Ishte një lajm shumë i hidhur ndarja nga jeta e Skulptorit të shquar Agim Rada, një profil autentik i Artistit dhe qytetarit të Tiranës – antikomunist, antikonformist, i talentuar, i pastër, gjithë entusiazëm e humor, i palodhur dhe i dashuruar me artin deri në momentin e fundit të jetës.
Tiranës i iku Artisti. Jo nëpër botë si 3 milionë të ikurit, që refuzuam të pranonim tranzicionin brutal prej 1997 e këtej, por në mënyrë sublime, duke i shërbyer kulturës deri në frymën e fundit.
Prej disa ditësh Agim Rada i mungon Tiranës, Shqipërisë. Në studion e tij mbretëron heshtja përbri veprave ende të papërfunduara, por megjithatë fryma e tij në tokë është përjetësuar me trashëgiminë e skulpturave të tij, sikur kryeveprat e Fidias, Michelangelos, Rodinit.
Të gjithë ata që e kanë njohur Artistin Agim Rada e krijojnë të plotë personazhin dhe personalitetin e Artistit dhe njeriut në simbiozë, sepse Arti i tij dhe Agimi përputheshin, ishin të vërtetë, krejt ndryshe nga eulogjia që Edi Rama shkroi për Agim Radën. Ato që Edi Rama shkroi për Agim Radën ishin të vërteta, por Edi Rama jo, ishte hipokrit se e qau skulptorin Agim Rada me lot krokodili pas gjalljes.
Eulogjia e Edi Ramës postum për Agim Radën nuk i hynë në punë askujt. Askush nuk e beson për ato që thotë apo shkruan! Duhet të vdesësh që kryeministri i rastësishëm i një republike banane të shkruajë një homazh për një Artist të dimensioneve si të monumenteve që Agim Rada la pas tij.
Skulptori Agim Rada nëpër intervista të ndryshme, megjithëse i njohur si antikomunist, kishte krijuar një portret shumë njerëzor të Kristaq Ramës, të studentit që respekton dhe e çmon pedagogun e tij.
Megjithë njollën e firmës për varjen e poetit Havzi Nela, Kristaq Rama kishte dy tipare që nuk ia ka trashëguar i biri. Së pari, ishte Artist, megjithë kufizimet që impononte arti i realizmit socialist; së dyti ishte një njeri i kultivuar dhe modest në komunikimin ndërnjerëzor.
Portreti i profesorit nga ish studenti i tij i talentuar merrte vlerë, pasi Agim Rada nuk ishte njeri i furçave, as i retusheve, ai kishte mbetur i njëjti, nuk e kishte deformuar as diktatura me egërsinë e saj, as postdiktatura me poshtërsitë e tranzicionit dhe skulptori e Artisti Agim Rada e kishte vlerësuar Kristaq Ramën në mënyrë publike, pa çarë kryet për reagimet.
Por jetën e tij Agim Rada e kishte të mbushur plot me çka i deshi zemra me botën e tij dhe me monumentet që e rrethonin, me gërvishtjet e daltës, goditjet e çekiçit e pluhurin që i depërtonte në mushkëri
Ishte një Artist i talentuar dhe njeri i ndershëm Agim Rada, për të cilën kryeministri i Shqipërisë shkroi një eulogji postume, kinse të mbushur me nostalgji rinie, sikur të mos jetë ky Edi Rama që njohim ne, i rrethuar nga Balla e provincës dhe Ballat kryeqytetas, nga Ballukët, Ahmetajt, nga shpura mediokre e servilëve, provincialëve kryeqytetas që u pasuruan brenda natës nën shoqëritë ish bashkëshortore të eskortave, të talentuar për vepra të ulta, shumica absolute kandidatë për t’u ballafaquar me drejtësinë.
Përse Edi Rama duhej të priste që të vdiste Agim Rada, që pastaj të fliste për gjenialitetin e një Artisti që e jetoi jetën mrekullisht midis Artit dhe njeriut, e jetoi në mënyrë të jashtëzakonshme, por të qartë e të pastër si personazhët e eposeve romantike në një diktaturë mizore dhe një tranzicion mizor!
Me lot krokodili është e mbushur eulogjia e Edvin Ramës për të talentuarin Agim Rada, profili autentik dhe i bukur i rinisë tiranase në kohë aq të errta, profili i Artistit që deri sa dha frymën e fundit i kushtoi jetën Shqipërisë.
E gjithë rinia e bukur e asaj kohe, sapo mundi, e la Tiranën, vetëm ndonjë gjeni i çmendur pas Shqipërisë si Agim Rada preferoi ferrin, për hir të veprës dhe dashurisë së përjetëshme, me të cilën kishte të lidhur emrin deri në vdekje.
Ndërsa Edi Rama, prej 1998 ministër i kulturës, kryetar i bashkisë dhe prej 10 vitesh kryeministri i Shqipërisë e qan skulptorin e shquar Agim Rada me lot krokodili dhe hipokrizi.
Kur e paska çmuar aq shumë, sikur pretendon tani që Agim Rada nuk është më, e përse nuk e emëroi rektor të Akademisë së Arteve, Ministër të Kulturës, Drejtor të Galerisë së Arteve, Ambasador në Zvicër apo NATO!
Përse nuk e vlerësoi si e meritonte, sikur nuk ka vlerësuar as Mikun e tij të ngushtë Ardian Klosin apo plot figura emblematike të PS, po përmend këtu figurën poliedrike të Prof.Moikom Zeqos.
Kur Edi Rama nuk do ta përfshinte Ilir Gjonin, të birin e Xhelil Gjonit në listat e “kooperativës” së deputetëve të PS në zgjedhjet e 2013, ai e poshtroi publikisht në media me stilin brutal të të jatit dhe atyre nga vinte. Xhelil Gjoni do t’i quante refugjatët e ambasadave të korrikut 1990 “jashtëqitja e kombit”, ndërsa i biri, meqë do ta mbulonte 2 metra me pështyma burracakun kryeministër për “meritokracinë e vetme” të Ilir Gjonit si trashëgimtar i nomenklaturës së diktaturës dhe ish Sigurimsave, do ta emëronte Ambasador në Zvicër dhe do ta linte për dhjetë vjet si ekspert të metodave të ndyra të Zersetzung – e sikur të mos mjaftonte do ta emëronte Ambasador të Shqipërisë në NATO!!!
Artisti dhe skulptori Agim Rada s’kanë asnjë pikë takimi me krokodilin që qan me lot kryeministrorë, dy metra njeri i mbushur si spec gjigand me sadizëm e cinizëm.
Ardian Klosin, shokun e rinisë, një mendje brilante, e la pa punë duke e ditur se vuante nga depresioni dhe e çoi gjakftohtë drejt litarit, ndërsa për Artistin Agim Rada u kujtua vetëm kur shpirti i tij fluturoi në qiell.
Monumentet që skaliste Agim Rada, duke qenë në kontakt me gurin e allçinë i shkaktonin probleme në mushkëri. Po kryeministri i vendit çfarë kujdesi tregoi. Çfarë kujdesi tregoi për Ardian Klosin apo për mendjendriturin Moikom Zeqo?
Në eulogjinë me lot krokodili Edi Rama shkruan se Agim Rada i dërgoi mesazh ku e lajmëronte se e kishte vdekjen pranë! A mos ndofta për t’i kërkuar ndihmë kryeshtetarit, që mjekësia dikund t’ia zgjaste jetën Artistit, se kishte plot e plot plane të cilat e prisnin në studio t’i realizonte, për të qëndruar denjësisht krahas Gjergj Fishtës, Barletit, Nolit, Gjergj Elez Alisë, Skënderbeut, Mithat Frashërit, Lasgush Poradecit !
Monumenteve të kulturës shqiptare Skulptori i shquar Agim Rada u ngriti monumente që do t’ju mbijetojnë qindra e mijra vjeçarëve për shqiptarët që do të vijnë në këtë botë, duke u blatuar nderime si personazheve të monumenteve, ashtu edhe Artistit të madh Agim Rada, që e gëdhendi gurin aq mrekullisht, duke dëmtuar mushkëritë e tij, për t’i dhuruar Atdheut heronjtë e munguar, korifejtë dhe viganët e kulturës për të cilët sot Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë, po jo për kryeministrin e Shqipërisë që derdh lot krokodili për Artistin e shquar Agim Rada postum.