Pas lajmit të Artistit të shquar Florian Vlashi se këtë vit nuk do të mbahet në Durrës Bienalja e Muzikës Klasike që këtë vit mbush 20 vjet, ka reaguar pianistja e mirënjohur Etrita Ibrahimi:
“Keqardhje e madhe, por aspak çudi për mua, i dashur Flori…!
Jam mësuar tashmë me këto bëma, kështu që aspak habi…!
Vetëm se duke ditur kontributin e madh që ky festival i ka sjellë në 20 vite kësaj Shqipërie që nuk di të vlerësojë figurat e vërteta, por tallavanë dhe klanet që i sillen rrotull institucioneve, më vjen shumë keq që ke marrë këtë vendim, pasi ai që humb është publiku dhe artistët, për të cilët bashkëpunimi me familjen Vlashi, është i vyer!
Personalisht jam më shumë se e lumtur që kam qenë më shumë se një herë pjesë e Bienales dhe më vjen shumë mirë që të paktën në edicionin e fundit të saj, realizuam një tjetër koncert të bukur në duo së bashku, ashtu siç kemi bërë edhe në Spanjë dhe siç e meritonte bashkëpunimi dhe miqësia jonë, më shumë se 30-vjeçare…!
Ju përqafoj fort Redi e Flori dhe mos u mërzisni aspak, sepse Spanja ju vlerëson më shumë se vendi juaj…!
Në rastin tuaj, por edhe tonin, shprehja latine “nemo propheta in patria”, është mëse e përshtatshme fatkeqësisht…!
P.S. Thjesht për informacion: Përveç Pianodromit, që Prof. Peçi organizon prej 10 vjetësh dhe që ka vite që nuk mbështetet nga MK,
këtë vit, Fondacioni “Feim Ibrahimi”, paraqiti në Ministrinë e Kulturës një tjetër projekt, kësaj radhe për kompozitorët shqiptarë që kanë kontribuar në Opera dhe për tê (Tish Daija, Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi, Feim Ibrahimi), që do të realizohej me artistë karriere që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, por ata nuk e panë të arsyeshme që ta miratonin…!
Projekti ishte i imi privat dhe do ta realizoja në nderim të 70-vjetorit të Teatrit të Operës (shfaqja e parë e të cilit është dhënë në vitin 1953), por u dogj dhe NUK do të realizohet, sepse jo vetëm që nuk kisha mbështetjen e MK-së, por edhe të asnjë klani tjetër!”