Fitorja ndaj Rusisë e arritur më 29 mars të vitit 2003 mbetet ndër fitoret më të mëdha të Kombëtares së Shqipërisë në futboll. Shqipëria jo shpesh ka shënuar fitore të mëdha, fitore ndaj përfaqësueseve me peshë në futbollin europian e botëror.
Shqipëria ndaj Rusisë fitoi 3-1, me golat e Altin Rrakllit, Altin Lalës e Igli Tares në ndeshjen eliminatore për Euro 2004, që u luajt në Shkodër. Ajo mbetet e vetmja fitore e kuqezinjve ndaj Rusisë, por edhe ndër fitoret e pakta ndaj kundërshtarëve të mundshëm në “Euro 2016”.
Europiani i vitit të ardhshëm, që mbahet në Francë, është ngjarja e parë e madhe e futbollit, në të cilën paraqitet Shqipëria. Shorti për Europian zhvillohet nesër në orën 18:00 në Paris. Shqipëria është në vazon e fundit, të katërtën, së bashku me Turqinë, Irlandën, Islandën, Uellsin e Irlandën e Veriut.
Në tri vazot e para janë 18 përfaqësuese dhe të gjitha janë kundërshtare potenciale të Shqipërisë në “Euro 2016”. Prej 18 kundërshtarëve të mundshëm, Shqipëria ka mposhtur gjatë historisë vetëm 7. Thuajse me të gjithë kundërshtarët e mundshëm, Shqipëria ka bilanc negativ. Kjo është ndër faktorët që Shqipërisë nga përfaqësueset tjera i jepen pak gjasa për të kaluar më tej.
Pak gjasa i jepeshin edhe në fazën eliminatore, por ajo përfundoi e dyta në grup, pas Portugalisë e para Danimarkës, Serbisë e Armenisë. Shqipëria në Europian është kualifikuar edhe falë rritjes së këtij turneu nga 16 në 24 ekipe.
Fitoret ndaj Belgjikës, Rusisë, Portugalisë, Francës e Suedisë
Me tri prej përfaqësueseve që mund t’i ketë kundërshtare në Francë, Shqipëria nuk ka luajtur asnjëherë. Nuk është përballur me Kroacinë e vazos së dytë dhe Çekinë e Sllovakinë e vazos së tretë. Çekia e Sllovakia janë formuar si shtete pas ndarjes së Çekosllovakisë, në vitin 1993. Me Çekosllovakinë, Shqipëria ka humbur dy ndeshje kualifikuese e një ndeshje miqësore, ndërsa i ka të fituara dy miqësore.
Me Belgjikën e vazos së parë, Shqipëria ka luajtur dy ndeshje eliminatore në vitin 1984. Në Tiranë fitoi 2:0, ndërsa në Bruksel humbi 3:1. Anglia është një përfaqësuese tjetër e vazos së parë dhe me gjasa të jetë kundërshtare e Shqipërisë në Europian. Kombëtarja ka shënuar vetëm një gol në katër ndeshje të humbura nga Anglia.
Me organizatoren e Europianit, Francën, Shqipëria ka gjashtë ndeshje. I ka humbur katër ndeshjet kualifikuese, ndërsa në miqësoret e ciklit të fundit eliminator, Kombëtarja shqiptare arriti një barazim 1:1 në Francë dhe një fitore 1:0 në Elbasan. Golin në Elbasan e shënoi Ergys Kaçe.
Në traditë, të përzgjedhurit e Xhani De Biazit nuk mund të bazohen edhe nëse përballë në Europian do ta kenë Gjermaninë. Prej 14 ndeshjeve të luajtura, të gjitha kualifikuese, Shqipëria ka marrë vetëm një barazim përballë gjermanëve. Barazimin pa gola e arriti në vitin 1967 dhe ai mbetet ndër rezultatet më të mira të Kombëtares.
Me Portugalinë, Shqipëria ka një fitore, një barazim e pesë humbje. Fitoren e madhe e arriti në hapje të eliminatoreve për “Euro 2016”, në Portugali, me rezultatin 1:0. Golin e realizoi Bekim Balaj. Barazim kishte përfunduar ndeshja e luajtur në vitin 2008 në Bragë të Portugalisë.
Prej përfaqësueseve të vazos së dytë, Kombëtarja ka bilanc të skajshëm negativ me Austrinë. Ka humbur të gjashtë ndeshjet e deritashme, të gjitha kualifikuese. Me Italinë ka humbur ndeshjen e vetme të luajtur deri më tani, që ishte miqësorja e zhvilluar një vit më parë (1:0). Me Rusinë ka një fitore e një humbje, ndërsa me Zvicrën ka pesë humbje e një barazim. Është në pritje të fitores së parë.
Për Zvicrën në Europian pritet të luajnë plot gjashtë futbollistë shqiptarë. Bilanci i Shqipërisë me Ukrainën është po ashtu jo shumë i pëlqyer, një barazim e tri humbje. Suedia e vazos së tretë e ka mposhtur tri herë Shqipërinë. Një ndeshja është mbyllur barazim, ndërsa një fitore e ka Shqipëria. Në shkurt të vitit 2004, Shqipëria fitoi ndaj Suedisë në Tiranë, me shifrat 2:1.
Ishte kjo miqësorja e vetme mes dy vendeve. Me Poloninë, Kombëtarja ka një fitore, tre barazime e shtatë humbje. Me Rumaninë, bilanci është dy fitore, katër barazime e plot 11 humbje. Fitoret, si në shumicën e rasteve, u arritën në miqësore. Edhe me Hungarinë, Shqipëria është në pritje të fitores së parë. Ka një barazim e pesë humbje.
Shqipëria nuk dekurajohet nga opinioni i huaj
Shqipëria do të ketë në grup tri përfaqësuese që, të paktën në letër, janë më të forta se ajo. Lojtarët, që kanë arritur suksesin historik, kanë shprehur dëshira të ndryshime për kundërshtarët që i duan në grup. Kapiteni Lorik Cana dëshiron përballje me Gjermaninë e Italinë.
“Në Europian nuk ka grup të lehtë e kundërshtarë të lehtë. Gjithsesi ka përfaqësuese, që kemi dëshirë t’i evitojmë në short. Për shembull, nuk do të dëshiroja në grup Spanjën. Do të më pëlqente të sfidojmë Gjermaninë apo Anglinë nga vazoja e parë dhe Italinë nga vazo e dytë”, ka thënë Cana, që aktualisht luan në kampionatin francez për Nantën.
Shqipëria në gara europiane, përkatësisht në kualifikime për Europian ka luajtur 93 ndeshje deri më tani. Ka 18 fitore, 22 barazime e plot 53 humbje. Fitoret më të thella i ka me shifrat 3-0. Me këtë rezultat ka fituar gjashtë herë, së fundi ndaj Armenisë, më 11 tetor, në ndeshjen vendimtare që edhe i siguroi kualifikimin. Humbjen më të thellë e ka nga Spanja me rezultat turpërues, 9-0.
Humbjet e tilla ka fare pak gjasa të pësojë në Europian, ndërsa të gjithë anëtarët e Kombëtares janë shprehur të bindur se në Francë do të jenë në konkurrencë për të kaluar grupin.
Panorama Sport
Komentet