Kthimi i historisë. Qeveritarët evropianë mbajnë gojët e kyçura por të gjithë e kanë frymën të mbajtur. Në presidencialet e nëndorit do të fitojë Kamala Harris apo do të fitojë Donald Trump-i? Pasiguria është shumë e madhe, hamendësohet një ndeshje deri në votën e fundit. Fati i Evropës (e natyrisht i të gjithë botës) mund të mbetet i varur në një grusht miratimesh zgjedhore në pak Shtete amerikanë në zgrip.
Skenari i parë: fiton Kamala Harris. Evropa ka një frymëmarrje lehtësimi. Çmohet vazhdimësia. Nuk priten ndryshime të mëdha ndërmjet qëndrimit ndërkombëtar të Administratës Biden dhe një Administrate të hamendësuar Harris. Ukraina do të vazhdojë të gëzojë ndihmën amerikane, NATO nuk do të humbë funksionin e lidhjes ushtarake të botës perëndimore. Por çdo medalje ka edhe pamjen e saj të mbrapme. Lehtësimi për humbjen e Trump-it nuk duhet t’u bëjë evropianëve të harrojnë faktin që Amerika nuk është më ajo kohëve të shkuara, që rrudhja në paraqitjen e saj ndërkombëtare kishte filluar me presidencën e Barak Obamës (perkrahës i Harris), që veç asaj Harris apo Trump nuk përbën ndryshim – përparësia strategjike e Shteteve të Bashkuar është sot përballimi i Kinës. Shemëria n’Azi do të kishte gjithmonë përparësinë edhe me një Administratë demokratike, në krahasim me atë që ndodh në fusha të tjera të lojës.
Një komentator i njohur amerikan, Walter Lippmann. Thonte se sekreti i politikës së jashtëme qëndron në të mbajturit e barazpeshës ndërmjet zotimeve ndërkombëtare e rezervave që zotërohen.
Në një fazë rënieje relative të fuqisë amerikane, rezervat që zotërojnë Shtetet e Bashkuar janë rrudhur e zotimet duhet të zvogëlohen.
Edhe me një Administratë Harris nuk do t’ishte m’e pakët për Evropën kërkesa për të bërë shumë më tepër se sa bën sot për t’u kujdesur për sigurinë e saj. Megjithatë euforia për humbjen e Trump-it, ndijimi i shpëtimit nga rreziku, mund t’i hiqnin kthjelltësi evropianëve, t’i nxisnin për të shtyrë më tutje vendimet politikisht të kushueshëm.
Skenari i dytë: fiton Trumpi. Një cunami. Në Ukrainë, me gjasë, lufta do të përfundonte me kushtet e Putinit. NATO do të hynte në krizë. Trumpi nuk e ka fshehur kurrë se i quan evropianët jo si një rezervë , por si një top në këmbë, një klub parazitësh. N’Evropë fitorja e Trumpit do të elektrizonte rrymat kundër-perëndimore (filo-putiniane). Armiqtë e Perëndimit , Rusia, Kina, Irani, xhihadistët me prejardhje nga çdo pjesë e botës islamike, do të kuptonin me kënaqësi se Evropa është e dobët, në vështirësi, e lakmueshme. Një shënjestër e kollajtë.
Për arsyet e mësipërme, me fitoren e Trumpit n’Evropë do të përhapej paniku. Paniku ndonjëherë shtyn zgjidhjet e drejta. Në këtë rast zgjidhja e drejtë do t’ishte fuqizimi i lidhjes s’Evropës. Mbi të gjitha, do të duhet të kalohej nga fjalët në fakte në fushën e mbrojtjes evropiane: të ndërtohet e famëshmja “këmbë evropiane” e NATO-s me shpresë se edhe se e lënduar NATO-ja do të mund t’i mbijetonte madje edhe Trumpit. Por paniku, herë herë nuk nxit të bëhen zgjedhjet e drejta. Nën moton “të shpëtojë kush të mundë” evropianët mund të lëviznin secili për vete, duke kërkuar për hesap të vet shpëtimin. Një gjë është megjithatë e sigurtë. Duke mbajtur parasysh çinteresimin e përçmimin e Trumpit për marrëveshjet shumëpalëshe, qeverive evropiane do t’u duhej të bisedonin, secili për hesap të vet, kushtet e marrëdhënieve të reja me Shtetet e Bashkuar. Mund të vihet bast se Trumpi do t’i “injoronte” autoritetet e Brukselit e do të pranonte traktativat vetëm me qeveritë kombëtare.
Për shembull Italia do të duhej të negocionte individualisht me Administratën amerikane për shumë proçese të ndryshëm ekonomikë. Veçanërisht, me që rreziqet më të mëdha për vendin tonë vijnë nga bregu i Jugut i Mesdheut, Italia do të kërkonte t’i shkëpuste Trumpit më të mirën e mundëshme për mbulesën e mbrojtjen ushtarake në këtë rajon.
Është e natyrshme që qeverive evropiane edhe se (me të drejtë) shmangen për t’a thënë haptas, u intereson një fitore e Harris, por ato e dijnë se nëse fitorja i shkon kundërshtarit të saj duhet të mos e japin veten.
Mund të fitojë Harris ose mund të fitojë Trumpi. Por ka mundësi që të ketë një tjetër skenar të mundshëm. Kamala Harris fiton për një qime e Trumpi nuk e pranon humbjen. Pason një periudhë çrregullimesh e dhune. Me paturpësinë e tij tradicionale ai mund të padisë votime të fallsifikuara, makar duke përmendur rastin e Venezuelës ( në të cilin fallsifikimi ka qënë i vërtetë). Një Amerikë prè e çrregullimeve do të ishte ndërkombëtarisht tejet e dobësuar, më parë se të rivendoseshin qetësia dhe rendi. E shumë rreth botës do të kishin përfituar.
Madje edhe në eventualitetin më të dobishëm, pra nëse do të fitonte Harris, evropianët do të duhej të përvishnin mëngët për t’u kujdesur më shumë për veten e tyre. Nëse politika do t’ishte një lojë e zotëruar vetëm nga llogari t’arsyeshme lojtarët evropianë do të kishin ditur se çfarë duhet bërë e do t’a kishin bërë. Por në politikë llogaritë e arsyeshme duhet të ndeshen me pasionet, paragjykimet, përtacitë mendore, vështrimet e shtrembëruar të fakteve, mbrojtjen skajore të interesave të njëpërnjëshme edhe se kjo do të rrezikonte interesat afatgjata. Ka gjithmonë një zhvendosje ndërmjet asaj që do të duhej bërë e asaj që mund të bëhet.
“Corriere della Sera”, 3 gusht 2024 Përktheu Eugjen Merlika