Dimër, 2023
1.
Kosova, jo kufoma e saj
Njëj dite të bukur vjeshte, viti 1958, kur vreshtat e Lotringenit ishin rënduar nga fruti i ëmbël, ndodhte një vizitë e rrallë. Madje krejt e beftë mbas apokalipsës ariozofike.
I ftuar nga De Gol, kishte vajtur atje kancelari i shquar Konrad Adenauer.
Fshati Colombey-les-Deux- Êglises, një pronë e largët e gjeneralit që shtrihej në verilindje të Francës, ishte i vogël.
Por bëri emër historie nga takimi i madh. De Goli pëlqente akoma të profilohej armik i thartë i gjermanëve. Por Kancelari mbahej fisnikërisht. Ishte antinacist. I përndjekur nga Gestapo dhe, disaherë, i arrestuar në luftë. Ndaj, kishte gjenealogji të kulluar morale. E, poaq, aftësi dhe të drejtë salloni që e bënin ballëlartë.
Madje, njohës të afërt të tij, thoshin se, ndryshe nga Willy Brandt, kurrë nuk do të gjunjëzohej në Varshavë.
Dhe bisedat, anise më të ngrohta nga ç’pritej, ishin të ndera. Interesat, aherë e më pas ndër vite kryqëzoheshin si shpatat mbi idenë e Europës. Gjermanët do të deshnin një Europë të fortë e të qendërzuar komunitare. Por frëngu ishte skeptik. Madje i trëmbur. Ndaj kërkonte të ruhej shteti klasik me të gjithë atributet e tij.
Tani, kaq kohë më vonë, jemi gjithnjë këtu. Gjithnjë e më shumë këtu: tek ideja e gjeneralit të vdekur!
Së këndejmi, Europa nuk është ftyra e saj e dukshme: institucionet, egalitarizmi, ligjet, praktikat…
Është pikërisht Europa e vjetër e gjeneralit. E gjeopolitikës së nënujshme, me interesa të ndarë, madje shpesh kundërshtimorë. E veçanta syprinore e saj është njëlloj zhurmërie për bashkimin që, rëndom, përfundon në privilegjet e eurokratëve në Bruksel.
Që këtej, nga kjo Europë e fshehur por reale, vjen kushti i ri për Kosovën: tashmë jo për të hyrë, por për të aplikuar në Këshillin e saj, kërkohet formimi i Asociacionit, më saktë i Entitetit
serb!
Asgjë e re, vërtetë. Është brenda teatrit nga fillshekulli i ikur. Gjithnjë brenda lojës së tij qëkur Kosova do t’shpallte pavarësinë. Thuase e drejta e Republikës është e rezervuar. Në fakt, këtë aluzion e gjejmë të trajtuar intelektualisht tek Edgar Morin (libri: Europa në mendje) kur flet për “sovranitete nënshtetërore”.
Ne s’donim plojë, rr’fenin ndjekësit e Führerit, atëherë kur ditët e gëzuara në Wannsee (kallnor, 1942) kishin marrë fund. Donim që ata (qytetarët hebrenj) të zgjedhnin paqësisht mënyrën e vdekjes së vet!
Kujtova këtë fragment drame kur terri i arsyes njerëzore kishte rënë mes Rinit e Spresë, pa një pretencë të prerë njëjtësie. Mirëpo, ja, sesi më erdhi pak hidhshëm hija e saj.
Dhe Europa e gjeneralit pengohet përherë tek liria e Kosovës. Jo liri demokracie, po liri shtetësie. E pra, ndërthuret tek emri, kombi, lashtësia, vullneti libertar dhe gjeopolitika e pamëshirë q’e mallkon.
E përballur kështu, ajo kërkon nga Kosova (si një hijadhë që përhihet nga Ora e ligë në Wannsse) të përzgjedh mënyrën e qetë, të mpirë si morti polar, të shuarjes së vet. Dhe nismërisht, stacioni i parë do të ishte Autonomiteti serb i veriut. Më pastaj atë do t’a ndiqnin pabujshëm një lloj i “Enitetit të kishës”, dhe, tutje, komuna të tjera serbe, rome a turke, aty ku do të rezidonte qoftë dhe një i vetmi minoritar.
E Kosova, së fundmi, do të transformohej qetësisht në Republikën e askujt. Një strukturë e ndryshuar kushtetuese do vijëzohej pa vonuar në horizont: Parlament dydhomësh e me një babël gjuhësh, të qytetarëve dhe Entiteteve të shumta.
Vetëm e shqiptarëve më s’do ishte. E gjakut të tyre në themelet e saj që nga fillimi i kohës.
Dhe më vjen sërish si një referim, argument epror, fjalëurta e Markezit që, tek “tregimet pelegrine”, thotë diku aq bukur: për të ndryshuar, më parë duhet të jesh!
Natyrisht prandaj, në gjurmë të gjeniut, për të ndryshuar, Kosova më parë duhet të jetë. Të jetë e njohur nga Serbia, nga Europa e tërë dhe subjekt i barabartë i së drejtës ndërkombëtare.
Rrjedhimisht, pozicioni i shqiptarëve është jetikisht i qartë: e para, një nivel Administrimi lokal i veriut do t’merrte formë vetëm në pako me njohjen nga Serbia dhe e dyta, në Këshillin e Europës apo organizma të tjerë bote, duhet të hyjë Kosova, e jo kufoma e saj!
2.
Dyndja
Shmagjepsja! Si mund të ndodhte, vallë, kaq shpejt e ftohtësisht? Dhe nuk është ndjenjë e përnxitur dhune. Përkundrazi. Persekutimi kolektiv nga fuqia e huaj pushtuese prodhonte rezistencë dhe, ashtu, nyjëtim bese me truallin amtar.
Ç’e shkakton, ndaj, këtë shmagjepsje? Dhe është shmagjepsje me lirinë apo me Republikën?
Pyetja ngjan spekulative, por nuk është aspak e tillë. Tashmë njihet, se nuk ka liri pa shtet, por, njëkohësisht, mund të ketë shtet pa liri. Frymon liria e trumpetuar kombëtare, por jep shpirt liria e shansit egalitar të lumnisë.
Ndër vite Serbie, pati ikje të trishtë rinie. Shumë prej tyre nuk u kthyen kurrë. Por ëndrra e kthimit në Votër do të vrujonte e vdiste bashkë me ta!
Por në shekullin e lirisë, pasi do t’prekej i gjallë ideali i Republikës, njeriu shqiptar ikën sërish. Madje më vrullshëm se kurrë. Veçse tani paksa ndryshe. Pa represalje a poshtërim urie. E pra, mbase nuk është herezi të thuhet, disi indiferent e ndjesingrirë. Thjeshtë, më pak mall i vuajtur atdheu dhe ëndërr kthimi në tokën e parlindur.
Po si, pra? Athua të jetë konsumuar pritmëria durimlodhur e demokracisë në Shqipëri dhe ndjenja fismëtare e shtetasit në Kosovë, nga autokracitë, kultura e etabluar korruptive dhe klanet e fuqishme karteljane që bëjnë pushtetin real politik?
Ndërkaq, teksa në Kosovë një qeverisje e re, anise ecën vështirë, përpiqet të bëj një prerje kohe, në Tiranë procesi është thellësisht i kundërt: veshur lustrash mashtruese,
betonohet një neodiktaturë e tmerrshme që fqinjëron zhelesh vetëm me Bellarusin e skajit lindor të Europës!
Dhe landet shqiptare shpopullohen, për të populluar ata që, gjithashtu shpopullohen, veçse nga mplakja, shterrëzimi dhe vdekja.
Diktaturat zvetnohen, kalben e bien. Por dhe përmbysen në kulmin e lulnajës së tyre.
Mjafton një ashkël e vockël zemërate për t’a shtyrë rrokullimthi drejt gropës që pret…
3.
Shtegtimi…
Shqipëria sërish në Unesco. Dhe Unesco gjendet prorë aty, në zemër të Shtëpisë komunitare, mbuluar perdesh mjegullore të moteve…
Kështu ka ndodhur dhe të tjera herë. Qytetnía e lashtë shqiptare, kjo kryezonjë e Europës, ka stolisur denjësisht trashëgiminë kulturore të njerëzimit.
Por hyrja e kësokohshme është e veçantë. Dhe interesante, padyshim. Një simbolikë e thellë vetëthënëse për të gjithë shqiptarët.
Fenomeni natyral i një shtegtimi do të vlerësohej si thesar kulturor i rruzullimit.
Dhe nuk është shtegtim i njeriut, sado maraton i lodhshëm shtigjeve urbane a kreshtave alpine. Aq më pak i zogjëve që, sipas kodit të species, venë e vijnë sipër detesh…
Është shtegtimi ritual i deleve!
Tani një ironi e hollë dëshmon sërish fantazinë e saj. Delet e bekuara i’a dolën të jenë
lajmëtarët e parë. Pararojë e hyrjes politike të landeve shqiptare në Europë…
Mbase lëvizja migratore mbarëkombëtare, tashmë një dyndje kohësh të mëdha,
sikur shpejton të zërë hapin, triumfin dhe lavdinë e deleve.
Dhe, me gjasë, nuk është larg dita e tyre…
r.