Ish-presidenti i Komisionit Evropian dhe eksponent kryesor i së majtës franceze ishte 98 vjeç
VOAL- Ish-presidenti i Komisionit Evropian Zhak Delors, politikan dhe ekonomist francez, ka vdekur në moshën 98-vjeçare. Këtë e bëri të ditur për agjencinë e lajmeve AFP, vajza e tij Martine Aubry.
“Ai vdiq sot në mëngjes (të mërkurën, red.) në shtëpinë e tij në Paris, në gjumë”, shtoi kryebashkiakja socialiste e Lille. I favorizuar në sondazhe, Jacques Delors shkatërroi shpresat e së majtës duke refuzuar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 1995, një heqje dorë e transmetuar në televizion para 13 milionë shikuesve.
“Nuk jam penduar”, por “nuk them se kisha të drejtë”, tha ai për Le Point në vitin 2021. “Isha shumë i shqetësuar për pavarësinë dhe ndihesha ndryshe nga ata që më rrethonin. Mënyra ime e të bërit politikë nuk ishte e njëjtë”.
Nga Brukseli, ku qëndroi në krye të Komisionit nga viti 1985 deri më 1995, Jacques Delors luajti rolin e arkitektit në përvijimin e kontureve të Evropës bashkëkohore: krijimin e tregut të vetëm, nënshkrimin e marrëveshjeve të Shengenit, të Aktit të Vetëm Evropian, nisja e programit të shkëmbimit të studentëve Erasmus, reforma e Politikës së Përbashkët Bujqësore, nisja e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar që çoi në krijimin e euros dhe shumë më tepër.
Në mars 2020, ai u bëri thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së që të tregojnë solidaritet më të madh në një kohë kur ata po diskutonin përgjigjen e përbashkët ndaj pandemisë Covid-19.
Me grupet e tij të mendimit, “Club témoin” dhe “Notre Europe” (më vonë për t’u bërë “Institut Jacques-Delors”, me zyra në Paris, Bruksel dhe Berlin), ai mbështeti forcimin e federalizmit evropian deri në fund, duke bërë thirrje për “Guxim” më të madh në kohët e Brexit dhe sulmeve nga “populistët e të gjitha shtresave”.rsi-eb