Populistët evropianë, që nuk këmbëngulin më në braktisjen e Bashkimit Evropian, por në ndryshime brendapërbrenda, janë në rritje përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, shkruajnë mediat perëndimore.
Pesëmbëdhjetë vjet nga zgjerimi i fundit i madh i BE-së me dhjetë vende të reja, vizioni i bllokut e ka humbur shkëlqimin e tij, shkruan CNN.
Sipas këtij rrjeti televiziv, votuesit në gjithë Bashkimin Evropian, nga 23 deri më 26 maj, do të zgjedhin 751 deputetë të Parlamentit Evropian, por, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, shumëçka është në duart e euroskeptikëve.
Sondazhet e fundit sugjerojnë se partitë euroskeptike mund të fitojnë deri në 35% të Parlamentit Evropian, shkruan CNN, duke shtuar se zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, i cili qeveris në koalicion me lëvizjen populiste Pesë Yjet, me muaj përpiqet t’i bashkojë partitë euroskeptike.
Nëse është i suksesshëm, ai do të mund të krijojë një bllok të madh, nëse jo më të madhin, brenda parlamentit të BE-së, vlerëson CNN, duke kujtuar se populistët aktualisht qeverisin në shumë vende të botës: Itali, Austri, Estoni, Hungari, Poloni, në disa pjesë të Gjermanisë, e madje edhe në SHBA.
Gazeta britanike Observer shkruan se populizmi nacionalist është në rritje në gjithë Evropën dhe se Britania e Madhe nuk përbën përjashtim.
Observer citon anketat që tregojnë se partia e Brexit-it, apo e daljes së Britanisë nga BE-ja, kryeson në prag të zgjedhjeve evropiane.
Ky sukses, shkruan Observer, është pjesërisht pasojë e aftësisë së populistëve për të shfrytëzuar pakënaqësinë publike.
Udhëheqësi i kësaj partie, Nigel Farage, ka nxitur ndjenjën anti-BE pa ofruar zgjidhje konstruktive dhe duke u zvarritur shpesh në gënjeshtra, shkruan Observer. Por, sipas gazetës, politikanët e partive në pushtet, “në mënyrë qyqare” kanë zgjedhur të luajnë me notat e tij, duke e bërë më të lehtë për politikanët të mashtrojnë dhe të gënjejnë pa pasoja.
Gazeta Washington Post kujton se Emmanuel Macron e ka fituar presidencën franceze në vitin 2017 me një platformë pro-evropiane, porse, dy vjet më vonë, shkruan gazeta, ai dhe partia e tij mund të dobësohen, marrë parasysh rezultatet e dobëta në zgjedhjet lokale dhe forcimin e partive nacionaliste në Francë dhe Evropë.
Komentuesit e politikës së jashtme franceze, por edhe disa nga kampi i Macronit, thonë se ai është mbështetur shumë në aleancën franko-gjermane, e cila për kohë të gjatë është konsideruar “motor” i BE-së. Por, sipas gazetës Washington Post, kjo aleancë nuk ka prodhuar ende ndonjë rezultat të rëndësishëm.
Duke e bërë këtë, shkruan gazeta, Macron e ka lënë pas dore pjesën tjetër të Evropës, përfshirë vendet që mund të kenë qenë të gatshme për partneritet, por që tani ndjehen të braktisura.
Më pak se dy javë përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, disa ueb-faqe të lidhura me Rusinë ose me grupet e ekstremit të djathtë shpërndajnë informacione të rreme, duke zvogëluar besimin në partitë e qendrës, që me dekada janë në pushtet, shkruan New York Times.
Është pothuajse e pamundur të përcaktohet sasia e dezinformatave, pasi që miliona njerëz kanë parë materiale të tilla në Facebook, Twitter dhe WhatsApp, shkruan New York Times dhe shton se nuk është e qartë nëse një material i tillë mund të ndikojë në vendimet e votuesve.
Parlamenti Evropian, së bashku me Këshillin e Ministrave të shteteve anëtare, është përgjegjës për bërjen e ligjeve dhe miratimin e buxheteve.
Parlamenti Evropian po ashtu luan rol në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me vendet e tjera, përfshirë ato që duan të anëtarësohen në bllok. Zgjedhjet për këtë institucion mbahen çdo pesë vjet.
Komentet