Eugjen Merlika, i huaji në vendin e tij, i dënuari pa faj, i kthyer në të mbijetuarin që përpiqet të zbardhë atë pjesë të historisë së vonë shqiptare, ende të pa paqtuar me shpirtrat që vuajtën dhe humbën në regjimin diktatorial
Një fëmijë, as trevjeçar mbërthehej në kangjellat e burgut dhe thërriste me dëshpërim… “Babi eja, eja me ne! I ati nuk mund t’i kalonte dot kangjellat, ndërsa policët e largonin të voglin nga dashuria atërore për ta hedhur në një jetë të egër, tragjike, absurde, surreale.
Ishte viti 1947; do ta linte shtëpinë e tij e bashkë me të ëmën do të zhvendosej në Shijak, më pas në Krujë dhe më në fund drejt kampit infernal të Tepelenës.
Gjatë gjithë jetës e shoqëroi ajo nuancë blu tmerri e uniformave të policisë, që e bënë të ndihej i huaj në vendin e tij, në një realitet që nuk i përkiste, që e refuzonte, që e urrente.
Ishte shënjuar gjatë nga etiketimi “armik i klasës”…
Në një prej auditorëve të Universitetit Europian të Tiranës, argjendi i flokëve, skeleti i pangatërrueshëm i gjyzlykëve dhe kostumi i përhimë, shoqëruar me tonin e qetë bisedor e bëjnë të duket si një englishman i ardhur aty nga e shkuara.
Sojli, do ta cilësonte një prej pedagogeve të UET, të cilin vuajtjet e tmerrshme të diktaturës nuk mundën t’ia fshinin fisnikërinë.
Ka ardhur nga Italia, ku jeton prej fillim viteve ’90, për të promovuar librin e tij të fundit “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare”, një endje e përfytyruar mes fakteve, personazheve dhe konteksteve historike.
Është i disati bashkëpunim me shtëpinë botuese “UET PRESS”, ndërsa më parë ka sjellë atë pjesë të historisë së përjetuar në lëkurën e tij, si i mbijetuar i kampeve fatkeqe të diktaturës.
Nipi i kryeministrit Mustafa Kruja, i biri i dy prindërve të shkolluar në Grenoble të Francës dhe Napoli të Italisë, u kthye në intelektualin selfmade që përpiqet të sjellë trashëgiminë e të gjyshit, figurë e zhytur në terrin e historiografisë komuniste, si kreu i qeverisë së dytë kolaboracioniste në Shqipëri.
Mban mend se qe në klasën e gjashtë të shkollës, kur një shoqe shkroi me shkronja të mëdha emrin Mustafa Kruja. Mësuesi u vrenjt kur e pa dhe i qortoi fëmijët, të mos merreshin me çështje të tilla politike. Por variantin tjetër për të gjyshin, atë ndryshe nga ajo që shkroi dhe vulosi regjimi komunist, e mësoi gjatë adoleshencës, në vitin e maturës. Të plotë e mësoi historinë, kur i ranë në dorë materialet që i pat lënë trashëgimi Mustafa Merlika Kruja.
Ai u nda nga jeta në mërgim, në Ujëvarat e Niagarës, më 1958-n, ndërsa bijtë e tij e familjarët, vuajtën dënimin në burgje e kampe. Për Eugjenin, i gjyshi ishte firmëtari i Pavarësisë, atdhetari që bëri shumë për kauzën shqiptare dhe intelektuali, historiani e publicisti që dha shumë për gjuhën e kulturën shqipe.
Eugjen Merlikës iu mohua e drejta e studimeve. Ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, kur uniformat blu e larguan nga shkolla. Ato ditë nëntori, do të qe edhe dita e fundit e studimeve të Eugjen Merlikës e paskëtaj niste odiseja e gjatë e një jete si punëtor krahu, herë në bujqësi e, në rastet më të mira, si murator.
Kishte parë të ëmën të ngarkohej me barrën e druve mbi shpinë, por pa e përkulur kryelartësinë e me po atë papërkulshmëri u printe kryengritjeve brenda kampit të Tepelenës. Kishte parë të atin, Petrit Merlika, inxhinierin e talentuar elektrik që u detyrua të punonte si tornitor, pasi përfundoi 15 vitet e gjatë të dënimit me burg.
Prodhim i një të mbijetuari, e cilësoi librin e tij të fundit zoti Merlika, i cili në rrëfimet e tij të mëhershme në libra si “Një jetë në diktaturë –Kujtimet e një armiku të klasës”, zbulonte sesi pat jetuar në kasolle kashte e balte që i pat ndërtuar vetë, në atë jetë monotone e privimesh ku nuk ndodhte asgjë.
“U gjend një ditë të bekuar jashtë hullisë ogurzezë të ecjes së tij në një vend të huaj, por që ishte vendi në të cilin kishte lindur dhe ishte rritur nëna e tij”, fliste në vetën e tretë Merlika për përvojat e jetës së tij, pas rënies së regjimit komunist.
Në gusht të 1991-shit, bashkë me të ëmën, arbëreshen Elena Gjika e cila e kishte lënë Italinë për dashurinë e të shoqit, u vendos përtej detit për të nisur një rrugëtim të ri atje. Me vullnetin për të çuar përpara një familje, rrëfen Merlika. Aty ku fëmijët nuk duhet të përsërisnin përvojën e tij, por në lirinë që i jepte vendi mikpritës, të mund të studionin e të jetonin jetën e tyre sipas aftësive, vullnetit e zotimit madhor të tyre. Edhe në shtetin fqinj u detyrua të bënte punë krahu, por kësaj here jo si “armik i klasës” në fshatrat e internimit, por për të siguruar studimet e të bijve.
“Ata ecën drejt në jetën e tyre dhe ecja e tyre qe kënaqësia më e madhe që koha më dha mbas gati një gjysmë shekulli privimesh të thella njerëzore të pësuara nga një sistem mizor që mbështetej vetëm në dhunën, mashtrimin dhe shtypjen e çdo lloj mohimi të të drejtave njerëzore”, thotë Merlika.
Jeta e tij 47 vjeçare, deri në ditwn kur u largua drejt Italisë, ishte shënjuar nga absurdi.
“Nuk jetuam, ne mbijetuam si reptilë që zvarriten në kërkim të një qoshke të sigurt”, thotë në librin “Një jetë në Diktaturë” Merlika. “Kemi humbur vitet më të mira duke çarë malet që duhet të bëheshin si pllaja”, vijon ai.
Gjatë shërbimit ushtarak, me përvojën që kish marrë si murator nisi të punonte në repartin e ndërtimit të banesave. “E kreva shërbimin ushtarak pa bërë asnjë qitje, dhe sot e kësaj dite nuk kam shtënë asnjëherë me armë”, rrëfen ai në librat e tij.
Ai ka sjellë për lexuesit rrëfime të dorës së parë, por edhe publicistikë si “Thinjat e Atdheut” apo “Demokratura Shqiptare”, ndërsa në librin e fundit paraqet pjesë të njohura dhe të panjohura të realitetit shekullor të të parëve. Ka trajtuar persona të njohur e më pak të njohur të historisë sonë, me një vëmendje të veçantë kundrejt personaliteteve të dy perandorive më të mëdha të kohës së Romës dhe Bizantit. Nuk mungon as shekulli i XX, ku autori nëpërmjet hulumtimeve dhe shkrimeve të ndryshme, është përpjekur të hedhë dritë mbi çastet më të errëta të asaj pjese të historisë. Sipas Merlikës, kjo pjesë e historisë u serviret shqiptarëve jo nëpërmjet të vërtetës, por klisheve të historiografisë së diktaturës.
I zhgënjyer pranon se nuk ka ende një shkëputje totale e të njëmendë nga e shkuara. Brezi i këtyre tridhjetë viteve ka dështuar, pranon me trishtim Merlika.
Sot, në moshën 77- vjeçare, i linduri më 1944-n – kohë që shënjoi historinë e trishtë të Shqipërisë që sipas tij do të shkruhej ndryshe po të mos qe në krye Enver Hoxha – e ka një tis prej të huaji.
Jo ai i huaji në vendin e tij, i dënuar qysh në moshën trevjeçare pa i bërë të keqe askujt, por me tonin e shtruar bisedor, pa atë agresivitetin verbal tipik shqiptar veçanërisht të dekadave të fundit.
“Vendi im, bijve të tu më të mirë nuk u ke dhënë kurrë mundësinë për të të shërbyer, u ke dhuruar atyre flatra për të fluturuar lart, por nën qiej të tjerë”, shkruan në një bisedë imagjinare me Atdheun, në një prej librave të tij Eugjen Merlika. Me atë atdhe që gjatë jetës së tij e pa si të ishte qenie me dy shpirtra…Një të uniformave të pandashme blu dhe tjetri i solidaritetit të njerëzve të thjeshtë. /Gazeta Liberale
Komentet