VOAL

VOAL

A është përfshirë Bill Clinton dhe a ka negociata sekrete Kosovë – Serbi?, flet ish-diplomati amerikan

September 23, 2019

Komentet

Kosova kundër zgjidhjeve me Serbinë që prekin territoret

Ura e Ibrit, e cila, që nga paslufta e vitit 1999, ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë: në Mitrovicë të Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicë të Veriut të banuar me shumicë serbe.

 

Bekim Bislimi

Për Qeverinë e Kosovës, shkëmbimi i territoreve me Serbinë, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk duhet të vihet në diskutim.

Ajo thotë se ka qenë dhe është kundër idesë së tillë.

“Qeveria e Kosovës refuzon projekte e zgjidhje me karakter territorial”, thotë zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Ideja u riaktualizua javën e kaluar, kur kandidatja për komisionare të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, u deklarua kundër saj.

“Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, tha Kos në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian.

Po atë javë, zgjedhjet presidenciale në SHBA i fitoi ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili do ta marrë mandatin nga janari i vitit të ardhshëm.

Në administratën e parë të Trumpit, nga viti 2017 deri më 2021, ka pasur disa zyrtarë, si këshilltari i atëhershëm për siguri kombëtare, John Bolton, që nuk e kanë përjashtuar opsionin e “korrigjimeve territoriale” mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk do të jemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse dy palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”, ka thënë Bolton në gusht të vitit 2018.

Po atë muaj, edhe vetë presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpalosur në një forum në Austri idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Ngjashëm, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ndonëse asnjëri nuk ka ofruar propozime konkrete, është përfolur që veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, të shkëmbehej me jugun e Serbisë, ku jeton popullatë shqiptare.

Këto ide, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi kanë hasur në reagime për dhe kundër.

Edhe aleatët kryesorë të Kosovës në Evropë, Britania dhe Gjermania, kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim.

Këtë qëndrim ka sot Qeveria e Kosovës, e cila thotë se përpjekja eventuale për ndarje të Kosovës, nën petkun e shkëmbimit territorial, “nuk është projekt paqësor dhe ndez konflikt të gjerë e të gjatë në Ballkan”.

“Vetëm spekulime”

Për James Ker-Lindsayn, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, përmendja e idesë për shkëmbimin e territoreve tani, bazohet vetëm në spekulime dhe asgjë konkrete.

“Kjo ishte në agjendë më herët [në administratën e parë të Trumpit]. Mendoj se nuk ka asnjë justifikim se po flitet diçka [rreth kësaj teme]”, thotë Ker-Lindsay për Radion Evropa e Lirë.

“Mendoj se shumëçka do të varet se kush do të jetë në krye të ekipit të tij për politikë të jashtme dhe nëse ata do të jenë të interesuar për Ballkanin”, shton ai.

Trump, sipas tij, është i interesuar “vetëm aty ku mendon se mund të arrijë marrëveshje që mund ta bëjnë të duket mirë”.

“Dhe, nëse mendon se Ballkani nuk i ofron diçka të tillë dhe nuk e ka askënd përreth që i thotë se mund të bëjmë diçka në Ballkan, ai nuk do të brengoset”, thotë Ker-Lindsay.

Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad të Serbisë, thotë se nuk e di se kush është duke e iniciuar tashti idenë e shkëmbimit të territoreve.

Ai thotë se Vuçiqit do t’i konvenonte rikthimi i kësaj ideje në diskutim, por, sipas tij, ajo nuk përkon më me realitetin në terren.

“Shumëçka ka ndryshuar. Pushteti i Kosovës ka arritur që institucionet serbe që funksiononin atje – përveç shëndetësisë dhe arsimit – t’i shuajë tërësisht. Kështu që mendoj se kjo ide është e vdekur. Kushdo qoftë nga SHBA-ja, nga administrata e saj, që e analizon këtë situatë, do ta kuptojë që, para së gjithash, Prishtina nuk do ta pranojë”, thotë Popov.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Presidencën dhe Qeverinë e Serbisë për të kërkuar komente rreth këtyre ideve, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje.

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se gjasat e rikthimit të idesë së shkëmbimit të territoreve në diçka konkrete, tash për tash, janë të vogla.

“Shkëmbimi i territoreve nuk do të rikthehet në të njëjtën mënyrë si përpara, sepse aktorët kanë ndryshuar – së paku njëri prej tyre. Marrëveshja është folur në kuadër të një pajtimi mes Thaçit dhe Vuçiqit, të cilët i kanë besuar njëri-tjetrit”, thotë Kanin, duke aluduar në deklaratat e Thaçit dhe Vuçiqit më 2018.

Sipas Kaninit, mes kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe Vuçiqit, nuk ka bashkëpunim të tillë.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre mbeten pa u zbatuar dhe për këtë palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë angazhimi.

Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar qysh në shtator të vitit 2023.

BE-ja, në anën tjetër, ua ka bërë me dije se rruga e tyre drejt integrimit evropian, varet ekskluzivisht nga normalizimi i marrëdhënieve.

Kandidatja për shefe të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të martën se “Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm” dhe se do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet. REL

UGSHPD: ATSH PROPAGANDA DHE REFRENI “BUXHETI DIGJITALIZUES” 

 
 
Në tre vite rresht atëherë kur buxheti i shtetit hartohet në ngritje shifrash ATSH-ja ka pjesën e saj të përcjelljes së lajmit, por edhe kërkesën e saj për t’u mbuluar me fonde nga ky buxhet. Drejtuar Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, drejtoresha e përgjithshme e ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare) Valbona Zhupa  tri herë me rradhë, por vetëm për nevojat e katër viteve ka shtruar çështjen e projektbuxhetit për vitin pasardhës. Kështu:
1- për 2022: “Prioritet digjitalizimi i arkivës”. 
2- për 2023: Prioriteti mungon edhe në vetë arkivin digjital të ATSH 
3- për 2024: “ATSH, domeni publik modern i së ardhmes”
4- për 2025: “Në fokus lufta ndaj dezinformimit, prioritet digjitalizimi i arkivës”,në këtë të fundit përmenden shifrat në rritje me 15 milionë lekë që do t’i duhen fazës së parë të inventarizimit dhe konservimit të arkivës së institucionit.
Duke monitoruar ecurinë disa vjeçare të ATSH-s, UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), sikurse vlerëson se ky institucion i rëndësishëm i medias që me formimin e shtetit shqiptar është një aset i madh i memories dhe historisë kombëtare, ka mundur të nxjerrë në pah me dhjetra raste se ATSH është abuzuar me detyrimin e saj si një institucion i propagandës së Rilindjes Socialiste. Në 11 vite veçanërisht asnjë komision parlamentar apo edhe drejtuesit e vetë ATSH-s nuk i kanë shpëtuar shtrëngimit nga censura dhe imponimit të propagandës së partisë shtet. Në çdo projektbuxhet digjitalizimi ka mbetur kryefjala ndërsa këtë vit atij i shtohet dezinformimi, çështje e rëndësishme për të cilën ka edhe një komision parlamentar, por që fatkeqësisht nuk sheh bashkëpunim sepse si propaganda edhe dezinformimi janë mjetet më të mira për të goditur kundërshtarin politik dhe topitur opinionin publik.
Kur viziton faqen online të ATSH-s megjithëse veç gjuhës shqipe, janë në përdorim gjuhët frënge dhe angleze, përditësimi i përmbajtjes nuk ka ritmin e ditës dhe të vetë peshës së ngjarjeve. Shkak është politizimi dhe agjenda e partisë-shtet sidomos në një vit të rëndësishëm zgjedhor që po afron.
Nuk po zgjatemi shumë në analiza dhe të dhëna pasi ato janë të shumta. Janë aq të shumta sa studentët e gazetarisë mund të mbronin tema diplome, analistët studime akademike dhe vetë historianët dhe akademikët të ndërtonin një kauzë për vërtetësinë e fakteve në trajtimin objektiv të historisë së shtetit shqiptar.
Po veçojmë një krahasim. Në 111 vite jetë si institucion, ATSH në epokën digjitale mundëson në kohë reale marrjen e informacionit përmes internetit kryesisht të një 5-6 vjeçari të fundit, pasi pjesa tjetër e memories është materiali i shkruar si dhe hershmëria e përdorimit të faqeve online (fillimi i shekullit XXI).
Në aspektin numerik dhe sasior rubrikat editoriale, lajmet më tërheqëse dhe aktualiteti kanë të depozituara mbi 145 mijë tituj. Por kur shohim se me  daljet e kryeministrit dhe të kabinetit që shpërndajnë si lajme ato çka ka telefoni i tyre celular kap nga shkrepjet private dhe statuset në rrjetet sociale të marrin peshën e lajmit, atëherë profesionalizmi në gazetari ka marrë fund. Ka marrë fund sepse së paku kemi nga 5 të tilla çdo ditë për turizmin, arkeologjinë, aeroportet dhe rrugët, zonat e shkatërruara të natyrës etj. të cilat konkurrojnë çdo zhvillim të rëndësishëm të jetës politike shoqërore  në vend, rajon dhe ndërkombëtarisht dhe janë krye-lajme vetëm kur kryeministri Rama, zv/kryeministrja Balluku, kryetari i bashkisë Tiranë Veliaj shfaqen e më pas të tjerë ministra sipas agjendës qeveritare dhe rëndësisë së  propagandës. 
Në mbyllje duhet thënë se prioriteti i parë është vërtetësia dhe objektiviteti i lajmit. ATSH ka nevojë për gazetarë terreni, për mbulime fotografike dhe audio-vizive sikurse çdo agjenci moderne lajmesh. Me produktin e saj objektiv nga faktet dhe realiteti shqiptar ATSH mund të njihet, shkëmbejë komunikimin dhe të synojë prirjet e zhvillimit pasi në xhepin e qeverisë propagandën e partisë-shtet askush nuk ta blen. 
Ndaj është mirë që rritja e buxhetit t’i shërbejë profesionalizmit në gazetari, historisë dhe kulturës kombëtare.
 

12 Nëntor, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

“Punë një jetë, pensioni në dietë”, pensionistët protestë para Kryeministrisë: Rama na ka lënë pa oksigjen, ditën e votimit t’i heqim tubat

TIRANË

Pensionistët dhe Lëvizja Bashkë kanë dalë sërish sot para Kryeministrisë për të kërkuar rritjen e pensioneve. Ata thanë se pensioni nuk u del as për ilaçe e ushqimet e shportës, duke akuzuar qeverinë për korrupsion e vjedhje.

Me pankarta si “Punë një jetë, pensioni në dietë” apo “Hiqni dorë nga korrupsioni të na rritet pensioni”, pensionistët kanë bërë thirrje për t’u bashkuar.

“Me 200 mijë lekë çfarë do bëjmë. Pensionistët janë të parët në votime dhe të parët në detyrime. Ku është Kontrolli i Shtetit, ku janë sindikatat që nuk ndjehen fare. Shtresa e tretë ka vuajtur në kohën e Enverit dhe të Hitlerit. Na iku Enveri, erdhi Hitleri. Ku jeni o shqiptarë, fëmijët tanë të vijnë të votojnë për ta hedhur këtë”, tha një e moshuar.

“Pensioni social 500 euro. Ky na do vetëm votën. Vërtetë na ka gjunjëzuar nga ana ekonomike, na ka bërë me oksigjen, por ama ditën e votimit ta çojmë këtë në oksigjen, t’ia heqim tubat këtij. Më keq se sot nuk do bëhemi. Të mblidhemi dhe ta rrëzojmë me votën”, u shpreh një tjetër pensionist.bw

Reuters: Trumpi pritet të caktojë senatorin amerikan Marco Rubio për sekretar shteti

Donald Trump pritet të zgjedhë Senatorin amerikan Marco Rubio si sekretar të tij të shtetit, thanë burimet të hënën, duke e vënë politikanin e lindur në Florida në rrugën e duhur për të qenë latini i parë që do të shërbejë si Kryediplomati amerikan, sapo presidenti i zgjedhur republikan të marrë detyrën në janar.

Rubio ishte padyshim opsioni më i ashpër në listën e ngushtë të Trump për Sekretar Shteti, dhe ai në vitet e kaluara ka mbrojtur një politikë të jashtme muskulare, në lidhje me armiqtë gjeopolitikë të Amerikës, duke përfshirë Kinën, Iranin dhe Kubën.

Gjatë disa viteve të fundit ai ka zbutur disa nga qëndrimet e tij për t’u lidhur më ngushtë me pikëpamjet e Trump. Presidenti i zgjedhur akuzon presidentët e kaluar të SHBA-së, se e kanë çuar Amerikën në luftëra të kushtueshme dhe të kota dhe ka shtyrë për një politikë të jashtme më të përmbajtur.

Ndërsa Trumpi gjithmonë mund të ndryshonte mendje në minutën e fundit, ai dukej se ishte vendosur në zgjedhjen e tij që nga e hëna, sipas burimeve, të cilët kërkuan anonimitetin për të diskutuar bisedat private.

Përfaqësuesit e Trump dhe Rubio nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Administrata e re do të përballet me një botë më të paqëndrueshme dhe më të rrezikshme se sa ishte kur Trump mori detyrën në vitin 2017, me luftëra të ndezura në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, dhe me Kinën duke u lidhur më ngushtë me armiqtë e SHBA-së, Rusinë dhe Iranin.

Kriza e Ukrainës do të jetë kryesore në agjendën e Rubios.

Rubio, 53 vjeç, ka thënë në intervistat e fundit se Ukraina duhet të kërkojë një zgjidhje të negociuar me Rusinë, në vend që të fokusohet në rifitimin e të gjithë territorit që Rusia ka marrë në dekadën e fundit. Ai ishte gjithashtu një nga 15 senatorët republikanë që votuan kundër një pakete ndihme ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, të miratuar në prill.

Ndërsa Rubio ishte larg nga opsioni më izolues, zgjedhja e tij e mundshme megjithatë nënvizon një ndryshim të gjerë në pikëpamjet e politikës së jashtme republikane nën Trump.

Dikur partia e skifterëve që përkrahnin ndërhyrjen ushtarake dhe një politikë të jashtme muskulare, shumica e aleatëve të Trump tani predikojnë përmbajtje, veçanërisht në Evropë, ku shumë republikanë ankohen se aleatët amerikanë nuk po paguajnë pjesën e tyre të drejtë në mbrojtje.

“Unë nuk jam në anën e Rusisë – por fatkeqësisht realiteti i tij është se mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është me një zgjidhje të negociuar,” tha Rubio për NBC në shtator.

Përzgjedhja e Rubios ka rëndësi të brendshme dhe ndërkombëtare.

Trump mundi zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit pjesërisht duke fituar mbi një numër të madh latinësh, të cilët kishin votuar me shumicë dërrmuese për demokratët në ciklet e mëparshme zgjedhore, por janë bërë një demografik gjithnjë e më i larmishëm në kuptimin politik, me gjithnjë e më shumë latino duke votuar republikane.

Duke zgjedhur Rubion për një rol kyç në politikë, Trump mund të ndihmojë në konsolidimin e fitimeve elektorale mes latinëve, dhe të bëjë të qartë se ata kanë një vend në nivelet më të larta të administratës së tij.

Nëse konfirmohet, Rubio ka të ngjarë t’i kushtojë një rëndësi shumë më të madhe Amerikës Latine se çdo sekretar i mëparshëm i shtetit, tha Mauricio Claver-Carone, një aleat i Rubio-s, ish-president i Bankës Ndër-Amerikane për Zhvillim dhe një ish-ndihmës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Amerikën Latine në administratën e parë të Trump.

“Kjo është koha kur Amerika Latine do të jetë më së shumti në hartë në historinë e çdo presidence të SHBA. Është historike. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta thënë,” tha Claver-Carone./ Reuters. sn

Kurti: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me administratën e re amerikane

VOA/Leonat Shehu

Kryeministri Albin Kurti tha të hënën se qeveria e tij është e gatshme dhe interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me administratën e re të Shteteve të Bashkuara ndërsa theksoi se marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet para asaj të Washingtonit të vitit 2020.

“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë dhe kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga pala e Beogradit edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, që është një marrëveshje gjithëpërfshirëse sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së paku përmes njohjes de facto”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë siguroi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në praninë e presidentit Donald Trump.

Marrëveshja u nënshkrua disa muaj pas rënies të qeverisë së parë të kryeministrit Kurti i cili nuk u pajtua me kërkesat amerikane për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që ishin vendosur në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Mandati i parë i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë u karakterizua nga marrëdhënie të tensionuara me qeverinë e parë të kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri Albin Kurti tha sot pas një vizite në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë se do të ketë komunikim e bashkëpunim në të ardhmen me presidentin e rizgjedhur amerikan Donald Trump.

“Unë bëj raporte zyrtare, shtetërore dhe politike. Kush i ka raportet me kë më mirë nuk e di atë punë, nuk mund ta them tani, por duhet të presim, të japim pak kohë dhe të ecim përpara”, tha ai duke nënvizuar se qeveria e tij do të punojë me çdo administratë të Shteteve të Bashkuara.

“Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që është një njëkohësisht edhe president i kaluar në një letër urimi që i kishte dërguar një pararendësi para kësaj qeverie po ashtu ka vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore për raportet e ardhshme normale midis Kosovës dhe Serbisë dhe ne dëshirojmë, jemi të gatshëm dhe shumë të interesuar ta vazhdojmë këtë bashkëpunim, pse jo ta zgjerojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim i cili shprehët jo vetëm në aspektin diplomatik”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç njoftoi ndërkaq të dielën se ka biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump pak ditë pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.

Përmes një video mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, presidenti serb tha se biseda me zotin Trump ishte e shkëlqyer, domethënëse dhe e përzemërt.

“Shfrytëzova rastin që me dëshirën për të përmirësuar më tej marrëdhëniet tona në të gjitha sferat e jetës shoqërore, shpreha shpresën se ai do të vizitojë Serbinë, sepse Serbia ishte vendi ku mbështetja për Presidentin Trump në këto zgjedhje ishte më e larta në Evropë”, tha ai duke nënvizuar se presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump e falënderoi për mbështetjen e madhe nga populli serb.

Ish presidenti Donald Trump pritet të rikthehet në postin e presidentit amerikan pasi në zgjedhjet e javës së kaluar fitoi përballë kandidates demokrate Kamala Harris.

Franca dhe Britania – Macron dhe Starmer zotohen për mbështetjen ‘e palëkundur’ të Ukrainës

Franca dhe Britania e Madhe do të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme “për të penguar luftën e agresionit të Rusisë”, kanë thënë presidenti francez Emmanuel Macron dhe Sir Keir Starmer.

Kryeministri shënoi Ditën e Armëpushimit në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Paris si i ftuar i Macron të hënën dhe zhvilloi një takim me homologun e tij francez për të folur për pushtimin e Rusisë dhe ndalimin e migracionit të paligjshëm në Kanal.

Një deklaratë nga Pallati Elysee tha se të dy udhëheqësit kishin riafirmuar angazhimin e tyre për të “mbështetur Ukrainën në mënyrë të palëkundur”.

Takimi i tyre vjen pasi po bëhen pyetje në lidhje me mbështetjen e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për Ukrainën, pasi ai tha se mund t’i jepte fund luftës “brenda një dite”.

Macron e ftoi personalisht kryeministrin, për të shënuar 120-vjetorin e Antante Cordiale mes Francës dhe Britanisë së Madhe, e cila hapi rrugën për një bashkëpunim më të madh diplomatik mes dy vendeve.

Deklarata tha se të dy udhëheqësit kishin riafirmuar angazhimin e tyre për të “mbështetur Ukrainën në mënyrë të palëkundur dhe për aq kohë sa është e nevojshme për të penguar luftën e agresionit të Rusisë”.

Një deklaratë e mëtejshme nga Downing Street tha se dyshja diskutuan se si ta vendosnin Ukrainën në “pozitën më të fortë të mundshme fillimit të dimrit”.

Nuk kishte detaje nëse të dy udhëheqësit do të mbështesnin lejimin e Ukrainës për të përdorur raketa me rreze të gjatë “Storm Shadoë” thellë në territorin rus.

Vendimmarrësi kryesor përsa i përket Londrës dhe Parisit mbetet Presidenti Biden – i cili deri më tani nuk i ka dhënë leje Ukrainës të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë, nga frika e përshkallëzimit.

Downing Street tha se “asnjë luftë nuk u fitua me një armë të vetme” kur u pyet nëse Mbretëria e Bashkuar po fliste me Presidentin Biden për përdorimin e mundshëm të raketave.

Një zëdhënëse e numrit tha: “Pozicioni ynë ndaj Storm Shadoë nuk ka ndryshuar.

“Ne gjithmonë kemi ndihmuar që aty ku diskutojmë mbështetjen tonë për Ukrainën, ta bëjmë këtë në drejtim të strategjisë më të gjerë për të siguruar që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm përpara, veçanërisht në dimër, dhe gjithashtu kemi qenë të qartë se lufta nuk është fituar ndonjëherë me një armë të vetme.”

Pyetjet janë ngritur pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale rreth asaj se çfarë mund të thotë mandati i tij i dytë për mbështetjen e SHBA për Ukrainën dhe NATO-n.

Gjatë fundjavës, Washington Post raportoi se Trump ka folur tashmë me Vladimir Putin – duke i kërkuar udhëheqësit rus që të mos përshkallëzojë më tej luftën.

Kremlini mohoi të kishte pasur një telefonatë, duke pretenduar se artikulli i Ëashington Post “nuk korrespondon aspak me realitetin”.

Macron falënderoi Sir Keirin që ishte lideri i parë britanik në ceremoninë e Champs-Élysées që nga Ëinston Churchill në 1944.

Gjatë përkujtimeve të Ditës së Armëpushimit, Sir Keir u takua gjithashtu me kryeministrin francez Michel Barnier përpara se të mbajë një minutë heshtje.

Sir Keir dhe Macron vendosën një kurorë në statujën e Churchillit në Paris dhe udhëtuan me një makinë me çati të hapur për të shqyrtuar trupat përreth Harkut të Triumfit.

Gjatë takimit të tyre, Sir Keir dhe Macron u angazhuan gjithashtu për “bashkëpunim për migrimin në Kanal, veçanërisht përballë rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore”, thuhet në një deklaratë.

Dyshja diskutuan sigurinë evropiane dhe “perspektivat për marrëdhëniet” midis BE dhe MB, së bashku me diskutimet mbi situatën humanitare në Gaza.

“Më në fund, të dy udhëheqësit përsëritën dëshirën e tyre për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në deklaratë.

Më herët, Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey tha se nëse raportet e thirrjes ishin të sakta “atëherë Presidenti Trump ka saktësisht të drejtë që paralajmëroi Putinin kundër përshkallëzimit në Ukrainë”.

Duke folur për BBC Breakfast, ai tha se priste që Shtetet e Bashkuara të “mbeteshin të palëkundura” në mbështetjen e saj ndaj Ukrainës për shkak të fuqisë së “mbështetjes dypartiake” në vend.

“Ne kemi rritur mbështetjen tonë për Ukrainën, ne po përshpejtojmë shpërndarjen e ndihmës dhe po shpenzojmë më shumë tani për Ukrainën dhe duke mbështetur Ukrainën sesa kemi bërë ndonjëherë më parë,” shtoi ai.

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë thënë se mbështetja e Ukrainës kundër Rusisë është thelbësore kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kontinentit evropian në tërësi.

Trump u ka thënë më parë anëtarëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, duke thënë se ai do t’i linte agresorët si Rusia të bëjnë “çfarëdo dreqin dëshiron” për ata që nuk e bëjnë këtë.

Bryan Lanza, i cili ka punuar në fushatën presidenciale të Trump në vitin 2024, i tha BBC-së se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duhej të kishte një “vizion realist për paqen” , i cili nuk do të përfshinte përfundimin e aneksimit rus të Krimesë.

Megjithatë, një zëdhënës i Donald Trump e distancoi atë nga komentet, duke thënë se zoti Lanza “nuk flet në emër të tij”.

Takimi i Ditës së Armëpushimit midis Starmer dhe Macron vjen ndërsa luftimet midis Ukrainës dhe Rusisë intensifikohen.

Shkëmbimet në fundjavë panë sulmet më të mëdha me dronë nga të dyja palët kundër njëra-tjetrës që nga fillimi i luftës, dhe ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se ka kapur 84 dronë ukrainas mbi gjashtë rajone, duke përfshirë disa që i afrohen Moskës.

Të dielën, ministri i Thesarit Darren Jones i tha BBC One’s Sunday me programin Laura Kuenssberg se qeveria donte të rriste shpenzimet e mbrojtjes nga 2.3% në 2.5% të të ardhurave kombëtare.

Megjithatë, ai nuk tha se kur do të arrihet objektivi apo nëse do të arrihet para zgjedhjeve të ardhshme, të cilat mund të mbahen më së voni në vitin 2029. sn

Kurti për Marrëveshjen e Uashingtonit: Së pari ajo e Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dëshiron që Marrëveshja e Brukselit e arritur vitin e kaluar me Serbinë, të zbatohet fillimisht, e më pas të trajtohet ajo e Uashingtonit.

I pyetur nëse është e pranueshme për të tani Marrëveshja e Uashingtonit – e arritur më 2020 në Shtëpinë e Bardhë –nëse administrata e re amerikane e Donald Trumpit, insiston në zbatimin e saj, Kurti tha se pret që marrëveshja tjetër, ajo e Brukselit, të nënshkruhet.

“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë dhe kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga Beogradi, edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, e cila është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes de facto të njëra-tjetrës”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve vitin e kaluar. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se ajo është obligative për palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Ndërkaq, Marrëveshja e Uashingtonit për normalizim ekonomik u arrit në shtator të vitit 2020 mes SHBA-së dhe Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit Donald Trump. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht. REL

Këshilltari i Biden: SHBA do financojë Ukrainën me 6 miliardë dollarë përpara se Trumpi të marrë detyrën

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se “Shtëpia e Bardhë do të shpenzojë financimin e mbetur prej 6 miliardë dollarësh për Ukrainën përpara se Donald Trump të marrë detyrën në janar”.

Ai thotë se qëllimi kryesor i administratës Biden në muajt e saj të mbetur do të jetë “të vendosë Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm në fushën e betejës, në mënyrë që ajo të jetë përfundimisht në pozicionin më të fortë të mundshëm në tryezën e negociatave”, shkruan BBC.

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar që Ukraina të dorëzojë pjesë të mëdha të territorit si parakusht për bisedimet e paqes, ndërsa Kievi ka refuzuar me vendosmëri ta bëjë këtë.

Ndërsa për konfliktin në Lindjen e Mesme, Sullivan thotë se pret përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza dhe Libanin jugor dhe për të liruar pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

“Në një moment, qeveria izraelite dëshiron të bëjë një marrëveshje që i kthen qytetarët e saj në shtëpi”, ka thënë ai.bw

Shqipëri, shqetësim në rritje për paditë SLAPP ndaj gazetarëve

VOA/Mimoza Picari

Në Shqipëri komuniteti i gazetarëve dhe shoqëria civile po shtojnë presionin ndaj autoriteteve zyrtare me qëllim marrjen e masave të nevojshme bazuar në direktivën e BE mbi paditë strategjike kundër pjesmarrjes publike, ose siç quhen ndryshe SLAPP. Sipas njohësve të fushës juridike ato synojnë t’i frenojnë gazetarët në misionin e tyre, duke dëmtuar transparencën dhe llogaridhënien publike. Gjatë 3 viteve të fundit, paditë ndaj gazetarëve në gjykatë u rritën me afro dy herë. Kjo u vecua shqetësuese edhe në progress-raportin e fundit të BE-së për Shqipërinë. Nga ana tjetër zyrtarët thonë se janë vënë në lëvizje për ta vënë në zbatim direktivën anti-SLAPP të BE.

Në pranverë të këtij viti BE miratoi një direktivë kundër padive SLAPP, për të mbrojtur personat që angazhohen në pjesëmarrjen publike nga paditë keqdashëse.

Edhe Këshilli i Europës miratoi një rekomandim për këtë qëllim. Këto padi po përdoren gjithnjë e më shumë nga politikanë të lartë, zyrtarë përfaqësues të bizneseve apo dhe individë me lidhje kriminale si forma presioni ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe përfaqëseuesve të shoqërisë civile me qëllim që ata të tërhiqen nga investigime të ndryshme të ngjarjeve me sfond korruptiv, të paligjshëm apo kriminal.

Shqipëri, paditë SLAPP ndaj gazetarëve

Shqipëri, paditë SLAPP ndaj gazetarëve

Në vitin 2023 në gjykatat e vendit ndaj gazetarëve u ngritën 73 padi nga 42 një vit më parë. Aktualisht qendra Respublica, që ofron ndihmë juridike falas për ta gjatë viteve të fundit, po ndjek rreth 50 raste të tilla në gjykata. Përveç një padie, kjo qendër i ka fituar të gjitha çështjet në shkallë të parë dhe proceset vijonë në apel. Por në mungesë të një kuadri ligjor gjyqtarët aktualisht e kanë të pamundur t’i konsiderojnë ose jo padi SLAPP. Avokati Dorian Matlija ka një qasje personale nisur nga përvoja.

“ Ato konsiderohen të tilla kur shihet që shanset që të fitohen në gjykatë janë thuajse zero, sepse janë absurde në vetvete për argumentat që ngrenë, por kanë efektin negativ që trembin gazetarët me shifra të larta që kërkohen për dëmshpërblime. Gjithashtu i deligjitimon ata duke vënë në pikëpyetje lajmin apo besueshmërinë e tyre dhe sigurisht u merr gazetarëve dhe kohën. Grupime të fuqishme politike apo biznese të fuqishme kanë të gjitha mundësitë t’i ndjekin këto çështje dhe të vazhdojnë t’i tërheqin “zvarrë” gazetarët nëpër gjyqe të gjata.”- thotë për Zërin e Amerikës Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i qendrës Respublica.

Zoti Matlija thotë se paditësit janë politikanë të lartë, shumica nga mazhoranca, përfaqësues të bizneseve dhe nëpunës zyrtarë. Ai argumenton se paditësit nuk tërhiqen edhe pse në mjaft raste prokuroria e posaçme zbulon afera korruptive për të cilat kanë shkruar gazetarët që ai mbron në gjykatë.

Në udhërrëfyesin e shtetit të së drejtës që u miratua nga qeveria shqiptare në muajin qershor të këtij viti, në kuadër të përgatitjes për negociatat me BE, është specifikuar se autoritetet zyrtare do të punojnë për të përafruar direktivën e BE-së anti-SLAPP me legjislacionin shqiptar.

Direktiva sugjeron disa masa si: përjashtimin e hershëm në gjykatë të padive të pabaza, mbulimin e shpenzimeve nga pala paditëse kur proçesi rezulton i pabazuar, detyrimin e paditësit për të provuar se padia është e justifikuar, vendosjen e penaliteteve nga gjykata ndaj atyre që iniciojnë padi keqdashëse, apo dhe ndihmë juridike falas për gazetarët.

Por përfaqësues të shoqërisë civile vërejnë se procesi në vend është kompleks, duke marrë në konsideratë dhe mangësitë në trupën e gjyqtarëve për shkak të procesit të vetting-ut.

“ Ekspertët tanë ligjorë që kanë bërë vlerësimin fillestar të hapësirave dhe mungesave që ne kemi aktualisht në këtë drejtim argumentojnë që procesi është shumë sfidues. Në këtë kuadër është shumë e nevojshme që të nisë herët dhe të jetë sa më gjithpërfshirës”- shprehet për Zërin e Amerikës Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim.

Edhe Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë Aleksandër Çipa sugjeron një proces të shpejtë gjyqësor të gazetarëve në gjykata, pasi tejzgjatja e dëmton punën e tyre, argumenton ai.

“Gjykatat tona, proceset që kanë të bëjnë me gazetarët nuk mund t’i mbajnë në kalendat e tyre. Duhet të krijohet mundësia që këto procese në trancparencë të plotë të përfundohen konform legjislacionit shqiptar dhe të bëhen shembuj që reflektohen me qëndrime reaguese nga institucionet apo personat që ngrenë padi të pabazuara ndaj gazetarëve”- argumenton Z. Çipa.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i tha Zërit të Amerikës, se një grup i posaçëm pune, ka nisur analizën e rasteve konkrete të padive SLAPP në gjykata ndaj gazetarëve për të parë tipologjinë, nga vijnë dhe si janë vendimet e gjykatave për to.

Z. Manja konfirmoi se përafrimi i direktivës së BE me legjislacionin në vend ka nisur edhe pse afati final në udhërrëfyes është viti 2027. Sipas tij mendohet të ndërhyhet në dy aspekte.

“ Po t’i referohesh direktivës një nga masat anti – SLAPP është dhe mundësia që duhet t’i jepet gjyqësorit që t’i refuzojë këto padi që në momentin e parë. Kjo kërkon patjetër ndryshime në Kodin e Procedurës Civile. Gazetarët në rastin e padive strategjike kundër pjesmarrjes publike, ( SLAPP) konsiderohen viktima. Edhe në këtë rast do duhet të ketë një incentivë që ka të bëjë me mbrojtjen juridike, ndihmën juridike falas. Këtë e ofron ligji për ndihmën juridike falas. Do duhet të ndryshohet edhe ky ligj. Me këto kemi filluar nga puna që tani”- thotë Ministri i drejtësisë Ulsi Manja.

Por Zoti Matlija drejtor i qendrës Respublica, ndalet edhe në një tjetër moment që lidhet me dekriminalizimin e shpifjes pasi gjysma e padive që ai ndjek në gjykatë janë penale dhe jo civile. Kodi Penal parashikon gjobë deri në 3 milion lekë, për shpifje.

“ Një pjesë e mirë e padive SLAPP janë ato që gjykohen në gjykatat penale jo në gjykatat civile. Gazetarët nuk përballen me dëmshpërblime, por me dënime. Gjoba nuk është shumë e lartë, por problemi më i madh është që mbetet në dëshminë e penalitetit të gazetarit, si një person i dënuar. Kjo është kritikuar dhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut”- vijon Z. Matlija.

Ministri i Drejtësisë i tha Zërit të Amerikës se po punohet për një kod të ri penal që synon të reflektojë 61 direktiva të BE. Dekriminalizimi i shpifjes do marrë vëmendje të posaçme thotë Z. Manja.

“Qasja jonë është pozitive për ta përafruar Kodin Penal me standardet më të mira të BE. Pse jo Shqipëria, kur të miratohet kodi i ri penal ta ketë edhe shpifjen të dekriminalizuar. Ka instrumenta të tjerë juridikë për t’u mbrojtur ndaj shpifjes dhe cënimit të personalitetit. Një proces gjyqësor civil edhe në rastin e shpifjes, kur pretendohet për cënim të dinjitetit personal, familjar apo tregtar, ka mjete të tjera juridike për ta rivendosur të drejtën e shkelur edhe në rastin kur këto subjekte janë gazetarë.”- sqaron Ministri Manja.

Por një nga momentet kyçe kur bëhet fjalë për paditë strategjike kundër pjesmarrjes publike, lidhet me trajnimin e gjyqtarëve, që gjithashtu përfshihet në direktivën e BE. Komiteti shqiptar i Helsinkit e çmon të rëndësishëm këtë element.

“ Besoj që ka nevojë për trajnime të mirëfillëta të gjyqtarëve, nga ekspertë të cilët janë marrë me paditë SLAPP në vende të tjera, qoftë të rajonit, në Shqipëri apo dhe në vendet e BE, pasi ky nuk është një fenomen shqiptar por global.”- thotë Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Në Shqipëri BE ka zhvilluar disa seanca të posaçme për trajnimin e gjyqtarëve në lidhje me lirinë e shprehjes. Ndërsa në mesin e nëntorit në Bruksel pritet një seancë trajnimi e posaçme në lidhje me paditë SLAPP, me pjesmarrjen edhe të përfaqësuesve të sistemit gjyqësor shqiptar. Ky moment shënon një hap të ri mbi përpjekjet europiane në këtë drejtim, çka pritet të reflektohet më pas edhe në Shqipëri.

Ukraina nisi sulmin më të madh me dron në Moskë, kufizime fluturimesh në dy aeroporte

Ukraina lëshoi ​​të paktën 32 dronë që synonin Moskën dhe rrethinat e saj herët në mëngjesin e së dielës, duke detyruar autoritetet ruse të mbyllin përkohësisht dy nga aeroportet e kryeqytetit, thanë zyrtarët rusë. Ky ishte sulmi më i madh me dron ukrainas kundër kryeqytetit rus deri më sot.

Kryebashkiaku Sergei Sobyanin raportoi se 12 dronë u shkatërruan në rrethet Ramenskoye dhe Kolomensky të rajonit të Moskës, si dhe në qytetin Domodedovo, në jugperëndim të Moskës.

Shikoni pamjen e përgjimit të një droni

Guvernatori i Moskës, Andrei Vorobyov, tha se një person është plagosur nga sulmi i dronëve ukrainas, ndërsa videot që qarkullojnë tregojnë shtëpi dhe makina të përfshira nga flakët.

Distrikti Ramenskoye, rreth 45 kilometra në juglindje të Kremlinit, u shënjestrua për herë të fundit në shtator në ofensivën më të madhe të Ukrainës në kryeqytetin rus. Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 20 dronë.

Rosaviatsia, shërbimi federal i transportit ajror të Rusisë, thotë në Telegram se “për të garantuar sigurinë e fluturimeve të avionëve civilë, janë vendosur kufizime të përkohshme në funksionimin e aeroporteve Domodedovo dhe Zhukovo” duke filluar nga ora 4:30 e mëngjesit, por nuk thuhet se sa kohë do të jenë në fuqi kufizimet.

Më herët gjatë natës, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 62 nga 145 dronët rusë të lëshuar nga Moska, njoftuan sot forcat e armatosura ukrainase. Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se humbën gjurmët e 67 dronëve, ndërsa 10 të tjerë po fluturonin jashtë hapësirës ajrore të Ukrainës në drejtim të Rusisë, Moldavisë dhe Bjellorusisë. REL

Shefi britanik i Mbrojtjes: Tetori, muaji me humbjet më të mëdha për Rusinë në Ukrainë

Tanke ruse të shkatërruara në Avdivka, Ukrainë, janar 2024.

 

Rusia është përballur me muajin më të rëndë në tetor sa i përket viktimave në fushëbetejë prej se nisi lufta në Ukrainë, tha të dielën shefi i Shtabit të Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Tony Radakin.

Forcat ruse pësuan mesatarisht rreth 1.500 të vrarë apo plagosur brenda ditës në Ukrainë gjatë muajit tetor, sipas Radakinit.

Rusia nuk e zbulon numrin e të vrarëve të vet në luftën në Ukrainë, por zyrtarët evropianë të Mbrojtjes kanë thënë se numri i përgjithshëm i viktimave në tetor është më i madhi deri më sot.

Radakin tha për BBC se populli rus po e “paguan një çmim shumë të shtrenjtë” për pushtimin e Ukrainës që presidenti i tij, Vladimir Putin, e nisi në shkurt 2022.

“Numri i të vrarëve apo plagosur është gati të arrijë në 700.000 për Rusinë. Kjo është dhimbja dhe vuajtja e madhe që kombi rus duhet ta durojë për shkak të ambicieve të Putinit”, tha ai.

Ai tha se, derisa Rusia po shënon përparime dhe po e vë nën trysni Ukrainën, humbjet po i pëson “për kapjen e pjesëve të vogla të territorit”.

Kostoja e luftës, e cila sipas tij është mbi 40 për qind e shpenzimeve publike në mbrojtje dhe siguri, është gjithashtu duke e “shteruar” Rusinë.

Radakin tha se aleatët perëndimorë do t’i qëndrojnë pranë Ukrainës “sa të jetë e nevojshme”, pavarësisht dyshimeve që kanë lindur për mbështetjen amerikane pasi Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në fillim të javës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

“Buka në rrem” që tërheq turistë të huaj në Tropojë

Gështenja të pjekura, shoqëruar me një gotë verë pranë oxhakut, janë ritual në shtëpitë e banorëve të Tropojës – qytet në verilindje të Shqipërisë.

Tropoja ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan prej rreth 2.800 hektarësh.

Të moçmit i kanë quajtur “buka në rrem”, “drunj të bekuar” apo “pemë e bukës për të varfrit”, pasi kanë qenë ndër ushqimet kryesore në sofrat e tyre, por u kanë siguruar edhe të ardhura përmes shitjes.

Ato i plotësojnë edhe kërkesat për eksport, por, prej më shumë se dy vjetësh, prodhimi i tyre ka rënë për 50-60 për qind.

Një pjesë e zonës prej 2800 hektarësh me gështenja.

Një pjesë e zonës prej 2800 hektarësh me gështenja.

Insekti aziatik përgjysmon prodhimin e gështenjës

Përgjysmimi i prodhimit të gështenjës ishte edhe arsyeja përse Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, nisi një projekt si pjesë të iniciativës globale “Një vend, një produkt prioritar” dhe Shqipëria përzgjodhi gështenjën.

Gështenjat në degë

Gështenjat në degë

Agim Pepkolaj, drejtues projekti nga Zyra e FAO-s në Shqipëri, thotë se grera aziatike ka dëmtuar rëndë masivin me gështenja, duke rrezikuar të dëmtojë edhe turizmin dhe ekonominë lokale.

“Është një projekt që ka nisur prej dy vjetësh në Tropojë. Projekti ka parashikuar disa aktivitete, ku ndër më kryesoret mund të përmendim zbatimin e një programi të kontrollit biologjik për të luftuar grerën aziatike dhe menaxhimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve”, thotë Pepkolaj për Radion Evropa e Lirë.

“Aktualisht, projekti ka realizuar një laborator në Tropojë për rritjen e një insekti të dobishëm, pasi kjo është forma e vetme për ta trajtuar këtë problematikë, për ta luftuar insektin aziatik që po dëmton gështenjat”, sipas tij.

Pepkolaj shton se insekti aziatik mund ta dëmtojë deri në 80 për qind prodhimin e gështenjës, ndërsa zgjidhja e plotë e kësaj situate mund të kërkojë deri në tetë vjet kohë.

Turistë të huaj duke ecur "Shtegut të gështenjave".

Turistë të huaj duke ecur “Shtegut të gështenjave”.

Rëndësia e gështenjës për zonën e Tropojës

Si banor i kësaj zone, por edhe si ekspert i zhvillimit rural, Pepkolaj e njeh mirë rëndësinë e këtij druri frutor për banorët e Tropojës.

Gështenja ka qenë ndër breza një ushqim i rëndësishëm, ndërsa përmes shitjes dhe eksportit banorët kanë siguruar të ardhura për familjet e tyre.

“Nëse dëmtohet ky produkt, dëmtohet ekonomia e banorëve të këtyre fshatrave, kështu që zgjidhja e problematikës është prioritet”, thotë Pepkolaj.

Gështenja konsumohet e pjekur apo e zier. Ajo përdoret, gjithashtu, për të bërë bukë të veçanta me miellin e saj në raste festash apo për mikpritjen e miqve.

“Banorët e kësaj zone janë ushqyer me të. Aktualisht, prej saj bëhen edhe salca për të shoqëruar ushqime të tjera, ëmbëlsira, supë me gështenja, por mund të bëhen edhe kremra, torta dhe gjalpë gështenje”, shpjegon Pepkolaj.

Për ta shtuar më tej këtë vlerë, ai thotë se FAO-ja parashikon të bëjë një investim në Tropojë për përpunimin e gështenjës në produkte të reja – çfarë do t’i rriste ekonomitë e vogla familjare.

Pamje nga fshati Palç, ku ndodhet bujtina e Afrim Gjergjit.

Pamje nga fshati Palç, ku ndodhet bujtina e Afrim Gjergjit.

Afrim Gjergji nga Tropoja thotë se gështenja është produkti kryesor në sofrën e shtëpisë së tij, të kthyer në bujtinë.

“Gështenjat e Tropojës janë të njohura për cilësinë e tyre. Kushdo që vjen ta vizitojë bujtinën, do t’i provojë gështenjat, të pjekura apo të ziera apo edhe në forma të tjera”, thotë Gjergji për Radion Evropa e Lirë.

“Kohëve të fundit ka mungesë, për shkak të një insekti. Shpresoj që të zgjidhet shumë shpejt, sepse masivi i gështenjave është unik. Ulja e prodhimit e ka ndikuar ekonominë tonë”, thotë ai.

Çdo vit, në fund të tetorit, në Tropojë organizohet “Dita e gështenjës” – një festë për promovimin e këtij fryti, e që shërben edhe për të diskutuar se si mund të ndihmohet në prodhimin dhe përpunimin e tij.

Tropoja është e njohur edhe për mjaltin e gështenjës.

Festa për Ditën e gështenjës

Festa për Ditën e gështenjës

“Shtegu i gështenjave” synohet të kthehet në destinacion

Një ndër aktivitetet e tjera të projektit të FAO-s është promovimi i “Shtegut të gështenjave”, i cili synon ta kthejë zonën e Nikaj Mërturit në Tropojë dhe vetë Tropojën në një nga destinacionet kryesore turistike të Malësisë së Gjakovës.

Masivi i rrallë i gështenjave shihet si një mundësi e mirë për të tërhequr edhe turistë, që do të ndihmonin në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave të thella, të cilat, pas viteve ’90, thuajse janë braktisur.

Për shkak të mungesës së një perspektive, banorët kanë lëvizur drejt zonave urbane të zhvilluara, por edhe kanë emigruar jashtë Shqipërisë.

“Bukuritë e këtyre zonave, masivi me gështenja 500-600-vjeçare janë një pasuri nga e cila duhet të përfitojnë banorët vendas, por duhet ta zbulojnë dhe shijojnë edhe turistët”, thotë Pepkolaj.

Komunikimi me qytetarët ka treguar se, fatkeqësisht, kjo nuk njihet si zonë, edhe pse ka një larmi resursesh dhe atraksionesh, thotë ai, duke shtuar se pjesë e projektit të FAO-s është edhe promovimi i atij që quhet “Shtegu i gështenjave”.

“Është një udhëkalim prej 4-5 ditësh mes maleve për të pasionuarit pas hajkingut. Gjatë rrugës mund të qëndrosh në bujtina, stane, mund të vizitosh kulla, liqene, lumenj, shpella, e natyrisht të shijosh mikpritjen dhe ushqimet tradicionale”, thotë specialisti i FAO-s.

Pamje brenda nje prej shpellave në Palç.

Pamje brenda nje prej shpellave në Palç.

Se “Shtegu i gështenjave” nuk njihet apo vlerësohet nga vendasit e thotë edhe Gjergji, banor i fshatit Palç të Tropojës.

Ai thotë se vizitorët kryesorë të tij janë turistët e huaj.

“Prej tetë vjetësh e kam hapur bujtinën dhe vizitorët janë kryesisht turistë të huaj. Vijnë nga Anglia, Zelanda e Re, Zvicra, Italia”, tregon Gjergji.

Afrim Gjergji me turistë të huaj.

Afrim Gjergji me turistë të huaj.

Ai është ndër të paktët banorë që nuk u larguan nga fshati Palç, pasi rreth 95% e braktisën atë.

Thotë se, së voni, në fshatin e tij janë kthyer gjashtë familje dhe se e njëjta gjë po ndodh edhe në fshatra të tjera pranë.

Nxitjen për ta kthyer shtëpinë në bujtinë thotë se e ka marrë nga Ndoc Mula, alpinist – një prej adhuruesve të natyrës së egër të veriut të Shqipërisë dhe promovimit të saj – i cili humbi jetën në malin e Munellës tre vjet më parë.

“Ka qenë miku im Ndoc Mula, i cili më shtyu ta hap bujtinën në shtëpinë time të vjetër karakteristike prej guri. Kam vizituar çdo fshat të zonës Nikaj Mërtur bashkë me të. Dhe, në çdo bisedë, fliste për potencialin e madh që ka zona për të zhvilluar turizëm”, kujton Gjergji.

Turistët nga vende të huaja në fshatin Palç.

Turistët nga vende të huaja në fshatin Palç.

Çfarë ofron “Shtegu i gështenjave”?

Pepkolaj thotë se “Shtegu i gështenjave” ofron një shumëllojshmëri destinacionesh dhe burimesh të rralla natyrore dhe një mundësi për të vizituar një nga perlat e Alpeve Shqiptare.

“Nis nga lugina e Komanit, lumi i Shalës… Është një ndër atraksionet më të bukura. Pjesë e turit janë fshatrat: Salcë, Lekbibaj, Curraj, Velisht, Briskë, Palç e deri në Markaj. Është e gjitha me masive gështenjash mbi 500-600-vjeçare. Pjesë e turit janë edhe vizitat në ferma dhe stane, kalimi përmes shtigjesh që ofrojnë peizazhe fantastike”, shpjegon Pepkolaj.

Sipas tij, kjo është edhe zona me përqendrimin më të madh të bletërritësve në veri të Shqipërisë.

Kosheret e bletëve në Palç të Tropojës.

Kosheret e bletëve në Palç të Tropojës.

Sa i përket ushqimit, sigurisht që është tradicional, thotë ai.

Vendet që vizitohen përmes këtij shtegu, variojnë nga 200 deri në 1.200 metra mbi nivelin e detit.

Pjesë e këtij shtegu është edhe fshati Palç, ku Gjergji e ka kthyer shtëpinë në bujtinë, e gjithashtu e ka zgjeruar edhe stanin e tij për të mirëpritur turistë.

“Gjatë qëndrimit në bujtinë dhe në stan, turistët vizitojnë fermën ku mbaj kafshë të ndryshme, si: lopë, pula, dele, derra. Ushqimi që iu ofrohet turistëve, është tradicional, si: flija, maza, djathërat e mishi i ndryshëm, sikurse edhe produktet bujqësore që i marr nga një sipërfaqe prej tre dynymësh që e mbjell dhe e punoj bashkë me anëtarët e familjes sime”, tregon Gjergji.

Turistët e huaj në Shtegun e Gështenjave.

Turistët e huaj në Shtegun e Gështenjave.

Në stanin e tij në bjeshkë thotë se çdo 14 korrik pret banorë të zonës, në një takim brezash, në përkujtim të Betejës së Palçit kundër osmanëve më 1910.

Edhe ky takim shërben për të folur për investimet në turizëm, për të ringjallur kullat e shtëpitë prej guri e për të shijuar natyrën magjepsëse.

Shtëpia e Afrim Gjergjit e kthyer në bujtinë.

Shtëpia e Afrim Gjergjit e kthyer në bujtinë.

Gjergji thotë se turistët e huaj e adhurojnë bjeshkën.

“Ata që zgjedhin ta vizitojnë stanin në bjeshkë, mrekullohen me natyrën. Bëjnë ngjitje në mal, adhurojnë jetën e egër të maleve. Zona është e pasur me kafshë të egra. Nëse ngjitesh në mal, do të shohësh dhi të egra, kaproj, derra të egër… Fatmirësisht, nuk ka gjueti të paligjshme, ne i ruajmë kafshët, bimët, gjithçka që na ka falur natyra”, thotë Gjergji.

E, natyra u ka falur edhe ujëvara, lumenj me vaska natyrore dhe shpella të rralla, ku, siç thotë, bora nuk shkrihet kurrë.

Afrim Gjergji pranë një prej shpellave të zonës ku gjithmonë ka borë.

Afrim Gjergji pranë një prej shpellave të zonës ku gjithmonë ka borë.

Edhe Gjergji, edhe Pepkolaj thonë se një infrastrukturë më e mirë, mund të ndihmojë më shumë.

Banorët e zonës, kërkesë kryesore kanë infrastrukturën rrugore, thotë Pepkolaj, duke shtuar se destinacionet janë fantastike, por se qasja në rrugë automobilistike është e vështirë.

Ai tregon se disa zona janë edhe të rrezikshme, ndaj sinjalistika është e domosdoshme.

Problem është, po ashtu, mungesa e energjisë elektrike, të cilin disa prej banorëve e kanë zgjidhur me panele diellore.

Radio Evropa e Lirë


Send this to a friend