Zëvendëspresidentja Kamala Harris i është përgjigur komenteve raciste të ish-presidentit Donald Trump ndaj saj. Harris tha se populli amerikan meriton më mirë dhe se meriton një lider që të kuptojë se dallimet tona nuk na ndajnë.
“Ishte e njëjta shfaqje e vjetër – përçarje dhe mosrespekte. Populli amerikan meriton një lider që thotë të vërtetën, një lider që nuk përgjigjet me armiqësi dhe zemërim kur përballet me faktet. Ne meritojmë një lider që të kuptojë se dallimet tona nuk na ndajnë. Ato janë një burim thelbësor i forcës sonë. ”, tha Harris.
Në intervistën e tij të mërkurën në Çikago, Trump vuri në dyshim identitetin racor me ngjyrë të Harris, ku ngriti pikëpyetje nëse ajo është indiane apo me ngjyrë.
“Ajo ishte gjithmonë me origjinë indiane dhe ajo vetëm po promovonte trashëgiminë indiane. Unë nuk e dija se ajo ishte me ngjyrë deri disa vite më parë, kur ajo u bë me ngjyrë dhe tani ajo dëshiron të njihet si me ngjyrë. Pra nuk e di, a është indiane apo me ngjyrë?”, tha ai në kongresin e Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve të me Ngjyrë në Çikago të mërkurën.
Harris, babai i të cilit është xhamajkan dhe nëna indiane, ndoqi Universitetin Howard. Ajo është zëvendëspresidentja e parë femër në historinë e SHBA-së dhe gjithashtu gruaja e parë me ngjyrë që mban këtë detyrë.
Vërejtjet e Trump erdhën ndërsa Harris po shijon vrullin e votimit në fushatën e saj ende të re për presidente pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara më 21 korrik. Fushata e Trump është vendosur “të sulmojë” Harris dhe duket se deklaratat e fundit të ish-presidentit janë pjesë e kësaj strategjie. Komenti i tij ndaj Harris nuk është pritur mirë në rrjet ku komentuesit i kanë cilësuar fjalët e tij të turpshme. sn