Kur ua tregon si fakt, se në krye të Ambasadës të Shqipërisë në Bernë prej 1997 drejtojnë eksponentë të ish nomenklaturës dhe ish-sigurimit, nuk dinë si të përgjigjen.
Ziejnë si brumbuj. Të quajnë jashtëtokësore!
Si është e mundur ?! Këtë pyetje ua kam bërë figurave të PD-së, të cilat për hir të karierës dhe pushtetit nga i cili ka buruar komoditet dhe privilegje, aq u ka bërë për parimet bazë mbi të cilat mbështetet shteti i së drejtës.
A mund të kishte demokraci Shqipëria nëse de jure sistemi diktatorial u rrëzua më 22 mars 1992 dhe de facto edhe sot e kësaj dite drejtohet nga superstruktura komuniste, nga ish nomenklatura, trashëgimtarët e saj gjenetikë dhe nga zyrtarët e lartë konformistë, të katapultuar për besnikëri dhe virgjëri ndaj liderëve?
A mund të ketë shtet ligjor, kur, për 32 vjet tranzicion, shteti bëri gjithçka për të ushqyer anmezinë kolektive ndaj krimeve të komunizmit, mbolli varfërinë ekstreme, vazhdoi ta politizonte kulturën, ta shkombëtarizonte, duke lejuar degradimin e sistemit arsimor, për të patur një popull të varfër dhe injorant.
Kalbësira e sotshme është pasojë e mosdekomunistizimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga establishmenti që ktheu Sovranin në një militant lypës të vendeve të punës.
Diktatura plus postdiktatura na prodhuan sistemin hibrid të tipit mafioz, ku aktualisht opozita trajtohet si plaçkë tregu nga kryeministri që ka uzurpuar çdo qelizë të shtetit dhe tentakulat i ka zgjatur në Perëndim.
Me një sistem zgjedhor i cili prej 2008 siguron plotësisht omnipotencën, plotfuqishmërinë e Njëshave dhe deputetët e listave i rreshton si kope Delesh Dolli, që xhepat e tyre i mbushin rëndshëm, ndërsa popullit i japin vetëm retorika dhe bar!
Katandisja e opozitës u bë edhe për fajin e saj, sepse nuk përmbushi obligimet kur ishte në pushtet me qëllim që të funksiononte the rule of law.
Cilat janë parimet kryesore ku mbështetet shteti i së drejtës: Mbrojtja e sovranitetit, qeverisja e kufizuar, checks and balances, të drejtat e njeriut, shtypi i lirë. Me pak fjalë, demokraci do të thotë zyrtarë dhe deputetë me meritokraci dhe integritet, Parlament me integritet, institucione me integritet dhe media të pavaruara.
Sistemi ka dështuar sepse të gjitha parimet bazë janë shkelur nga kjo klasë politike. Përgjegjshmëria i takon PD mbi të cilën binte detyrimi kombëtar të ndërtonte demokracinë për ta bërë Shqipërinë si Europa. Kështu na premtoi më 1991.
E megjithatë besimi tek PD nuk u thye plotësisht dhe rezistoi sepse kjo forcë politike e futi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat, ndërtoi Rrugën e Kombit.
Besimi tek PD mbijetoi duke u përballur me drejtimin mafioz të Shqipërisë nga Edvin Rama, i cili shpërndan vetëm rrezik për shqiptarët, Shqipërinë, i cili përbën rrezik edhe për Perëndimin, sepse përdor prostituimin dhe korruptimin për të kompromentuar me metoda sovjetike deri zyrtarët Perëndimore dhe institucionet Perëndimore. Rasti McGonigal, Mark Rossin është vetëm maja e ajzbergut!
Si është arritur kjo katastrofë ?
Pikërisht përmes zyrtarëve të tij, sistemit nepotiko- klientelist, metresave, ish ekponentëve të Sigurimit të Shtetit, ish nomenklaturës dhe trashëgimtarëve të ish nomenklaturës, të cilët abuzojnë, shpërdorin dhe e shkelin ligjin e askush nuk ua prish terezinë.
Sidomos kjo opozitë! E zhveshur edhe nga pushteti i votës, sepse shumica e inkriminuar i largon nga salla e Parlamentit sa herë që jep urdhër kryeministri, që nuk njeh as detyrimin e interpelancës si kreu i qeverisë.
A është rastësi që në Zvicër prej 1997, Ambasadën e Shqipërisë e drejton kjo kategori zyrtarësh. Ish kandidat i KQPPSH, ish anëtar i KQPPSH dhe trashëgimtar gjenetik direkt i nomenklaturës, sikur është Ilir Xhelil Gjoni, nip njëkohësisht edhe i Hysni Kapos, në krye të kësaj Ambasade prej 2013.
Ambasadorët fillimisht votohen në Parlament, pra i voton maxhoranca dhe opozita. Keni parë ndonjë reagim nga opozita për të emëruarit e PS?! Jo! Asnjë!
Ky kontigjet zyrtarësh, që është modeli i shëmtuar i shtetarit të këtij tranzicioni, e ka kthyer Shqipërinë një vend të pabanueshëm për qytetarët e saj, duke e ndyrë deri edhe diasporën.
Kjo katrahurë ka ndodhur edhe për shkak të mungesës së shtypit të pavarur.
Sallonet e televizioneve janë bërë si sallonet e modës, ndërsa gazetarët e pavarur luftohen me të gjitha mjetet. Portalet u hakerohen, sulmohen me të gjitha mënyrat, me gjoba, kërcënohen me gjyqe, ndërsa mbështetjet financiare i merr vetëm rrethi vizioz dhe i molepsur i pushtetit, që ka eleminuar çdo kompeticion, duke ngritur në piedestal dizinformacionin dhe trushplarjen.
Edhe në diasporë, edhe në Zvicër e njëjta gjë. Zëdhënësit e Edvin Ramës i sjellin njerëzit e kastës së tyre nga Shqipëria, u sigurojnë leje qëndrimi, punësim, i promovojnë dhe i (sh)përdorin. Dhe kur kalbësira arrin nivele të larta dekorohet!
Po a keni dëgjuar që opozita t’i ngrejë këto shqetësime konkretisht. Jo. Edhe kur u fol për rithemelim të PD, ishte vetëm demagogji. Establishmenti pranon vetëm riciklim, establishmenti bën zhurmë, por, kur vjen puna, përfshihet i gjithi në ujin e së njëjtës kënetë.
Sigurisht Edvin Rama, për çdo moment që qendron në pushtet, shkakton vetëm katastrofa, tërmete, Covid, shpopullim, varfëri, injorancë, shkombëtarizim, McGonigalizim!
Por ata që do të riciklohen, nuk ngjallin shpresë. Sepse nuk duan ta thajnë kënetën, për ta kthyer në tokë pjellore, nuk e duan garën e pastër, votën e lirë dhe për pasojë the rule of law, shtetin e së drejtës. Sepse vota e lirë e rrëzon establishmentin. I rrëzon edhe ata.
Establishmenti është një bunker që duhet rrëzuar.