Bija e regjisorit të shquar Viktor Gjika, promovoi të enjten një libër me
kujtime dhe shënime për jetën dhe veprën e babait të saj, botuar nga “Toena”
PROLOG
Qershor, 2000
– Esi xhan… sido që të vejë puna, çfarëdo gjë që të ndodhë, ti babin do ta kesh gjithmonë pranë. Mos e harro kurrë këtë!
Kthej kokën vrullshëm dhe vështroj tim atë si kurrë në jetën time. Hera e parë në tridhjetë e katër vjet që e dëgjoj të shqiptojë këtë frazë… u deshën më tepër se tri dekada për të dëgjuar atë çka kam ditur mirë e me qartësi brenda meje, por që pata dashur me gjithë shpirt të më thuhej, bile shpesh, gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Një lot i nxehtë, i rrumbullakët, si margaritar i vogël, i tejdukshëm më bie nëpër faqe dhe, pa thënë as gjysmë fjale, mbështes kokën në supin e tij të dashur, të imët dhe familjar.
Një dallgë e lartë, e shkaktuar nga një mjet tjetër lundrues, trondit për një çast këtë moment intim, ndër më të bukurit dhe të paktët në marrëdhënien atë e bijë. Po udhëtojmë me një aliskaf nga Durrësi për në Bari, unë me shumë valixhe, me një sëmbim në zemër edhe sepse nuk kam djalin me vete, me ankth, por edhe me kërshëri për jetën e re italiane, që më pret tej detit dhe që kam zgjedhur vetë.
Ndiej mall për tim atë që tani, pra edhe pse e kam pranë meje. Dhe është ndjesi pozitive. Kuptoj në atë moment përgjigjen ndaj dilemës që më shoqëroi, për vite e vite, gjatë dekadave të para të jetës sime… pra arsyen e asaj rreptësie, ngurtësie dhe ngushtësie afektive me të cilën u rrita në fëmijëri. Fëmijë i vetëm, vajzë e regjisorit më të madh shqiptar, e ledhatuar me të mirat dhe avantazhet që më ofronte pozicioni social i prindërve të mi, i kisha të gjitha shanset të rritesha tekanjoze, e llastuar, e pabindur, e pasjellshme, kapriçioze, problematike… dhe mënyra për të më mbrojtur nga këto të këqija paskësh qenë kjo.
Dhe unë e kuptova më vonë, goxha më vonë… çfarë As-i, çfarë Njësh-i kisha për baba, çfarë artisti kishim në familje, me çfarë punëtori të palodhur dhe të dedikuar, kokë e këmbë, pas artit pata fatin të ndaja ditët e mia, rritjen time, tryezën time, jetën time. Ndoshta nuk pata as mundësinë për t’ia shprehur qartë sa e vlerësoja dhe sa me fat isha, sepse derisa u ndërgjegjësova unë… rrodhi shumë kohë.
Ka qenë baba i sertë, i ashpër, rigoroz, me bindje të rrënjosura thellë në ndërgjegje dhe në shpirt, i vuajtur, por edhe për këtë i fortë, sepse i pati arritur vetë me forcat e tij të gjitha, nga zeroja, pa ndonjë trashëgimi familjare kulturore, artistike e aq më pak kinematografike. Gjithçka realizoi në jetë, si dhe pasuria e pashoq kulturore që i la kombit, janë fryt i punës dhe vetëm punës së tij, pa rekomandime, pa shtytje, pa ndihmë. Me një valixhe druri, shtatëmbëdhjetë vjeç, i trembur, i ndrojtur, i padalë, kapërceu pragun e shtëpisë së vjetër në Korçë, përqafoi prindërit, gjyshërit e mi të thjeshtë e të pashkolluar, dhe fluturoi… drejt Moskës, drejt botës së hapur, drejt artit, drejt ëndrrës.
Kaq shumë vjet u deshën që të kuptoja se pikërisht ato rregulla të forta, të ashpra, tek-tuk autoritare, në kufijtë e despotizmit, të imponuara në stilin tim të jetesës, të mënyrës së sjelljes, të mbrujtjes sime, nuk ishin veçse mënyra më e mirë për të formuar më pas femrën që u bëra, e brumosur me vullnet të pashoq, me këmbëngulje prej mushke (thoshte gjyshja…), me stil të pakrahasueshëm, me aftësinë për t’iu përshtatur të gjitha situatave dhe për të mbijetuar në çfarëdolloj konteksti e vështirësie, duke qenë kurajoze, trime e luftëtare. Dhe sidomos me vendosmërinë për të mos iu dorëzuar kurrë, asnjë dobësie dhe asnjë situate të vështirë. Asgjë e pamundur për mua! Mungesa e ledhatimeve të tepruara, ndoshta, në një moment të parë e bën një fëmijë të ndihet jo rehat dhe i papërshtatshëm në jetë, sikur gjithçka i duhet ta arrijë me luftë e vështirësi. Por kjo në fakt e forcon, e kalit, e bind që për të pasur sukses në jetë, nuk duhet t’i lejojë vetes asnjë dobësi dhe duhet të shpërfaqë që ka më tepër forcë e guxim se të tjerët.
– Ba’, mos ki merak ti! Sido që të vejë puna dhe në çfarëdolloj situate të pëlqyer apo të papëlqyer të ndodhem, mos harro kurrë që unë jam një Gjikë! Dhe ne Gjikajt kemi fibër fitimtari, nuk na tremb asgjë, përkundrazi, jemi ne që trembim fatin, vështirësitë dhe kë nuk sillet mirë me ne…
I kundërpërgjigjem kështu, me pak humor, shprehjes së ëmbël e të dashur të Viktorit, për të mos e bërë merak. Dhe si shpërblim marr një buzëqeshje të mrekullueshme atërore me atë shprehje fytyre që më nxit të jem, po ashtu, e fortë dhe e papërkulur si ai.
Por vetëm unë e di se çfarë kam në zemër. Boshllëk, hapësirë inerte përpara meje, asgjë të qartë, gjithçka për t’u nisur nga e para në jetë. Dhe për momentin, pa mundur të kem me vete djalin tim të mrekullueshëm dhjetëvjeçar, Polin e vogël, gëzimin më të madh të jetës sime.
– Dhe një gjë… Mënyra si do sillen të tjerët me ty, mënyra si do të të trajtojnë, varet nga vendi ku do ta pozicionosh ti vetë veten. Vendi ku do të vesh veten dhe djalin do t’i orientojë njerëzit rreth jush, dhe jo vetëm ata, në marrëdhëniet që do duan të kenë me ty. Pra, lart, sa më lart, vendose veten… Më lart se dhimbja, më lart se zilia, më lart se zemërimi, aty ku të tjerët nuk arrijnë dot! Je vajzë e zgjuar, kaq e bukur, në formë fizike të mrekullueshme, elegante, e mençur, me kulturë, me mendje të hapur, e sigurt në atë çka do dhe e vendosur që ta arrish. Ku mund të pozicionohet një femër e tillë, veçse lart?
Dëgjova me endje këshillat e tij që, këtë herë, nuk ishin direktiva apo udhërrëfime. Ishin fjalë të ngrohta që shprehnin dashurinë, krenarinë, respektin e tij ndaj vajzës së vetme…
– Jeta e vërtetë e një femre fillon kur ajo nuk ia vë më veshin mbushjes së viteve të moshës, por kur fillon përmbushjen e ëndrrave.
Ekstrakt nga Kapitulli YJET E NETEVE TE GJATA
Shtëpinë e nënë Pashakos në film, aty ku ajo thërret e lidhur pas shtyllës: “Dalan! Ku je Dalaaaaaaaaaan! Ti duhet të vish Daaaaaaalaaaaan!”, në kodër të një fshati të Korçës që, në mos gaboj, është Dishnica, e njoha pëllëmbë për pëllëmbë. Më kujtohet një panoramë magjepsëse në kodrat përtej, që shpalosej nga oborri ku ndodhej edhe pusi, ujin e të cilit Ago me shokë e quajnë verë në film… Aq i mirë, i freskët dhe me kualitet kur e pije. Vërtet ashtu ishte. E ngrinin me atë kovën prej druri gjatë xhirimeve dhe nga ajo pinim të gjithë, ja ashtu, si në skenën e fundit të filmit, kur uji rrjedh nga kova, nëpër fytyrën e qeshur dhe babaxhane të xha Agos.
Në sheshet e xhirimit te “Yjet e netëve të gjata” kujtoj në mënyrë të veçantë përgatitjet për skenat e djegies së asaj shtëpie. Çudi… ngjyenin copa pambuku në alkool dhe i vendosnin nëpër shkallë, në parvazet e shtëpisë, të dritareve, gjithandej, dhe pastaj atyre pambuqeve u vinin zjarrin. Efekti ishte jo i keq, në kuptimin që zjarri dukej… Por duke i parë ato skena me syrin e sotëm, të shtrëngohet zemra kur mendon me sa pak burime dhe mjete, kineastët e mëdhenj të atyre viteve, realizonin aq shumë filma në vit dhe po aq cilësorë. Me pambuk me alkool, por me shpirt e zemër, pavarësisht mungesave elementare, i dedikoheshin punës dhe artit, për të na dhuruar pastaj kryevepra kolosale, që kanë mbetur thesar i paçmuar i kombit.
Ekstrakt nga Kapitulli
PËRBALLIMI
1976
– Do ta kuptosh më vonë, kur të rritesh. Dhjetë vjeçe nuk mund të kapësh kuptimin e thellë dhe mesazhin që përcjell vepra. Pas luftës, populli që mori pushtetin filloi të përballohej me urinë. E di ti ç’është uria? Jo nuk e di, – ma preu shkurt im atë.
Filmi nuk më pati pëlqyer… Në atë moshë nuk arrija të lidhja mirë (bile aspak) vlerat artistike me ato ideologjike. Babai kishte të drejtë. Nuk isha akoma e mbrujtur me doktrinën socialiste, prandaj thellësia dhe brendësia e filmit nga një anë më hynë e nga tjetra më dolën. Mbeteshin për mua vlerat artistike dhe Martin Kreka i luajtur mjeshtërisht nga Bujo ynë (Bujar Lako) i bukur, interesant, elegant, sensual, i krekosur por me lezet. Dhe ambientimi në Korçën tonë të dashur, me pazarin e vjetër, që mori gjallëri gjatë xhirimeve, u sistemua, u organizua më bukur dhe skenat e xhiruara aty kanë mbetur perla të papërsëritshme.
Sigurisht, batutat “Thesin agaaaaaa” dhe “Gërmo Tare gërmo…”do të hynin në analet e arta kulminante të shprehjeve filmike, që populli do t’i dashuronte dhe do t’i përdorte si mantra nëpër biseda, darka e gëzime, dhe jo vetëm.
Dhe punishtja e Pllaton Bubuqit do të ishte një nga zgjedhjet më të arritura dhe simbolike të dyshes Laço – Gjika. Sigurisht në atë kohë nuk mund të përmendej feja, krishtërimi, prifti, por në mbretërinë e Pllatonit, me anë të një loje pasqyrë të përkryer të tim eti, do të krijohej një nga alegoritë më të veçanta të filmave. Në punishte është një arkivol, apo qivur siç i thoshin në Korçë, dhe kryqi i qivurit, falë lojës së kamerës dhe planeve, shfaqet brenda kornizës së xhamit në proporcionet e duhura për të krijuar imazhin e vendit të Zotit, i vdekur brenda një qivuri. Pra, ishte “Ok.” për nomenklaturën e radhës. Megjithatë mesazhi i regjisë do të shtyhej shumë më tej me anë të një metafore. Pllatoni ishte rojtar i atij kryqi, që qe vendosur brenda punishtes, e cila luante rolin e një lloj muzeu, punishtja me gardian Pllatonin, i cili nuk mësohej dot me disiplinë. (Nga Wikipedia mbi filmin “Përballimi”).
Ekstrakt nga Kapitulli
NJERIU ME TOP
1977
– Do jetë nesër në shesh xhirimi Enea? Ka dubla për të bërë?
– Nuk e mbaj mend me saktësi skaletën, por besoj se po. Po pse? Ti vjen për të parë babin tënd si xhiron, meqë thua që të pëlqen shumë, apo të intereson ndonjë gjë tjetër?
Heshta. Po tradhtoja veten… Enea. Më dridhej zëri, trupi, deri edhe flokët kur e shihja qoftë dhe për së largu. Kisha hyrë në fazën e pubertetit dhe brenda meje një revolucion i panjohur emocionesh, ndjesish, rrahjesh zemre, djersitjesh të pashpjegueshme, që më pushtonin dhe më merrnin frymën kur e dija që do të takoja djaloshin e bukur dhe të talentuar Enea Zhegun, rebel dhe të guximshëm, i çlirët nga çdo kompleks, i shkathët, me një vështrim që të depërtonte tej tejpërtej, me një timbër zëri si të ngjirur, gjë që e bënte akoma më tepër interesant, i sapodalë nga skenat e “Tomka dhe shokët e tij” pas një suksesi planetar të atij filmi dhe të kastit të djelmoshave të mrekullueshëm të përzgjedhur nga Teta Xhano (Xhanfise Keko) me kujdes dhe dashurinë që e karakterizonte.
– Esi, hajde ta shikosh kaun në grazhd, se sa të mëdha i ka koqet, e spiunojmë nga mbrapa gardhit që të mos trembet dhe unë me një shkop të gjatë i prek atë (e tha troç)… ha- ha-ha, – më pëshpëriti Enea në një moment pushimi mes dublash.
Unë u skuqa nga turpi, ndoshta dhe nga emocioni që ndjeva frymën e tij në vesh, dhe gati më ra të fikët nga ajo çlirësi në të folur e këtij djaloshi spurdhjak të cilit nuk i bënte syri tërr të përdorte edhe fjalë të pista. Mua më vinte aq zor kur ai argëtohej kështu, duke vënë njerëzit në pozitë, i pëlqente, i dukej si lojë… shumë çamarrok.
Ai ka qenë dridhja e parë e zemrës sime, përpëlitja platonike, e pastër, e pafajshme, e pashprehur. Në atelienë e Kinostudios ku kishin ndërtuar kasollen në të cilën mbahej “Xhepaneja” e Mato Grudës, kërkoja të shkoja përditë, nëse ishte e mundur. Mbaroja, shpejt e shpejt, detyrat e shkollës, ndihmat në punët e shtëpisë, ndonjë pazar të vogël që kisha filluar të mësoja të bëja, vetëm e vetëm që të “meritoja” të isha me babin në set. Më pëlqente aroma e butaforisë (siç i quanin profesionistët sendet e bëra me karton), e ambienteve të xhirimit, era e barit të tharë, që duhej të ishte me shumicë në grazhdin ku mbahej topi, bile edhe “aromat” që vinin nga qoshja ku livadhiste lopa e bukur e Zarës dhe Zigurit (për përzgjedhjen e të cilës asistentet e grupit të xhirimeve bënë një si kasting të vërtetë për disa lloje ngjyrash dhe racash, tamam siç bëhej për aktorët njerëz).
Zgjedhja e aktorëve te “Njeriu me Top” ka qenë proces në të cilin për herë të parë kam marrë pjesë, pa dashur, drejtpërsëdrejti. Sepse babi sillte në shtëpi të gjitha fotot që u bëheshin kandidatëve gjatë kinoprovave, i studionte, i kthente e rikthente, i vëzhgonte nga larg dhe nga afër dhe, meqenëse duhej të përputheshin ngjashmëritë në treshen Mato – Zare – Zigur, fotot hapeshin mbi qilimin e madh të shtëpisë. Me dhjetëra e dhjetëra foto, nga të cilat duhej të krijoheshin grupet dhe sidomos bërthama e treshes. Me sa mbaj mend, Viktori ia kishte vënë syrin Vangjush Furxhiut për rolin e Matos. E adhuronte atë aktor, e konsideronte të kalibrit hollivudian dhe gjatë zbërthimit të skenarit regjisorial ia kishte qepur sipas trupit rolin, por Vangjushi nuk pranoi, kishte punë të tjera në atë kohë apo nuk e di mirë arsyen. Im atë thoshte gjithmonë që ai aktor pati humbur shumë shanse në kinematografi me oferta rolesh të papërsëritshme, ishte shumë kërkues dhe i sertë në përzgjedhjen e tyre.
Më pas hyri në lojë kandidatura e Timos, sipas meje edhe në bazë të këshillës së Florës. Fotoja e Timos kalonte nga një grup në tjetrin dhe kjo më bëri të kuptoj që ishte një nga të përzgjedhurit dhe të preferuarit e tim eti. Dukej sikur ai po zgjidhte të tjerët në funksion të figurës së Timos, domethënë që e shoqja t’i shkonte atij si shtat, si ngjyrë lëkure e pamje, si karakter, si bukuri etj., ndërsa i biri të mund t’u ngjante pak të dyve. Dhe në fakt, kur filloi të zvogëlohej lista nga të mënjanuarit, në krye të piramidës së fotove, në rrethin e ngushtë të listës u gjend treshja Timo – Elida – Enea. Dhe kështu u bë. Karakteri fillestar i personazhit pësoi ndryshime për t’ia përshtatur më mirë figurës së Timos, më i rafinuar dhe më i pashëm se “Matoja” i Furxhiut. Pastaj zgjedhja ishte e vështirë edhe për Murat Shtagën, për Tosun Baçin, Shegën etj., ndërsa nuk pati dyshim kujt t’ia besonte rolin e plakut Mere. I madhi Kadri Roshi dukej i prerë për atë personazh, i cili vërtet është një perlë në galerinë e personazheve të filmave të babait tim.
Pra, atë vit kam njohur edhe Timon, të pakrahasueshmin Timo, madhështor, të egër dhe të papërpunuar e primitiv në rolin e Matos, por kaq të butë dhe të rafinuar jashtë setit të xhirimeve, të gjatë, të hedhur, në formë fizike perfekte (më pas mora vesh që i dedikohej me ngulm mirëmbajtjes së trupit me të gjitha mënyrat). Kaq i qëlluar doli roli i Matos për një djalosh të veçantë dhe aktor të madh që në atë moshë si Timo Flloko. Me sa mbaj mend, kur kishte skena të inkuadruara në portretin e tij, pra plane të ngushtuara direkt në fytyrën e tij sensuale dhe të hijshme, godiste në shenjë që me dublin e parë, nuk kishte nevojë të bëheshin të dytë, e aq më pak të tretë e të katërt, si ndodhte me aktorë e skena të tjera. Kjo edhe sepse gjatë kinoprovave im atë i kishte kaluar me Timon gati të gjitha skenat e filmit.
Ektrakt nga KAPITULLI 12
DREJTOR I KINOSTUDIOS “SHQIPËRIA E RE” (1982-1990)
E mbaj mend mirë mëngjesin kur doli nga shtëpia për të shkuar në Kinostudio ditën kur u emërua drejtor i saj.
Ishte një mëngjes si gjithë të tjerët. U zgjuam shumë herët siç ishte zakoni çdo mëngjes, në orën 6:00, unë për t’u përgatitur për në shkollë, mami për në punë në Televizion (o Zot sa e kam urryer këtë orar, për vite e vite me radhë… Kur shkoja për të fjetur në darkë mendoja: “Ehuuu sa shumë orë janë deri në 6:00 të mëngjesit, do të kënaqem me gjumë!”. Por kur binte ajo zilja e tmerrshme që të shponte veshët, ngjante sikur tërë nata kishte kaluar hap e mbyll sytë). Shikoj tim atë të bukur, të qetë, me buzëqeshje në fytyrë, por me pak shqetësim në vështrim, që po vërtitej nëpër shtëpi duke u bërë gati, sa në banjë, në kuzhinë, në dhomën e gjumit, para mbrapa… nuk e zinte vendi. Kishte javë të tëra që konsultohej me kolegët, miqtë, të afërmit, me familjen, vëllain, motrën, të gjithë njëzëri i thanë ta pranonte këtë emërim, edhe pse punë administrative dhe burokratike, do t’i bënte veç mirë kolektivit krijues të Kinostudios, sepse drejtimi, koordinimi, organizimi i një institucioni aq delikat për artin po i besohej një artisti. Pra, jo një politikani apo burokrati të mirëfilltë, që nuk kishte haber nga arti. Një krijues si ai do të dinte cilat ishin pikat e dobëta, por edhe të forta të atij kolektivi, do të dinte si t’i ndihmonte kineastët, si të bëhej zëdhënës në qeveri i kërkesave të tyre, do të dinte t’i sillte veç të mira Kinostudios. Ai pranoi, edhe për faktin se ishte shumë i lodhur nga viti i realizimit të filmit “Nëntori i Dytë”, që ia shteri thuajse tërë energjitë, forcat dhe limfën krijuese. Por gjatë pranimit të emërimit vuri kusht që të kishte mundësinë edhe të krijonte, pra të realizonte në mos aq filma sa bënte kur ishte vetëm regjisor, të paktën një film në vit. Këtë dëshirë ama nuk e realizoi dot. Kaq i ngarkuar me punë burokratike, me mbledhje pa fund, takime, punë zyre, sa nuk i doli koha t’i kushtohej krijimtarisë.
Në një moment ama, zhduket, nuk e shoh më. Ndërsa unë jam duke u veshur në dhomën time, kur dal prej saj, shoh të mbyllur derën e dhomës së gjumit të prindërve.
Por ato dyer kishin një pjesë qendrore prej xhami opak me ornamente, që gjithsesi të lejonin deri diku të shihje përtej, jo qartë, por konturet dhe hijet që lëviznin po. Dhe unë shoh hijen e tij të përkulur në tokë, në gjunjë… Po lutej! Po i kërkonte Atit të tij (siç e quante), Perëndisë, që ta ndihmonte në këtë mision të ri të karrierës, ta udhëhiqte në rrugën e vështirë të administrimit të qindra e qindra punonjësve që kishte në atë kohë Kinostudioja, të koordinimit të dhjetëra e dhjetëra grupeve të xhirimit, të cilat më pas, në drejtimin e tij, arritën të realizonin për vite me radhë katërmbëdhjetë filma artistikë në vit, plus dokumentarë, filma vizatimorë e aktivitete të tjera. Po i kërkonte Perëndisë të mos e linte në baltë dhe ta mbështeste që të dilte faqebardhë, të sillej mirë me njerëzit, t’i ndihmonte ata, të ishte frymëzim për kolegët e tij artistë dhe t’i ndihmonte që të arrinin maksimumin e artit të tyre, ndërsa ai do të ishte drejtor.
Dhe Perëndia e dëgjoi.
Por gjithsesi mendoj dhe besoj se im atë ka vuajtur, në njëfarë mënyre, gjatë gjithë atyre viteve të punës si burokrat. I mungonte frymëmarrja e artit, frymëzimi i çiltër dhe vital krijues, sheshet e xhirimit, atmosfera magjike dhe lidhja e fortë mes anëtarëve të grupit, që gjatë muajve të realizimit të filmit shndërrohej në një bërthamë familjare. I mungonin ndoshta edhe vetë mundimet e xhirimeve në shi, në diell, në furtunë, në vapë, në lagështi, në erë, thatësi… por që i jepnin atë ndjesinë e pazëvendësueshme të asaj mrekullie që quhet KRIJIM artistik, të asaj ndjenje sublime, që i shpërthente brenda shpirtit kur gjente subjektin e një skenari të ri, kur e shkruante atë, kur e zbërthente në pjesë teknike dhe artistike, dhe më pas, kur ngrinte në këmbë atë makinë të komplikuar dhe të ndërthurur, që quhet REALIZIM kinematografik.
Të administroje qindra e qindra punonjës dhe në të njëjtën kohë të koordinoje dhjetëra grupe xhirimi me tërë problematikat që ky aktivitet nënkuptonte, duhej të kishe diplomë në radhë të parë, në Psikologji e pastaj në Menaxhim. Viktori nuk kishte asnjërën prej tyre… Viktori ishte shpirt i lirë, krijues, shkrimtar, operator, regjisor, pra ARTIST! Aspak burokrat, si të gjithë artistët. Ato vite në drejtim i kushtuan shumë shtrenjtë për sa i takon humbjes së kohës krijuese, kushedi sa vepra të tjera të mrekullueshme do të na kishte dhuruar gjatë asaj periudhe. Por nga ana tjetër, fakti që kolegët e tij mundën të realizonin veprat e tyre më të mira nën drejtimin dhe koordinimin e tij, i dha një kënaqësi profesionale të veçantë dhe të pazëvendësueshme.
Gjatë atij dhjetëvjeçari, im atë u zgjodh disa herë, pra për dy-tri legjislatura edhe deputet i Kuvendit Popullor. Pa qenë anëtar Partie, pa pasur teserën e komunistit. Sa herë më ka bërë kureshtare ky fakt: mandat i përfaqësimit të popullit në qeverisjen e vendit, pa pasur anëtarësim dhe përkatësi politike dhe kjo në kuadrin e një sistemi të ngurtë dhe të egër socialist. Unë e kam konsideruar këtë si një arritje cilësore në jetën dhe aktivitetin e tim eti, sepse ishte konsideratë ndaj vlerave të tij si njeri. Arriti në atë foltore në saje të artit të tij, cilësive humane, empatike dhe të ndershmërisë së tij të pashoq. Më pëlqen t’i besoj kësaj teorie dhe e ndiej si të vërtetë përbrenda.