Radio Evropa e Lirë
Ukraina e ka akuzuar Rusinë se e ka sulmuar një digë të madhe në lumin Dnjepër në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia. Pas këtij sulmi, Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë, shkaku i rrezikut për përmbytje masive.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë.
“Terroristët rusë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo qoshe e tokës ukrainase”.
“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky.
Agjencia ukrainase e energjisë nukleare paralajmëroi se shkatërrimi i digës Nova Kahovka mund ta rrezikojë centralin bërthamor në Zaporizhja, që përdor ujë nga ky rezervuar për procesin e ftohjes së reaktorëve bërthamorë.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se është duke e monitoruar situatën dhe shtoi se “nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë” në centralin bërthamor.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmi ndaj digës e tregon “edhe një herë brutalitetin e luftës ruse në Ukrainë”.
“Shkatërrimi i sotshëm i digës Kahovka i rrezikon mijëra civilë dhe shkakton dëme të mëdha në ambient”, tha Stoltenberg.
Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit i konfirmoi raportimet për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
“Brenda pesë orëve, niveli i ujit do të arrijë një nivel kritik. Ka filluar evakuimi nga zonat e rrezikshme. Unë u bëj thirrje veçanërisht banorëve në bregun e majtë [të Dnjeprit]: bëni gjithçka që është e mundur për ta mbrojtur veten dhe për ta shpëtuar jetën tuaj. Largohuni menjëherë nga zonat e rrezikshme”, tha Prokudin në Telegram.
“Unë mund ta konfirmoj se shpërthimi [ka ndodhur]…. Të gjitha shërbimet janë duke punuar. Situata po monitorohet. Hidrocentrali u hodh në erë nga pushtuesit”, i tha Radios Evropa e Lirë Natalia Humenyuk, zëdhënëse ushtarake për forcat jugore të Ukrainës.
Shefi i Këshillit Evropian të BE-së, Charles Michel, u zotua se Rusia do të mbahej përgjegjëse për “krimin e luftës” të shkatërrimit të infrastrukturës civile.
Kreu i administratës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, e akuzoi Rusinë për “ecocid” – shkatërrim të ambientit përmes veprimeve të qëllimshme apo neglizhente të njerëzve – në një mesazh në platformën Telegram.
“Një tjetër krim lufte nga terroristët rusë. Ky është ecocid”, shkroi Yermak.
Niveli i ujit në qytezën pranë digës së shkatërruar mund të rritet për deri në 12 metra, tha kryetari i kësaj zone i emëruar nga Rusia, Vladimir Leontyev. Autoritetet thanë se niveli i ujit pritet të rritet përgjatë 72 orëve të ardhshme.
Diga, e ndërtuar në vitin 1956, është rreth 30 metra e lartë dhe rreth 3.3 kilometra e gjatë. Qëllimet e saj parësore janë prodhimi i energjisë, ujitja dhe navigacioni.
Ministria e Energjisë e Ukrainës ka thënë përmes një deklarate se shkatërrimi i digës nuk e rrezikon furnizimin energjetik të vendit pasi që “elektriciteti i prodhuar është i mjaftueshëm për t’i mbuluar nevojat e konsumatorëve”.
Incidenti në Herson pason mohimet nga Kievi për pretendimet e Rusisë se forcat e saj e kishin zmbrapsur një ofensivë të shumëfisht ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut.
Kievi i hodhi poshtë këto pretendime, duke i quajtur atë një përpjekje për dezinformim ndërsa mohoi se kishte nisur kundërsulmin e shumëpritur për të rimarrë territorin e humbur që nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit 2022.
Megjithatë, Kievi tha më 5 qershor se forcat ukrainase po “kalonin në veprime sulmuese” në disa zona dhe po kryenin operacione në shkallë të vogël.
Pretendimi rus, i cili erdhi pasi Zelensky i kishte thënë mediumit amerikan Wall Street Journal dy ditë më parë se forcat ukrainase ishin gati për kundërsulm, nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë dhe u mohua nga ushtria ukrainase.
Ushtria ukrainase tha se Rusia përdori video dhe fotografi të vjetra “si dhe materiale të tjera të rreme” në raportin e saj në lidhje me kundërsulmin e supozuar, në të cilin zyrtarët rusë thanë se Ukraina pësoi humbje të mëdha.
Më herët, më 5 qershor, Ministria ruse e Mbrojtjes lëshoi një video-deklaratë duke thënë se forcat ukrainase i sulmuan pesë pika në Donjeck duke përdorur gjashtë batalione të mekanizuara dhe dy tanke, por tha se sulmi i tyre “nuk pati sukses”.
Në deklaratë thuhej se shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, gjenerali Valery Gerasimov, e ka mbikëqyrur personalisht mbrojtjen ruse.
Gjenerali Oleksandr Syrskiy, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, tha më 5 qershor se forcat ukrainase vazhduan të përparojnë pranë Bahmutit, qytetit që ka qenë epiqendra e luftimeve disamujore për marrjen nën kontrollin të rajonit të Donjeckut. Por, ai nuk përmendi nisjen e një kundërofensive.