Është një rastësi e bukur që u ula sot të shkruaja.
Dy ditë më parë ktheva faqen 463 të romanit “Frika e Fluturimit”, me autore, amerikanen Erika Jong. Një nga 12 librat e përkthyer nga Irena Dono (Jorgaqi).
Për orë me radhë, pasi i dhashë fund leximit, e ndjeva se më kishte rrëmbyer jo vetëm subjekti dhe stili origjinal, por sjellja e rrefenjës në një mënyrë të tillë që të nxit dilemën: “Di shqip, Erica Jong”?
Pyetje e pavend! Dhe “fajet” i ka Irena Dono.
Përkthyesja e bërë njësh me autoren dhe protagonisten na udhëheq në aventurën e Izadora Uing me një zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme. E saktë, e qartë në mendim, nuk anashkalon asnjë hollësi, dhe lexuesi e kupton se ajo nuk ve në letër, fjalën e parë që i vjen në mendje. Ajo ngjyen penën në bukurinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe dhe shton në hambarin e saj, fjalë të reja, të qëmtuara ose të krijuara prej saj.
Ky është një sekret që vetëm Irena Dono mund të na e zbulojë. Nëpër radhët e librit, shqipja e bukur këndon, vallëzon, të rrëmben me nurin e saj dhe lexuesi ndjen se është pjesë e saj dhe jo vetëm kaq.
Një lexues serioz dhe i përkushtuar ka rastin të meditojë dhe të shohë përtej çastit të leximit. Një lexues i tillë e ka të lehtë të bëjë krahasimin me botime që e kanë masakruar gjuhën shqipe në gjithë këto vite të tranzicionit. Tregu ofron jo rrallë, libra të keqpërkthyer.
Pas kësaj, natyrshëm ti kthehesh pas në kohë, hidhesh në shekullin e kaluar, kur një vepër e përkthyer, ishte një dëshmi e kulturës së mjeshtërve tanë elitarë, që njihnin deri në palcë jo vetëm gjuhën e huaj, por dhe gjuhën amtare. Një pjesë e tyre kishin studiuar jashtë, por gjuhën e nënës e kishin të shenjtë. Ishte kjo frymë shenjtërie që i lejoi ata t’i blatonin orët e ditës dhe të natës, në kryeveprat e letërsisë botërore, që i dhanë ca ngjyrime të tjera muzgut të asaj kohe….
Shkak për miqësinë time me Irena Donon, u bë Tereza, gati dy vjet më parë.
Nëse ju kujtohet, “Shtatë shpirtrat e Terezës” u argasën në përpjekjet e personazhit për të gjetur vendin e saj në shoqërinë indiferente dhe makute pas parasë. Tani, ndërsa shkruaj, përpiqem të kuptoj sa shpirtra ka “konsumuar” Irena Dono për të na sjellë në shqip 4.000 faqe prozë dhe 500 poezi të autorëve nga vende të ndryshme të globit.
Por nëse cilësia nuk do të mbizotëronte, sasia nuk do të kishte asnjë rëndësi. Irena Dono është me fat se i ka të dyja. Pavarësisht nga përfytyrimi që kemi ne për fatin, mendimi racional të bën të pranosh se prapë ai mbetet në dorë të individit.
Irena Dono dikur, ka punuar në Shtëpinë Botuese, ku gatuheshin, midis të tjerash, për lexuesin shqiptar, edhe kryevepra botërore. Por fati mbaron këtu.
Pastaj zë fill angazhimi njerëzor, përpjekja për të ecur, për të bërë atë që di të bësh më mirë, me synimin që të japësh maksimumin. Duke iu referuar thelbit të shprehjes së njohur që ngjan me një formulë: “1 përqind talent dhe 99 përqind punë” unë besoj se gjithë përvoja e Irenës në fushën e përkthimit i është përmbajtur kësaj. Dhe tabloja të vjen para syve. Irena Dono që nuk sheh nëse është ngrysur, apo ka zbardhur dita, e dashuruar me personazhet, me jetën e tyre, me veset dhe virtytet e tyre, bën të pamundurën t’i bëjë të flasin e të rrëfejnë shqip. Fjalorë, pas fjalorësh, qasje në disa gjuhë… Një sërë shpjegimesh në një legjendë përmbyllëse, që mbajnë firmën e saj.
Përkthyesja s’ka një hall.
Protagonistja ka qëlluar një qejflie e paepur udhëtimesh. Irenës i duhet ta ndjekë sa në Vjenë, sa në Haidelberg të Gjermanisë, sa në Paris e sa në Londër.
Protagonistja është njujorkeze, por kurioziteti, rastësia jetësore dhe shpirti i lirë e shpie në muzeume dhe kështjella, në parqe, restorante dhe bujtina.
Protagonistja rrëmbehet shpesh nga trille të çuditshme. Ajo e tërheq përkthyesen në fantazi të çmendura, në biseda ekzistencialistësh, në situata absurde, me shpresën se Irena Dono mund të heqë dorë. Ajo shpreson që përkthyesja do të lodhet dhe do ta braktisë atë. Por kjo gjë nuk ndodh. Duket si një ballafaqim force dhe zotësie.
Irena Dono i përshkon të gjitha rrugët e romanit me të njëjtin ritëm si personazhet. Ajo ndihet vetvetja edhe mes kongresit të psikanalistëve, edhe në pijetoret ku birra derdhet lumë. Ajo vizaton besnikërisht karaktere që pulsojnë aq të vërtetë në faqet e romanit, sa lexuesi edhe mund te çoroditet disi për autorësinë . Personazhet zënë e fiksohen në kujtesën e lexuesit edhe kur janë aty sa për të mbajtur baulet. Talenti i autores, padyshim. I ka skalitur ajo fillimisht, në gjuhën e saj, për t’ia lënë pastaj barrën “Magjistares së Përkthimit”.
Zakonisht magjitë zënë vend nëpër përralla (meqë ra fjala, Irena Dono ka përkthyer edhe një libër të tillë për fëmijë), por në rastin tonë formula “abra-kadabra”, nuk hyn në punë. Pasioni, këmbëngulja, kultura, dëshira për të lidhur emrin e mirë me një produkt, që synon përsosmërinë.
“Është dhe paraja!” – mund të thërrasë ndonjë.
Por unë do t’ju thosha: Mos e përmendi shpërblimin për djersën e tyre. Nuk ia vlen. Në një shoqëri si kjo e jona, me një shurdhëri të frikshme ndaj vlerave intelektuale të këtij vendi, përmendja e parasë është një fyerje më e madhe se indiferenca ndaj tyre.
Pavarësisht apatisë sonë, ata janë mes nesh. Me merakun e spikatur për kulturën dhe gjuhën. Jo rastësisht Irena Dono derdh në përkthimet e saj një pasuri të madhe gjuhësore. Ajo e njeh domethënien që ka gjuha për një komb.
Dhe rreket të na i thotë ne të tjerëve. Jo duke mbajtur referate, sepse realisht edhe po të donte, nuk ka ku t’i mbajë.
Ajo e ka bërë këtë përmes përkthimit, duke dëshmuar që është anëtare e denjë e asaj elite, që përpiqet ta mbajë zgjuar shpresën se vlerat ia dalin gjithmonë të mbijetojnë. Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare.
Të shkruaje për Irena Donon sot, ishte më shumë se rastësi. Ishte sot dita jo vetëm të shkruaja për të, por edhe të aspiroja për një vlerësim, që ajo e meriton.
Nuk e di nëse ekziston një formë nderimi e tillë në shoqërinë shqiptare. Por gjithsesi unë ndërmora një iniciativë, (gazetarëve u lejohet) dhe u kredha në një tjetër dimension letrar, ku Dante Aligheri, m’u shfaq me kurorën e tij të lavdisë.
Asnjë lloj shkëlqimi tjetër nuk do të ishte më domethënës.
Është kaq prekëse të mbash në duar një “Corona Triuphalis”, me synimin për t’ia dhuruar përkthyeses Irena Dono. Me motivacionin: Për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Për promovimin e letërsisë artistike të huaj dhe përhapjen e kulturës së kombeve të tjerë, si urë bashkëpunimi dhe njohjeje të ndërsjelltë”.
Nuk e di sa elemente të tjera mund të shtojmë këtu, por një gjë është e sigurt.
Irena Dono spikat me kontributin e saj në rrugëtimin e përbashkët drejt qytetërimit.

Tiranë, 21 shkurt 2022
Komentet