Është mëngjes. Vezullon bota
Si uji që lë të kullohen në fund të tij
Papastërtitë e veta.
Dhe je ti, menjëhershëm
Ti, e dashura ime, në vegullimin
Përballë meje.
Ditë dimri, pa njolla, e tejpashme
Si qelqi. Të kafshosh tulin e ndezur dhe të shëndetshëm
Të një fruti. Të duash, trëndafilja ime, i ngjan
Thithjes së ajrit në një pyll me pisha.
Kushedi, ndoshta nuk do të dashuroheshim shumë
Nëse shpirtërat tanë nuk do t’i shikonim nga larg
Nuk do të ishim kaq afër, kushedi,
Nëse fati nuk do të na kishte ndarë.
Është kështu, pëllumbesha ime, mes teje e meje
Ka vetëm një ndryshim të vogël:
Ti ke krahët dhe nuk mund të fluturosh
Unë kam duart e nuk mund të mendoj.
Mori fund, do të thotë një ditë nëna Natyrë
Mori fund së qeshuri e së qari
E do të jetë ende në jetën e vorbullt
Që nuk shikon nuk flet nuk mendon.
Komentet