Që nga 7 tetori, unë, si të gjithë spektatorët e morisë së tryezave televizive, të kushtuara asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme, presim që ndonjëri ndër pjesëmarrësit e panumurtë të prirur për të kritikuar për shkaqe të ndryshme kundërveprimin e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit, të na shpjegojë ai se cila do të duhej t’ishte përgjigja e drejtë simbas mendimit të tij të ndritur. Ajo që ka ndodhur është e njohur: në një mëngjez të tmerrshëm Izraeli zgjohet nën një shi raketash.
Jo vetëm aq por me dyqind qytetarë të tij, gra pleq e fëmijë të rrëmbyer e të tërhequr si pengje jashtë kufijve, e njëmijë të tjerë të masakruar në mënyrat më rrënqethëse. Kundërvepron, po kundërvepron tani, në mënyrën që e dijmë. Por nuk kalon as edhe një minut e ngrihet një kor kritikash që bëhet çdo ditë e më i lartë: kundërveprimi i Izraelit është i gabuar, tejet i gabuar, ka një pasojë kundërprodhuese dhe të shpërpjestuar, ve në krizë “marrëveshjet e Abramit”, bën të tërbohen sheshet arabë, dhunon të drejtat e njeriut, merret me palestinezët e Gazës e jo me Hamasin (rastis që Hamasi qeveris Gazën: është njëlloj sikurse më 1943 ndonjeri të qortonte Britaninë e Madhe se zbrazte tonelata bombash mbi gjermanët në vënd që t’i ruante ato për nazistët) e qortime të shumta.
Mirë. Por cila ishte mundësia për Shtetin hebraik? Cila duhej t’ishte, cila duhet të jetë atëherë përgjigja e “arsyeshme” simbas kritikëve të tij? Kundërveprimi me letrat në rregull? Cila duhej, duhet të bëjë Izraeli, cili duhej t’ishte veprimi i tij, i përputhshëm, i “përshtatshëm”?
Nuk e dijmë, sepse së paku në njohjen time, në aqë orësh trasmetimesh televizive komentesh, përimtimesh dhe stërhollimesh të çfarëdo lloji, asnjëri nga kritikët e lartpërmëndur nuk e ka ndjerë për detyrë t’a thotë. Të na thotë se çfarë do të kishte bërë ai në vënd të Netaniahut. Ashtu sikurse vazhdon të mos e thotë asnjëri prej të shumtëve që në gazeta, nga karriket e Parlamentit, në çdo seli, e quan të tepruar, mizor, luftënxitës, e sidoqoftë të gabuar veprimin e Izraelit të ndërmarrë kundër armiqve të tij për jetë a vdekje.
Është një heshtje kuptimplotë. Por jo vetëm si dëshmi e kulturës së mangët ushtarake ose mungesës së fantazisë strategjike tek protagonistët e bisedës sonë publike; dhe as për faktin që natyrisht, siç është e dukëshme, mbulon në të vërtetë kundërshtinë e gjërë e të pashuar që rrethon Shtetin hebraik në një pjesë të rëndësishme në Vëndin tonë. Jo për të gjithë këtë, por sepse është një heshtje që flet për një pafuqi, pafuqinë e ne evropianëve. E di se për shumicën e opinionit tonë publik tema është një tabu, por nuk vlen t’i sillemi vërdallë. Ajo heshtje ka në thelb lëndën e hidhur të dorëzimit. Ajo dëshmon faktin që në këtë pjesë të Perëndimit nuk arrijmë as të përfytyrojmë se në çfarëdo rrethane, për çfarëdo zhvillimi të ngjarjeve, mund të jetë nevoja e përdorimit të armëve. Një përdorim armësh të vërteta, ai në të cilin luftohet për jetë apo për vdekje. Ose ndoshta për diçka akoma më të rëndësishme: për të mos humbur dinjitetin, për të vazhduar së qëni
vetvetja, për të vlejtur diçka.
Është tabuja e luftës, iluzioni i paqes së përherëshme që opinionet publike evropiane kanë mundur të ushqenin për gjysmë shekulli, të mbrojtur me siguri nën mbulojën e arsenalit atomik amerikan, madje duke marrë edhe lluksin të organizojnë edhe shfaqje të herëpasherëshme protestash kundër tij. Natyrisht në emër të paqës.
Është tabuja e luftës, mospranimi i armëve ndërsa rritet çdo ditë rreth nesh numri i Vëndeve që duket se synojnë në përdorimin e tyre. Ajo tabu që bën që gjithmonë ne evropianët në arenën botërore të vlejmë pak ose aspak, të mos kemi asnjë zë në kapitull, asnjë politikë të jashtëme. Kështu që sot për shembull vetë Ukraina, edhe se ndonjë ndihmë ushtarake po i a japim, gjithsesi e din mirë se në mbështetjen tonë nuk mund të ketë asnjë farë besimi, që vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe janë me të vërtetë në anën e saj.
Heshtja e mjaft politikanëve tanë e i shumë komentatorëve ka të bëjë me përgjigjen e përshtatëshme që, simbas tyre, Izraeli do të duhej t’i jepte sulmit të Hamasit e asgjë tjetër, që heshtja e atij që është tashmë kaq i huaj përballë përmasave të rrezikut e të kërcënimit para së gjithash nga ana psikologjike, e të ndeshjes së mundëshme ushtarake pasuese, që në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk di se çfarë të thotë. Që nuk arrin as të përfytyrojë se çfarë duhet ose nuk duhet bërë në disa rrethana. Është heshtja e Evropës , heshtja e asgjësë.
“Corriere della Sera”, 22 tetor 2023 Përktheu Eugjen Merlika