Studim mbi filozofinë e Estetikës
* Kalimi te Filozofia e hershme Moderne
Lindja e një rryme të re filozofike ishte Filozofia Politike që lindi krahas punës për ta çuar shoqërinë drejt një sistemi më të avancuar. Ideatorët e materializmit si Marksi , Engelsi sollën idenë e komunizmit përmes filozofisë politike, si një sistem ekonomiko –politik që sjell barazinë mes shtresave dhe klasave shoqërore. Por i paprovuar më parë, ky sistem nuk pati sukses, pasi nuk u pa askund bukuria e tij estetike. Aty ku u provua, materializmi solli jo vetëm varfërinë materiale, por edhe shpirtërore e mendore të individit apo të shoqërisë, ndaj ishte i destinuar të dështonte.
*Zhvillimet filozofike në botë gradualisht kaluan në një etapë të re: Filozofia e hershme Moderne, ku Metafizika (prirja e fizikës mendore) ia linte vendin shkencës së Fizikës. Jemi në kohën e ringjalljes së skeptiçizmit, ku filozofia përqëndrohet në lidhjen e përvojës me realitetin në shek XVII-XVIII,me përfaqësues Emanuel Kantin i cili kërkoi të pajtonte fizikën e Niutonit me metafizikën e antikitetit.
Nëse i hedhim një vështrim analitik e sintetik shkencës së Estetikës, dallojmë lidhjet dhe vartësinë mes kësaj dege të filozofisë së bukurisë me shkencat e tjera si matematika, fizika, astronomia etje. Për një lidhje të shkencave të filozofisë flet më së miri frymëzimi i Bethovenit prej Filozofisë së Kantit. Gjeniu i muzikës, në krijimtarinë e tij nuk u nis nga përvoja e së bukurës, po nga gjykimi për të bukurën. Kishte kohë që piktura dhe skulptura ishin bërë moto e filozofisë së Estetikës, ku kritika për të bukurën arriti nivele të larta në pallatet mbretërore apo sallonet e aristokracisë evropiane.Veprat e arteve të bukura në Itali si të, Bottiçellit (1445-1510), Leonardo da Vinçit (1452-1519),Mikelanxhelos (1475- 1564), Rafaelit ( 1480 -1520),Françesko Goya, (1746 -1828), Pikaso (1881-1973), të cilët shkëlqyen nga Rilindja e deri te impresionizmi ose kubizmi i Pikasos në shek XX, e çuan filozofinë e estetikës shumë përpara drejt kërkesave ambicioze për realizimin e arteve sureale.
*Nga Rilindja deri në modernizëm, një nga degët e arteve të bukura, të Estetikës, muzika arriti në nivelet më të larta, me kompozitorët: Vivaldi, Mozarti, Bethoveni, Çajkovski, Verdi, Belini, Rosini, Puçini,Vagneri, Fridrih Shopen, Franc List etje…,që kompozuan veprat më të mëdha botërore në muzikë klasike në Itali, Austri, Francë, Gjermani, Spanjë, Rusi, Poloni që ndërkohë nëpër skenat e teatrove u dhanë operat më me famë botërore.
Njerçzimi ka njohur degët kryesore të studimit filozofik që janë: Metafizika, e cila merret me natyrën e qenies dhe botën. Epistemologjia, e cila merret me diturinë, Etika, ose ‘filozofia e moralit’, Filozofia politike, e cila studion qeverisjen dhe marrëdhëniet mes individëve dhe komuniteteve me shtetin. Estetika, e cila merret me bukurinë; Logjika, e cila merret me mënyrat e të menduarit; Filozofia e mendjes, e cila merret me natyrën e mendjes dhe marrëdhëniet e saj me trupin, Filozofia e gjuhës, e cila është hulumtimi i arsyeshëm në natyrën, origjinën, dhe përdorimin e gjuhës; Filozofia e fesë është degë e filozofisë që bën pyetje rreth fesë.
Duke i pasur parasysh shkencat filozofike lidhjen dhe vartësinë mes tyre me filozofinë estetike, sipas Epistemologjisë,për të arritur në përfundime nevojitet: *Argumentimi demonstrativ i filozofit,
*Argumentimi dialektik i teologut dhe
*Argumentimi retorik i masave të gjëra,- që janë tri mënyrat për gjetjen e së vërtetës. Këtë na e tregon më së miri filozofi gjerman Gottfried Leibniz me teorinë e Monadës, me të cilën merret Monadology (Monadologjia) “forma e konsiderueshme e të qenit( e ekzistencës). Si rrymë edhe pse e njohur që nga lashtësia merr hov Ekzistencializmi.
Themi se ,”Filozofisë së Estetikës, aftësinë e fjalës dhe të të shkruarit , ia japin njohja analitike e bukurisë së botës dhe retorika (oratoria)”. Shembull i mirë argumentimi është filozofi francez, Henri Louis Berguson( Paris,1859 -1941.Veprat filozofike të tij: “Materja dhe memorja” (Matière et mémoire 1896), Të qeshurit (Le rire 1899), Evolucioni krijues (L’évolution créatrice 1907), Energjia spirituale (L’énergie spirituelle (1919) dhe Dy burimet e moralit dhe fesë (Les deux sources de la morale et de la religion).Më 1927 Bergusonit i jepet Çmimi Nobel në Letërsi.
*Tashmë Filozofia kishte hyrë në një etapë të re, Filozofia e vonët Moderne e shek XIX. Në kundërshti me idealizmin në këtë etape iu dha rëndësi Epistemologjisë, që s’është gjë tjetër veçse teoria e diturisë, degë e filozofisë perëndimore që studion natyrën e qëllimin e diturisë dhe të besimit. Idealistët gjermanë, si Nietzsche(Niçe) dhe Hegel, zgjeruan dhe çuan më tej punën e Kantit, se bota përbëhet nga një proces racional i ngjashëm me mendjen, dhe si e tillë është tërësisht e njohshme. Sipas Kantit estetika është degë e metafizikës që merret me ligjet e perceptimit me anë të shqisave). Pra për ta njohur botën duhen dituri, ku përcaktimi i vlerave bazohet tekArsyeja, Besimi, Eksperimenti dhe e Vërteta, të cilat përkufizojnë Epistemologjinë, teori që koncepton rritjen e Dijes.
***
*Lindja e Iluminizmit në Shqipëri
Krahas idealizmit dhe reformave të krishtërimit në Evropë, në Shqipëri lindi iluminizmi gjatë viteve 1720-1770. Voskopja u shndërrua në kryeqendrën e ideve iluministe dhe vendbanimi më i rëndësishëm i qytetërimit në Ballkan, kultura e së cilës nuk kishte asgjë të përbashkët me fqinjët. Ideatori dhe filozofi i parë në Voskopojë ka qenë Anastas Kavalioti. Ndër idetë më të rëndësishme filozofike të tij, zenë parimet e mekanikës, ligjet që përcaktojnë rregullsinë e lëvizjes të trupave fizikë. Nëqoftëse Dekarti thoshte “më jepni materien e lëvizjen dhe kam për t’u ndërtuar botën”,kurse Kavalioti thoshte se “lëvizja është organi kryesor i natyrës”. “Ndërtimin e mrekullueshëm të qenieve,e paraqitin forma, lëvizja dhe moduse të tjerë më të qartë, që quhen parime mekanike dhe që i predikonin filozofët e Antikitetit (- shkruan akademiku voskopojar,Kavalioti),shih Alfred Uçi Estetika, jeta, arti,Estetika e folklorit -2007. Një nga degët e Estetikës të kësaj periudhe është Ikonografia që pati zhvillim edhe në Shqipëri. I pari dhe më i shquari është Onufri (shek. XVI) është pararendësi i pikturës postbizantine në Shqipëri si dhe ikonografi më i shquar. Ai së bashku me të birin Nikollën, Onufër Qipriotin, si dhe ikonografë anonimë, janë elita e asaj kohe dhe krijuan shkollën e ikonografisë në Berat.
***
*Kalimi në Filozofinë Bashkëkohore
Para 1900 e në vazhdim gjeti zbatim Filozofia Bashkëkohore, periudhë që iu dha rëndësi pozitivitetit analitik, logjikës, fenomenologjia, Ekzistencializmi, Hermeneutika, Strukturalizmi, Poststrukturalizmi, si përfaqësues i së cilës është Hegel. Themeluesi Filozofisë analitike Bertrand Russell(Rasëll) Kurse Jean-Paul Sartre dhe Albert Camus (Pol Sartri e Kamy), të cilët në matafizikë sfiduan pikëpamjet e Niçes.
*Ai që hyri në labirintet e fshehta të shpirtit e që zbuloi anën e errët e të padukshme, të bukurën dhe të shëmtuarën, të njohurën dhe të panjohurën, estetikën e shpirtit, ishte Froidi. Si një rrymë e re postmoderne, lindi Surealizmi në Estetikë, që sot është aq i përhapur në letërsi, në artet figurative apo skenike, elektronike, në psikologji dhe filozofi. Kjo prurje e re në filozofinë e estetikës është meritë e Frojdit.
Në këtë punim përsiatës, munda të evidentoj shumë pak nga shtrirja në gjerësi dhe gjatësi e kësaj teme, se Estetika është shkencë e vjetër sa vet njeriu, e cila studion artin dhe të bukurën. I pari që vërtetoi se estetika është shkencë, degë e filozofisë, ka qenë Baumgarten, i cili në vitin 1750 vërtetoi se estetika nuk është vetëm dukuri që shihet dhe pëlqehet por mund të shijohet, të preket ,të vizatohet dhe të kritikohet. E bukura është lënda e parë që është e përhapur kudo në natyrë, ndërsa arti është vegël apo instrumenti që përdor e bukura për ta joshur njeriun. Është pikërisht arti krijues, ai që epoka postmoderne e teknikës e ka shpërdoruar si një mall apo mjet konsumi, nga çka i ka mbetur humanizmit. Për këtë, Hejdegger shkruan:”është e tmerrshme që bota po kthehet në një mekanizëm të stërmadh teknik, më e tmerrshme është që nuk jemi të përgatitur aspak për këtë transformim radikal të botës.”
*Filozofi, kritiku dhe esteti modern Italian Umberto Eco thotë:” Letërsia e vërtetë është për humbësit. …si filozof , jam i interesuar për të vërtetën. Meqë është e vështirë të përcaktosh se çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt, e kam të vështirë të shkruaj për fitimtarët”
Estetika, si shkenca që merret me bukurinë, artin, kënaqësinë, vlerat emocionale, perceptimin, dhe çështjet mbi shijen apo ndjenjat, e cila për të arritur nivele bashkëkohore, ka lidhje dhe vartësi me të gjitha degët e Filozofisë, si Metafizika, Epistemologjia, Etika, Logjika,Filozofia politike, Filozofia e mendjes, e gjuhës e fesë etje Në këtë kohë Hektor Berlioz shkrimtari, publicisti dhe kompozitori që hodhi bazat e romantizmit në muzikën e Evropës Perëndimore, i cili shkeli gjithë rregullat e harmonisë në kompozim. Ngaqë e quante veten klasik, Berliozi njihte dhe vlerësonte vetëm harmoninë e shek XVI.
*Një nga shkencëtarët më të mëdhenj të shek. XX, Albert Einstein (Albert Ajnshtajn 1879-1955, fizikanti që përcaktoi Teorinë e Relativitetit dhe dha vlera në mekanikën kuantike e statistikore, si dhe në kozmologji.Sipas tij Logjika të çon në një pikë, kurse Imagjinata të çon kudo. Ai thotë: “Dituria ka kufi, kurse përmes përfytyrimit rrok gjithë botën. Ndaj është më i rëndësishëm Përfytyrimi se Dituria. Ndaj ai thotë se, Eksperienca më e bukur e njeriut është misteri.
*Për vlerën e Estetikës perifrazojmë: Dostojevskin te “Idioti” thotë: “Bukuria do ta shpëtojë botën” Duke u bazuar në intuitën e tij, kombi ynë ka nevojë për një revolucion estetik, kulturor dhe shpirtëror që i ka munguar. Zakonisht në këto transformime shkencore në fushën e filozofisë, shpesh ngatërrojnë dy konceptet, “zhvillim” me “progres”. Zhvllimi shoqëror duhet kanalizuar në progres shoqëror. Si arti dhe kultura nuk sjellin zhvillim shoqëror, por janë mekanizmat kyç në zhvillimin e progresit. Arti dhe kultura japin rezultat e veta në progresin e një kombi, por kujtoj se arti me degët e tij në veçanti apo kultura kombëtare në tërësi janë në vartësi të mekanizmave të tjerë, si, ato politikë dhe ekonomikë etj. Kombi që u jep prioritet zhvillimit të artit apo kulturës, kur investon bindshëm në këto fusha, i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit kombëtar, i cili e integron vendin drejt progresit shumë më shpejt se aty ku nënvleftësohen këto dy faktorë të rëndësishëm. Nëse analizojmë vepra të filozofëve të ndryshëm të të gjitha kohërave do të vërejmë se ata e shikojnë letërsinë dhe artet si mjet më të fuqishëm edukuese. Mjafton të kujtojmë veprën “Poetika” të Aristotelit, ku thotë :”qytetarët duhet të merren me punë, të ruajnë paqen dhe të kryejnë vepra të dobishme e të bukura.” Po aty shohim se sa rëndësi i jep filozofi edukimit të njeriut me muzikë e me arte të tjera, të cilat e ushqejnë atë shpirtërisht dhe intelektualisht. Natyrisht në këto kryevepra të mendimit filozofik botëror, kuptojmë se Dija (urtësia)nuk është gjë tjetër veçse të kuptuarit e shkaqeve, ku thelbi i dilemës qëndron te pyetjet “çka” dhe “pse” e tyre. Në urtësi pyetja “pse” të çon te pyetjet “çka” e kjo te pyetja “si”.
Pra mendja njerëzore pyet : Çfarë ndodhi, pse ndodhi, dhe si ndodhi. Pra është vetë ndërgjegjja që kërkon dhe gjen shkakun, rrugën dhe pasojën. Ndaj fjala Filozofi =filo+ Sofia,që do të thotë dashuria për urtësinë apo për dijen.
*Nëse i hedhim një vështrim analitik e sintetik shkencës së Estetikës, dallojmë lidhjet dhe vartësinë mes kësaj dege të filozofisë së bukurisë me shkencat e tjera si matematika, fizika, astronomia etje. Për një lidhje të shkencave të filozofisë flet më së miri frymëzimi i Bethovenit prej Filozofisë së Kantit. Gjeniu i muzikës, në krijimtarinë e tij nuk u nis nga përvoja e së bukurës, po nga gjykimi për të bukurën. Kishte kohë që piktura dhe skulptura ishin bërë moto e filozofisë së Estetikës , ku kritika për të bukurën arriti nivele të larta në pallatet mbretërore apo sallonet e aristokracisë evropiane.Veprat e arteve të bukura në Itali si të, Bottiçellit (1445-1510), Leonardo da Vinçit (1452-1519), Mikelanxhelos (1475- 1564), Rafaelit ( 1480 -1520),Françesko Goya, (1746 -1828), Pikaso (1881-1973), të cilët shkëlqyen nga Rilindja e deri te impresionizmi apo kubizmi i Pikasos në shek XX, e çuan filozofinë e estetikës shumë përpara drejt kërkesave ambicioze për realizimin e arteve sureale.
***
Si u prit Rilindja dhe modernizmi Estetik nga shqiptarët?
*Një sërë veprash të autorëve shqiptarë të artit pamor të hershëm apo mesjetar të gjetura në gërmadhat arkeologjike apo në institucionet fetare, si në fushën e ikonografisë, të ndikuar nga arti i Perëndimit e kryesisht nga ai i Rilindjes së hershme italiane si dhe nga arti i shkollës Kreto-Veneciane. Vazhdues të mëvonshëm të Onufrit janë gjithashtu ikonografët e shek.XVIII-XIX si: Kostandin Jeromonahu, Kostandin Shpataraku, David Selenicari, vëllezërit Kostandin e Athanas Zografi, si dhe vëllezërit Çetiri (Katro). Krahas tyre mori hov letërsia shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII me Hasan Zyko Kamberi, jo vetëm si vjershëtor por përgjithësisht në letërsinë shqipe, është shkrimtari i parë i modelit kritik. Në Rilindje: Naim e Sami Frashëri, Çajupi, Arbreshët e Italisë, Dora D’Istria, De Rada, Faik Konica, Mit’hat Frashëri, Fan Noli,Pashko Vasa, Gjergj Fishta , që njihen për vlerat estetike në letërsi apo filozofi .
Në zhvillimin estetik shqiptar, bëjnë pjesë veprat muzikore si: “Opera ‘Juda Makabe’, ( 1917) e simfonia e parë shqiptare “Dy lule mbi vorr të Skandebegut”, (1922) të kompozitorit At Martin Gjoka, që duhet të ishin objekt krenarie kombëtare. Muzikologu Robert Prenushi thotë :“Martin Gjoka mund të thuhet me plot zë, është krijuesi i një gjuhe muzikore specifike shqiptare, e cila rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë, që të gjithë e dimë që kanë qenë në pararojë të artit muzikor shqiptar…Me At Martin Gjokën fillon muzika profesioniste shqiptare”(Dr.Eno Koço). Këto vlera estetike u ndoqën nga letërsia dhe artet e viteve 30 të shek. XX, si në letërsi: Migjeni, Sterio Spase, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Haki Stërmilli, Nonda Bulka, Shtjefën Gjeçovi, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Arshi Pipa, Isuf Luzaj.
Kësaj periudhe i përket edhe fotografi i parë Pjetro Marubi, i lindur në Itali por jetoi dhe punoi në Shkodër, i cili përqafoi jetën dhe zhvillimet social- politike shqiptare. Fotografia e parë shqiptare është bërëprej marubitmmë 1858. Ndërkohë spikat piktori Vangjush Mio. Ndërsa një personalitet në fushën e Estetikës dhe kryesisht në fotografi, Nikolla “Kol” Idromeno, lindi më 1860 në Shkodër, vdiq më1939. Kolë Idromeno ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, siparist skenograf, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. Gjithashtu ishte dhe nismëtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri,më 1919.
*Një nga filozofët dhe albanologët më të rëndësishëm shqiptar është Dhimitër Pilika me veprën monumentale “ Pellazgët, Origjina Jonë e Mohuar”
*Nuk duhet harruar se në fushën e Estetikës hyn edhe folklori i cili nis me gojëdhënat, legjendat si ajo e Gjergj Elez Alisë, legjenda e Kostandinit, e Doruntinës, e Mujës dhe Halilit, Legjenda e Bukuroshes së Durrësit, e Syrit të Kaltër, të cilat u transmetuan mes Gojëdhënave. Nga ana tjetër çdo kala ka lënë pas një legjendë. Një legjendë e tillë është ajo e Rozafës,e Argjiros, e kalasë së Beratit. Çdo burim ujor apo gji detar ka mitologjinë e vetë që përmes gojëdhënave ka mbërritur deri në ditët e sotme moderne. Një vlerë e pakrahasueshme estetike është edhe kostumografia e pasur dhe tejet e larmishme shqiptare. Nuk ka vend në botë si Trojet shqiptare, që çdo krahinë të paraqitet me kostumin e vet kombëtar. Shqiptari, me artin e kostumologjisë ka mahnitur etnografët botror. Kjo traditë e bukur kombëtare pasqyrohet edhe në këngë apo kërcim, që ndryshojnë nga një krahinë në tjetrën. Fillimisht lindën ninullat që nëna apo zanat i këndojnë fëmijës për ta qetuar apo për ta vënë në gjumë. Kënga ka lindur si shprehje ndjenjash, si këngë bese, vaji, trimërie, kurbeti, dasme apo dashurie. Në traditën e shqiptarit hyn besa e dhënë. Ndaj fjalori shqiptar ka shprehje frazeologjike si : “Shqiptari kur jep fjalën, ther edhe djalën; Besa e burrit , pesha e gurit; Besa e shqiptarit, purteka e arit;Me një të shtrënguar dore, ndanin kufij e sinore”.
*Një vend të veçantë në Estetikën shqiptare zënë Rapsoditë e kreshnikëve, apo Elegjitë.
*Kurse vendin më të madh estetik në folklorin shqiptar, e zë larmia e këngës popullore qytetare dhe sidomos Polifoniae Labërisë dhe e Himarës që ka ndryshim të madh si në kostumografi apo në mënyrën e harmonizimit të këngës, nga një fshat në tjetrin. Kurse në Gjirokastër ka një shumëllojshmëri të të kënduari sipas lagjeve, gjë që të befason. Polifonia shqiptare ruhet si një thesar i rrallë i Kulturës Botërore nga Unesko.
*Estetika shqiptare në pikturë në shek e XX –të arriti nivelet e modernizmit impredionist me kubizmin e Ibrahim Kodrës. Porse letërsia dhe artet në tërësi, në gjysmën e dytë të shek. XX, patën një zhvillim tejet të doktrinuar, dogmatik, të planifikuar dhe të orientuar, ku mungonte liria e të menduarit dhe e të shprehurit.
Kjo periudhë i pëket artit dhe letërsisë së Realizmit Socialist. Në këtë etapë që mohoi vlerat e vërteta kombëtare, e bukur nuk ishte ajo që ishte e bukur,por ajo që pëlqente Partia e shteti komunist, një bukuri farse që ndrydhi ndjenjat, pasionet dhe talentin real, etapë me të cilën le të merren specialistët e kritikës së mirfiilltë të Realizmit Socialist..
Fatkeqësisht në Shqipëri nuk ka pasur një institucion kritike që të lidhet historikisht me një shkollë kritike. Veçse si themelues të kritikës mund të konsiderohen: Konica, Noli e Kuteli. Gjithë kritikët shqiptarë janë ndikuar nga shkolla të tjera, ku ka spikatur formalizmi, psikanaliza, strukturalizmi, kritika receptive, kritika e variantit dhe kritika pragmatike. Është vënë re në parathënie librash, si: te Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Sabri Hamiti. Disa të tjerë si: Dhimitër Shuteriqi, Koço Bihiku, Razi Brahimi, Dalan Shapllo, Kudret Velça, nuk përcollën vlera kritike për ta ndihmuar letërsinë ,por u përpoqën ta udhëheqin letërsinë. Kjo ishte letërsia dogmatike e socrealizmit. Përfaqësuesi më i denjë i kritikës shqiptare është Arshi Pipa, i cili me veprat e tij, shqip e anglisht, paraqet shembullin më të mirë të kritikut, aq sa përballë tij të gjithë kritikët shqiptarë duken si nxënës. Fatkeqësisht, për shkak se kritika e Pipës është shkruar në anglisht dhe jashtë Shqipërisë, ndaj nuk ka zënë ende vendin e merituar në altarin e artë të letërsisë shqipe. Kritika e tij është një gërshetim i kritikës evropiane (italiane, franceze, gjermane, angleze) me atë amerikane. Tek Pipa gjejmë për herë të parë kritikën e variantit ( ndryshueshmërisë), nën ndikimin e Gianfranco Continit.
Në Shqipëri ka kohë që ka lindur nevoja e krijimit të shkollës së kritikës e të njihet si institucion për mos t’ia lenë vendin rasteve sporadike (të herëpashershme, jo të rregullta e sistematike) dhe spontanitetit (që lind vetvetiu).Ndonjë kritik jo i organizuar nga shteti institucionalisht, por me një bagazh njohurish për letërsinë botërore dhe atë shqiptare, në mënyrë të pavarur që ndjek sot kritikun e mirëfilltë italian Umberto Eco (Eko).
Sot një kritik i tillë, i paraqitur me një Kritikë Ndryshe, moderne e bashkëkohore, si sasijore edhe cilësore, me dy volume kritikë, plus librave të tjerë studimor, është shkrimtari, poeti, publicisti, kineasti dhe studiuesi shqiptar me banim në Londër, Dr.Fatmir Terziu, i cili është përzgjedhur nga Oksfordi, një nga tre kritikët modern të kohës. Por ky kritik bashkëkohor dhe moderne, ka nevojë për përkrahjen, mbështetjen dhe vlerësimin e shtetit shqiptar, gjë që i mungon. Letërsia shqipe ka nevojë për një kritikë të mirëfilltë institucionale, e cila do të ndalojë parazitizmin e pseudokritikëve dhe pseudoestetëve që i sjellin dëme të mëdha asaj letërsie apo arti që është real dhe i qenësishëm. Pa mohur kritikët e tjerë Dr Terziu qëndron në krye të kësaj gjinie të kërkuar dhe të lakmuar.
Si përfundim:“Të jesh estet do të thotë të jesh në gjendje të nxjerrësh në pah bukurinë e shpirtit , madhështinë hyjnore të së bukurës, joshëses, marramendëses ,e cila të çon pranë burimit të ftohtë, apo në shtatë çezma dhe s’të jep një pikë ujë. Nënkupton të ngopesh e të bëhesh me flatra vetëm me ndjesinë që të jep bukuria e natyrës, gurgullima e ujit , fëshfërima e gjetheve, regëtima e stalaktit që pikon në shpellë, ligjërimi i ujëvarës, rrapëllima e dallgëve detare, zhaurima e ujit që tërhiqet në bregdet, zemërimi i dallgëve që shfrehen mbi shkëmb, jehona e pyllit, krisja e pushkës në luginën mes dy maleve, zërat mistikë të natës, simfonia e natyrës së pashkruar në pentagram, troku i kalit mbi kalldrëm që të zgjon nga gjumi i ëmbël, kur Nevetja shkel mbi barin e pashkelur nga këmba e njeriut, freskia e barit, ledhatimi i brizës detare, utërima e stuhisë natyrore, shpresa që jep drita në fund të tunelit, dehja nga nuhatja e aromave të luleve, shija e mjaltit kur dëgjon zukatjn e bletës, gëzimi që dhuron buzëqeshja e fëmijës, magjia që ofrojnë dritë-hijet, fluturim imagjinar kur dëgjon simfonitë e pyllit,ndjesia e zjarrit në oxhak që ta ofron peizazhi i borës ,shija që të lë leximi i një libri, kënaqësia që të jep piktura, skulptura, kënga, arti i çdo natyre. Kur derdh lotë gëzimi prej një bamirësie…, lumturia që ndjen kur lind një fëmijë, shlodhja që ndjen kur merr frytet e një pune shkencore apo krijuese, dhembja për humbjen e një jete, trishtimi nga një dashuri e pafat. Të tëra këto ndjesi veprojnë tek ai që quhet estet dhe nis e përshkruan shijen apo pasojën që ndijimet kanë lënë në vetëdijen e tij… m enjë bukuri të rrallë rrëfimi, apo me një oratori gojore që zileps aktorin e fjalës artistike. Vetëm atëherë kur këto ndjenja kanë ndikuar tek ai, themi se ai njeri ka bërë një studim estetik të një vepre.
Njeriu është një qenie e pangopur, i vetëdijshëm për atë që kërkon të bëj apo se çfarë i pëlqen që të jetë. Nëse i analizojmë kërkesat e tij, dalim në përfundim se tek individi shfaqen dëshira për të qenë dikush, për të qenë Shkrimtar i Madh,Fizikant, Profesor, Doktor, Shkencëtar, Astronaut , për të qenë Kritik apo Estet. Natyrisht dëshirat janë subjektive, vetëm realiteti me të cilin përballemi është objektiv. Vetëm Realiteti real, i prekshëm dhe i ndryshueshëm, është ai që e ndan shapin nga sheqeri.
Që të marrësh epitetin Estet, këtë titull kaq të nderuar, duhet të jesh diplomuar për Kritikë dhe Estetikë, duhet të marrësh doktoraturën në këtë fushë kaq sqimatare sa ç’është Estetika. Po marr si shembull të madhin Akademik, Eqrem Çabej që ka dhënë aq shumë në fushën e Gjuhësisë dhe Albanologjisë, por edhe pse e ka kanalizuar letërsinë shqipe në tabanin kombëtar, nuk quhet Estet. Ishte Akademiku Adriatik Kallulli, kritik i zoti, mund të fliste 24 orë, me shumë finesë, me mjaft etikë duke derdhur art dhe shumë dashuri për veprat letrare, qofshin ato botërore apo shqiptare, zotëronte një oratori brilante që e bënte për vete dëgjuesin, të cilin kishe qejf ta dëgjoje dhe përsëri ai nuk ishte Estet.
*I vetmi estet shqiptar i diplomuar ka qenë Alfred Uçi. Një jetë e mbushur me mësime e studime estetike. Pasi kreu arsimin e mesëm në Korçë, Tiranë e Shkodër dhe të lartat( estetikë e filozofi), në Universitetin “Lomonosov” të Moskës , më 1949-1954. Veprat e tij janë “Estetika, jeta, arti” , “Probleme të estetikës” , “Labirintet e modernizmit , “Mitologjia, folklori, letërsia” , “Çështje teorike të estetikës dhe të kultures” ,”Estetika” – Vëllimi I, II, III , “Shekspiri në botën shqipare”, “Dostojevski në kohën tone”, “Ferrparajsa Danteske”, “Prometeu dhe Hamleti””, “Estetika e groteskut”, “Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe”, “Paradigma të ndërgjegjes shoqërore – estetikë filozofike e politike” , “Estetika e groteskut”-në tre vëllime dhe libri i ri i tij është “Filozofia e donkishotizmi” që plus të tjera bëhen 20 vepra filozofike kryesisht në Estetikë. Profesor akademik Uçi është një personalitet i kulturës shqiptare që meriton nderim dhe mirënjohje.
*Një tjetër personalitet i Filozofisë shqiptare që për fat të keq njihet shumë pak është Prof.Dr. Isuf Luzaj me 120 vepra kryesisht filozofike, prej të cilave do të veçoja “Filozofia e Bukurisë”, “Lamtumira e Yjeve”, “Ekzistenca dhe boshësia”, “Përtej së mirës dhe së ligës”, “Rindërtim i fuqive shpirtërore”, “Sëmundjet e shekullit tone”, “Rrëfimet”, “Lumenjtë rrjedhin të kuq”. Isuf Luzaj pasi u diplomua në Sorbonë për letërsi dhe filozofi francaza e spanjole, pasi studio h gjithë filozofinë nga lindja e deri në ditët e tij, pasi u njoh dhe rrahu mendime me Pol Sartrin, të cilin eshoqëroi për 18 ditë në Universitetet e SHBA-ve, me veprat etij u rendit në 7 filozofët më të mëdhenj të shek. XX në Botë.
*Vlen të përmendet filozofja shqiptare e fillim shekullit të XXI, të cilën e tërhoqi bukuria dhe madhështia e Universit, bukuria dhe horizonti që hapin numrat, është fizikantja, matematicienia,astronomja, shkencëtarja shqiptare Laura Mersini ,Dr. në Universiteti Chapel Hill, Karolina e Veriut. Fizikantja gjeniale shqiptare thotë: “…ndoshta universi është shumë më harmonik sesa shpërthimet e Bing Bengut dhe kolapset siç është folur. Madje ajo pohon se sot shkenca astro-fizike nuk bënë fjalë për univers, por për multivers.” Me matematikën kauantike ajo vërtetoi mosekzistencën e vrimës së zezë në hapësirë , spjegon shkencërisht vdekjen e një ylli, vuri në diskutim teorinë e Bing Bengut( të shpërthimit) sot ajo po studion një teori të re për bukurinë dhe vlerat që jep fuqia e erës në dobi të njerëzimit. Është propozuar për çmimin Nobel në astronomi.
Estetika dhe filozofia në tërësi sipas gjërësisë së gjithëpërfshirjes është e gjerë dhe e shtrirë si në hapësirë ashtu edhe në kohë. Lum kush është në gjendje ta studiojë dhe duke njohur të fshehtat e universales, arrin të dalë në përfundime të reja shkencore në shërbim të jetës. Para këtyre njerëzve të ditur dhe punës së tyre kolosale më duket vetja shumë e vogël, e papërfillshme. Respekt dhe mirënjohje për gjithë ata kolosë të kulturës filozofike e veçanërisht asaj estetike që i kanë dhënë vlera të pallogaritshme njerëzimit! Kështu ka ndodhur,ndodh e do të ndodhë. Është bukur dhe humanizëm kur jeta i jep përparësi jetës në tërësi…!
Komentet