit pas nisjes së Luftës Ukrainë-Rusi).
Më herët, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve shqiptarë, Stefan Pinguli, thote se për shkak të shtrenjtimit të kostove, mungesës së shitjes nga zgjerimi i tregut të birrës së huaj me çmim të ulët disa fabrika mbyllën prodhimin për muajt janar-shkurt. Pinguli shtoi se dyfishimi i akcizës rrezikon të zhdukë prodhimin shqiptar, për shkak të shtimit të peshës së birrës së importit. Sipas tij pesha e importit rrezikon të arrijë deri në 80% të tregut.
Për 2022 sipas të dhënave të Doganave prodhimi i birrës vendase u ul lehtë 2% në krahasim me 2021, ndërsa importet u rritën 4%. Pesha e importeve në konsumin e birrës për 2022 është 56% nga 44% që ishte rreth 1 dekadë më parë.
Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.
Ndryshimet e ligjit të akcizës u shoqëruan me debate të forta nga grupet interesit. Shoqata e Prodhuesve të Birrës Vendase bëri disa herë thirrje në seancat dëgjimore të komisioneve parlamentare se masa e re fiskale do të falimentonte sektorin dhe rrezikon të nxjerrë 1,000 persona të papunë.
Nga Ministria e Financave u argumentua se ky diferencim ka favorizuar prodhuesit vendas, si dhe bazuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ka krijuar dhe hapësira për shmangie nga detyrimet e akcizës.
“Gjithashtu, ka bërë që prodhuesit e vegjël të mos tentojnë të rrisin prodhimin me qëllim ruajtjen e nivelit të ulët të akcizës”, citohet në relacionin e ligjit të parashikuar.
Efekti i parashikuar në buxhetin e shtetit nga rritja e akcizës është rreth 260 milionë lekë shtesë.
Monitor