Java e parë e Majit na risjell në mëndje Europën, historinë, identitetin, kontributet e saj botërore, vlerat mbi të cilat ngrihet, sfidat me të cilat përballet. Është një javë meditimesh, por edhe reflektimesh për atë që është bërë mirë, që nuk është bërë mirë ose që mund të bëhet ndryshe. Me fjalë të tjera, java e parë e Majit të cdo viti është ‘Europa, mësime për të mos u harruar’.
Themelet e Europës, baza të qytetërimit botëror
Për shumë shekuj qytetërimi botëror ka patur në qëndër të formësimit të tij Europën. Prej këtij Kontinenti të lashtë kanë nisur dhe kanë marrë formë ato lëvizje të mëdha që kanë hedhur themelet e Kontinentit dhe prej tij janë hedhur themelet e mbarë qytetërimit planetar. Për qindra vite Bota e ka patur Europën në qendër të frymëzimit të saj. Eurocentrizmi ka qënë forca e rëndesës që ka krijuar dhe nxitur përparimin anë e mbanë botës, nga Lindja në Perëndim, nga Veriu në Jug.
Rilindja Europiane është lëvizja e parë madhore që u pasqyrua në mbarë qytetërimin botëror. Ajo ishte një nga periudhat që realizoi kalimin e Europës nga Mesjeta drejt modernitetit, përgjatë shekujve XV dhe XVI. Rilindja solli ndryshime të jashtëzakonshme shoqërore, duke hedhur dhe themelet e Europës moderne. Rilindja solli risi të pafundme në kulturë, art dhe letërsi. Rilindja nga shumëkush është konsideruar si revolucion human, intelektual dhe shpirtëror, duke marrë si shembuj gjenialitetin e Leonardo Da Vinci-t dhe Michelangelo-s, bashkëkohësve dhe pasuesve të tyre në Itali dhe në mbarë Europën. Rilindja pati karakteristikat e saj të spikatura dhe unike, të cilat përfshinin ringjalljen e interesit për botën antike, Greke dhe Romake, ngritjen e filozofive humaniste, pra me njerin në qendër, vlerat, botën dhe interesat e tij, si besimi në vetvete, qënia dhe dinjiteti njerëzor, bashkë me ndryshimet rrënjësore në idetë rreth fesë, politikës dhe shkencës. Rilindja Europiane la pas si trashëgimi tre vlera madhore në themelet e Europës – humanizmi, individualizmi dhe skepticizmi ose racionalizmi, vlera të cilat u pasqyruan gjërësisht përmes arkitekturës, letërsisë, pikturës, skulpturës dhe shkencës së kohës. Rilindja mbetet guri i parë themelor i Europës moderne.
Reformimi përbën lëvizjen e dytë madhore që hodhi themele të reja mbi mugëtirën e Mesjetës, që nxorri në dritë sekularizmin, racionalen, përparimtaren. Reformimi ishte një lëvizje e fuqishme që pasoi Rilindjen, vazhdoi vlerat e saj dhe përparoi me ndryshime të thella transformuese në fe dhe në politikë. Refomimi që preku hapësirën krishtere të Europës Perëndimore, solli ndryshime reformuese mbi Kishën Katolike Romake, në doktrinën dhe praktikat e saj, dhe veçanërisht në autoritetin e Papës. Reformimi si lëvizje e fuqishme Europiane nisi nga fillimi i shekullit XVI në Gjermani, i udhëhequr nga Martin Luteri. E njohur gjërësisht si protestanizëm, kjo lëvizje e fuqishme e ndau Kishën Katolike tradicionale nga ajo reformiste. Reformimi ishte akt reformues i shtetit, politikës dhe i Kishës, ishte hapje e rrugës për sekularizmin e shtetit, shoqërisë, edukimit dhe shkencës. Kjo lëvizje do e përgatiste Europën drejt demokracisë moderne, skepticizmit, kapitalizmit, individualizmit, te drejtave civile dhe shumë vlerave të tjera që shquhen deri në ditët tona. Reformimi protestant ngjalli brenda Kishës dhe mbarë shoqërisë pasionin për dijen dhe shkencën, për laicizmin dhe metafizikën.
Iluminizmi shënoi lëvizjën e tretë madhore që la pas absolutizmin dhe nxorri në dritë të drejtën e arsyes, legjitimes, demokracisë dhe vlerave të saj në shekujt XVII -WVIII. Iluminizmi Europian ishte me ndikime të jashtëzakonshme në Kontinent dhe në botë, në kohën kur ndodhi dhe në të ardhmen. Kjo lëvizje përfshiu një tërësi idesh, të cilat vinin në qendër të tyre arsyen e sovranitetit shtetëror, të rëndësisë së burimeve kryesore të dijës, arsyes dhe logjikës bashkë me ideale të tilla të përparuara liria, përparimi, toleranca, vëllazëria, qeverisja kushtetuese dhe ndarja e Kishës nga Shteti. Iluminizmi hodhi themelet e gjashtë ideve të mëdha që kishin të bënin me idealizmin, liberalizmin, republikanizmin, konservatorizmin, tolerancën dhe përparimin shkencor. Këto ide brilante hodhën themelet e demokracisë, legjitimitetit të pushtetit nëpërmjet votes së lirë, ndarjes së pushteteve dhe lirive universale të njeriut; ato ishin me ndikim në Evropë si dhe në realizimet madhore dhe unike në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Intelekualët iluministë si John Locke, Volter dhe Rousseau zhvilluan idetë racionaliste, empiriste, progresiste dhe kozmopolitaniste. Më tej, idetë e iluministëve Europiane i zhvilluan dhe i realizuan në praktikë Etërit themelues të SHBA-ve. Kështu, iluminizmi frymëzoi lindjen e një sistemi të ri politik kundër absolutizmit, si sistem i vjetëruar pa legjitimitet, pa arsye, pa dobi, pa drejtësi dhe pa begati. Iluminizmi frymëzoi Revolucionin Francez më 1789 dhe më tej Revolucionin Amerikan. Këto dy revolucione i paraprinë sistemit demokratik, qeverisjes legjitime, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, lirive dhe të drejtave të njeriut dhe ekonomisë se tregut të lirë.
Revolucioni industrial shënoi lëvizjën e katërt në Evropë; ai shkëputi sistemin ekonomik nga trashëgimia feudale pronësore dhe nga marrëdhëniet e punës të ngritura mbi token; ai hodhi themelet e industrializimit dhe revolucionarizoi sistemin ekonomik, tregëtinë, infrastrukturën, urbanizimin, teknikën, teknologjinë dhe shkencën bashkë me organizimin social. Revolucioni Industrial shënoi një tranzicion të thellë ekonomik e social në Europë dhe në Amerikë në fund të Shekullit të WVIII dhe gjysmën e parë të Shekullit të XIX. Revolucioni industrial, i përkufizuar nga dijetari Arnold Tojnbi filloi në Angli dhe më pas u përhap anë e mbanë botës. Ky revolucion transformoi ekonominë e mbështetur në bujqësi dhe artizanat në një ekonomi të bazuar gjërësisht në industrinë mekanikë dhe sistemin e fabrikave. Makina të reja, burime të reja energjie, mënyra të reja të organizimit të pronës dhe punës e bënë industrinë prirëse të zhvillimit ekonomik e social, më prodhuese dhe më efikase. Gjithashtu, ky revolucion i madh ndikoi në shtimin e popullsisë, rritjen e standarteve te jetës së njerëzve dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore.
Gjithsesi, vala e parë e revolucionit industrial u shoqërua edhe me pasoja negative – kushtet e rënda të punës dhe të jetës së punëtorëve, pagat e tyre të ulta, orët e zgjatura të punës, puna e fëmijëve, ndotja apo edhe shkatërrimi i mjedisit. Valët e tjera të revolucioneve industriale do vinin dukë zgjeruar vlerat dhe duke eleminuar efektet negative, duke përmirësuar kushtet e punës dhe të jetesës së puntorëve dhe me një qasje më miqësore ndaj mjedisit dhe natyrës.
Vlerat Europiane-ndriçues i paqes, demokracisë dhe begatisë në botë
E ngritur mbi katër themelet e lartpërmendura, Rilindjen, Reformimin, Iluminizmin dhe Revolucionin Industrial, Europa përmes një procesi të gjatë, të vështirë dhe të komplikuar arriti të përzgjidhte prej tyre një korpus të renditur vlerash. Këto vlera do i jepnin Kontinentit Europian formën më të zhvilluar të qytetërimit botëror.
Katër lëvizjet e mëdha të larpërmendura u sfiduan disa herë në historinë moderne të Europës. Mbi këto lëvizje përparimtare herë herë u ngritën re të zeza të egoizmave nacionaliste dhe rivaliteteve perandorake, që prodhuan konflikte, kriza dhe luftra të pafund. Këto luftra e shndërruan shpesh Europën në teatër të përgjakur, të antihumanitetit, të iracionalizmit, të nacionalizmit të sëmurë, të kolonializmit grabitqarë, të pasojave kolaterale, ekonomike, kulturore, sociale dhe shpirtërore. Nga doktrina napoleoniane ‘Kombi i madh mbi Europë’ tek doktrina hitleriane ‘Gjermania mbi të gjithë’, Kontinenti i vjetër u përball me përbindësha që tentuan të rrënojnë themelet e qytetërimit të tij.
Përballja me luftrat e gjata dhe me pasojat e tyre të rënda e bëri Europën që të rishikonte me sy kritik dhe selektiv historinë e saj, të nxirrte mësime për të mos u harruar, të ndriçontë anët më pozitive të trashëgimisë së saj dhe të mënjanonte, por jo të harronte, faqet më të errta të së kaluarës. Një nga veprimet e mençura më të mëdha të Europës është zhvillimi i mendimit kritik ndaj vetes, por edhe ndaj të tjerëve. Zhvillimi i mendimit kritik ndaj vetës e bëri që të kërkonte rrugëzgjidhje të tilla që të shmangnin shkaqet negative të historisë, ndërkohë që mendimi kritik ndaj të tjerëve bëri që Europa të analizonte dhe rishikonte vendin dhe rolin e saj në sistemin e aleancave dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi.
Në mënyrë të veçantë dy Luftrat e Botërore, nga 1914 deri në 1945, janë bërë burim reflektimesh të thella në Kontinentin Europian, duke përfshirë kombet e mëdhenj dhe të vegjël. Të gjithë së bashku përpunuan një mendim kritik dhe një metodë përzgjedhëse mbi të kaluarën. Qëllimi i këtij mendimi kritik dhe përzgjedhës ishte dhe mbetet që nga katër themelet mbi të cilat u ngrit historia e Europës moderne të spikatnin dhe të përzgjidheshin ato vlera që do e çlironin Europën nga rivalitetet nacionaliste dhe imperialiste, totalitariste dhe intolerante, raciste dhe ksefofobe, joracionale dhe fanatike.
Nga katër lëvizjet e mëdha të lartpërmendura, Europa do shquante si më themeloret vlera të tilla si humaniteti, racionaliteti, sekularizmi, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe begatinë social – ekonomike. Këto vlera të përzgjedhura gjatë Rilindjes, Reformimit, Iluminizmit dhe Revolucionit Industrial ishin kontribut i gjithë popujve dhe kombeve të Europës, ishin prodhim ‘Made in Europe’. Si të tilla këto vlera mund të mbroheshin dhe të zhvilloheshin mbi një qëllim të përbashkët, mbi një shtrat të përbashkët Evropian, mbi një kuadër të përbashkët parimesh dhe mbi një sistem të përbashkët.
Mbi bazën e këtij mendimi kritik dhe përzgjedhës mbas dy luftrave dhe konflikteve historike Europa kishte nevojë për humanitet, pra për cilësi që ta bënin më njerëzore, të lidhur me dashurinë, mëshirën dhe aftësitë krijuese në dobi të njeriut dhe njerëzimit. Evropa e pas luftrave kishte nevojë për racionalitet, pra për vënien e çdo gjëje të së kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes në optikën e arsyes dhe logjikës, duke zhvilluar diversitetin e mendimit, gjykimit dhe veprimit në filozofi, ekonomi, sociologji, biologji dhe në shkencat politike. Kontinentit të pas luftrave i nevojitej më shumë sekularizëm, si një sistem besimi që ndan qartësisht fenë nga çështjet politike, shtetërore dhe arsimore, pra parimit të ndarjes së institucioneve fetare nga shteti dhe mbajtja e besimit jashtë sistemit arsimor publik. Një sekularizëm i tillë do ta çlironte fenë nga politizimi nacional e racist, politikën nga fanatizmi dhe radikalizmi fetar dhe arsimin laik dhe shkencor nga indokrinimi teologjik.
Europës së para luftrave i kishte munguar demokracia, si formë qeverisje në të cilën populli zgjedh dhe kontrollon pushtetin politik dhe e drejton atë drejtpërsëdrejti ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur prej tij. Europës së re, mbas luftrave të brëndshme dhe botërore, i lipej një system ku të sundonte ligji, sistem në të cilin asnjë person apo qeveri të qëndrojë mbi ligjin, dhe asnjë person apo qeveri të imponojë ligje të pandershme dhe të padrejta. Por, Europa e shkatërruar pas konflikteve dhe luftrave të shumta kishte nevojë dhe për rimëkëmbje ekonomike, për rindërtim dhe begati për popujt e saj; çka do thoshte të kishte një sukses të tillë që të siguronte më shumë zhvillim ekonomik e social, kapital dhe para, fat dhe lumturi për gjithë Europianët.
Pra, mbas konfikteve dhe luftrave Europiane dhe Botërore kërkohej një Europë tjetër, që të ringrihej mbi katër lëvizjet e mëdha dhe mbi shtatë vlerat e ndriçuara nga mendimi kritik dhe përzgjedhës. Mbi gërmadhat e luftrave dhe konflikteve, mbi honet e urrejtjes, frikës dhe armiqësisë, mbi intolerancën, fanatizmin dhe ksenofobitë, mbi varfërinë dhe diskriminim ekonomik e social të së kaluarës, popujt e Kontinentit kishin etje për një Europë tjetër. Dhe ata ia dolën. Ngritën projektin e Bashkimit Evropian.
Projekti gjenial i Bashkimit Evropian, i ideuar nga Mone, Shuman, Çurcill, Adenauer, Gasperi dhe i mbështetur nga Truman, Marshall, Eisenhauer e të tjerë ngrihet mbi themele të thella e të patundshme. Ky projekt ngrihet mbi vlera të ndriçuara dhe të lartësuara ndër shekuj. Ai është provuar si më i madhi projekt ndërkombëtar i paqes mbi luftën, i demokracisë mbi diktaturat, i dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, i begatisë ekonomike e sociale për të gjithë.
Ky projekt e shndërroi Europën e dikurshme të rivaliteteve gjeo-politike imperiale në një lidership kolektiv botëror. Mbas luftrave botërore asnjë fuqi Europiane nuk mund të ishte më e pranishme dhe ndikuese e vetme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Superfuqi të tjera kishin dalë në arenën botërore. Por, atë që nuk mund ta bënin dot veç e veç, Europianët do ta bënin së bashku. Do të siguronin vendin dhe rolin e tyre shumë të fuqishëm në sistemin dhe marrëdhëniet Evropiane. Sot BE-ja është një nga aktorët më demokratik, më të fuqishëm dhe më të zhvilluar ekonomik. Mbi të gjithë, ajo është fuqi botërore me një reputacion shumë të lartë ndërkombëtar dhe një imazh shumë të ndritur ndër popujt dhe shtetet e botës. BE-ja është modeli i lidershipit botëror, është pasqyra e qeverisjes globale.
Sfidat historike dhe të Mijëvjeçarit
Fuqia dhe vitaliteti i projektit të BE-së maten dhe me përballjen e sukseshme të sfidave të saj, qysh nga themelimi deri në ditët tona. Projekti Europian sfidoi shumë shpejt rrënimin ekonomik dhe politik të dy Luftrave Botërore përmes demilitarizimit, defashistizimit dhe demokratizimit. Përballoi furishëm zhvillimin ekonomik mbi bazën e parimeve të tregut të lirë dhe konkurrencës, zhvillimit të teknikës dhe teknologjisë, përmirësimit të menaxhimit dhe të lidershipit.
Në mënyrë shumë të suksesshme, projekti Europian përballoi krizat e Luftës së Ftohtë, si Kriza e Suezit, Kriza e Berlinit, krizat e shumta me Bashkimit Sovjetik, me Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera të botës. Projekti Europian menaxhoi suksesshëm Rënien e Murit të Berlinit dhe Ribashkimin e Gjermanisë, çlirimin e Europës Lindore nga kthetrat e sistemit komunist, shpërbërjen e ish – Bashkimit Sovjetik dhe të ish-Jugosllavisë, terrorizmin ndërkombëtar, krizat ekonomike dhe të Eurozonës në vitet 2008-2009, Pranverën Arabe, luftrat rajonale dhe civile në Lindjen e Mesme dhe pasojat emigrative të refugjatëve nga këto zona mbi Evropën, krizën e Brex-it dhe tani po ndeshet me Covid-19.
Paralelisht me menaxhimin e suksesshëm të këtyre krizave, BE-ja ka vijuar të jetë në krye të kontributit ndërkombëtar për sfidat e Mijëvjeçarit, si mbrojtja e mjedisit, krimi kibernetik, shkenca dhe teknologjia, arsimi në të gjithë nivelet dhe për të gjithë, sistemi shëndetsor dhe mbrojtja sociale.
Projekti Europian është organizëm i gjallë dhe vital. Ai po sfidon euroskeptikët, populistët, nacionalisto-sovranistët, racizmin dhe ksenofobitë e çdo lloji dhe të çdo forme. Këto sfida të brëndshme Bashkimi Europian po i kapërcen vazhdimisht përmes reformave që thellojnë dhe zgjerojnë integrimin. Thellimi po bëhet për gjetjen gjithnjë e më shumë të balancave të brëndshme më të qëndrueshme, më funksionale dhe më dinamike midis komunitarizmit dhe sovranizmit, midis qytetarit, rajoneve, kombeve dhe institucioneve Europiane. Zgjerimi po bëhet drejt Ballkanit Perëndimor bazuar në një metodologji të re, më gjithpërfshirëse midis institucioneve komunitare dhe shteteve sovrane, mbi një proces negociues më dinamik dhe të grupuar, më të monitoruar dhe të rikthyeshëm, mbi kritere të qarta të Kopenhagenit dhe të kërkesave të shteteve individuale.
Java e parë e Majit të çdo viti na të bën të gjithëve të meditojmë për Europën, të cilës i përkasim në gjeografi, histori, identitet, kulturë, tradita dhe vlera. Kjo është një javë meditimesh, por edhe reflektimesh për atë që është bërë mirë nga Europa dhe nga ne, që nuk është bërë mirë nga ne dhe nga Europa ose që mund të bëhet ndryshe nga të gjithë së bashku. Me fjalë të tjera, java e parë e Majit të çdo viti është Java e ‘Europës – Shtëpisë Tonë të Përbashkët’.
* I lindur në 1957 në Shkodër, i diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, veç kulturës, Lisen Bashkurti u përfshi gjerësisht në jetën politike qysh përpara dhe sidomos në fillimet e viteve 90 me lëvizjen demokratike. Në gati 30 vitet e fundit, ai i është përkushtuar me pasion veprimtarisë së shumanshme diplomatike: fillimisht Ambasador në Hungari dhe Strasburg e në vijim për shumë vite drejtor në MPJ; ka qenë vëzhgues në misionet e OSBE-së në zgjedhjet parlamentare në Ukrainë dhe Mal të Zi; ligjërues diplomatik në shumë institute dhe akademi me emër në Europë, SHBA, dhe gjetkë; krahas medaljeve dhe çmimeve të tjera, më 2007 është nderuar në SHBA me Urdhërin “Ambasador Ndërkombëtar”; ka qenë themelues, antar bordi, dekan dhe rektor në universitete me emër në Kosovë, Maqedoni, Tiranë; vazhdon të jetë Zv.President Global i Universitetit Sun Moon në Korenë e Jugut dhe Dekan i Universitetit “Epoka” në Tiranë.
Këtë përvojë të pasur, Prof.Bashkurti vazhdon ta përcjellë prej vitesh në dhjetra rubrika dhe intervista televizive dhe me mbi 650 shkrime në shtypin shqiptar, të rajonit, në Europë, SHBA dhe gjetkë. Eshtë autor i 22 librave, prej të cilëve 7 në anglisht; vështirë të ketë mbetur ndonjë “ skutë” të mendimit diplomatik, dy dhe shumëpalësh pa u shtjelluar në to, përfshirë negociatat, ndërmjetësimin, diplomacinë e imazhit, etj. Është Antar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë./argumentum.al
Komentet